luftëtarët e Agamemnonit dhe Priamit nën muret e Trojës së lashtë. I ngjashëm me episodin e Glaukut dhe Diomedit te Iliada është takimi i probatinëve të vjetër, sllavit Mil Spasi dhe shqiptarit Bec Patani. Në përleshje e sipër, të dy e njohin njëri tjetrin, këmbejnë fjalë përshëndetjeje dhe mbështetin kokat në supet e njëri tjetrit, siç e do zakoni. Në interlud rrëfehet si kishte lindur miqësia e tyre. Kur Rrustem Uka mbërrin me përforcime nga Gucia, Bec Patani e shpëton probatinin e tij. Mbi atë kasaphanë bie nata.
Kënga XXI - Ndërmjetsija:
Pas një përshkrimi të gjatë të skenave të betejës të mbushur plot me gjak, gjymtyrë dhe koka të prera, shfaqet Patër Gjoni i këngës XIX. Ai i kërkon pashait t'i japë leje të shkojë te Mark Milani për një armëpushim, për të varrosur të vrarët. Pashai pranon. I shoqëruar nga një gjakon, Patër Gjoni niset për në kampin e komandantit malazez. Atje e presin me nderime. Pason një dialog midis patriotit Patër Gjoni dhe Mark Milanit, që tregohet fisnik, dhe armëpushimi vendoset. Por disa luftëtarë nuk duan t'ia dinë dhe mezi ç'presin të luftojnë. Me njëzet shokë besnikë me vete, Bec Patani mësyn në një tufë dhensh në Mal të Zi. Hyjnë në një vathë natën dhe e rrëmbejnë tufën. Skena të kujton Iliadën, plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan. Rrugës në kthim ata marrin vesh se Mark Milani kishte ndërmend t'i mësynte përsëri sapo të mbaronte armëpushimi, kësaj radhe në Nokshiq. Nxitojnë që t'ia japin këtë lajm Ali pashës.
Kënga XXII - Tringa:
Veprimi ndodh në Nokshiq (pa dyshim Novshiqi i sotëm) në luginën e Limit të sipërm në juglindje të Malit të Zi. Për t'i shpëtuar kërdisë, të gjithë banorët janë larguar, madje edhe kafshët e egra. Mbetet në shtëpi vetëm vajza trime shqiptare Tringa, për t'u kujdesur për të vëllanë Curr Ula që po vdes. Përkushtimi dhe vetmohimi i motrës së ndershme e sypatrembur, figurë e marrë nga letërsia gojore shqiptare, jepet nga poeti me imtësi të holla. Curr Ula vdes dhe i bie Tringës ta varrosë në tokën e vet, megjithëse pas pak do të shpërthejnë luftimet. Një luftëtar sllav që kalon aty, Gjur Kokoti, e kallëzon dhe kërkon ta marrë "si ré nanës t'm'i ndihmojë n'shpi", por Tringa nuk do t'ia dijë. Ajo rrëmben pushkën dhe e qëllon në krahëror, duke marrë edhe vetë një plumb në kokë nga shoku i Gjur Kokotit, Vasil Ndreka. Kënga mbyllet:
"Edhè dielli dheut i rá,
Gjallë por Tringa Shkjaut n'dorë s'rá" (9)
Kënga XXIII - Ke tbanat e Curr Ulës:
Luftëtari shqiptar Gjetë Gega nga Shllaku mbërrin në vend dhe merr hak për Tringën duke vrarë Vasil Ndrekën. Më tej Gjetë Gegën e sulmon sllavi Millosh Pera në një duel, që poeti e krahason me një përleshje për jetë a vdekje midis një luani e një tigri. Në përleshje e sipër Millosh Pera pengohet te kufoma e Vasil Ndrekës dhe vritet nga Gjetë Gega, i cili i pret kokën Vasilit dhe e flak në oborr pranë trupit pa jetë të Tringës. Më tej në këtë këngë përshkruhen duele të tjera, ku trimat shqiptarë e malazezë përqeshin e shpotitin njëri tjetrin në një mënyrë epike.
Kënga XXIV - Zana e Vizitorit:
Zana e Madhe kundron betejën e përgjakshme nga më e larta pikë e malit Vizitor mbi
__________________________________________________ _________________
9 Lahuta e malcís XXII. 881-882.
__________________________________________________ _________________
Plavë, ashtu si Zeusi sodiste Luftën e Trojës nga maja e lartë e malit Ida. E zemëruar në kulm kur sheh Tringën e virtytshme, e cila që fëmijë kishte qenë nën mbrojtjen e zanave të malit, ajo zbret për t'ia marrë trupin e për ta sjellë në rudinat e malit Vizitor. Trupin e saj e lajnë me ceremoni, e ndërrojnë dhe e varrosin rrëzë një bliri, ndërsa Zana e Madhe e vajton. Tringës i duhet marrë haku. Ky është vullneti i Zanës së Madhe që ngrihet mbi malësi dhe u lëshon burrave kushtrimin për të shpejtuar për në fushëbetejën e Nokshiqit. Retë e luftës mblidhen në horizont ndërsa fiset e Shalës, Shoshit, Shllakut, Temalit, Merturit, Gjâjit dhe Dushmanit përgatiten për betejë.
Kënga XXV - Gjaku i marrun:
Kjo këngë, më e gjata nga të gjitha, me 1184 vargje, i kushtohet përsëri ashpërsisë së betejës, të cilën poeti shpirtbutë françeskan e përshkruan me kënaqësi. Nga vendi ku është ulur në majën e lartë të Durmitorit, ora e Malit të Zi dëgjon kushtrimin therës të Zanës së Madhe të Vizitorit dhe niset për të lajmëruar Mark Milanin, duke vajtuar:
"Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá
Janë lá n'gjak, q'se fati i zí
Flakë e agzot vûni per brî,
Vû per brî Shqypní e Mal t'Zí!" (10)
Ora i del Mark Milanit me fytyrën e poetit epik malazez Petar Njegosh për t'i njoftuar se shqiptarët po bëhen gati të zbresin në Nokshiq e ta tërheqin për të hyrë në betejë. Mark Milani trim i hyn orvatjes së fundit të pasuksesshme për të pushtuar malësinë shqiptare. Ai u bën thirrje luftëtarëve të vet të hidhen në sulm, duke u premtuar "cilen n'Plavë, dreken n'Gusí, zamren n'Hot e darkën n'Shkodër." Beteja ndizet e përgjakshme dhe përshkruhet edhe një herë me gjithë vrullin e heroizmit e batërdinë e saj. Zanat e maleve, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, ndërhyjnë për të mbrojtur luftëtarët e dashur e për t'i dërguar të tjerët në atë botë. Mark Milani e kupton se malazezët janë të rrethuar dhe kërkon nën një rrebesh shiu Mirko Kapidanin, për t'i thënë që të tërhiqet. Mirkoja është kapur rob nga shqiptarët në një urë mbi Lim. Këtu ora malazeze dhe zana shqiptare, të mbështetura nga dy shtriga mbi kurriz breshke, zënë e përleshen vetë. Ora mundet, e lodhur në pemën e blirit mbi varrin e Tringës, ku e rrahin gjarpërinjtë. Hakmarrja është kryer. Zana e Madhe këndon:
"A t'kam thânë, 'or' Knjaz Nikolla,
Se un, dér sande pa marrë dielli,
Tringen do t'a kish' pague:
Treqind krena un tue t'i pré,
Treqind rob un tue t'i zanun,
Trí mij çika e nuse t'reja
Para kohës tue t'i lânë veja." (11)
Kënga XXVI - Koha e re:
Pas skenash të gjata me beteja, kënga XXVI bën kontrast me karakterin idilik të skenave të saj. Këtu hyn vetë poeti. Ai po e kalon pranverën në Lezhë për të përfunduar Lahuta
__________________________________________________ _________________
10 Lahuta e malcís XXV. 52-55.
11 Lahuta e malcís XXV. 1165-1171.
__________________________________________________ _________________
e Malcís, dhe fton për vizitë zanën, muzën e tij. Bukuritë e Lissusit të lashtë në ato ditë pranvere e frymëzojnë poetin të rikujtojë historinë e krahinës: ndërtimin e kështjellës së Lezhës me muret e saj ciklopike, jetën e mbretërve legjendarë të Ilirisë, varrin e Skënderbeut, legjendat dhe mitologjinë. Tani, pas pesë shekujsh sundimi turk, po agon një kohë e re, ajo e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë.
Kënga XXVII - Xhemjeti (Komiteti):
Ka ardhur shekulli i njëzetë. Në brigjet e Bosforit, gjatë revoltes së xhonturqve më 1908, mblidhet një pseudokomitet pashallarësh turq për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Liberalizmit të Sinan Pashës i kundërvihen Xhavit dhe Turgut Pasha, për të cilët në Perandori ka vetëm një kombësi, ajo turke, dhe që kërkojnë të përdoret forca për të mposhtur kryengritësit shqiptarë.
Kënga XXVIII - Dedë Gjo' Luli:
Fryma e qëndresës ndaj malazezëve vazhdon të gjallojë në Shqipërinë moderne në figurën e Dedë Gjo' Lulit, kryeluftëtar i çështjes kundër turqve. Jemi në vitin 1911, një vit para luftërave ballkanike, kur turqit nisën orvatjen e tyre të fundit për t'i nënshtruar malësorët shqiptarë nën sundimin osman. Me Dedë Gjo' Lulin dhe çetën e tij prej njëzet petritash është edhe plaku Marash Uci nga Rapsha e Hotit, që e kemi parë në këngën XII. Turgut Pasha me shtatëdhjetë batalionet e tij kërkon që malësorët të dorëzohen brenda pesë ditësh, dhe pastaj përgatitet për sulm, por tani gjendja e mjerueshme e Shqipërisë i ka rënë në sy edhe Evropës.
Kënga XXIX - Lufta e Balkanit:
Perandori i Austrisë Franc Jozefi e këshillon Sulltanin të mos i ngacmojë shqiptarët, se përndryshe do të ketë me ta më shumë probleme nga sa kujton ai. Cari i Rusisë shtyn miqtë e vet sllavë t'i shpallin luftë Turqisë dhe kështu nis Lufta Ballkanike e vitit 1912. Nga humbja e Turqisë do të përfitojnë bullgarët, dhe përsëri sllavët sulmojnë Shqipërinë. Mbreti i Anglisë fton gjashtë mbretërit e tjerë, përfaqësues të Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës për të zgjidhur këtë problem, sepse "prej Balkanit hajr nuk ké!"
Kënga XXX - Konferenca e Londonit:
Pas tridhjetë vjetësh pune me Lahuta e malcís, poeti e mbyll këngën duke i bërë thirrje zanës, e cila prej kohësh e ka ndjekur pa u ndarë andej-këndej nëpër lëndinat e Parnasit. Ashtu si Horaci në exegi monumentum, poeti na thotë:
"Ndertue kemi 'i pomendare,
Rrfé as mot mos m'e dermue." (12)
Përshkrimit nga poeti të ngjarjeve të Konferencës së Londrës, ku të 'shtatë krajlat' bisedojnë për fatin e Shqipërisë, nuk i mungon një notë humori e ironie. Pas shumë debatesh, pjesëmarrësit pranojnë të njohin shtetin e ri e të pavarur shqiptar. Flamuri kuq e zi, "porsì fleta e Engllit t'Zotit", valëvitet tani mbi tokën e Skënderbeut.
Lahuta e malcís është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me
__________________________________________________ _________________
12 Lahuta e malcís XXX. 23-24.
__________________________________________________ _________________
Krijoni Kontakt