Popullimi i Krujës dhe dyndjet e krutanëve në zonën e Himarës
Qyteti–hero i Krujës është ndërtuar në pllajën e faqes perëndim ore të malit në një lartësi rreth 608 m mbi nivelin e detit. Dijetarë të ndryshëm kanë shfaqur mendimin se qendra e fisit Ilir të Albanëve është Zgërdheshi, që u braktis nga shekulli IV dhe popullsia e tij duhet të jetë vendosur në një vend të afërt, mundet në Krujë. Kruja si qytet për here të pare del si qendër peshkopate në vitin 879 (peshkopi Davidi i Krujës). Ky qytet në mesjetë ka pasur një kala të rëndësishme dhe Kruja ka qënë qendra e krahinës Arbanum, bërthama e Arbërit, shtetit të parë feudal shqiptar, që formohet rreth vitit 1190 me në krye sundimtarin vendas, arbëreshin Progon.
Emri i këtij qyteti ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga fjala shqipe “krue”- burim, pasi shumë kroje e burime natyrore ka brënda e përreth tij. Emri i Kastriotëve del për here të pare më 1368, i Branilla Kastriotit, kapidanit të Kaninës së Vlorës. Pushtimi osman në Shqipëri filloi që më 1388, duke zaptuar Vlorën, Durrësin dhe Lezhën. Në vitin 1393 Shkodra e Ulqini ranë në duart e Osmanëve dhe qëndruan të pushtuara për dy vjet. Në këtë kohë në Krujë, Danjë e Kostur u vendosën garnizone ushtarake turke, por që nuk qëndruan gjatë në këto vende. Më 1395 Gjon Kastrioti, babai i Skënderbeut zaptoi Krujën, por një vit më pas turqit pushtuan qytetin, por shpejt tërhiqen pa u dukur për 20 vjet rresht. Më 1415 Kruja pushtohet sërishmi nga turqit, dhe u quajt Akçehisar, por shpejt turqit largohen për t’u kthyer më 1430 duke mundur Gjon Kastriotin. Ky territor u emërtua “Juvan-ili” (vendi i Gjonit) me 12 zona.
Më 1431 turqit bënë regjistrimin kadastral të tokave e popullsisë. Kruja në këtë kohë kishtë 125 shtëpi , 19 gra të veja, taksë tregu 1600 akçe dhe taksën në favor të sundimtarëve me 2000 akçe. Në sanxhakun shqiptar ku hynte dhe Kruja më 1431 u kundërshtua regjistrimi kadastral osman dhe i popullsisë nga 46 fshatra dhe 716 shtëpi. Nga rrjedhojat e luftrave, Akçehisari (Kruja) mbeti pothuajse e braktisur, me fare pak të krishterë që pranuan sundimin osman, kryesisht kishte banorë turq me detyra të ndryshme, por të internuar ose të ardhur vetëm nga viset turke të Koxha –ilias, Saruhanit e gjetkë, që disa prej tyre kishin dhe timare. Eksistonte në qytet edhe timari i Eryenit, i disa luftëtarëve të kështjellës së Krujës.
Pas vdekjes së Gjonit, Skënderbeut më 1437- 1438 i jepet posti i subashit të vilajetit të Akçehisarit. Luftërat heroike të Skënderbeut për 25 vjet i shtuan lavdinë Arbërisë dhe tronditën turqit që ishin të etur për pushtime.Skënderbeu vdiq më 17 Janar 1468 në Lezhë, por eshtrat s’i janë gjendur ende. Tre rrethimet osmane të Krujës e dëmtuan rëndë qëndrën e Kastriotëvë dhe popullsinë, shkretuan ara e shtëpi , vranë e prenë më qindra e mijëra. Kruja ra më 1478 ku u pushtua nga sulltan Mehmeti i Dytë dhe për afro 500 vjet ky qytet e Shqipëria mbeti e pushtuar nga turqit. Në regjistrimin e vitit 1467 në qytetin e Krujës ka pasur 154 shtëpi. Në këtë vit janë regjistruar të braktisur 22 fshatra të rrethit të Krujës. Banoret e ketyre fshatrave që shpëtuan nga sulmet turke, u shpërngulën në zona të thella malore të vendit, për të vazhduar luftën. Shekulli XV-XVI është etapa e rënies së jetës ekonomiko-shoqërore të qyteteve, ndaj sulltani bëri disa privilegje për qytetarët me qëllim që të rindërtohej ekonomia e shkatërruar. Kështu pozita e qytetarit ishte më e favorshme se ajo e fshatarit. Ky ishte i çliruar nga varësia feudale. Qytetarët e krishterë qenë të detyruar të paguanin taksën e tokës, por me përqafimin e fesë islame çliroheshin nga kjo taksë. Në shekullin XV-XVI pushteti osman përdori kundrejt qytetarëve një politikë që synonte në angazhimin e banorëve me detyrime si për mirëmbajtjen e kështjelles, urave dhe rrugëve pranë tyre, duke i falur nga një pjesë të rentës shtetërore. Në vitin 1571 Kruja kishte pak banorë,por bejlerë s’kishte. Është periudha kur feja katolike në qytetin e Krujës ka filluar të zbehet, ndonëse ka ende të krishtërë. Në zonën e Kurbinit më 1580 nga 72 familje, 13 prej tyre janë myslimane. Sipas regjistrit të vitit 1583, 71 familje myslimane që banonin në lagjen Varosh të Krujës ishin ngarkuar të ruanin kështjellën, 10 familje të tjera të mirëmbanin rrugët, kurse 47 të tjera të krishtera do shërbenin për mirëmbajtjen e mjedisit, të vendrojeve, hambarëve, urave etj.
Për arësye ekonomike dhe social-psikologjike shumë fashatarë linin fshatrat e tyre dhe ktheheshin për të banuar përgjithmonë në qytet, ndonëse edhe këtu paguanin taksa, por më pak se në fshat. Fshatari mysliman, që vinte në qytet s’paguante taksën e shpërnguljes, kurse të krishterët e paguanin me 40-50 akçe. Kruja dalëngadalë filloi të popullohej dhe këta filluan ushtrimin e mjaft zejeve si hekurpunues, argjilpunues, armëtar, mendafshpunues, regjës lëkurësh, kuzhiniëer, ëmbëltor etj. Me 1714 në një qarkore perandorake osmane shkruhet: “Më shumë se 1700 të krishterë të fshatrave të Matit, Dibrës, Krujës e Lezhës kanë kundërshtuar të paguajne xhizjen (taksë për kokë njeriu). Qe një periudhë ku filoi një lëvizje e shpeshtë e fshatarëve drejt qytetit e për rrjedhojë fshatrat po mbetnin të shkretuar dhe taksat rajatike(të tokës) po pakësonin arkën perandorake. Për këtë me urdhër perandorak më 6 shtator 1715 u ndalua me ligj ardhja e fshatarëve në qytete e për të pabindurit u caktuan masa ndëshkimore. Megjithatë ky ligj nuk u zbatua plotësisht dhe lëvizje drejt qytetit, por më të rralluara, vazhduan edhe më pas. Fillimisht Kruja varej nga Sanxhaku Shqiptar me qendër në Shkodër. Nga viti 1570 e deri më 1806 varej nga Sanxhaku i Ohrit. Nga viti 1806 gjer në periudhën e pavarësisë Kruja varej nga Sanxhaku i Durrësit. Pas Pavarësisë regjistrimi i parë i popullsisë u bë më 1918 me këto ndarje: Kalaja me 324 shtëpi e 1354 banorë, Varoshi me 557 shtëpi e 2557 banorë, Gjthsej 881 shtëpi e 3911 banorë. Si rreth Kruja kishte 13 190 banorë. Në regjistrimin e vitit 1922 Kruja si qytet kishte 3861 banorë. Në vitin 1923 Kruja kishte 891 shtëpi dhe 4056 banorë. Si qark Kruja në këtë vit kishte 49 fshatra, 2719 shtëpi dhe 15376 banorë, të ndarë në meshkuj 7628 dhe femra 7748. Më 1926 Kruja kishte 1133 shtëpi dhe 4027 banorë. Si rreth Kruja në këtë vit ka pasur 52 fshatra, 2748 shtëpi dhe 14393 banorë. Nga regjistrimi i vitit 1930 Kruja si qytet ka pasur 4560 banorë, 900 shtëpi, 7000 rrënjë ullinj dhe 70 000 pemë të tjera. Si rreth Kruja më 1939 ka pasur 29850 vetë. Më 1.07.1940 italianët bënë regjistrimet e banorëve të Krujës dhe rezultuan: Lagjia Varosh me 525 shtëpi, meshkuj 1498, femra 1444, gjithsej 2942 vetë. Lagjia Kala me 331 familje, meshkuj 904, femra 862, gjithsej 1766. Nga dy lagjet e qytetit qenë 846 familje me 4708 banorë. Për rrethin e Krujës edhe me 1941 ka këto shifra: sipërfaqja e tokës 561.07 km2, banorë gjithsej 22222, nga këta meshkuj 11252, femra 10970.
Sipas ndarjes fetare të popullsisë për rrethin numuroheshin: myslimanë 17237, katolikë 4977 dhe arthodoksë 8 vetë. Fill pas Çlirimit, më 1945, rrethi i Krujës ka pasur 25285 banorë. Disa të dhëna dokumentare e gojore për fiset Popullimi sipas zonave të migrimit është realizuar sipas nevojave e marrëdhënieve, që siguronin në vend të ardhurit për në Krujë. Popullimi dhe shpopullimi në Mesjetë ka qënë fenomen për tërë qytetet e fshatrat e Shqipërisë. Sipas të dhënave dokumentare e gojore, fise autoktonë që nga periudha e Sklënderbeut dalin vetëm 5 fise, të cilat janë Kakuli,Baruni,Silta(Zilta),Zhili(Zhilli) dhe Skura. Krujën e populluan të ardhurit nga fshatrat e rrethit, nga rrethet e tjera të Shqipërisë, nga tokat shqiptare jashtë kufinjve dhe nga migracioni i huaj dhe gjer më 1945 kishte 335 fise a familje me pak a shumë frymë. Nga fiset e ardhrua 77 prej tyre janë të shuara, që arrin në masën 23 %. Nga fshatrat e rrethit të Krujës migruan këtu 90 fise që përbën 32.7% të të ardhurve. Nga Mati erdhën këtu 26 familje ose 9.4%. Nga rrethi i Durrësit erdhën 22 familje ose 8 %. Nga Dibra 20 familje ose 7.2 %. Nga Shkodra e Mirdita 35 familje ose 12.7%. Nga Tirana erdhën 16 familje ose 5.8%, kurse nga rrethet e tjera të Shqipërisë 22 fise ose 8%. Krujën e populluan edhe 25 familje nga tokat shqiptare jashtë kufinjve ose 9.1%, kurse 19 të tjera nga migracioni i jashtëm që përbën 6.8 % të familjeve të të ardhurve. Popullsia e ardhur në Krujë përbën 98.5% të 340 fiseve së bashku me 5 fiset autoktone. Rreth 82 % të tërë fiseve i është gjetur vendi i prejardhjes, kurse 18 % për mungesë faktesh,jo.
Mbi dyndjet e disa krutanëve në zonën e Himarës Gjatë luftrave antiturke himariotët u dalluan për qëndresën e tyre heroike. Nga viti 1385 gjer më 1401 venedikasit u sigurojnë himariotëve mbrojtjen prej turqve nga ana e detit, kurse këta do të marrin përsipër t’u sigurojnë shqiptarëve të ardhur këtyre anëve strehimin me gjithë familje. Shumë shqiptarë dhe nga Veriu u rekrutuan në repartet e stratiotëve dhe disa morën si shpërblim, edhe feude. Më 1419 turqit pushtuan Gjirokastrën. Që në kohën e Gjon Kastriotit lindi një miqësi e ngushtë mes luftëtarëve krutanë dhe trimave himariotë. Sipas regjistrit kadastral osman të vitit 1431 zona e Himarës kishte 48 fshatra me një shtrirje të gjërë territori, siç pohon kënga popullore: “ Që nga Gumenicë e lart Himarë i thonë çdo fshat…” Nahija e Himarës kishte 117 shtëpi, 5 gra te ve, shtëpi beqarësh 12 dhe të ardhura 11370 akçe. Himariotët rrallë e jepnin taksën, por dhe kur ndodhte që ta paguanin, e jepnin me majën e shpatës. Si kudo në Shqipëri dhe këtu fenomeni i popullimit dhe shpopullimit qe një gjë e zakonshme në Mesjetë.Nga dokumentat arkivorë e ata gojorë, të ardhurit në zonën e Himarës përbëjnë mbi 90% të popullatës. Ardhja këtu e banorëve krutanë dhe të Dukagjinit, kryesisht në kohën e Gjon Kastriotit, dhe pas vdekjes së Skënderbeut ka lënë gjurmë si në folklor, toponomi, ku shumë emërtime dalin me emra katolikë, ashtu edhe ne gjuhë. Këta emërtime ndodhen në qytetine Himarës dhe në shume fshatra të zonës. Po shkruajmë këtu vetëm disa emra kishash të vjetra, si: Në Himarë : Shëndëllia, Shënavlashi. Në Vuno: Shënmëhilli, Shënmëria, Mesadhi, Shënapremtja, Shënpjetri në Jalë. Kryesisht nga të dhënat gojore që mblodhëm nga takimet tona me shumë qytetarë e fshatarë të kësaj zone, mësuam që në periudhën e Kastriotëve shumë krutanë migruan këtyre anëve, me qëllim për t’iu larguar raprezaljeve të osmanllinjve, por edhe për të vazhduar luftën kundër pushtueve turq bashkë me vëllezërit himariotë.
Kështu krutanë ka në Himarë, Vuno, Palasë, por më të shumtët janë në fshatin Dhërmi. Në Dhërmi kemi këto fise të ardhura: Fisi Gjinleka sot, dikur fisi “Leka”, sot fis i shumuar me 110 shtëpi. Nga ky fis u shqua Dhimitër Leka, shpërngulur në Napoli të Italisë. Arriti gradën e gjeneralit dhe kontriboi për bashkimin e Italisë me Xhuzepe Garibaldin. De Rada këtij personaliteti arbëresh i kushtoi “Milosaon”.Në Dhërmi është edhe fisi Milo me prejardhje nga Dukagjini. Në Palasë: Fisi Billa i ardhur nga Kruja këtu rreth vitit 1480-1481 në ndihmë të Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut dhe mbetën në këtë fshat. Po në këtë fshat kemi edhe Fisin Koka i ardhur nga Kruja që në kohën e Gjon Kastriotit të parë. Në Vuno kemi të ardhur fisin fisin Skura rreth viteve 1430-1435.Po këtu kemi edhe fisin Curraj, të ardhur nga veriu i Shqipërisë. Në Himarë është një degëzim i fisit Skura të Vunoit me katër shtëpi. Po në Himarë kemi fisin Varfri, ardhur në zonën e Mysjes së Krujës nga Dukagjini në vitet 1400-1405, kurse në Himarë janë të ardhur pas pushtimit të Krujës më 1478. Në Himarë: Fiset Kolika , Simo dhe Spiro thuhet se janë të ardhur nga Dukagjini. Në Qeparo kemi fisin Bogdanaj, ardhur nga Shqipëria Veri-lindore, nga Guri i Hasit. Në Pilur është fisi Bala (dikur Qesaraj) dhe fisi Çakolli (më parë Delagji) ardhur të dy nga Dukagjini. Shtojme këtu se zonën e Himarës e populluan edhe të ardhurit nga jugu I Shqipërisë si nga Kuçi e Kurveleshi, pra Kaonët që shumuan popullimin e kësaj treve. Për nevoja ekonomike ose për të qënë më të sigurt nga barbarizmat e osmanllinjve disa familje të Krujës migruan jashtë atdheut sin ë Itali,Greqi e gjetkë. Pas vdekjes së Skënderbeut e veja e tij gjen strehim në Napoli.Në qytetin Amalfi një nip i Skënderbeut dhe ky me emër Geiorge Kastrioti u vendos këtu me familje më 1498. Antonio Kastrioti më 1516 themeloi kishën Della Spedollto në Itali. Me kohë kanë migruar në Greqi dhe nga pjesëtarë të fiseve Billa,Gjergji,Gjileka,Skura e Varfri. Sot veçanërisht në Lokridë flet shqip demosi Lorimnis.Më 1890 Philippsoni i llogariti shqiptarët në Greqi 224 000 frymë.
Mbi lashtësinë e gjuhës shqipe në Himarë Populli i qytetit të Himarës bashkë me 3 fshatrat përreth (Dhërmi,Iliaz e Palasë) flasin sot greqisht, ndonëse gjuha amatare e tyre është shqipja. Sipas studimit të Petro Markos për familjet e Dhërmiut konstatoi se vetëm fisi Parga është me origjinë greke, të tjerët janë krejt shqiptarë. Për të folmen e kaherëshme shqipe fakt i parë është vetë origjina e fiseve shqiptare që populluan Himarën e zonën përreth saj. E dyta, toponimet e ndryshme në shumicën dërrmuese janë emërtimet shqipe dhe kjo flet qartë për lashtësinë e gjuhës amtare dhe në tre fshatrat që flasin greqisht, pasi janë emërtime të vjetra e në shekuj mbetën të pandryshuar. Origjinën e vjetër të shqipes në këto anë e vërtetojnë dhe shprehjet frazeologjike që përdoren të pandryshueshme dhe atje ku flitet greqisht, si dhe mjaft ninulla, këngë erotike dhe vajtimore. Për përdorimin e shqipes në Dhërmi flet qartë hapja e shkollës së parë fetare shqipe më 1630 me drejtor Niko Katalonën që bëri dhe gramatikën shqipe. Lind pyetja.Kur hyri greqishtja në përdorim familjar në Himarë e tre fshatrat përreth saj? Koha nuk është e largët. Ali Pashë Tepelena u soll keq me himariotët dhe i internoi në Sallahore, në jug të Prevezes ku qëndruan 30 vjet, 10 vjet pas vdekjes së Ali Pashës e pastaj u kthyen sërishmi në Himarë e Dhërmi. E dyta, dhe marrëdhëniet tregtare me Korfuzin e Kretën qenë të shpeshta. Për këto arësye ato filluan të flasin greqisht rreth viteve 1860-1870, gjuhë e cila mbizotëroi mbi shqipen, që me kalimin e kohës filloi të harrohej. Sot në këtë zonë ekziston gjendja bilingue, ku krahas greqishtes ata dinë dhe shqip, por në familje pothuajse flasin greqisht. Mbi 90% e kësaj popullate janë me origjinë shqiptare,ndaj vlen që të mos e harrojnë shqipen, gjuhën e gjyshërve të tyre.
Gazeta Sot.
Krijoni Kontakt