---------------------------------------------------------------------------------------
Në ndeshjen e katërt të gjysmëfinales së Konferencës Lindore të ligës më të fortë botërore të hokejit, NHL, hokeisti Tahir Domi ka pasur një zënkë me një lojtar kundërshtar. Kundërshtari kishte ngritur shkopin për ta goditur Domin, por e ka pësuar. Në përfundim të zënkës, shqiptari Tahir Domi pezullohet për 8 ndeshje. Përfytyroni se çka e ka gjetur kundërshtarin e tij. Në më pak se dy minuta para se të përfundonte ndeshja e ligës më të fortë të hokejit në akull në botë, NHL, tifozët vendas shpërthyen. Ata u ngritën në këmbë dhe nisën të thërrisnin: "Domi! Domi! Domi!" Tahir Domi e ka dëgjuar emrin e tij të brohoritet edhe më parë, por asnjëherë në atë mënyrë. Atë natë, atij po i brohorisnin jo për rrahjet e tij të zakonshme me lojtarët kundërshtarë, por për lojën e mirë që po e bënte. Domi po driblonte, po pasonte, po gjuante në portë dhe të gjitha këto po i bënte si mos më mirë. Sa herë që kishte pasur ndonjë kontakt me kundërshtarët, ai e kishte dëgjuar përbrënda thënien: "Ja kur t'ia kërcas tani", por ishte përmbajtur veten dhe kishte vazhduar të luante. Ishte loja e tij më e mirë në të gjithë karrierën. Lojtari më i dashur i Torontos, po mbahej në krah nga trajneri i skuadrës së tij, Toronto Meaple Leafs. Loja gati po mbaronte. Këmbët e tij të forta po rrëshqisnin në akull dhe ai i kishte bërë veshët katër për të dëgjuar më mirë brohoritjet e tifozëve: "Domi! Domi!". Vetëm edhe disa sekonda dhe Tahir Domi do të shpallej lojtari më i mirë i ndeshjes nga spikeri zyrtar. Mirëpo, përnjëherësh, kur kishte më pak se një minutë për të mbaruar loja, Domi çon kokën dhe sheh mbrojtësin e skuadrës kundërshtare Devils, Skot Niedermajerin, duke u nisur drejt tij. Shqiptari nuk ia hap udhë, por shtrëngohet. Niedermayer ndalet, Domi i afrohet. Niedermayeri çon shkopin e tij të hokejit në ajër. Sytë e Domit hapen dhe bebëzat i zgjerohen. Nga buza nis t'i dalë gjak i ftohtë. Ajo që ngjau në sekondat e mëvonshme shkaktoi shumë diskutime në ligën kanado-amerikane NHL. Njerëzit nisën të flisnin nëpër bare, kafene, në redaksi të gazetave, në zyrat e ligës nga Atlantiku në Paqësor. Së pari, u mbajt një konferencë shtypi e Domit që kërkonte falje dhe pastaj e zyrtarëve të ligës që e dënuan Domin me përjashtim për 8 ndeshje. Ndërkohë shumëkush pyeste: Pse e bëri Domi atë? A do ta bënte sërish? Përgjigjet nuk do të gjenden në Qendrën Air Canada, kur Domit t'i mbarojë pezullimi i tetë ndeshjeve. Nuk do të gjenden, sepse rrëfimi për Tahir Domin nuk është i treguar me gola dhe me asistime, por me vrraga dhe hematoma. A është penduar Domi? Tahir Domi e shndërroi ndeshjen e tij më të mirë në ditën e tij më të zezë. Pas ndeshjes, ai u vesh shpejt dhe u largua nga salla pa dashur të bisedonte me gazetarët. Arriti në shtëpi dhe shpërtheu në vaj, ku iu desh t'i tregonte të birit të tij të vetëm, Maksit, se përse babai i tij nuk do të luante në disa ndeshjet e ardhshme. Më në fund vendosi të fliste edhe para gazetarëve. "Një ndeshje e mirë u shndërrua në një ishull të vetmuar",- ka belbëzuar Domi. Shumë ditë më vonë, Tahiri në një zyrë në Toronto po fliste për pezullimin e tij. Ndërsa e sjell ndërmend incidentin me Niedermajerin, ai thotë se ka bërë një marrëzi të madhe. "Po të më jepej rasti sërish, nuk do ta ngisja Niedermajerin në atë çast",- thotë Domi. Pastaj ul kokën, buzëqesh lehtë dhe flet gati me përshpërime: "Jo në atë çast. Do ta mbysja në dajak më vonë". E tëra nisi me një vrragë të vjetër Në fakt edhe historia kanadeze e shqiptarit nisi nga dhuna. Babai i tij ishte ushtarak. Komunistët kërkonin që Xhon Domi ta mbronte Perdën e Hekurt, pavarësisht pasojave për vendlindjen e tij, Shqipërinë. "Duhej ta vishje uniformën komuniste",- thotë nipi i Xhonit, Vullkan Domi, që tani jeton në Floridë. "Në të kundërtën, do të të vrisnin bashkë me të gjithë familjen". Nipi pohon se Xhon Domi e ka veshur atë uniformë vetëm sa për mbulesë, ndërsa vetë ka bërë një luftë të vetën. Ai kalonte ilegalisht njerëz matanë kufirit me Jugosllavinë. I ka udhëhequr karvan pas karvani, duke i kaluar dhe duke u kthyer sërish në Shqipëri. E kishte ditur se po ta zinin, do ta ekzekutonin në vend. Gati edhe e kapën. Ndërsa po kalonte kufirin njëherë, Xhoni ndjeu një dhimbje therrëse dhe befasuese në ballë. Gjaku e kishte kapluar. E kishte rrokur plumbi. Po ia kishte dalë të largohej. Gjithsesi plumbi i kishte mbetur në kokë. "Ka shpëtuar shumë njerëz",- të thotë nipi i tij, Vullkani. Xhoni më pas u martua dhe iku në Kanada, në Ontario. U sistemua atje si baba i tre fëmijëve. Gjithë jetën e ka kaluar me vrragën e plumbit në ballë që niste nga vetulla e majtë. Fëmija më i vogël i Xhonit, Tahiri, e kishte kaluar gjithë fëmijërinë duke e shikuar atë vrragë. Si e gjeti fama "të dhunshmin" Në moshën 14-vjeçare, duke luajtur për shkollën e tij, Domi në lojë e sipër është përleshur me një djalë shumë më të madh. 20-vjeçari kishte nisur të qeshte dhe i kishte hedhur dorëzat në akull. Domi i ishte afruar, kishte mbyllur sytë dhe kishte nisur ta "qëllonte". Lojtarët e tjerë ishin grumbulluar dhe nuk po u besonin syve. Domi i kishte hapur sytë, i ishte vërsulur dhe 20-vjeçari, një djalë me shtat të hedhur dhe flokë të gjatë deri në bel, kishte mbetur i shtrirë në akull me fytyrë të përgjakur. Kur kishte përfunduar sezoni, trajneri i skuadrës, Marcel Pronovost, një trajner shumë i njohur, kishte thënë se sezonin e ardhshëm në ligën më të fortë të hokejit kanadez do të shkonin dy lojtarë të ekipit: Rajan Renod, golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe Tahir Domi. "A e dini pse e zgjodha Domin? Sepse e ka të madhe këtë këtu",- kishte thënë trajneri Pronovost duke bërë me grusht nga zemra. Qysh atëherë, Domi i vogël e kishte kuptuar se secili Rajan Renod ka nevojë edhe për një Tahir Dom. Disa vjet më vonë arriti edhe në NHL. Qysh nga dita e parë atje, Domi është njohur për grushtet e tij. Të gjithë adhuruesit e hokejit në Toronto e kujtojnë lojën e tij të parë. Para ndeshjes, ai po i lidhte patinat dhe po fliste ndër dhëmbë, duke premtuar se do t'ia thyente kokën dikujt. "Të gjithë më shikonin mos kam luajtur mendsh",- kujton Domi. Ishte 20-vjeçar atëherë. Tani ai është lojtari që ka më tepër përjashtime nga dy minuta, për shkak të rrahjeve. Për secilin gol të shënuar në ligë, ai i ka 42 minuta përjashtim. Tahir Domi, hero i Torontos Tifozët në Toronto e adhurojnë. "Ai i përfaqëson të gjithë lojtarët e patalentuar që nuk kanë arritur shumë në karrierat e tyre",- thotë vëllai i tij, Dashi, ekspert teknologjie në një kompani në Toronto. "Unë i kam tejkaluar të gjitha parashikimet",- thotë vetë Tahir Domi.- "Kjo më frymëzon. Përherë jam më i mirë dhe më i mirë". Në një koncert të grupit "Eagles" në Toronto, para këngës "Hotel California", këngëtari Glen Frej, ka përshëndetur: "Po përshëndes dikë, që po të ishim në luftë, do të doja ta kisha afër". E kishte fjalën për Tahir Domin. Fëmijë të sëmurë në Kanada, pa shpresë për të mbetur gjallë, kanë dëshirë të fundit të tyre që të takohen me Domin. Para një stërvitjeje, kohë më parë, në dhomat e zhveshjes i kishte arritur një letër. Atë ia dërgonin prindërit e një fëmije të sëmurë, të cilin Domi e kishte vizituar një ditë në spital. Brenda në zarf ishte fotografia e një arkivoli, në të cilin ishte fëmija i vdekur, i mbështjellë me një fanellë me fotografinë e Tahir Domit. Domi, krenaria e emigrantëve në Kanada Para çdo ndeshje, ndërsa bashkëlojtarët e tij mendojnë se si të shënojnë gola, Domi mendon se me kë dhe si do të përleshet. Nuk është rastësi që shoku i tij më i mirë dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, Mats Sundin, nuk ka pësuar lëndim që kur Tahir Domi ka arritur në skuadër në vitin 1995. "Askush në skuadrën time nuk ka nevojë të mendojë për rrahjet përveç meje",- thotë Domi. "Nëse dikush bën diçka, unë jam ai që do të merret me të." Domi është ende lojtar i ligës, madje më i forti i më të fortëve. "Eshtë një punë e zorshme",- thotë ish-bashkëlojtari i tij, Glen Hilej. "Natë për natë ai duhet të rrezikojë jo vetëm reputacionin e tij, por gjithë karrierën për bashkëlojtarët". Me rregullat e NHL-së është e lejuar që hokejistët të rrihen, derisa njëri nga lojtarët të rrëzohet në akull. Pas rrahjes, të dy lojtarët përjashtohen nga dy minuta. Tahir Domi është rekordmen për përjashtime të tilla, madje ai në rrethet e emigrantëve shqiptarë njihet edhe si sportisti që e ka bërë zap Kanadanë. Dhe për këtë ata edhe krenohen...
---------------------------------------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt