Atentati, ekzekutohet "kapoja" i bandës së Durrësit dhe kunati i tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme, në qytetin e Rrogozhinës. Dy persona janë vrarë me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit”, rreth 40 kilometra larg qytetit të Durrësit. Astrit Gjepali, i njohur si “kapoja” i bandës së Durrësit, ka mbetur i vdekur nga breshëria e automatikut, ndërsa mësohet se ka humbur jetën edhe shtetasi Halit Fici, i cili ndodhej në makinë me Gjepalin. Të plagosurit janë Ilir S. dhe Mariglen.B., të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, ku ndodhen në gjendje të rëndë.
Astrit Gjepali kishte marrë lejen më datë 9 janar dhe sot duhej të kthehej në burgun e Peqinit, për të vuajtur dënimin e mbetur. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje, dhe ishte ekstraduar nga Italia në vitin 2006. Gjepalit i kishin mbetur edhe 6 vjet e 7 muaj, nga 25 vitet e dënimit. Mësohet se Gjepali ndodhej në makinë, kur një automjet tjetër është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të makinës së tij me breshëri automatiku. Si pasojë, i vdekur në vend ka mbetur Gjepali, kunati i tij Halit Fici, si dhe u plagosën Ilir S. dhe Mariglen.B., që ndodheshin në makinë me të burgosurin. Mendohet që vrasja të ketë ndodhur për arsye hakmarrjeje, për vrasjet që ka kryer Gjepali. Sipas policisë në shënjestër ka qenë vetëm Gjepali, ndërsa Fici është vrarë aksidentalisht nga plumbat ishin planifikuar për Gjepalin.
Banda e Gjepalit
Astrit Gjepali njihet si kreu i një prej bandave më të rrezikshme të Durrësit në vitin 1997 “banda e Gjepalit”. Pjesëtarët e kësaj bande akuzohen për vrasjen e pesë personave brenda 24-orëve, në qershor të vitit 1997, në Durrës. Gjithashtu kjo bandë akuzohet edhe për katër rrëmbime personash si dhe për grabitje të shumta. Përveç vrasjeve në Durrës, Gjepali akuzohet edhe për vrasjen e shtetasit Ylli Majaci, i ekzekutuar në Zyrih të Zvicrës, më 23 mars të vitit 1993.
Anëtarët e grupit
Astrit Gjepali, dënuar me 25 vjet burg
Naim Qerimi, dënuar me 25 vjet burg
Mirush Jareci, dënuar me 20 vjet burg
Bashkim Haxhia, dënuar me 20 vjet burg
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës
Më datë 16 janar 2014, rreth orës 13.15 minuta në “Bishtin e Zhurit” në Kavajë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë gjetur vdekjen shtetasit Halit Fici, 54 vjeç, Astrit Gjepali, 45 vjeç, si dhe janë plagosur me armë zjarri Ilir S. dhe Mariglen.B., 23 vjeç, të cilët kanë marrë plagë të lehta dhe po marrin mjekim në spitalin e qytetit të Durrësit.
Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet e policisë Kavajë, u formua grupi hetimor i përbërë nga ekspertë të Krimeve të Rënda, ekspertë të Kriminalistikës, përfaqësues nga prokuroria dhe drejtues të Policisë së Tiranës. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur përgjatë momenteve të udhëtimit me automjet, nga ku viktimat janë qëlluar me armë zjarri. Gjatë ecurisë së hetimit dyshohet se paraprakisht kjo ngjarje ka ndodhur për motive hakmarrje. Aktualisht strukturat e policisë po hetojnë intensivisht mbi identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Helikopter në ndjekje të autorëve të ngjarjes
Policia është vënë në kërkim të autorëve të atentatit të sotëm në Kavajë, por ende nuk ka arritur të identifikojë vrasësit dhe as t’i arrestojë. Ministria e Mbrojtjes informon se ka vënë në dispozicion një helikopter për të kontrolluar zonën nga ajri. Deri më tani, i vetmi indikacion për momentin është automjeti tip Benz pa targa, që u gjet 3 kilometra larg nga vendi i ngjarjes. Përveç helikopterit, forca të shumta policie janë shpërndarë në gjithë zonën, në kërkim të autorëve të vrasjes.
Trupat e viktimave dërgohen për ekspertizë në Tiranë
Trupat e viktimave, Astrit Gjepali dhe Halit Fici, janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë. Mësohet se mjekët në Durrës kanë kryer ekspertizën e parë, ku bënë me dije se në trupin e Gjepalit kishte disa plumba, konkretisht në kokë, në këmbë dhe në kurriz. Ndërsa për viktimën tjetër, Halit Ficin, nuk jepen detaje.
/Shekulli Online/ E.B./
Krijoni Kontakt