Gazeta SHqiptare



ALARM I FRIKSHËM

--Të shpallur në kërkim janë 1880 persona, shumica të dënuar për vrasje

Sollaku: Mbi 1100 vrasës të lirë
Kryeprokurori deklaron në Kuvendin Popullor


--------------------------------------------------------------

Zylyftar Bregu

TIRANE

Më shumë se 1100 vrasës lëvizin të lirë në Shqipëri. Alarmin e frikshëm e ka dhënë dje prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë, Dhori Sollaku para deputetëve të Kuvendit Popullor.

Numri i të kërkuarve është dyfishi i kësaj shifre, por pjesa tjetër janë të akuzuar për krime më të lehta. Duke folur për forcën goditëse të organeve të specializuara që luftojnë krimin si dhe për efikasitetin e këtyre organeve, Sollaku deklaroi se Policia e shtetit dhe ajo gjyqësore nuk i janë përgjigjur situatës kriminale. "Aktualisht janë të shpallur në kërkim 1 880 persona", ka thënë numri një i akuzës. Kjo situatë, sipas Sollakut, ku të kërkuarit të cilët janë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë ose me masë sigurie lëvizin lirshëm, krijon pasiguri në vend. "Por ky është edhe një kontingjent që duke qenë i lirë, mund ta vazhdojë aktivitetin kriminal", ka sqaruar Sollaku.

Shqetësuese e ka paraqitur numri një i hetimit të gjithë panoramën e krimeve kundër personit, krime që cënojnë liritë dhe të drejtën e jetës së qytetarëve. Këto krime zënë 27.7 për qind të tërë dosjeve të hapura nga prokuroria shqiptare në nëntë muajtë e fundit. E në raport me të njëjtën periudhë kohore të vitit të shkuar ato kanë pësuar një rritje prej 22.5 për qind. Në nëntë muajët e fundit kanë ndodhur plot 540 vrasje, nga të cilat 150 janë cilësuar si vrasje me dashje, ndërsa pjesa tjetër vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike, në kushtet e vetmbrojtjes. Në këto kushte Sollaku ka sqaruar se nevojitet një politikë më e rëndë penale, pasi kanuni shpesh herë zevendëson shtetin. Qytetet e mëdha janë qytetet ku janë regjistruar edhe vrasjet më të shumta, përshembull vetëm në Tiranë janë shënuar 64 të vrarë, në Shkodër 66, e më pas vijnë Fieri, Durrësi, Vlora e Elbasani.

Në fakt prokurori shprehet pesimit edhe për të ardhmen e këtij krimi, të vrasjes. Sipas logjikës së tij, pavarsisht se në dukje ka një farë normaliteti të krimit të organizuar, (krim që Sollaku e pranoi se në Shqipëri nuk goditet, ose goditet fare pak) meqënëse ai është i lidhur edhe me organizatat e huaja, në një të ardhme të afërt në Shqipëri do të ketë vrasje të elementëve që janë të lidhur në këto organizata.

Kryeprokurori preku dje edhe korrupsionin në instictuionet shtetërore duke kristalizuar edhe disa nga mangesitë ligjore, apo boshllëqet. Sipas tij, megjithëse në nëntë muaj janë hapur 266 dosje për korrupsion nga dy institucionet më të rëndësishme, SHISH e Ministria e Rendit, mungojnë informacionet që do të hapin rrugë për hetime të mëtejshme.

Kryeprokurori bëri dje edhe propozimet e mundshme për të rritur efikasitetin e organeve hetimore në luftë kundër krimit, sidomos atij të organizuar që sa vjen e sofistikohet e fuqizohet. Në këtë kuadër Sollaku kërkoi që nëpërmjet një ligji, një pjesë e të ardhura ekonomike që do të sekuestrohen apo bllokohen si të ërdhura nga veprimtaritë kriminale të kalojnë në funskion të prokurorisë. Sollaku propozoi edhe ndryshimin e disa ligjeve funskionale si ai për policinë gjyqësore, por edhe disa ligje për prokurorinë.


DISA NGA SHIFRAT E KRIMINALITETIT

¨ 1880 persona të kërkuar
- 904 të kërkuar për vrasje
- 154 të kërkuar për tentativë vrasjeje
- 63 për plagosje
- 43 për rrëmbim personi
- 38 për prostitucion
- 283 për vjedhje me dhunë
- 20 për kontrabandë
- 69 për trafik droge
¨ 10 dosje për organizata kriminale me 24 të akuzuar
¨ 266 dosje për korrupsion
- 171 dosje për shpërdorim detyre
- 18 për shkelje të barazisë në tendera
¨ 213 dosje për trafik të qënieve njerëzore
¨ 318 dosje të trafik e kultivim të lëndëve narkotike
- 246 dosje për kultivim
- 72 dosje për trafik

...........

Sollaku: Nuk është kapur asnjë kile heroine


-------------------------------------------------------

TIRANE

Në fakt "kritika" e prokurorit të përgjithshëm Sollaku në drejtim të strukturave të tjera ndihmëse apo ekzekutive si policia gjyqësore dhe policia e shtetit nuk kanë qenë vetëm në drejtimin e kapjes së personave të kërkuar. "Forca zbuluese dhe goditëse e policisë nuk I përgjigjet sa duhet edhe trafikut të lëndëvë narkotike", ka thënë kryeprokurori. Sipas tij megjithëse në nëntë muajët e fundit në Itali është kapur 1100 kile heroinë me një vlerë prej 22 milion dollarë në shqipëri nuk është kapur asnjë kile në hyrje. "Sepse dihet që ne jemi një vend tranzit" ka sqaruar Sollaku. Sipas tij prokuroria ka duke hetuar (ose ka përfunduar) rreth 318 dosje penale për drogë. Por shumica dërrmuese e këtyre dosjeve ka të bëjë me kultivuesit. Plot 246 dosje janë për kultuvuesit e hashashit. Vetëm 72 dosje janë për individë apo grupe që trafikojnë lëndë narkotike. Por shqipëria nuk ka nisur asnjë dosje për organizatat kriminale të gjitha janë të "dhuruara" nga italianët.

.........

Sollaku: S'kam ç'tju them

"S'kemi dosje për terrorizmin"


------------------------------------------------------

TIRANE

"Prokuroria nuk ka asnjë dosje penale për veprën e terrorizmit. Dhe në këtë mënyrë organi i akuzës nuk zotëron informacion për të ndihmuar Kuvendin. Megjithatë ne jemi treguar të gatshëm për të bashkëpunuar me homologët ndërkombëtarë për këtë çështje". Me këtë fjali, kryeprokurori Sollaku e ka mbyllur kapitullin e "terrorizmit". Edhe pse në fundvitin e kaluar fundivitin e shkuar me rekomandim (kërkesë) të Departamentit të Shtetit të Amerikës në prokurorinë e Përgjithshmë të Shqipërisë nisi dosje për dy kullat binjake në qendër të Tiranës një pjesë të aksioneve të së cilës e ka edhe Jasim Kadiu I kërkuar si bashkëpunëtor me rrjetin terrorist. Por, burime nga prokuroria e përgjithshme kanë sqaruar se kjo dosje është e hapur me akuzën e pastrimit të parave dhe jo të terrorizimit.

...............