KLD-ja do të zgjedhë sot anëtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kandidatët që marrin pjesë në këtë garë vijnë nga pesë gjykatat e Apelit. Shumica e tyre janë emra të përfolur për lirime kriminelësh e afera korruptive. Numri më i madh i kandidatëve vijnë nga Gjykata e Apelit të Vlorës, më e përfolura në drejtim të vendimeve të padrejta.
Gjyqtarë të korruptuar, anëtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda
Sot pritet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përzgjedhë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjykata aq shumë e përfolur është parë si një institucion që do t'i jepte një goditje më të madhe krimit të organizuar, se institucionet aktuale të sistemit gjyqësor. Por premisat e zhvillimit tregojnë se që në fillimet e veta kjo Gjykatë, po e fillon punën e komprometuar. Kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë shumica nga gjykatat e Apelit të Vlorës, Shkodrës dhe Korçës. Gjykata këto, nga më të përfolurat për lirime kriminelësh me anë të mitëmarrjes, vendime të padrejta e antiligjore.
Pjesa dërrmuese e tyre janë nga Gjykata e Shkallës së dytë të Vlorës. Një ndër emrat më të përfolur për anëtarë të Gjykatës së krimeve të rënda është edhe Sazan Aliko, kryetar i Gjykatës së Apelit në Vlorë. Gjyqtari Aliko është përfolur shpesh për vendime jo në përputhje me ligjin dhe për afera korruptive, duke përdorur detyrën e tij si Kryetar i Gjykatës së Apelit Vlorë. Madje gjatë një kontrolli të bërë nga Ministria e Drejtësisë, në vendimet e tij janë gjetur shkelje. Ai është përfolur për t'u larguar nga detyra e tij si kryetar i Gjykatës së Apelit në Vlorë. Por mesa duket ky ka qenë kompromisi i heshtur. Ai do të largohej nga Vlora, e do të sillej si anëtar i Gjykatës së krimeve të Rënda, për të cilën është bërë gjithë kjo zhurmë. Një tjetër kandidat potent për anëtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda, është edhe Sashenko Jonuzi. Edhe ky, gjyqtar i shkallës së dytë në Vlorë. Kandidat për anëtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë të gjithë gjyqtarët e Apelit në Shkodër. Gjithashtu kandidat janë edhe një pjesë e mirë e Gjyqtarëve të Apelit në Korçë dhe në Durrës.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë sot do të përzgjedhë mes këtyre kandidaturave, anëtarët e Shkallës së Parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Shkallës së Dytë të po kësaj Gjykate. Pothuajse të gjithë emrat që kandidojnë për anëtarë të kësaj gjykate janë të përfolur për afera korruptive, të cilat kanë ndikuar në shumicën e vendimeve të tyre. Mbi ta rëndojnë akuza nga më të ndryshmet si për lirime kriminelësh, mitëmarrje etj.. Pjesëmarrja e emrave të parashikuar në këtë Gjykatë, zhvlerëson totalisht pritshmërinë për vendime të drejta e të pakomprometuara të kësaj Gjykate. Qëllimi i kësaj Gjykate ishte një fytyrë e re e sistemit gjyqësor, ku nuk do të depërtonte korrupsioni e që do t'i jepte një fytyrë tjetër këtij sistemi aq shumë të përfolur. Por prania e të njëjtëve persona që janë akuzuar për vendime jo të drejta, e zhvlerëson ngritjen e kësaj Gjykate. Krijimi i një kuadri funksionues, buxheti të veçantë, apo edhe një ndërtese të veçantë, nuk do të thotë se do të jetë një goditje efektive ndaj krimit të organizuar. Goditjen ndaj krimeve të rënda e japin njerëzit. E nëse këta njerëz kanë qenë të inkriminuar në punën e tyre si gjyqtar në Gjykatat e Apelit, ku kanë punuar më parë, a mund të bëjnë punë të pastër si anëtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda?
Kjo pyetje e ka përgjigjen të dhënë. E vetmja gjë që mund të bëhet në këto momente, është ndërhyrja e menjëhershme e KLD-së dhe Presidentit si Kryetar i këtij institucioni, për të mos lejuar depërtimin e emrave të përfolur në këtë Gjykatë. Zhvillimet tregojnë se tashmë pak mund të bëhet.
Gjykata e Krimeve të Rënda është një ndër kushtet e Bashkimit Europian për vendin tonë. Krijimi i kësaj Gjykate është pjesë e bisedimeve teknike në kuadrin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit. BE-ja e ka konsideruar krijimin e një Gjykate të tillë si një angazhim në luftën kundër krimit të organizuar. Por zhvillimet e fundit tregojnë se nga Bashkimi Europian do të marrim sërish kritika. Gjykata duhet të ishte ngritur që në pranverë të këtij viti. Ligji për funksionimin e kësaj Gjykate është miratuar që në pranverë nga Parlamenti, por ngritja e Gjykatës është zvarritur.
Tema
Krijoni Kontakt