Policia arreston 35-vjeçarin Gjovalin Nika. Akuzohet për pedofili
Arrestohet njerku pedofil, përdhunoi 12-vjeçaren
Vladimir Muçaj
FIER - Një vajzë 12- vjeçare ka rrëfyer për uniformat blu sesi njerku e ka përdhunuar vazhdimisht për një periudhë 2 vjeçare. Burime të policisë thanë për gazetën se vajza e mitur M.S ka treguar se nën presionin e vazhdueshëm të njerkut të saj 35-vjeçar ajo ka kryer marrëdhënie seksuale me të prej 2 vjetësh. Gjovalin Nika, me origjinë nga Shkodra, pas këtij denoncimi ka rënë dje në prangat e policisë së Fierit. Mësohet se ai ishte martuar me nënën e 12-vjeçares dhe me të kishte dhe dy vajza, njëra 4 vjeçe dhe tjetra 3 vjeçe.
Përdhunimi
Sipas denoncimit të vajzës, gjithçka ka nisur gati dy vjet më parë kur familja e tyre banonte në një fshat të bregdetit të Himarës, pas zhvendosjes nga Shkodra.Vajza ka treguar se njerku i saj punonte në ullishtet dhe agrumet e fshatit të banorëve vendas dhe se ajo i çonte drekën atij. “Kështu bëra dhe atë ditë. Mora bukën që kishte përgatitur mamaja për njerkun dhe u nisa drejt tij. Kur unë i dhashë bukën ai më përkëdheli dhe më pas më zuri gojën me njërën dorë. Pastaj filloi të më zhvishte. Nuk mund bërtisja. Ai më përdhunoi dhe më kërcënoi se nëse do të tregoja, do të më vriste mua dhe mamanë time. Më pas ai më ka përdhunuar vazhdimisht”,- mësohet të ketë thënë vajza e mitur për uniformat blu. Një vit e gjysmë më parë kjo familje u shpërngul drejt Patosit, ku dhe banon aktualisht në një shtëpi me qera. Edhe këtu sipas denoncimit, ka vazhduar e njëjta histori. “Njerku punonte me sezone në Patos. Kur mamaja dilte për pazar apo punë të tjera njerku nxirrte jashtë dy motrat e vogla dhe
kryente marrëdhënie me mua. Një ditë mamaja erdhi më shpejt në shtëpi, dhe pa që dera ishte e mbyllur. Ajo filloi të dyshonte dhe i ra derës fort. Na gjeti të dyve brenda”,- mësohet të ketë thënë më tej vajza e mitur. 12-vjeçarja ka treguar se pas kësaj nëna ka filluar ta pyesë vazhdimisht derisa një ditë ajo i ka treguar gjithçka. Nënë e bijë kanë shkuar më pas në polici, ku dhe kanë bërë denoncimin për njerkun 35-vjeçar. Dje ai është prangosur nga uniformat blu, ndërkohë që po dje ndaj tij është dhënë masa e sigurisë burg pa afat. Vladimir Muçaj
Ekspertiza
Vajza është përdhunuar
FIER- Burimet thanë për gazetën se vajza 12-vjeçare i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, prej dhe nga rezultuar se ajo është dhunuar seksualisht. Po dje ndaj njerkut të akuzuar gjykata e rrethit të Fierit ka dhënë masën e sigurisë ''burg pa afat''. Kjo masë sigurie është kërkuar nga prokurori i çështjes Qydret Kadia, ndërkohë që ajo nuk është kundërshtuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari. Mësohet se i pandehuri në fjalën e tij ka deklaruar se nuk e ka përdhunuar vajzën, ndërkohë që ekspertiza mjeko- ligjore ka vërtetuar dhunimin e saj seksual. Sipas të pandehurit Nika, kjo është një akuzë e pabazuar dhe është vepër e bashkëshortes së tij. “Bashkëshortja ime është hakmarrë pasi unë e kam keqtrajtuar vazhdimisht atë”,- mësohet të ketë thënë njerku 35-vjeçar.
Krijoni Kontakt