- Vendimi i Gjykatës u mor mbi bazën e ekspertizave të rreme dhe tendencioze -
Në datën 14 tetor, në Gjykatën e Lartë u shqyrtua për herë të tretë çështja e Kishës “Shën Maria e Pazarit” të Përmetit, që diktatura e ktheu në shtëpi kulture. Dy vendimet e para, të “formës së prerë”, kishin qenë në favor të pronësisë së Kishës sonë, bazuar edhe mbi ekspertët dhe provat e pakundërshtueshme. Por, në mënyrë jo të bazuar, u hap dhe u vazhdua një proces tjetër, ku në dy shkallët e para mungoi prania e përfaqësuesve të Kishës, ku ato vendosën të kundërtën. Po kështu, vendosi edhe Gjykata e Lartë, duke marrë për bazë një ekspertizë tendencioze dhe aspak shkencore, sipas të cilës, megjithëse duken qartë muret e kishës së vjetër, deklarohet me paturpësi se “ato janë të gjitha të reja”. Kjo është një dëshmi tjetër, e drejtësisë së munguar dhe një vazhdim në forma të tjera, të tërthorta, i persekutimit ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Të mos marrësh parasysh atë që “prerë” ke vendosur vetë, të shohësh letrat e rreme në vend të gurëve të vjetër e të veprosh si në kohën që kishim shpresuar se e lamë pas, tregon jo vetëm se ky vendim është i diktuar, por edhe mendësitë e vjetra të atyre që e morën. Gjithashtu, shteti nuk duhet të harrojë edhe kontributin e madh ekonomik të Kishës në këta 13 vjet për shoqërinë shqiptare, me ndërtimet, ndihmën sociale dhe në rastet e emergjencave. Jo vetëm e quajmë të papranueshëm këtë vendim rishpronësimi, që të risjell në kujtesë kohën e regjimit të E. Hoxhës, por do ndiqet deri në fund si rruga ligjore ashtu edhe ajo e protestës në të gjitha instancat ligjore etj., kombëtare e ndërkombëtare.
Problemi në këtë rast nuk është thjesht për një godinë, por toka e shenjtë e një vendi lutjeje, ku për shekuj besimtarët janë pagëzuar, martuar etj., nuk mund t’i falet dhe nuk i përket askujt tjetër përveç atyre.
marre nga Ngjallja
Krijoni Kontakt