Flet ish-kryetari i grupit të kontrollit për agjirimin.
Dikur në Tiranë kryesoja grupin e kontrollit kundër agjërimit, ndërsa tani jam penduar dhe zbatoj me përpikmëri të gjitha rregullat e agjërimit me rastin e muajit të madhnueshëm të Ramazanit". Kështu u shpreh dje ish mësuesi i Gjeografisë në shkollën "7 Marsi", Musa Aliaj, i cili është me origjinë nga Korça, por ka punuar në Tiranë, ku aktualisht sapo ka dalë në pension. "Koha që jetuam ishte e vështirë, por besimtarët e vërtetë e mundën diktaturën duke ushqyer vazhdimisht besim të patundur në rrugën e Zotit", shton ai.
Përse nuk e ndizni cigaren?
Tani do të agjëroj duke filluar nga dita e sotme. Për këtë gjë do t'i zbatoj pikë për pikë udhëzimet që jepen për muajin e Ramazanit. Gjatë jetës sonë kemi gabuar shumë dhe tani duhet t'i shlyejmë gabimet nëpërmjet pendimit dhe zbatimit të rregullave.
Përse keni gabuar?
Sepse unë dikur në vitin 1971 kam qenë në krye të grupit të kontrollit, që ndalonte agjërimet dhe nuk lejonte zbatimin e rregullave për muajin e Ramazanit. Por më vonë hoqa dorë dhe u riktheva në udhën e mbarë të Zotit.
Nga sa veta përbëhej grupi i kontrollit?
Grupi ynë përbëhej nga 12 veta, por duhet thënë se grupe të tilla kishte në të gjitha lagjet e Tiranës. Ne përgjigjeshim për zonën poshtë stacionit të trenit ku ndodhej Politeknikumi.
Cila ishte detyra e grupit?
Ne kishim detyrë të përgjonim dhe të detyronim agjëruesit që të hanin bukë. Për këtë gjë shkonim shtëpi më shtëpi, (sidomos te shtëpitë e besimtarëve myslimanë), duke bërë propogandë. I mbushnim mendjen agjëruesve që të hanin bukë dhe sapo arrinim qëllimin merrnim në telefon Komitetin e Partisë duke i thënë: "Alo, fitore Dullë Rama hëngri dy pjata me pilaf", ose "Shaqir Mane hëngri tre topa me hallvë". Kryesisht puna jonë përqëndrohej te njerëzit që njiheshin si besimtarë të deklaruar.
A kishte nga ata që nuk pranonin të hanin?
Po, kishte besimtarë të vendosur që as hanin dhe as pinin. Për këta raportonim në Komitetin e Partisë me një ndjenjë faji. Psh, në një shtëpi ku Ramiz Dervishi nuk hante, ne ngritëm telefonin dhe raportuam: Alo, Ramizi ka 48 orë që nuk pranon të hajë fasule me qepë, as tavë kosi me oriz, si të veprojmë". Nga ana tjetër na urdhëronin: Qëndrojini mbi kokë gjersa të hajë dhe në fund detyrojeni me zor të fusë kokën në kusi, sepse kjo është luftë që nuk bëhet me pistoleta, por me pirunj".
Si vepronit më tej?
Më shumë bashkëpunonim me gratë e tyre që të bënin gjëra të mira, psh, pulë me patate, ose gjel deti të pjekur. Por kishte raste kur as kjo gjë nuk pinte ujë. Atëherë Komiteti i Partisë na detyronte të rrinim dezhurn te porta e këtyre besimtarëve gjersa të hanin, në mënyrë që raportimi të ishte optimist. Unë isha mësues, por më kishin vënë në krye të grupit vetëm nga shkaku se kisha një telefon në shtëpi me të cilin mund të flisnim kollaj me Komitetin e Partisë.
Çfarë bënit kur ngarkoheshit me punë gjatë natës?
Trokisnim prapë shtëpi më shtëpi dhe pyesnim më të rinjtë e familjes: a hëndri gjë babai. Po të thoshte "po", gëzoheshim pa masë dhe dërgonim menjëherë raportimin, ndërsa po të thoshte "jo", i udhëzonim të vazhdonin punën bindëse. Psh, i thoshim ndonjë pjesëtari të familjes: Vepro si të duash por vetëm ta dish se deri në orën 6.00 të mëngjesit ai duhet të hajë patjetër të paktën një pjatë me kos. Por ata pjesëtarë të grupit të kontrollit që punonin gjatë turnit të tretë kishin edhe një porosi të veçantë. Sapo të gjenin rastin ata duhet të bindnin agjëruesit në mënyrë që të bënin seks, duke i detyruar njerëzit të prishnin diçka nga rregullat e agjërimit. Por kjo porosi jepej me kujdes dhe fshehurazi.
Po tani si e përjeton muajin e Ramazanit?
Tani agjëroj vetë me një besim të madh në rrugën e ndritur. Kërkoj falje për papjekurinë e dikurshme, por të gjithë e dinë se kështu ishte koha.
Si i përjetuan shqiptarët festat fetare nga viti '67 deri më '89
Me prishjen e kishave dhe xhamive në vitin 1967, Shqipëria e shpalli veten si vendi i vetëm ateist në botë, duke filluar kështu epoka e zymtë e luftës së sistemit komunist kundër fesë. Sipas propogandës që pasoi për më se tre dekada, në se për shqiptarët kishte një perendi në këtë jetë, ai ishte udhëheqësi i madh i partisë. Qysh nga kjo periudhë, të gjitha festat fetare u shpallën të ndaluara, ndërkohë që në zonat kryesore të Shqipërisë u krijuan grupe kontrolli që funksiononin me qëllim që të sabotoheshin këto festa. Por, ndërsa me festat e tjera fetare e kishte më të lehtë, dukej se me evenimentin e muajit të Ramazanit regjimi komunist hasi shumë vështirësi. Kjo, sepse ndërsa për festat e tjera kërkohej ndonjë përgatitje, përkundrazi, muaji i Ramazanit kishte të bënte me vetë njeriun, me regjimin e tij të përditshëm dhe dietën ushqimore. Dhe megjithëse regjimi u përpoq për 32 vjet rresht që të largojë besimin e njeriut te feja, përsëri nuk mundi ta realizojë dot këtë gjë. Dhe kështu nga presioni i opinionit shoqëror më 1989, presidenti i athershëm Ramiz Alia u detyrua të dorëzojë armët dhe të lejojë njërën nga të drejtat themelore të njeriut siç është besimi fetar. Qysh atëherë në Shqipëri njerëzit kanë shfaqur përgjegjësi dhe respekt të theksuar për të gjitha festat fetare.
"Partia i detyronte njerëzit të bënin seks gjatë agjërimit"
Në mënyrë absurde sistemi komunist u shkonte njerëzve deri te krevati bashkëshortor duke detyruar çiftet të bënin aktin seksual". Kështu tregon Musai një kënd tjetër të panjohur prej prapaskenës së asaj kohe. Dhe duke qenë se shumë besimtarë respektonin muajin e Ramazanit duke ndaluar edhe pijen edhe duhanin edhe puthjet, apo marrëdhëniet seksuale, Musai tregon se atëherë partia ngarkonte gratë e besimtarëve t'i joshnin me çdo kusht në krevat burrat e tyre, vetëm e vetëm që të prishej agjërimi. "Njëherë i thamë një gruaje se do ta përgjonim natën te dritarja për të parë si do e zbatonte ajo porosinë e partisë dhe Komitetit Qendror. Dhe vërtet shkuam atje. Por duket se gruaja ishte besimtare sepse kur mbaroi punë bërtiti fort: "Rroftë Komiteti Qendror që na i zhveshi burrat me zor", perfundon ai.
Krijoni Kontakt