TIRANE
Nuk u hiqet nga mendja ajo dita e ndarjes. Ka qenë i gjithë fshati prezent kur ata janë ndarë nga baca e dy motrat e mëdha. Për bacën Avdi (xhaxhai) ka qenë pak e rëndë përcjellja e fëmijëve drejt Tiranës, por shpresa për një jetë më të mirë e ka qetësuar paksa atë. Pranvera, Zizja, Azemi e Vjollca janë katër fëmijë jetimë nga Hasi që kanë gjetur strehë në Tiranë. Eshtë rasti i dytë ky i ndodhur para pak muajsh në këtë qytet. Eshtë pothuajse e njëjtë me familjen Zyberi. Familja Hoxha nga fshati Tregtan i Hasit ka qenë në qendër të vëmendjes për përfaqësuesit e Kinderhaus Tirana. Kanë qenë ata që kanë shpëtuar jetën e katër fëmijëve jetimë të kësaj familjeje. Me të marr vesh për të vegjëlit jetimë përfaqësuesit e Kinderhausit kanë marrë rrugën drejt verilindjes.
Historia
Me prindër të vdekur kanë arritur të përballen me problemet e jetës. Agimja dhe Drita, dy motrat e mëdha kanë qenë ato që kanë mundur të kujdesen për motrat dhe vëllanë e vetëm. Azemi është i vetmi mashkull i kësaj shtëpie. Ai ende nuk ka mbushur pesë vjeç. Madje nuk i mban mend prindërit. Edhe kur e pyesin për të atin ai thotë "bacë e ka emrin baba jem". Ndërsa Vjollca, motra binjake e Azemit, nuk e mban mend fare. Kërkon vetëm dadën (motrën e madhe) dhe hutohet me lodrat e ofruara nga Kinderhausi. Vetëm brenda pak viteve vdekja ka marrë të dy kryefamiljarët e familjes Hoxha. "Baba ka vdek nga një sëmundje gjaku, ndërsa nana prej zemrës", tregojnë dy vajzat e mëdha të familjes së ndarë. Me t'u shuar jeta e prindërve ka nisur të rrënohet dhe kulla e Hoxhajve. Fëmijët kanë jetuar për një kohë të gjatë nën kujdesin e xhaxhait të tyre. Gjendja e rëndë ekonomike ka qenë ajo që ka krijuar shumë probleme në familjen e madhe. Një emision në televizor ka qenë ai që u ka ndryshuar jetën fëmijëve hasjanë. Me t'u njohur me gjendjen e tyre, përfaqësuesit e Kinderhausit kanë evidentuar problemin.
Katër jetimët
Vetëm tri vajzat dhe djali i familjes Hoxha kanë gjetur strehë në kryeqytet. Përfaqësuesit e Kinderhausit kanë toleruar sepse mosha e tyre është shumë e vogël. Përkujdesja ndaj të vegjëlve ka nisur me rrobat për të përfunduar më pas në vizitat shëndetësore. "Për fat të mire, të katër fëmijët e ardhur nga larg kanë një gjendje të mirë shëndetësore. Nuk janë nazelinj në ushqim dhe mundohen të mos ndahen shumë nga njëri-tjetri", tregojnë punonjëset e kinderit. "Tirana je e jona mes tona". Këto janë vargjet që nuk i heq nga goja Azemi i vogël. i duket e çuditshme familja e madhe. Lojërat e ndryshme që deri tani i kishte ëndërr i janë bërë realitet. Ndërsa Vjollca është ngopur me supën e shijshme dhe me ushqime të tjera të pashijuara ndonjëherë nga goja e saj. "Kam vesh kostum të bukur", krenohet vogëlushja mes shoqesh, por shtëpinë, atë shtëpinë në fshat nuk e heq nga goja. Edhe pse ka pak kohë që është në Tiranë e kam pik malli për dy motrat dhe bacën Avdi. Por prap e ka qejf shtëpinë e Kinderhausit. Tashmë i duket se ka gjetur strehëzën e ngrohtë të familjës së madhe.
Precedent i familjes Zyberi
Ende nuk janë mbushur gjashtë muaj nga tragjedia e familjes Zyberi nga Hasi, kur plas një tjetër. Sërish bëhet fjalë për jetën e një qerre fëmijësh. Kësaj herë është fokusuar familja Hoxha. Gjendja e rënduar ekonomike, mungesa e një dore më të madhe janë bërë shkaktarë të ndarjes së familjes Hoxha. Hoxhajt janë në një fshat shumë afër familjes Zyberi, fëmijët e së cilës kanë të njëjtin fat. Për fisin Hoxhaj kjo ka qenë një tragjedi e pa evitueshme. Ata kanë bërë të pamundurën për të mbajtur fëmijët në shtëpinë e tyre, por ç'e do, fati ka bërë të vetën. Katër nga fëmijët e kësaj familjeje më në fund kanë gjetur strehë në Tiranë. Janë rehatuar prej më shumë se një muaji në shtëpinë e ëndrrave. Kanë filluar shkollën dhe janë stabilizuar me ambientin. Janë tejet të kënaqur me Tiranën. Por sërish mendja u rri në shtëpinë e largët në veri. Nuk u ndahet nga mendja shtëpia e vjetër, lopët që nuk shkojnë më me to dhe bacën që shumë herë e presin që një ditë të vijë e t'i marrë.
Krijoni Kontakt