Artikulli i meposhtem eshte marre nga gazeta e shqiptareve ne Itali "Bota Shqiptare". Do ta lidhja kete artikull me diskutimet e fundit ne Itali mbi propozimin qe ka bere zv/kyeministri italian G. Fini per legalizimin dhe te drejten per te votuar te imigranteve si dhe replikat e ashpra qe pasuan nga U. Bossi dhe nga disa te te tjere. Lexim te kendshem.
Bir, italian i nënës...
Italianët nuk kanë qenë kurrë klandestinë!? Pallavra. Dimrit kalonin Alpet me qindra, çdo natë; mbi San Bernardo duhej t'i varrosnin në këmbë, aq shumë vdisnin. Nuk zbarkonin në brigjet e të tjerëve me karrot e mafies!? Rrena, rrena me bisht. Me dhjetra mijëra mbërrinin nëpër brigje nga Maine, shërbim i plotë, përfshirë kontratën e martesës me një prostitutë me ngjyrë. Nuk lypnin? Tjetër rrenë. Fëmijët që shtrëngoheshin të lypnin në Nju Jork ishin me mijëra dhe Krimi i organizuar u damkoste veshët që të mos merrnin arratinë. Nuk kanë qenë terroristë? Ishte italian ai që hodhi në erë Uoll Stritin tetëdhjetë vjet më parë se Ozama Bin Ladeni: 33 të vdekur dhe 200 të plagosur.
Nëse vërtet italianët i besojnë përrallës që i paraqet të varfër, por të bukur ama, dhe sidoqoftë më të mirë se imigrantët e sotshëm, atëherë të mos lexojnë librin e Xhan Antonio Stelës, "Hordhia - Kur shqiptarë ishin ne". Po qe se ruajnë në peshtaf oratoritë e Falaçit kundër imigrantëve - pushtues, të heqin dorë. Do të mësonin gjëra të padurueshme për italianët-brava gente. Rrezikojnë të zbulojnë se për miqtë e shtrenjtë amerikanë "sareçenë" ishin vetë italianët. Se ndërsa Duçe diktonte manifestin mbi superioritetin e tyre arian, amerikanët i shihnin si parazitë, jashtëqitje, mesdhetarë ngjyrë-ulliri, të zinj, horra që duheshin linçuar.
Majmunë, minj gjirizesh, ja si u dukeshin. Mjaft t'u hedhësh një sy karikaturave të mbledhura në libër. Gazetat e Londrës, Nju Jorkut dhe Çikagos i publikonin pa u ndëshkuar: Italia nuk protestonte, i vinte turp, "s'e çante kokën për bijtë e saj të kategorisë së tretë". Ata ngordhnin nga ethet mizëri nëpër anije, ndërsa në klasin e parë italianë të tjerë darkonin me mousse au chocolat. Shitnin fëmijët e tyre për një kafshatë bukë, ua vinin në duar tregtarëve të skllevërve që i linin pa ushqin që të mund të hynin më mirë nëpër oxhakë të ngushtë e të fëlliqur. Dërgonin legjione me gratë e tyre, të vdisnin në bordellet e Kajros, Tripolit, Algjerit. Të ndjella me premtime punësh të ndershme e pastaj shitur arabëve, që i donin bionde dhe mundësisht ende të njoma.
Hordhi. Një grusht të mbërrin në stomak duke filluar nga titulli i thatë si ndonjë breshëri plumbash. Një grusht që italianët meritonin. Po na vinte për të vjellë prej ndyrësisë, helmit, kafshërisë, kloroformit. Prej rrenave sidomos. Edhe për Stelën kupa është mbushur. E ndjen në çdo rresht. Për herë të parë qëllon me mllef, i vë pasqyrën para shoqërisë italiane, pa përdorur filtrin e ironisë së librave të tjerë, - duke nisur nga Schei, - mbi Veneton që ul kokën. Rrëzon racizmin e njerëzve të mirë, mitet e rreme, bërtet kundër "duhmës së padurueshme të ksenofobisë që rritet e rritet në një shoqëri që ka harruar një pjesë të së shkuarës së vet".
Disfatizëm, do të thotë ndonjëri. Jo, Stela thjesht lan hesapet me veten, me origjinën e tij nga Veneto, me boshllëqet në kujtesën e njerëzve të vet, emigrantë deri dje. Me të gjyshin Toni "Kajo" shpirtmirë, që "hëngri bukë e lot në Prusi e Hungari dhe që do t'i vinte ndot nga harraqët që pështyjnë sot mbi të ngjashmit e tij". Përjeton më së pari mrekullimin e atij që di kaq pak, pastaj habinë e atij që gjendet përpara një bibliografie të pamatë, që i lë të kuptojë përmasën e çmendur të kësaj harrese. E atëherë gërmon, gërmon, të hedh mbi shpinë të dhëna të pakundërshtueshme, të lë t'i nxjerrësh vetë përfundimet, dhe tjetër rrugë nuk ke.
Ata që u kanë dhënë lavdi, ata po, i kujtojnë. Kuomot, Jakokat, La Guardiat: të shumtë kanë qenë ata që i kanë bërë nder vetes. Po të tjerët, kush kujtohet për të tjerët? Askush. "Ata që nuk ia kanë dalë mbanë dhe sot mbijetojnë mes njëmijë vështirësish nëpër rrethinat e San Paolos, Buenos Ajresit, Nju Jorkut e Melburnit. Ata, e kanë vështirë t'i kujtojnë". 27 milionë janë nisur nga 1876 deri në 1976. 27 milionë baballarë dhe vëllezër të humbur italianësh. Po nishani s'u gjendet nëpër librat e shkollës.
Si mund të kuptojnë italianët se ç'po bëhen po s'pranuan të shohim çfarë në të vërtetë kanë qenë, domethënë pikë për pikë imigrantët e sotëm? "Ata" (jokomunitarët) u vjedhin bukën!? Italianët i kanë masakruar për këtë. Në 1893 në Buenos Ajges Mortes në Francë, ku u këputej kurrizi nëpër kripore, linçuan nja njëzet prej tyre para syve të Xhandarmërisë, dhe Italia bëri pak ose asgjë. "Ata" skllavërojnë fëmijët!? Italianët i kanë lënë të ngordhnin nga tuberkulozi nëpër gastarinat franceze dhe furrat gjermane, që i blinin për pak lira nga familjet e mjeruara. "Ata" kanë shumë fëmijë!? Në Australi italianët bënin nga dhjetë, e deri nga pesëmbëdhjetë fëmijë. Dhe nuk ishin katundarë. Shkonin nga Veneto, Friuli apo Trentino.
Niseshin nga një vend i mjeruar, që e linte popullin të flinte nëpër stalla. Ndaj dhe ia dilnin të rronin në kushte të parrokshme për mendjet e europianëve të tjerë. Është e rëndë të kujtohet e gjitha kjo. Dhe ja mistifikimi i gdhendur mbi pallatin e Eurit. Ishin "transmigratorë", një neologjisëm i shpikur nga Duçe për të mos u kujtuar arnat mbi të ndenjurat. Për të mos thënë që kjo e italianëve ishte histori njerëzish të mirë e punëtorë, porse e ndryshuar, e përqeshur, nga të tjerë italianë, shfrytëzues, bij e kopilë të së njëjtës kulturë të mujsharisë.
Edhe injorantë kanë qenë madje. "Në dy anije të rastësishme që zbarkuan në SHBA më 1910", tregon Stela, "imigrantët që zbarkuan nga Madona italiane, ishin 71% analfabetë, rusët që zbritën nga Lituania 49% analfabetë: 22% më pak. Sa për punëtorët e specializuar, tanët ishin 7 ndër 100, rusët 40 në 100. Lëre pastaj në krahasim me anglezët dhe gjermanët: inferioriteti ishte poshtërues për ne". Nuk ishte thjesht mjerim, shton Stela, ishte mjerim kulturor. Damka e një vendi që, që një shekull më parë, - shkruajnë në 1910 H. Bolton King dhe Tomas Oki në "Italia Oggi" - ka qenë dorëlëshuar në gjithçka "përveçse në investimin më frytdhënës kombëtar", në shkollimin publik. Pikë për pikë si sot.
Stela e kupton se kundër ksenofobisë në rritje nuk hyjnë në punë peticionet morale. Duhet qëlluar drejt e në stomak. Duhet zbërthyer bomba që mund të plasë nga një minutë në tjetrën, i duhet hequr djegësi. I duhet prishur zembreku këtij fudollëku të mallkuar të larmisë, që i vë njëri kundër Tjetrit. Veçse për t'ia dalë mbanë ka vetëm një rrugë: të shpërthehet pengesa. T'u tunden para hundës italianëve dokumentet e së shkuarës pseudo - intelektualëve që shalojnë racizmin e njerëzve të mbarë duke i fryrë klimës së re të faljes së mëkateve kombëtare.
Identitet: kjo është parrulla sot. I kushtohen kuvende, këshilltarë bashkish. Po identikë me kë? Me shqiptarë, marokenë, kurdë, rumunë. Në Gjermani dhe në Zvicër italianët jetonin nga njëzet nëpër dhoma, si kinezët nëpër papafingot e Pratos. Në Amerikë importonin kriminalitetin e organizuar, siç thuhet për shqiptarët në Pulje. Nëpër Alpe bënin passeur-ët, i linin njerëzit e tyre të binin nëpër përroska, pasi u kishin zhvatur deri dhe këmishën. Pa asnjë mëshirë, si skafistët tunizianë, shqiptarë apo turq në brigjet e Jugut italian.
Po ku lind ky boshllëk kujtese? Venetasi Stela e di mirë. Lind te po ata emigrantë, kur kthehen në shtëpi. Janë të parët që ndërtojnë një histori të rreme. Nuk duan që bijtë e tyre të mësojnë sa e rëndë ish. Dhe bijtë s'mund të pranojnë të shohin te një klandestin pasqyrën e atit të tyre. Janë si të kthyerit nga lufta, si të kthyerit nga pastrimi etnik. Kujtesa mëdysh. Ja pse vendet me emigracion të freskët janë shpesh ato që përbluajnë më shumë dyshim ndaj imigrantëve.
Por edhe këtë italianët e kanë provuar mbi lëkurën tonë. Askush s'është më mizor me të ardhurit e rinj nga ç'janë imigrantët e brezave të mëparshëm. Kundër italianëve, gjykimet më kafshërore nuk i kanë shprehur Gjermania apo Zvicra, po pikërisht kufijtë e rinj të emigracionit botëror, Kanadaja, Australia, Shtetet e Bashkuara. Masakrën më të shëmtuar të italianëve të pafajshëm në kohë paqeje e bënë në 1890 njerëzit e mbarë të Nju Orleansit, SHBA.
Është historia më mbresëlënëse mes shumë të tjerave të mbledhura në libër. Vrasin një polic, italianët janë të dyshuarit e parë. Njerëzit nuk gjejnë paqe, Ku Klus Klani dërgon paralajmërime ogurzeza. Italianët duhen ndëshkuar! Në atë Luizianën që prodhonte tonelata sheqeri dhe melase krahu italian i punës ishte bekim i ardhur nga qielli. Por vendasve nuk u pëlqenin. Italianët punonin si të zinjtë, por ishin të bardhë ama. U jepnin të zinjve të vërtetë një ide subversive: që edhe i bardhi duhet të përkulte shpinën po njësoj. Njerëzia sulmon burgjet, policia e kontesë fshihet. Italianët i tërheqin zvarrë jashtë, i masakrojnë me shkopinj, i varin, e pastaj i bëjnë shoshë me plumba. Me dhjetra. Rrëqethëse kundërpërgjigja e mediave. Nju Jork Tajmsi shkruan: linçimi "ka siguruar jetën dhe pronën" e njerëzve të Nju Orleansit. Glob Demokrat: banorët thjesht kishin ushtruar të drejtat e tyre "të sovranitetit popullor dhe mbrojtjes së ligjshme". Ja çfarë ishin. Jashtëqitja e Planetit. Rrëpira që u është dashur të ngjitin ka qenë vërtet pa fund.
Krijoni Kontakt