Tregtia
Bujqësia dhe industria rrëzojnë doganat me Kosovën
Malaj kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera në fushën e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën
Fruta-perimet, lëngjet e frutave, ujërat, vezët dhe të imëtat e gjalla të racës së pastër janë mallrat që do të shkëmbehen pa tarifa doganore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Vendi ynë do të tregtojë menjëherë me tarifa doganore zero 20 grupe artikujsh, kryesisht produkte deti, të imëta të gjalla, produkte mishi, konjak, raki, qumësht dhe nënproduktet e tij, vaj ulliri dhe ushqime për blegtorinë. Ndërsa kosovarët do të importojnë fruta-perime, konserva perimesh, peshk të ujërave të ëmbla. Kështu kanë rënë dakord të dy grupet negociatore për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë ditëve të fundit, qeveria shqiptare përfundoi raundin e dytë të negociatave për hapjen e tregjeve me Kosovën, ku u arrit edhe përafrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Sipas këtyre negociatave, rreth 97 për qind e produkteve industriale, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes nuk do të paguajnë taksën doganore. Ndërsa, rreth 3 për qind e produkteve industriale, si: prodhimet e drurit dhe mobileritë, këpucët, produktet prej plastike dhe kozmetike, tarifa doganore do të vijnë duke u ulur gradualisht.
Takimi
Në përfundim të këtyre negociatave, ministri i Ekonomisë, Arben Malaj është takuar me grupin negociator kosovar, i cili kryesohej nga Andreas Wittkowsky, këshilltar ekonomik i Përfaqësuesit Special të UNMIK-ut, Shtajner. “Kosova është pjesë e rajonit dhe ajo duhet të përfitojë nga politikat zgjeruese e liberalizuese te tregjeve”, -është shprehur Malaj. Sipas tij, ndërmjet dy vendeve duhet të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera, me qëllim që Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të funksionojë sa më mirë. “Marrëveshje për bashkëpunim ekonomik”, “Marrëveshje për nxitjen e investimeve”, “Marrëveshje për eliminimin e tatimeve të dyfishta”, si dhe marrëveshje të tjera në fushën e ekonomisë do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e përfitimeve nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.
B.Beqiri
....................
.....................
Eshte nje lajm i mrekullueshem qe e degjojme me vonese pasi shqyerja e tranjve doganore Shqiperi-Kosove duhej te behej me kohe.
Mgja populli thote "Me mire vone se kurre".
Cdo te mire,
Geni
Krijoni Kontakt