Gazeta Shqiptare

Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar nuk e kanë vendosur ende se kush do ta drejtojë delegacionin e vendit tonë gjatë punimeve të samitit të Bashkimit Europian që do të mbahet në Selanik. Presidenti Moisiu dhe kryeministri Nano do të udhëtojnë sëbashku në datën 20 qershor në vendin fqinj, por ata nuk e kanë zgjidhur konfliktin mes tyre, se kush do të udhëheqë delegacionin shqiptar. Këshilltarët e kreut të shtetit dhe të qeverisë i kanë ndërprerë negociatat mes tyre dhe tani gjithçka është në dorën e palës greke. Vendi që mban aktualisht presidencën e BE-së do të caktojë mes Moisiut dhe Nanos, njeriun që do të firmosë deklaratën përfundimtare të samitit.
Gjatë dy javëve të fundit shefat e kabinetit dhe këshilltarët e presidentit dhe kryeministrit kanë biseduar për gjetjen e një konsensusi për këtë çështje. Por Moisiu ka qenë i vendosur që si figurë konsensuale e politikës shqiptare, ta drejtojë ai delegacionin. Ndërsa kryeministri ka insistuar se në këtë samit do të diskutohen çështje që kanë të bëjnë me detyrat që i ngarkohen qeverisë shqiptare dhe jo Presidencës.
Edhe vende të tjera si Maqedonia apo Kroacia do të përfaqësohen në samitin e Selanikut si me presidentin ashtu edhe me kryeministrin. Konflikti mes liderëve të politikës për të marrë meritat e një takimi të rëndësishëm nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit. Shtetet e BE-së pritet të përfaqësohen me krerët e ekzekutivit, përveç Francës që si republikë presidenciale, përfaqësohet gjithnjë edhe me presidentin edhe me kryeministrin. Samiti i BE-së në Selanik do të shënojë fundin e presidencës greke dhe marrjen e drejtimit të BE-së nga Italia.