Nisin transmetimet tokësore dhe në Shqipëri

ALSAT, në rrugën e CNN-it të parë shqiptar

Loziana Ibrahimi

Televizioni i parë satelitor shqiptar, ALSAT, ka nisur dje transmetimet drejtpërsëdrejti në rrugë tokësore në të gjithë Shqipërinë. Ky televizion paraqitet tashmë në linjë direkte për të gjithë publikun mbarëshqiptar, brenda dhe jashtë kufijve.

I pari televizion në Shqipëri që i dedikon një hapësirë të jashtëzakonshme edicioneve të lajmeve, ashtu sikurse simotrat e saj në të gjithë botën: CNN, BBC etj., dhe në Shqipëri nën moton prodhojmë informacion për njerëzit, shpejt, saktë dhe mirë, është krijuar “ALSAT”. Nën iniciativën e një prej biznesmenëve më të fuqishëm shqiptar, Vehbi Veliaj, pasqyron më së miri nevojshmërinë e një ekrani shqiptar për shqiptarët jashtë shtetit. Si një alternativë në mediat vizive shqiptare, ka një platformë të krijuar nga gazetarë që përfaqësojnë klasën e re të gazetarëve në Shqipëri si dhe nga intelektualë të pavarur. “ALSAT” është një televizion thellësisht informativ, programi i të cilit mbështetet kryesisht në edicionet e informacionit që transmetohen çdo orë (12 edicione) dhe që rinovohen e pasurohen vazhdimisht me një dinamikë të lartë.

Prej tre muajsh
Prej tre muajsh “ALSAT” transmeton në valë satelitore 24 orë në ditë program në gjuhën shqipe për një audiencë potenciale prej rreth 10 milionë shikuesish të përqendruar kryesisht në trevat shqiptare në mbarë rajonin si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Evropë. Harta e mbulimit me sinjal shtrihet në të gjithë Evropën, Lindjen e Afërt dhe në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut dhe Jugut. Përveç stafit të kualifikuar të gazetarëve, ai ka krijuar partneritet në fushën e informacionit dhe me agjenci e kanale televizive të fuqishme lajmesh si “Reuters” dhe “Deutche Welle”. Ndërsa shqiptarët u afrohen edhe me pranë aspiratave të tyre integruese në strukturat evropiane dhe euroatlantike, ky televizion merr përsipër të përçojë mendimin më të përparuar të bashkatdhetarëve kudo ku janë, si dhe të krijojë opinion nëpërmjet studiove dhe korrespondentëve të tij në Shkup, Prishtinë, Athinë, Bruksel, Berlin, Romë etj.

Teknologji moderne
Investimi i kryer në logjistikën dhe teknologjinë e këtij stacioni është tepër i madh. Teknologjia dixhitale më e përparuar, e bazuar në firmat “Thomson”, “Leitch” dhe “Sony” bën të mundur transmetimin në parametrat optimalë të audios dhe videos. Ky televizion synon që t’i përmbahet parimit demokratik të së drejtës së individit për të patur informacion të gjithanshëm dhe të painstrumentalizuar, si edhe të ndihmojë në edukimin e shoqërisë shqiptare me parimet demokratike të kombeve të përparuara me profesionalizëm, paanshmëri dhe etikë.

Synohet
Synohet me rritjen e pandërprerë të nivelit të prodhimit të transmetimit të programit prej 24 orësh, zgjerimi i hapësirës së shpërndarjes së sinjalit për përçimin e vlerave më të arrira kulturore, profesionale dhe estetike në impakt publikun masiv. ALSAT synon të renditet në elitën e stacioneve televizive prestigjoze të rajonit nën transmetimin non-stop në valët satelitore si askush më pare në gjuhën shqipe.


Intervistë
Arban Hasani: Motoja jonë është, “Gjithmonë në kërkim të lajmit”

Tashmë jo vetëm në trasmetim satelitor por dhe në linjë tokësorë, televizioni ALSAT gjendet më pranë shikuesit e dëgjuesit të saj. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtori i informacionit në televizionin e parë satelitor në Shqipëri, Arban Hasani, tregon strukturën e një televizioni që ka në plan të parë informacionin masiv në të gjitha vendet ku ndodhen bashkëatdhetarët tanë.

Cili është përkufizimi juaj për një televizion, i pari i këtij lloji në Shqipëri?
ALSAT është një televizion informativ, i pari dhe i vetmi në Shqipëri. Transmeton 24 orë informacion të përbërë nga 12 edicione lajmesh, nga ora 12.00 deri në 13.00. Me një staf të kualifikuar gazetarsh të rinj, përpiqemi për lajme të gjata dhe inetersante në të gjitha zhanret gazetareske duke vënë në dispozicion gjithë potencialin tonë informativ, pasi audienca jonë ndodhet jashtë kufinjve të Shqipërisë. Ndërsa motoja jonë është: “Gjithmonë në kërkim të lajmit”.

Mendohet që lajmet të jenë koherente. Sa i rëndësihëm është ky informacion për shqiptarët jashtë kufinjve?
Ne synojmë që të jemi sa më pranë teleshikuesit satelitor por edhe pranë atij në Shqipëri. Kjo është dhe sfida jonë e madhe, pasi duhet të trajtojmë lajme për të gjithë, ku të futen probleme të gjithanshme që trajtojnë probleme të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Një lajm i cili ndodh dhe zhvillohet në Shqipëri, ne e trajtojmë si përmbledhje, duke e trajtuar “pa korniza”.

Gazeta Panorama