Sindikata: Të vijnë Ministrat Malaj dhe Leskaj për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore

DURRËS- Mbi 100 punëtorë të kantierit detar Durrës-Kurum kanë pushtuar mëngjesin e djeshëm
dokun e riparimit të anijeve, me një gjatësi mbi 100 m dhe gjerësi mbi 50 m, i vetmi në llojin e vet në Shqipëri, në shenjë proteste ndaj qëndrimit indiferent të qeverisë shqiptare. Të përkrahur dhe nga kryetari i sindikatës së transporteve të Shqipërisë, Gëzim Qato, 100 punëtorët e kantierit të Durrësit janë futur në dokun e kantierit, ku dhe kanë vazhduar të qëndrojnë deri në orët e vona të ditës së djeshme, duke deklaruar se do të vetëflijohen nëse brenda orës 15.00 nuk mbërrijnë në kantier ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, dhe ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale,Valentina Leskaj, të cilët duhet të nënshkruajnë marrëveshjen për pagimin e sigurimeve shoqërore të papaguara prej vitesh.

Kronologjia e protestës vetëflijuese
Ka qenë ora 10.00 e ditës së djeshme kur kryetari i sindikatës së transporteve, Gëzim Qato, i ka dhënë
ultimatum qeverisë Nano që deri në orën 15:00 të ditës së djeshme në kantier të mbërrinin ministrat Malaj dhe Leskaj me qëllim që ata të nënshkruanin marrëveshjen me sindikatën. Por ndërkohë që sindikalistët ishin në pritje të ardhjes së ministrave ata kanë ndezur pompat dhe uji ka nisur të pushtojë dokun e kantierit detar Durrës-Kurum. Në orën 11.00, uji ka arritur në një thellësi prej 1m, ndërkohë që protestuesit kanë deklaruar se do të flijohen në dokun e kantierit, i cili erdhi në Shqipëri si pronë e kompanisë polake “Gdansk” dhe më pas i kaloi asaj Turke “Kurum”. Doku me një vlerë të madhe monetare është ndërtuar nga gjermanët që në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas merret nga
Polonia si dëmshpërblim për luftën. Doku në fjalë shërben për ngjitjen e anijeve nga deti në tokë ose e mban atë (anijen) në ajër nëpërmjet mekanizmave të saj. Një proces i tillë është i nevojshëm për riparimin e anijeve. Tepër i amortizuar, doku është ankoruar në kalatë dhe aty qëndrojnë prej orësh punonjësit protestues. Nëse doku arrin të zhytet deri në llucën e portit ai nuk mund të dalë më prej portit duke shkaktuar një dëm të paimagjinueshëm. Nisur nga situata kaotike e krijuar në kanteriin detar,
rreth orës 12:00 ka mbërritur aty drejtori i policisë së Durrësit, kryekomisar Pashk Tusha, i cila i ka kërkuar kryetarit të sindikatës së transporteve, Gëzim Qato, që të shmanget kjo formë e paligjshme e protestës dhe të ndiqen procedura ligjore dhe punëtorët të largohen duke mos rrezikuar veten dhe dokun. Kërkesa e Tushës është pritur me kundërshtime nga sindikalistët të cilët kanë deklaruar se do të vetëflijohen nëse nuk ju zgjidhen kërkesat. Po ashtu në kantier ka mbërritur dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Miri Hoti, dhe prefekti Agasi, të cilët kanë premtuar se do të bisedojnë me ministrat
Malaj dhe Leskaj. Në orën 14:30, ndërsa uji vazhdonte të ridhte në dok, punëtorët që qëndrojnë në skelat e dokut, kanë deklaruar se uji i ka kaluar 2 m thellësi.

Skadimi i ultimatumit
Në orën 15.00 të ditës së djeshme ka skaduar afati i ultimatumit për bisedime me ministrat Leskaj dhe
Malaj. Sindikalistët thanë se kryetari i sindikatave të transporteve, Gëzim Qato, ka komunikuar me zëvendësministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ahmet Ceni, të cilit i ka deklaruar se pa firmosjen e marrëveshjes nuk dalim nga doku. Në kantier në pasditen e djeshme ka mbërritur dhe deputeti i PD-së Pëllumb Berisha, i cili ka premtuar se do ta ngrejë problemin në parlament. Ndërsa në orën 18:00 thellësia e zhytjes së dokut ka arritur në 3 m, një motovedetë e policisë kufitare kontrollonte në distancë situatën, ndërkohë që rritja e thellësisë vazhdon të rrezikojë zhytjen përfundimtare të dokut
lundrues. Numri i forcave policore në mbrëmjen e djeshme ishte më i vogël se në mesditë.Gjatë gjithë kohës së ngjarjeve në dok, ka qenë i pamundur për median komunikimi me drejtuesit aktualë të kantierit si ata shqiptarë dhe ata të firmës Turke “Kurum” të cilët nuk janë dukur në ambientet e jashtme të kantierit detar.
Llambi Kallço


shekulli