Reagon Klosi, pas shqetësimeve të drejta të OSBE-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare
Klodiana GURI
Problemet e mëdha sociale dhe ato ekonomike, i kanë detyruar shumë të rinj dhe të reja që të drejtohen në rrugën e emigracionit. Por, të jesh një emigrant në një vend të huaj nuk është aspak e lehtë. Pushtetarët tanë të nderuar, e kanë të drejtën që për motive "pune" të sigurojnë një vizë pa problem, por për njerëzit e thjeshtë, kjo është shumë e vështirë dhe në të shumtën e rasteve, e pamundur. Duke qenë në pozita të tilla, njerëzit zgjedhin një rrugë tjetër, atë të largimit pa dokumente të rregullta, ose e thënë në një gjuhë më popullore, refugjatë. Mos-sigurimi i dokumenteve është një problem, jo vetëm për të kaluar kufirin, por krijon probleme të mëdha edhe në mundësinë e gjetjes së një vendi pune në atë shtet. Pjesa më e madhe e personave që ndodhen në kushte të tilla për të përballuar jetesën dhe për të siguruar të ardhura të mira, zgjedhin rrugën e punës së zezë. Ata bëhen në këtë mënyrë, pre e drogës dhe e një rrjeti trafiku, në të cilin kanë qenë të shumtë të rinjtë që kanë humbur edhe jetën. Situata në të cilën është sot Shqipëria, renditet në një vendet të cilat i kanë të mëdha mundësitë dhe shanset për të rënë pre e një trafiku të oraganizuar. Kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër lidhet gjithashtu me problemet sociale dhe ato ekonomike. Trafikimi i qenieve të gjalla: janë rreth 10 mijë vajza të reja, të cilat ushtrojnë "profesionin" e prostitutave në vende të ndryshme të botës. Për to është shumë e vështirë të mund të shpëtojnë nga ky rrjet i organizuar. Janë edhe fëmijët e vegjël dhe të pambrojtur, siç janë fëmijët jetimë, ose edhe ata të cilët, për të fituar bukën e gojës dalin dhe lypin. Këta fëmijë janë një pre e mirë për ata njerëz, të cilët merren me trafikimin e fëmijëve. Këta të fundit shfrytëzohen sidomos për trafikim organesh. Nuk është një rastësi që problemet e trafikimit kanë qenë ato të cilat kanë shqetësuar edhe organizmat ndërkombëtarë, si OSBE. Këto organizma kanë qenë ato, të cilat e kanë përfshirë Shqipërinë në një nga vendet që ka përqindjen më të lartë të korrupsionit dhe të trafikimit. Përballë një situate tepër të vështirë ekonomike, ku niveli i papunësisë është gjithnjë e më tepër në rritje, dje është organizuar takimi me shoqatat e huaja, të cilat operojnë në Shqipëri, si dhe me përfaqësuesin e shtetit, z.Blendi Klosi. Ky i fundit raportoi se trafikimi i qenieve njerëzore ka patur një ulje, por se cilat janë statistikat për këtë ulje të këtij lloj trafiku, nuk janë dhënë. Një nga zgjidhjet që u ofruan për zbutjen e këtij problemi, ishte krijimi i një ambienti të ngrohtë, për të cilin ata kanë nevojë, si dhe krijimi i një mbështetjeje sociale dhe dhënia e një mundësie për integrimin në shoqërinë civile. Por problemi nuk qëndron se, çfarë do të bëhet me ta pasi të jenë riatdhetsuar, por masat që duhet të merren për të ndaluar kalimin e tyre jashtë territorit shqiptar dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në rrjetin e trafikut.
Krijoni Kontakt