Bruksel, 12 qershor - NATO-ja do të marrë përsipër detyra të reja në Kosovë. Në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, të enjten u ra dakord që kontigjenti 16.000 ushtarësh i KFOR-it në Kosovë në të ardhmen të marrë përsipër edhe përgatitjen e trajnimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. "Jemi pajtuar që të zbatojmë deyrat e reja të NATO-s në Kosovë. Me këtë vendim NATO do të jetë në gjendje që të asistojë Kosovën në ndërtimin e institucioneve të nevojshme demokratike të sigurisë" tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer, gjatë takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës në Bruksel.
"Aleanca merr përsipër formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trajnimin e pjesëtarëve të saj. Kjo do të thotë se ne do të vazhdojmë ta japim kontributin tonë për stabilizimin e rajonit", tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung.
"Deutsche Welle" njofton se Spanja, sipas të dhënave të ambasadorit të saj në NATO, nuk do të marrë pjesë në këtë mision, pasi Qeveria në Madrid nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Megjithatë, ky vend do të vazhdojë të angazhohet brenda KFOR-it. Rumania dhe Sllovakia, të cilat gjithashtu nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë lënë të hapur pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen e ushtrisë kosovare.
Marre nga Gazetalajm.info
Krijoni Kontakt