Konferenca e Dytë Botërore e Rinisë Orthodhokse, Konstandinopojë 2007


“Anëtarë të Kishës – Qytetarë të Botës”


Rreth nëntëqind të rinj nga e gjithë bota u mblodhën me ftesë të Patriarkut Ekumenik, Vartholomeut të I në Konferencën e dytë të Rinisë Orthodhokse, që u mbajt në Kostandinopojë nga datat 11-16 Korrik 2007. Tema kryesore e Konferencës ishte “Anëtarë të Kishës – Qytetarë të Botës”. Konferenca e parë ishte thirrur përsëri në Kostandinopojë në muajin Korrik të vitit 2000. Të rinjtë orthodhoksë ishin përfaqësues të Kishave Orthodhokse që janë nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike anembanë globit, si edhe përfaqësues të Kishave Orthodhokse Autoqefale simotra, nga Vëllazëri Murgjërore, nga Kisha të tjera të Krishtera dhe Konfesione, nga Fakultete Theologjike Orthodhokse, Akademi, Institute dhe Seminare, Organizma Ndërkombëtarë Kishtarë, Lidhje Ndërkombëtare Rinore, Fondacione Kulturorë, si edhe nga Kisha të Krishtera të Qytetit. Me bekim të Kryepiskopit Anastas, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e përfaqësoi një grup prej pesë të rinjsh, që aktualisht ndjekin studimet teologjike në Athinë.

Konferenca ishte konceptuar nga organizatorët si një Forum njohjeje të njëri – tjetrit, komunikimi dhe dialogu, mundësie njohjeje me Kishën Mëmë dhe personalisht me Tërëshenjtërine e Tij, Patriarkun Ekumenik, Vartholomeun I. Kjo gjë u arrit edhe nëpërmjet vizitave të ndryshme Selinë e Patriarkanës Ekumenike, në Katedralen e Shën Sofisë, në Fakultetin Theologjik të Halkit si dhe në monumente të tjera të Qytetit. Të gjithë të rinjtë patën mundësi të përjetonin realitetin, të cilin jeton Patriarkana Ekumenike, e cila nuk është thjesht një Kishë kombëtare, por mishëron shpirtin ekumenik dhe dimensionet mbarëbotërore të Ungjillit të krishterë, ku shprehja etnike, gjuhësore dhe kulturore e anëtarëve, jo vetëm që nuk nënvlerësohen, por pasurohen dhe shpallen si instrumente komunioni.

Konfereca e dytë rinore u mbajt në sallën luksoze të konferencave (Convention Center) të Hotel Hilton Instanbul, ndërsa të rinjtë ishin akomoduar në hotele në afërsi, gjë që bënte që shëtitjet e shkurtra më këmbë përgjatë sheshit Taksim të ishin shumë të këndshme, si një aktivitet fizik para fillimit të sesionet. Ushqimin e përditshëm të rinjtë do ta merrnin nën bekimin dhe shoqërinë e Patriarkut po në sallën e madhe të ngrënies së Hotel Hilton, ku do të kishin mundësinë të shijonin edhe ushqime tradicionalë turke, si dhe ëmbëlsirat me në qendër llojet e ndryshme të bakllavave të famshme. Organizimi i përkryer, mikpritja nëpër hotele dhe koordinimi i sesioneve dhe ekskursioneve do të merrte vlerësimin maksimal të të gjithë të rinjve.

Hapjen e Konferencës e bekoi Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, i cili u kujtoi të rinjve se kanë një vend dhe rol personal brenda trupit perëndinjerëzor të Kishës, sipas dhuratës që u ka besuar Perëndia. Tërëshenjtëria e Tij theksoi se secili prej të rinjve duhej të ndërgjegjësohej në kohën e duhur për talentin e tij të veçantë dhe me gatishmëri t’i përgjigjej thirrjes së Zotit. Si qytetarë të Mbretërisë dhe njëkohësisht qytetarë të botës, nuk duhet të indentifikohemi me botën, por as edhe ta refuzojmë atë, por të kemi një “qëndrim kritik” kundrejt botës me mendimin se atdheu ynë “ndodhet në qiejtë” (Fil. 3, 20)

Gjatë prezantimit të grupeve të të rinjve pjesëmarrës, do të na bënte shumë përshtypje fakti, kur në kohën që u përmend emri i Kishës së Shqipërisë dhe Kryepiskopit Anastas, në sallë shpërthyen duartrokitje të fuqishme, gjë që na bëri të gjithëve të ndjenim vlerësimin e madh të të gjithë të rinjve, të cilët ishin të mirëinformar për historinë e Kishës sonë dhe për veprën me përmasa titanike të rindërtimit dhe ringritjes së Kishës, nën drejtimin e frymëzuar të Kryepiskopit Anastas. Gjithashtu do të ndjeheshim tepër të veçantë, gjatë të gjitha momenteve të konferencës, ku referuesit do të ndaleshin dhe do të citonin thënie të shkëputura nga artikujt dhe librat që ka shkruar Kryepiskopi ynë. Sa herë që fjala do të binte mbi çështje të misionarizmit orthodhoks apo globalizmit, studiuesit do të referonin me shumë respekt edhe qëndrimet e Kryepiskopit të Shqipërisë. Në referatin e tij, “Kisha dhe Globalizmi”, Profesori i Filozofisë, z. Kostandinos Dhelikostandis, do të ndalej gjerësisht në librin e Kryepiskopit Anastas, “Globalizmi dhe Orthodhoksia” dhe do t’ua rekomandonte të gjithë të rinjve pjesëmarrës leximin e këtij libri, me vlerësimin se aty do të gjenin tekste të mrekullueshme.

Konferenca, gjatë të gjitha ditëve, do të zbulonte diçka të re për të rinjtë pjesëmarrës. Referatet e ndryshme dhe bashkëbisedimet pas tyre, do ta bënin pjesëmarrjen e të rinjve më të drejtpërdrejtë. Të rinjtë zbuluan intensitetin kreativ dhe dialektikën midis cilësisë së të qënit Anëtarë të Kishës dhe Qytetarë të Botës. Kështu ata do të dëgjonin referate të ndryshme, midis të cilave edhe temat: “Të rinjtë dhe pjesëmarrja e tyre në jetën misteriale dhe adhuruese të Kishës”, “Formimi i moralit hierapostolik në Kishë”, “Arsimimi orthodhoks i të rinjve në Europën Perëndimore”, “Kisha dhe Globalizmi”, “Kisha dhe Sekularizmi”, “Të rinjtë dhe institucioni i familjes”, “Të rinjtë dhe vetmia”, si dhe tema që kishin lidhje me çështje aktuale që shqetësojnë të rinjtë në lidhje me marrëdhëniet gjinore apo shoqërore mes tyre. Këto referate u ndoqën me interes të veçantë edhe për arsyen se vetë referuesit, që ishin personalitete me emër në fushat që mbulonin, do t’i bënin me shembuj konkretë dhe me ndihmën e mjeteve optiko – akustike, më të prekshme për këtë moshë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj konference ishte edhe organizimi i ekskursioneve. Kështu, të rinjtë patën mundësi të vizitonin Katedralen e Shën Sofisë që sot është shpallur muze, Fakultetin Theologjik të Halkit, Manastirin e Vendit (Moni tis Xoras) etj. Ishte e trishtueshme të shikoje kishën që dikur shërbente me madhështi në adhurimin e Zotit, të ishte në një status heshtjeje dhe të vizitohej vetëm si një monument i së kaluarës. Lutjet e të rinjve i kërkuan Zotit që të bëjë të mundur përsëri kthimin e asaj katedraleje në shkëlqimin e saj të dikurshëm. Gjithashtu, të rinjtë vizituan edhe Fakultetin Theologjik të ishullit të Halkit. Ky fakultet ishte ndërtuar mbi një nga kodrat këtij ishulli. Shpresa e Patriarkanës për t’u hapur përsëri kjo shkollë e famshme, që ka nxjerre breza e breza teologësh e madje edhe patriarkësh, ishte e madhe. Hapja e kësaj shkolle është përfshirë edhe në kërkesat që Bashkimi Europian i ka kërkuar Turqisë në kuadër të negociatave për integrimin europian të saj. Qetësia dhe bukuria natyrore që të ofronte ky ishull do të na linte ndjesinë se ora aty kishte ngelur pikërisht në vitin 1971, kur Fakulteti Theologjik i Halkit u mbyll me anë të një ligji që ndalonte aktivitetin e universiteteve private. Për të ruajtur pikërisht këto vlera natyrore të ishullit ishte e ndaluar të qarkulloje me automjete, kështu që ne përdorëm paitonët me kuaj për të ngjitur kodrën ku ishte shkolla. Gjithçka kishte ngelur si atëherë; klasat, bankat e vjetra me kapakë, fjetinat e studentëve dhe ambientet e tjera. Por aty çdo gjë ishte gati dhe nëse leja për rihapjen e saj do të jepej, mësimi do të rifillonte menjëherë. Nëse lexuesit do të donin të merrnin më shumë informacion mbi konferencën, organizatorët kanë hapur një site: http://youth.ecupatriarchate.org ku do të gjeni tekstet e referateve dhe material të pasur fotografik.

Një moment tjetër i paharrueshëm i vizitës sonë në Turqi do të ishte edhe dita kur patëm një audiencë me Patriarkun Ekumenik, Vartholomeun. Ai do të priste në takim disa grupe përfaqësuese të rinjsh, midis të cilëve do të ishim edhe ne. Gjatë takimit, Patriarku u interesua në mënyrë të veçantë për gjithsecilin prej nesh. Ai na pyeti duke u interesuar për shëndetin, për studimet tona, për ecurinë e Kishës në Shqipëri. Duke u ndalur në historinë e Kishës në Shqipëri, Patriarku shprehu vlerësimet maksimale për Kryepiskopin Anastas, duke nënvizuar se zgjedhja e Primatit të Shqipërisë tregoi se ishte zgjidhja më e mirë për realitetin e vështirë kishtar në Shqipëri. Ditën e fundit të Konferencës, Patriarku u shpërndau të gjithë të rinjve pjesëmarrës, si dhuratë, një orë dore, si për të na kujtuar se koha duhet shfrytëzuar me kujdes.

Të rinjtë shprehën njëzëri në këtë konferencë se ne duam ta shprehim dëshminë e krishterë me mënyrën dhe dinamizmin tonë. Ne dëshirojmë të marrim pjesë energjikisht në jetën pimantike, komunitare dhe liturgjike të Kishës. Ne jemi të bindur se secili prej nesh posedon dhurata të çmuara, që nëpërmjet Hirit Hyjnor mund të shumëfishohen në Kishë, për të mirën e përbashkët.

Të gjithë shprehëm mirënjohjen për Kreun e Orthodhoksisë, Patriarkun Ekumenik, i cili na tregoi se kishte një shpirt rinor autentik, për mundësinë që na dha si dhe për organizimin e përsosur të Konferencës dhe për mikpritjen Abrahamiane që ne përjetuam ato ditë në Mbretëreshën e Qyteteve, në Kostandinopojë. Njëkohësisht falënderojmë nxehtësisht edhe Kryepiskopin Anastas që na dha mundësinë për të përfaqësuar Kishën tonë, duke na dhënë dhuratën e përjetimit të eksperiencave mjaft të veçanta, nga të cilat patëm shumë përfitime shpirtërore.


Aleks Çuri

Marre nga websiti i Kishes Orthodhokse Autoqefale te Shqiperise. Linku:

http://www.orthodoxalbania.org/Shqip/Shtypi%20&%20Publikimet/ShtypiFrame.htm