Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    e poshter! Maska e Sheqerka
    Anëtarësuar
    11-04-2003
    Vendndodhja
    Ne zemer te tokes!
    Postime
    66
    Shtjefen Gjecovi ( 1874-1929)

    Jeteshkrimi e veprimtaria

    Ja dhe nji fytyre tjeter e ndritur atdhetari te flaket dhe shqiptari te paster, qi - si shoqi i tij i jugut Negovani – ra deshmuer i cashtjes shqiptare nga dora e anmiqvet te shqipnis.

    At Shtjefni lindi ne Janjeve te Kosoves me 12 Korrik 1874 dhe mesimet fillore i kreun e vendlindjen e vet, kurse ato gjymnazjare i bani ne Kolegjen Franceskane te Troshanit. Ne 1888 Gjecovi shkroi ne Boshnje ku muer udhen e meshtaris n’Urdhnin franceskan. Mesimet lyceale dhe te filozofise i kreun e Banjaluke dhe ato te teologjise ne Kresheve, ku n’ate kohe i kryejshin studimet franceskanet e rij shqiptare, e ku me pat rasen me u njoftun me epikun kroat Gege Martiq-in.

    Ne vjetin 1896 ktheu ne Shqipni dhe sherbeu si famullitar ne Peje, ne Lac te Kurbinit, ne Vlone, ne Gomsiqe, ku u dallue gjithmone per zell dhe per perhapjen e ndiesivet atdhetare, dhe ku me nji kujdes te jashtezakonshem mblodhi nga goja e popullit fjale, fraza, kange, zakone e sidomos Kanunin e Malevet t’ona. Mbas At Pashk Bardhit, qe mesues i gjuhes shqipe ne Borgo Erizzo, ku la pershtypje te mira ne popullsin e vendit e cila e cmoi dhe e nderoi.

    Veprimtarija e Gjecovit shtrihet sidomos ne fushen atdhetare: nuk u lodh kurre se punuemi per fatet e atdheut. Sa q ene Durres mblodh rreth vehtes Shqiptare nga viset e Shqipnis se mesme, tue i mesum e tue i keshilluem per bashkimin kombetar, qi ishte i vetmi shpetim i tokavet t’ona.

    Kerkoi me dore te kujdeseshme visaret e pacmueshme te nentokes se vjeter shqiptare; keshtu mujti te bashkonte me nji shije nder kolekcjonet ma te bukurat arheologjike dhe shkroi neper te perkoheshmet t’ona shume artikuj me nji vlefte te rralle mbi zakonet dhe mbi mbeturinat e kohvet historike shqiptare. Ne kete fushe asht per t’u theksuem ne nji menyre te posacme radha e studimit te tij me titullin “Trashigime thrako-ilirjane” i cili qe filluem te botohej ne fletoren “Populli” te Shkodres me pseudonymin “Komen Kanina” e qi ma vone qe vijuem rregullisht ne “Hylli i Drites”. Ndoshta aty-ketu shkencatari gjen shka te kritikoje ne keto studime por, po te mirret para sysh shka mund t’ishte bibljotheka e njij famulltari te vorfen malsije, i hjedhun tash ne nji vend e tash me nji vlefte shume te rralle.

    Si rremues i vjetersivet shqiptare qe cmuem dhe njoftun prej arheologevet te huej, si nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, prej Dr. Ugolinit, drejtuer i misjonit arheologjik italjan ne Shqipni, prej Nopces etj. Gjithnje e pa pushim botoi shkrime tjera te randsishme historije, arheologjike dhe folklore neper fletore dhe te perkoheshme gjithfaresh dhe bashkepunoi rregullisht me n’Albania me pseudonimin “Lkeni i Hasit”.

    Gjecovi botoi ne Shkoder ne vjetin 1910 vellimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtuem A. Fishtes, nder fletet e te cilit fryn gjithkund nji ere e paster ndiesish te flakta atdhetare. Asht per tu shenuem ne kete veper nji studim i holle mbi fjalorin e gjuhes shqipe, ku rrihet cashtja e pastrimit te fjaleve te hueja, te kujdesit ne te folum pa gabime dhe te menyres te mbledhjes se fjalvet nga goja e popullit. Pervec ketij libri, kemi nga penda e tij edhe perkthimin e dramit tri pamjesh te Pjeter Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.

    Por mbi te gjitha veprat e Gjecovit naltohet dhe mbetet permendore e pavdekshme “Kanuni i Leke Dukagjinit”, rreshtuem ma pare ne “Hylli i Drites” dhe mbas vdekjes shtype ne vehte (1933) ne nji vellim madheshtuer e me nji parathanje te gjate e te peshueme mire te Fishtes mbi randsin e folklores kombtare, te ligjvet dokesore dhe sidomos mbi vleften juridike te Kanunit. Ne kete veper jane permbledhe nder 12 libra dhe nji shtojce parimet gjyqsore, me anen e te cilavet rregullohej nder male shqiptare administrata dhe tagri ndeshkimuer. Ky monument ligjuer u ven perpara te huejvet malsorin jurist dhe shlyen me dishmi te gjalle ne dore paragjykimet e kundershtarvet t’emnit t’one, tue i bam te kaperdijne titujt e leshuem falas se populli shqiptar asht barbar dhe i eger. Keta sidomos n’ato pjese qi i perkasin se drejtes familjare e civile dhe statutit te fisit ku ndrit nji drejtpeshim e nji shpirti dishipline i bashkuem me nji nderim te madh per te drejtat e personalitetit qi i kujtojne pjeset e kohet ma te bukurat e se drejtes romake. Zotsija e Gjecovit nder ligjet kanunore asht e dallueshme; “ askush - thote F. Konica – nuk mund t’i afrohet At Gjecovit ne diturine e ketij kanuni, qe esht nji studim i palodhur dhe i holle ku ka mbledhur, radhitur dhe ndritur te gjitha sa kane mbetur nga mendimet juridike te Shqiperise se Kohen e Mesme, mendime te cilat ngjan t’i kene rrenjet shume pertej Kohes se Mesme”.

    Pergjithesisht shkrimet e Gjecovit nuk kane vlefte te persosun letrare: nuk asht artist i ambel i fjales, dhe stylin shpesh here e ka te vrazhde per arsye te pastrimit te tepruem te fjalorit. Porse nji fuqi skulptorike vigane ngrehet prej periudhavet te tija lakonike e te rrebta. Ai i ngjan Salustit.

    At Gjecovi ashtu nji nder ata kreshnike, qi fushen e luftimit dhe flamurin shqiptar e njomen me gjakun e vet: 13 Tetuer 1929, mbasi qe thirre trathtisht nga auktoritet slaven e Prizrend, ndersa kthente ne Zymb, ku vepronte si famullitar dhe si mesues i gjuhes shqipe, qe vram prej Sebvet, te cilet shifshin ne te nji nder ma te rrezikshmit perhapes se bashkimit te Kosoves me nanen Shqini.

    Per keto te gjitha atdheu e deshti dhe rinija adhuroi mbas tij.

    Karl Gurakuqi

    (Marre nga Shkrimtare Shqiptare – 1941)
    Ndryshuar për herë të fundit nga shigjeta : 18-08-2007 më 05:43
    Nje zemer e madhe dashuron edhe nga keqardhja!

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Sheqerka për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  3. #2
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Ca Kujtime Mbi At Gjeçovin Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t'ona për At Gjeçovin.




    Faik KONICA


    At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.



    Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.



    Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.



    Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…



    Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.



    Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur - dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.



    (Marrë nga "Dielli" 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar NoName për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  5. #3
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Mëhill Kostandin Gjeçi-Kryeziu



    Shtjefën Gjeçovi (1873 - 1929)


    Veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf (kombpërshkrues), arkeolog dhe shkrimtar. Lindi në Janievë të Kosovës, në një familje me prejardhje nga Kryeziu i Pukës. Vazhdoi mësimet në kolegjin fetar të Troshanit (Lezhë) e më pas në Bosnjë. Zhguni i fratit dhe detyrimet ndaj kishës nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori luftarak, me dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën e tij të lashtë. Në Kurbin më 1906 u ngrit me forcë në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë, kur shërbente në Gomsiqe të Mirditës, më 1909-1912 mori pjesë gjallërisht në organizimin e kryengritjes antiosmane në ato anë dhe vetë u radhit në çetat e luftëtarëve të lirisë; u ngrit më 1914 me guxim kundër grabitjeve, përdhunimeve e padrejtësive që bënte në popull ushtria pushtuese austro-hungareze; më 1920 mori pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në Zara të Dalmacisë, në Pejë, në Gjakovë luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këtë arsye e vranë serbomëdhenjtë në Zym të Gjakovës. Shkrimet letrare e shkencore të Shtjefën Gjeçovit i përshkojnë ndjenjat e atdhetarisë, idetë e përparimit të vendit nëpërmjet dijes e kulturës. Më 1910 botoi veprën morale-didaktike "Agimi i Gjytetnisë". Është ndër autorët e parë të dramës shqipe me Dashtunia e Atdheut (1901). Në shkrimet e mbetura të pabotuara, ndihen shqetësimet e autorit për problemet kombëtare e shoqërore.(Shqiptari ngadhnjyes 1904, Princi i Dibrave apo Mojs Golemi 1904, Mënera e Prezës 1902, Përkrenarja e Skënderbeut, etj).

    Ndihmesën më të rëndësishme Shtjefën Gjeçovi e dha në fushën e etnografisë. Me një punë shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (Shkodër, 1933), që e bëri të njohur në botën shkencore. Ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara, për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjëmën, për mikpritjen e besën shqiptare, për përshëndetje e fjalë të urta, por më së shumti u mor me të drejtën zakonore të popullit tonë. Në punimet e tij bëri përpjekje t'i lidhte mitet e besimet e lashta vendase të popullit tonë me ato trako-ilire e pellazge.



    Atë Shtjefën Gjeçovi në 132-vjetorin e ditëlindjes (1874-1929)


    Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefini ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte ngapak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
    Lindi 132 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarësie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjën françeskane. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugat drejt Austrisë e Italisë.
    Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkelologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurr se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
    U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!
    Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të trija gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monumet i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
    Lista e veprave të tij ësht shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut.
    Ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull "Shtjefën Gjeçovi: Jeta , vepra me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashk Bardhit, historianit të fretërve.Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes një monument të pashkatërrueshëm nga koha!



    NoName

  6. Anetarët më poshtë kanë falenderuar NoName për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  7. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-11-2006
    Postime
    16
    Me vjen shume mire qe jeni te interesuar per At Shttjefen Gjecovin, por me vjen edhe me mire qe paskan dergu nje biografi te gjere te At Shtjefnit. Une desha te shtoj edhe dicka. At Shtjefen Gjecovi punoi gjashte muajt e fundit ne Zym te Hasit si famullitar prej prillit te vitit 1929 deri me 14 tetor 1929, kur u vra nga dora serbomadhe, sepse mesonte gjuhen shqipe femijve dhe te rriturve pa marre parasysh cilit besim i takonin. Nje e vertet eshte se i kishte ra shuplake mesuesit serb, te cilit emrin ja kam harruar. Meqenese ishte e shpallur Diktatura e 6 Janarit-ashtu quhej ligji qe solli mbreti i Serbise, kjo shuplake mund te ishte vetem katalizator i vrasjes se tij. Eshte vorruar ne Shengjergj afer Zymit te Hasit, dhe cdo vit mbahen takimet e Gjecovit ne Zym dhe kete rast vizitohet varri i tij. Ne Zym gjendet edhe qendra memorijale e posandertuar per nder te tij.
    P.S. Varri i tij gjendet perbri varrit te Luigj Palit, per te cilin u mundua te nxjerr sa me shum te dhena per jeten e tij me qellim qe ta ngrisi ne nder te leterit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga shigjeta : 18-08-2007 më 04:45

  8. Anetarët më poshtë kanë falenderuar zef kajtazi për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  9. #5
    E drejta

    ~Fragmente~

    T'bijt e pelazgve, o shqyptart jena,
    Nipat e Leks, t'Burrit, t'Kastriotit,
    N'gjum me ndjet, a thue, marre s'kena
    Na, qi t'part patëm, t'cilt atij motit
    .....Prej Lindjet n'Prendim i shtuen dhena?

    Atyne Hyji, i dha Shqypnien
    Me nder e rujten n'jet sa jetuen
    Vdiqën ata, por e lan nipnien
    E n'trashigim nipnis i përdoruen
    .....Qi kush ta msyn, m'u diftue fuqien

    Msimin ata na lan me luftue
    Vendin, ku, lem me kujdes me rujtun
    Ket gjuh t'hijshme me shpirt m'e lulzue
    Prej ferrash m'e dlir, s'zezash m'e prujtun
    .....Për gjuh e Atdhe, jet'n ton me shtrue.

    E tash, a thue, jena verbue
    E vendin ku lem ma nuk e njofim?
    Gjuhen ton, a po kena harrue
    Krajatën e Mams sot a s'e shohim?
    .....Ç'me emn e dokje aq n'â poshtnue?

    E Shqipnis ndera, ku â? o shqyptar
    Lumni' e saj ku, e ku dashtnia?
    Ku â flamur i jon, o atdhetar
    E djathta ku, e ku â trimnia?
    .....Ku prunjim, q'do ta ken nej t'par?

    Kush na leu, o vlla, kush na rriti
    Kush si foshnjë në prehen na majti
    Kush na ngiu, vajin kush na priti
    Ne dhimt ton për ne fshajti,
    .....A s'kje Atdheu, ah! Tash zem'r shkruti?!

    Kush na mkami, kush gjuhen na liroj
    Kush kje qi na fali, gjith ket hyri?
    Kush me folun, e menden kush na msoj
    N'kujds kush për ne, u shkri e n'dashtni?
    ..... A s'kje Atdheu, qi aq na hjeshoj?!

    Nuk vyn, vllazn, sod sysh m'u verbue
    Se q'thot goj' e huj, n'zemer s'e mendon;
    T'lam've e t'lym've, s'ban m'u besue
    Se amel t'ligjiron, por nden kam t'rrmon
    .....Për rpile t'prun, me u dob me t'rrxue!...

    Mos n'u vetja, e nder' e ftyrs son
    N'gjum t'pritesës dit me i kalue
    N't'shamet mos u kuqshim, q'bota n'i lshon
    T'ndez na n'dashtni, q't'part j'a pa'n diftue
    .....Atdheut e gjuhs, q'n'goj ton sod shungullon!

    *****

    Dheu i shqypes t'cilin e leu
    E gjuhn shqype, gjithkush qi e flet
    M'kam, ata burra, i thrret Atdheu
    Shqyptaria t'gjith k'kam i thret
    .....M'kam, shka à shqyptar, m'kam burr ktij dheu!

    M'kam, se Atdheu don qi t'vllaznohi
    E njihni n't'bame t'keni e n'fjal
    M'kam, se Atdheu don qi t'bashkohi
    Hovin hujliut, vllaznisht me j'a ndal
    .....M'kam, shqyptart, m'kam, e n'zemrat trimnohi!

    M'kam, flamurin e Shqypnis qit-e ndrit
    Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
    Gjuhn tande, n't'cilën Mama t'ka rrit
    N'drit me qitun, prej Zotit ke leje
    .....Ngrehu prej gjumit, se mjeft t'ka topit!

    25.5.1902

    "Vepra -2 ", "Rilindja", Prishtine, 1985


    Nje tjeter informacion te zgjeruar per Shtjefen Gjeçovin mund te lexoni tek "Historia e Letersise Shqiptare" nga Robert Elsie

    http://www.forumishqiptar.com/showpo...6&postcount=52
    Ndryshuar për herë të fundit nga shigjeta : 21-08-2007 më 00:25
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  10. Anetarët më poshtë kanë falenderuar shigjeta për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  11. #6
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    marre prej www.albanovaonline.com


    Ndoc Kamsi


    Shtjefen Konstantin Gjeçov*

    Ndoc Kamsi

    Tue qenë Shtjefen K. Gjeçov i njoftun si shkrimtar e atdhetar i vlefshëm dhe i pari intelektual shqiptar, që i fali popullit një vepër të çmueshme siç asht “Kanuni i Lek Dukagjinit”, kushtuem vetëm së drejtës kanonore të vendit tonë, po i rreshtojmë këtu pak fjalë përmbi jetën e tij.
    Ky lindi në Janjevë të Kosovës me 12 korrik 1874. Mësimet fillore i kreu në vendlindjen e tij. Aty u dallue si nxanësi ma i mirë e për një zgjuetësi të rrallë, prandaj qe çue prej Krye-Ipeshkvit të Shkupit në kolegjin françiskan në Troshan, ku kreu klasët e para të gjimnazit. Në vitin 1888 qe çue në Bosnjë, ku vijoi mësimet liceale, e nën mësim e drejtim profesorësh të përmendun, kreu teologjinë.
    Mbasi mbaroi mësimet (1896) kthei menjëherë në Shqipni, ku sherbeu si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit, në Gomsiqe të Mirditës, pra jetoi në afërsi të vazhdueshme me shtresa të vorfna malësore, ku u nda në shej gjithëherë për zell e mësime patriotike që i jepte popullit, i cili i ishte lanë në kujdes e tue i dalë zot kundrejt padrejtësive të pushtuesve.
    Qyshë ndër vitet e para ai e kuptoi ma së miri programin e misionit të vet e pa humbë kohë, nuk la rast as të përpjekun pa kapë diçka prej visarit të pashkruem të popullit, si përsa i përket gjuhës si edhe gojëdhanave, zakoneve, kanunit e folklorës në përgjithësi. Këtu fillon veprimtaria e tij kulturale e kombëtare.
    Gjeçovi qe ai, i cili nga viti 1900 çoi zanin për me kërkue lirinë me një thirrje të fortë “Ngreu Shqypni!” – “Ngrehuni burra, çonju trima! Për Shqypni ta derdhim gjakun! Në luftë shqyptarë porsi vetima, liri të lypim, të lypim hakun!”
    Nga Laçi u transferua në Durrës, ku i ra rasa me u përpjekë me atdhetarë të Toskënisë, me të cilët muejti me shëndrrue e me zhdrivillue mendimet e veta kombëtare për një Shqipni të përbashktë e të pamvarun.
    (Mjaftonte një herë me folë me ‘te, pse të bante për vehte. Miqësia e tij ishte e njëmendtë dhe e qëndrueshme. Kjo shifet edhe ma qartë prej korespondencës që mbante me njerëz të ndryshëm të viseve të largëta të Shqipnisë. Në çdo shkrim a letër nuk lente pa e shti një mendim, një nxitje, një lavdi për atdhe.)
    Në kohën e Xhemijetit u gjet në Gomsiqe dhe ai i kuptoi planet e turqve të ri, po ashtu edhe konsitucionin e Sulltanit e quejti si maskë për të shtypë ma shumë popullin tonë. Ai qe një ndër ma të mirët këshilltarë të komitës, aq sa shpesh vuni edhe kryet e vet në rrezik, pse donte ma fort popullin e atdheun se sa jetën e vet.
    Në kohën e luftës ballkanike, në atë periudhë të vështirë të luftës për vendin e popullin tonë, Gjeçovi qëndroi krah për krah malësorëve luftëtarë të lirisë në kryengritjen e madhe në Veri më 1912. Pas shpalljes së pamvarësisë ai trajtohet keq prej serbëve, italjanëve, austrijakëve.
    Më 1920 dërgohet famullitar në Vlonë, ku vihet menjëherë në opozicion me forcat italjane. Ata banë shpifje të ndryshme për ta mënjanue, por i patundun bashkë me priftin tjetër patriot Mark Vasa, ndihmuen luftëtarët e lirisë për dëbimin e italjanëve. Në lamën e veprimtarisë për me përhapë idenë e pamvarësisë e të dashunisë për atdhe ka ba përtej fuqive e mjeteve që kishte për dorësh. Ka qenë i palodhn e s’mund të paraqitet me pak fjalë ashtu si duhet në një biografi të shkurtë si asht kjo e jona.
    Gjeçovi asht i njoftun edhe në lamën e letërsisë. Si intelektual u vu me zell me studiue gjuhën shqipe, tue mbledhë nga goja e popullit fjalë e fraza, shprehi popullore dhe sidomos ligjë të pashkrueme. Pra në këtë kohë literatura e gjuhës sonë ishte në fillim të vet. Gjeçovi qe nder ata shkrimtarë që ma së miri me shkrime të veta indihmuen letërsisë.
    Më 1905 përfundoi tragjikomedinë “Mark Kuli Kryeqitas” po atë vit, kur Esat Toptani si komandant i forcave turke sulmoi krahinat e Veriut për t’i çarmatosë, por populli i kundërshtoi. Asht një vepër e rrallë me një frymë të lartë patriotike. Një nga kryeveprat e tij asht “Agimi i Gjytetnisë” (1910). Botimi i saj pati një jehonë si mbrenda dhe jashtë shtetit. Aleksander Xhuvani nga Aleksandria i uronte me gjithë zemër për dobinë, që po i sillte gjuhës e literaturës sonë.
    “Atil Reguli” (1912) dramë tri pamjesh, i përpunue prej Gjeçovit, tue vune në dukje ma tepër anën patriotike.
    “Joana d’Ark” (1915) mbas A.P. prej Bergamos. Qëllimi i këtij libri asht me e mësue popullin me e dashtë atdheun.
    Në këto kohë të vështira ai shkroi dramën mbi Skenderbeun, “Mojsi Golemi” etj.
    Pas veprave origjinale e të përkthyeme, Gjeçovi shkroi edhe shumë artikuj në “Albania” të Brukselit e të Londonit, në “Hylli i Dritës” etj.
    Por vepra ma e çmueshme e Gjeçovit asht “Kanuni i Lek Dukagjinit”, të cilin Gjeçovi me shumë cenë e duresë të pashoqe e mblodhi prej gojës së popullit.
    Një pjesë e këtyne dorëshkrmeve u botue për të parën herë në “Hylli i Dritës” (1913). Materiali mbi kanunin qe aq i randësishëm dhe interesant sa shkrimtarë të huej e përdorën për studime në veprat e veta si Thaloscy etj., por kanuni shfrytëzohet edhe nga juristat vendas.
    Mbas vdekjes së Gjeçovit dorëshkrimet e tij u mblodhën, u rradhitën dhe u shtypën nga shtypshkronja françeskane ose në shtyqpshkronjën e Shkodrës (1933) në një vëllim të vetëm së bashku me shumë ndodhje, që janë porsi kazuistika e kanunit, me titull “Lekë Dukagjini”.
    Claudius Schwering, profesori i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Mynçenit ka dhanë gjykimin e vet mbi kanunin si tagre zakonesh. Ai i konsideron si ligjë krejt të interesantshme, ndoshta ma të vjetrat në Europë, dhe Europa le ta njohë se çka ka përftue kombi i vogël shqiptar për veprimet e mëdha të kulturës.
    Me këto fjalë të bukura që u shpreh ai mbi kanunin i ban një nder krejt të veçantë kombit tonë shqiptar dhe auktorit të kryeveprës.
    Gjeçovi u muer edhe me arkeologji që në kohë të sundimit turk (1900). Ai hapi (zbuloi) tumula ilire, mblidhte objekte të lashta, ka mbledhë monedha të periudhës ilire me një shije e kujdes të posaçëm eruditi. Vjetërsitë që ai mblodh nepër Shqipni, qenë çmue fort prej arkeologëve si Ugolini, Marucchi, Nopsçka etj.
    Meritë e posaçme e tija asht gëdhënja në dru, se shkopi i tij asht i njoftun si punim artistik i jashtëzakonshëm e gjindet në Muzeumin e qyetit të Shkodrës.
    Që nga 1926 Gjeçovin e gjejmë në vende të ndryshme të Jugosllavisë, i ndjekun jo vetëm nga shovinistët serbë, por edhe nga tradhëtarët shqiptarë. Më së fundi Gjeçovin e çojnë prift në fshatin Zymb, ku ai nuk la pa shftrytëzue kohën tue punue për mbledhjen e folklorit e tue vertetue lashtësinë e popullsive shqiptare në ato krahina.
    Gjeçovi u vra me 14 tetor 1929 për shkak të veprimtarisë së tij patriotike. Lajmi i vrasjes së Gjeçovit theku zemrat e gjithë shqiptarëve, pse të gjithë e patën dashtë e çmue si letrar të vlefshëm e atdhetar të flaktë.
    Por i miri nuk vdes kurrë. Kujtimet që len mbas vedi marrin hapët e përcillen gojë më gojë. Fëtyra e Gjeçovit, fëtyrë burrit e punëtorit, fëtyrë e atdhetarit të flaktë, asht edhe sot e gjallë e terheqëse për të gjithë njata që e duen atdheun që s’kursehen për me i vleftë. Sa ma fort të studiohet veprimtaria e Gjeçovit, aq ma shpesh na mbushet mendja se ai mund të jetë shembull punet e vetmohimit e një nxitës i palodhun në çdo degë që synon madhninë e naltësimin e atdheut, tue qitë në dritë visaret e panjoftuna të folklorës, të etnografisë, të arkeologjisë e të historisë sonë të lashtë.



    * shkëputur nga revista “Shkodra” (1965)

  12. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-10-2009
    Postime
    7

    ju lumte per punen qe beni, pershendetje forumi shqipetar

    isha ne jubileun e 38 ne zym dhe u entuziazmova nga puna e ati burri te madh te shqiptarise i cili eshte per tu mburrur me te
    Citim Postuar më parë nga Labeati Lexo Postimin
    marre prej www.albanovaonline.com


    Ndoc Kamsi


    Shtjefen Konstantin Gjeçov*

    Ndoc Kamsi

    Tue qenë Shtjefen K. Gjeçov i njoftun si shkrimtar e atdhetar i vlefshëm dhe i pari intelektual shqiptar, që i fali popullit një vepër të çmueshme siç asht “Kanuni i Lek Dukagjinit”, kushtuem vetëm së drejtës kanonore të vendit tonë, po i rreshtojmë këtu pak fjalë përmbi jetën e tij.
    Ky lindi në Janjevë të Kosovës me 12 korrik 1874. Mësimet fillore i kreu në vendlindjen e tij. Aty u dallue si nxanësi ma i mirë e për një zgjuetësi të rrallë, prandaj qe çue prej Krye-Ipeshkvit të Shkupit në kolegjin françiskan në Troshan, ku kreu klasët e para të gjimnazit. Në vitin 1888 qe çue në Bosnjë, ku vijoi mësimet liceale, e nën mësim e drejtim profesorësh të përmendun, kreu teologjinë.
    Mbasi mbaroi mësimet (1896) kthei menjëherë në Shqipni, ku sherbeu si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit, në Gomsiqe të Mirditës, pra jetoi në afërsi të vazhdueshme me shtresa të vorfna malësore, ku u nda në shej gjithëherë për zell e mësime patriotike që i jepte popullit, i cili i ishte lanë në kujdes e tue i dalë zot kundrejt padrejtësive të pushtuesve.
    Qyshë ndër vitet e para ai e kuptoi ma së miri programin e misionit të vet e pa humbë kohë, nuk la rast as të përpjekun pa kapë diçka prej visarit të pashkruem të popullit, si përsa i përket gjuhës si edhe gojëdhanave, zakoneve, kanunit e folklorës në përgjithësi. Këtu fillon veprimtaria e tij kulturale e kombëtare.
    Gjeçovi qe ai, i cili nga viti 1900 çoi zanin për me kërkue lirinë me një thirrje të fortë “Ngreu Shqypni!” – “Ngrehuni burra, çonju trima! Për Shqypni ta derdhim gjakun! Në luftë shqyptarë porsi vetima, liri të lypim, të lypim hakun!”
    Nga Laçi u transferua në Durrës, ku i ra rasa me u përpjekë me atdhetarë të Toskënisë, me të cilët muejti me shëndrrue e me zhdrivillue mendimet e veta kombëtare për një Shqipni të përbashktë e të pamvarun.
    (Mjaftonte një herë me folë me ‘te, pse të bante për vehte. Miqësia e tij ishte e njëmendtë dhe e qëndrueshme. Kjo shifet edhe ma qartë prej korespondencës që mbante me njerëz të ndryshëm të viseve të largëta të Shqipnisë. Në çdo shkrim a letër nuk lente pa e shti një mendim, një nxitje, një lavdi për atdhe.)
    Në kohën e Xhemijetit u gjet në Gomsiqe dhe ai i kuptoi planet e turqve të ri, po ashtu edhe konsitucionin e Sulltanit e quejti si maskë për të shtypë ma shumë popullin tonë. Ai qe një ndër ma të mirët këshilltarë të komitës, aq sa shpesh vuni edhe kryet e vet në rrezik, pse donte ma fort popullin e atdheun se sa jetën e vet.
    Në kohën e luftës ballkanike, në atë periudhë të vështirë të luftës për vendin e popullin tonë, Gjeçovi qëndroi krah për krah malësorëve luftëtarë të lirisë në kryengritjen e madhe në Veri më 1912. Pas shpalljes së pamvarësisë ai trajtohet keq prej serbëve, italjanëve, austrijakëve.
    Më 1920 dërgohet famullitar në Vlonë, ku vihet menjëherë në opozicion me forcat italjane. Ata banë shpifje të ndryshme për ta mënjanue, por i patundun bashkë me priftin tjetër patriot Mark Vasa, ndihmuen luftëtarët e lirisë për dëbimin e italjanëve. Në lamën e veprimtarisë për me përhapë idenë e pamvarësisë e të dashunisë për atdhe ka ba përtej fuqive e mjeteve që kishte për dorësh. Ka qenë i palodhn e s’mund të paraqitet me pak fjalë ashtu si duhet në një biografi të shkurtë si asht kjo e jona.
    Gjeçovi asht i njoftun edhe në lamën e letërsisë. Si intelektual u vu me zell me studiue gjuhën shqipe, tue mbledhë nga goja e popullit fjalë e fraza, shprehi popullore dhe sidomos ligjë të pashkrueme. Pra në këtë kohë literatura e gjuhës sonë ishte në fillim të vet. Gjeçovi qe nder ata shkrimtarë që ma së miri me shkrime të veta indihmuen letërsisë.
    Më 1905 përfundoi tragjikomedinë “Mark Kuli Kryeqitas” po atë vit, kur Esat Toptani si komandant i forcave turke sulmoi krahinat e Veriut për t’i çarmatosë, por populli i kundërshtoi. Asht një vepër e rrallë me një frymë të lartë patriotike. Një nga kryeveprat e tij asht “Agimi i Gjytetnisë” (1910). Botimi i saj pati një jehonë si mbrenda dhe jashtë shtetit. Aleksander Xhuvani nga Aleksandria i uronte me gjithë zemër për dobinë, që po i sillte gjuhës e literaturës sonë.
    “Atil Reguli” (1912) dramë tri pamjesh, i përpunue prej Gjeçovit, tue vune në dukje ma tepër anën patriotike.
    “Joana d’Ark” (1915) mbas A.P. prej Bergamos. Qëllimi i këtij libri asht me e mësue popullin me e dashtë atdheun.
    Në këto kohë të vështira ai shkroi dramën mbi Skenderbeun, “Mojsi Golemi” etj.
    Pas veprave origjinale e të përkthyeme, Gjeçovi shkroi edhe shumë artikuj në “Albania” të Brukselit e të Londonit, në “Hylli i Dritës” etj.
    Por vepra ma e çmueshme e Gjeçovit asht “Kanuni i Lek Dukagjinit”, të cilin Gjeçovi me shumë cenë e duresë të pashoqe e mblodhi prej gojës së popullit.
    Një pjesë e këtyne dorëshkrmeve u botue për të parën herë në “Hylli i Dritës” (1913). Materiali mbi kanunin qe aq i randësishëm dhe interesant sa shkrimtarë të huej e përdorën për studime në veprat e veta si Thaloscy etj., por kanuni shfrytëzohet edhe nga juristat vendas.
    Mbas vdekjes së Gjeçovit dorëshkrimet e tij u mblodhën, u rradhitën dhe u shtypën nga shtypshkronja françeskane ose në shtyqpshkronjën e Shkodrës (1933) në një vëllim të vetëm së bashku me shumë ndodhje, që janë porsi kazuistika e kanunit, me titull “Lekë Dukagjini”.
    Claudius Schwering, profesori i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Mynçenit ka dhanë gjykimin e vet mbi kanunin si tagre zakonesh. Ai i konsideron si ligjë krejt të interesantshme, ndoshta ma të vjetrat në Europë, dhe Europa le ta njohë se çka ka përftue kombi i vogël shqiptar për veprimet e mëdha të kulturës.
    Me këto fjalë të bukura që u shpreh ai mbi kanunin i ban një nder krejt të veçantë kombit tonë shqiptar dhe auktorit të kryeveprës.
    Gjeçovi u muer edhe me arkeologji që në kohë të sundimit turk (1900). Ai hapi (zbuloi) tumula ilire, mblidhte objekte të lashta, ka mbledhë monedha të periudhës ilire me një shije e kujdes të posaçëm eruditi. Vjetërsitë që ai mblodh nepër Shqipni, qenë çmue fort prej arkeologëve si Ugolini, Marucchi, Nopsçka etj.
    Meritë e posaçme e tija asht gëdhënja në dru, se shkopi i tij asht i njoftun si punim artistik i jashtëzakonshëm e gjindet në Muzeumin e qyetit të Shkodrës.
    Që nga 1926 Gjeçovin e gjejmë në vende të ndryshme të Jugosllavisë, i ndjekun jo vetëm nga shovinistët serbë, por edhe nga tradhëtarët shqiptarë. Më së fundi Gjeçovin e çojnë prift në fshatin Zymb, ku ai nuk la pa shftrytëzue kohën tue punue për mbledhjen e folklorit e tue vertetue lashtësinë e popullsive shqiptare në ato krahina.
    Gjeçovi u vra me 14 tetor 1929 për shkak të veprimtarisë së tij patriotike. Lajmi i vrasjes së Gjeçovit theku zemrat e gjithë shqiptarëve, pse të gjithë e patën dashtë e çmue si letrar të vlefshëm e atdhetar të flaktë.
    Por i miri nuk vdes kurrë. Kujtimet që len mbas vedi marrin hapët e përcillen gojë më gojë. Fëtyra e Gjeçovit, fëtyrë burrit e punëtorit, fëtyrë e atdhetarit të flaktë, asht edhe sot e gjallë e terheqëse për të gjithë njata që e duen atdheun që s’kursehen për me i vleftë. Sa ma fort të studiohet veprimtaria e Gjeçovit, aq ma shpesh na mbushet mendja se ai mund të jetë shembull punet e vetmohimit e një nxitës i palodhun në çdo degë që synon madhninë e naltësimin e atdheut, tue qitë në dritë visaret e panjoftuna të folklorës, të etnografisë, të arkeologjisë e të historisë sonë të lashtë.



    * shkëputur nga revista “Shkodra” (1965)

  13. Anetarët më poshtë kanë falenderuar xhe.rysha për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  14. #8
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Letrat e At Gjeçovit, kur do njihen?!

    Letrat e At Gjeçovit, kur do njihen?!

    JAHO BRAHAJ


    80 vjet nga vrasja e priftit françeskan At Shtjefën Gjeçovit – zbulohen letërkëmbimet e albanologut, shkrimtarit, studiuesit, mbledhësit të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Një sesion jubilar i bën jehonë jetës dhe veprës së françeskanit, organizuar në Kryezi. Ndërsa për herë të parë gazeta “standard” publikon një nga letrat e Gjeçovit shkruar në vitin 1914, dhe nga hulumtimet e bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit. Letra e mëposhtme u dha për botim nga historiani Jaho Brahaj, i cili në këtë ceremoni postmortum promovoi edhe librin “Veprimtaria e At Shtjefën Gjeçovit në dritën e letërkëmbimit”







    Trashëgimia që na la Shtjefën Gjegjov Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe; studime shkencore e krijimtari letrare. Letërkëmbimi falë përkujdesjes të vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen. Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumëplanësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi.

    Gjeçovi si pjesëtar me armë në dorë dhe organizator i luftës për liri dhe personalitet i shkencave albanologjike përmes letërkëmbimit na ndriçon shumë aspekte historike dhe të etnokulturës shqiptare. Ky material shumë i vlefshëm dhe për disa ngjarje historike e lëvizje e veprimtari kulturore është i pazëvendësueshëm dhe vetëm vitet e fundi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe janë bërë shpalosje për aspekte të veçanta me publikime. Letërkëmbimi i këtij personaliteti ka tërhequr vëmendjen e studiuesve qysh në mesin e dy luftërave botërore ku kemi edhe botim të korrespodencës së tij nga studiuesi F. Fishta. Në vitet e fundit njoftime përshkruese e analizë të kësaj trashëgimie kemi nga Thoma Murzaku, Ruzhdi Mata, Jup Kastrati, Bardhosh Gaçe, Nikoll Lleshi dhe nga autori i kësaj kumtese.

    Nga hulumtimet sistematike të bëra në vitet e fundit është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) nga ku lexuesi, besojmë, në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare-historike e shkencore që ky zhanër i penës së janjevasit të madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës evropiane.

    Letrat që njihen përfshijnë periudhën 1894 deri në 1928. Kemi të dhëna të tërthorta të sigurta, që ai kishte korrespodencë edhe me shumë personalitete, por që letrat e Gjeçovit drejtuar atyre nuk i njohim, ku mund të përmendim letërkëmbime me: Ahmet Zogu, Xhemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Luigji Ugolini etj. Nuk njohim letrat dërguar Mit’hat Frashërit, por përgjigjet e tij drejtuar Gjeçovit njihen, po kështu ka ndodhur edhe me disa letra dërguar Faik Konicës, Fan Nolit e të tjerëve.

    Nga tematika, letërkëmbimi i Gjeçovit mundet ta klasifikojmë në katër grupe: a) Letra të karakterit personal e familjar, b). Letra që shpalosin veprimtarinë patriotike e ushtarake për çlirimin e mbrojtjen e kombit tonë, c). Të bashkëpunimit dhe veprimtarisë albanologjike e hulumtuese e mbrojtëse të pasurisë kulturore e historike kombëtare dhe d). Administrative e veprimtarisë fetare.

    Letrat i kemi më të dendura në kohë trazimesh e periudha të vështira, ku tematikë e tyre janë qëndresa e armatosur e forcimi i unitetit dhe më të rralla në periudha të stabiliteti të vendit, ku tematikë kryesore janë veprimtaria shkencore, hulumtuese e botuese.

    Letrat që njohim, të dala nga penda e tij, rrokin pothuajse gjithë plejadën e lëvizjes kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Ka letra dërguar figurave historike si

    Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bib Dodës, Prend Doçit, Mit’hat Frashërit, Luigj Bumqit, Nikoll Kaçorri, Ahmet Dakli, figurave të shquara të kulturës e artit; Gjergj Fishta, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Mark Vaso, Ibrahim Shyti, Zef Skiroi, Pal Matranga, Zoi Xaxe, Kel Marubi, Ali Asllani, Faik Konica, Ndoc Nikaj, Gjon Çoba, Gasper Gurakuqi, Murat Toptani, me personalitete të hierarkisë kishtare; Pal Dodaj, Ernesto Koçi, Pashk Trokshi, Pal Dodaj, Lorenc Mitroviçi, Gjon Bisaku, Hoxhën e Milotit, Gjergj Gjermanojn, Agustin Zubaç e shumë të tjerë. Nga studiuesit e huaj, Baron Nopça, Konti Kiatkovski, Ugolini, Teodor Ippen, Dr. Miller (Francë) etj.

    Në letrat që kemi në fjalë Gjeçovi është një personalitet i shpjegueshëm qartë, me respekt, stili i tij është lakonik, kur kundërshton, dhe në rrethet shoqërore është i kursyer, e i hapur kurse me kundërshtarët është i prerë dhe i pakursyer në argumente, por gjithmonë me etikën e një njeriu që ruan dinjitetin.

    Në aspektin atdhetar e luftëtar është ndër ata të paktët patriotë që mbajti korrespodencë me kryetarin e qeverisë së Vlorës, Ismail Qemalin, ku i kërkon këshilla se si të veprojë për të organizuar vetëqeverimin e krahinës së Vaut të Dejës sipas ligjeve të qeverisë shqiptare të sapoformuar. Që kishte një autoritet e simpati në Kosovë na e shpalos përgjigjja e një letre nga Prizreni për problemin e mësimit në gjuhë të huaj të fëmijëve prizrenas nga disa murgesha janjevase. Letra i thotë: "... ndera e kombit tonë kaq të përbuzun po fillon me dal n'dritë. E unë gjithkuej i kam diftue punën e z. Tuej (punën e Gjeçovit), e tan po gzohen qi n'Shqipni m’u gjet ksi gjinsh të menshem e atdhetar ... ".

    Shpesh në letra nuk shprehet qartë për veprimtarinë e tij atdhetare si p.sh., në letrën-relacion të nisur nga Elbasani eprorit të tij, ai nuk e përmend gjëllimin dhe misionin e udhëtimit për bashkimin e kishave shqiptare duke u shprehur, se i ruhet postës së pasigurt e censurës që "biramilote çdo letër".

    Ka edhe letra që për studiuesin dalin detyra që t’jua gjejë kuptimin si është p.sh., letra e datës 21.1.1910 nisur Fishtës nga Gomsiqja. Ndër të tjera Gjeçovi shkruan se: “po rimbylli ktu do letra, porse me këtë shteg m'i kthe për rrogtarin. Posë P. Ambrozit (Marlaskaj), pash mue e ty mos i kalzo kuejt. Se rreziku na rrin mbi krye”. Letra mbyllet: "Aman gajret pash Shna Nduen e pash Shqipninë". Nuk dimë për çfarë do të bëhej ky takim me disa persona në Shkodër, ku të fshehtën para asaj ngjarjeje duhej ta ruanin këta të tre, me rrezik koke.

    Letërkëmbimi për çdo person është një burim njohje. Por për Gjeçovin si një personalitet ajo (korrespodenca) na shpalos veprime të rëndësishme që nuk i dimë nga informacione të tjera. Për shembull nga letra që i nis P. Pal Dodajt, marrim vesh se Gjeçovi shkoi me dëshirën e tij në Vlorë në vitin 1920, kur aty po zhvillohej lufta kundër pushtuesit italian dhe siç e dimë Gjeçovi u bë një nga organizatorët dhe ideologët e saj.

    Shumë letra kanë edhe karakter të mirëfilltë dokumentar për shembull letra e 17 shtatorit 1913, që i nis Fishtës. Gjeçovi ishte njëri nga drejtuesit e mbledhjes, të organizuar në Lezhë me parësinë e Mirditës, Pukës, Lezhës e Zadrimës. Dy ishin orientimet; një krah për ndarjen e Shqipërisë me një Republikë të Mirditës, të cilën e përkrahte hapur kapedan Marka Gjoni dhe me dorashka dhe Preng Bib Doda, me të tjerë. Dhe krahu tjetër që kishte mbështetjen e shumicës së pjesëtarëve të Kuvendit me në krye Imzot Kolecin e At Gjeçovin, që ishin në mënyrë të prerë për t’u përfshirë në Qeverinë Shqiptare të Vlorës me një organizim të brendshëm sipas kushteve, por nën shembullin dhe në hullinë e ligjeve e udhëzimeve të qeverisë së ligjshme shqiptare, me qendër në Vlorë.

    Kjo letër jo vetëm na shpalos patriotizmin e personalitetin politik të Gjeçovit, por është një faqe e dokumentuar e një evenimenti historik në këto kohëra të vështira. Po kështu nga letrat e shumta për Kosovën nga ky personalitet mund të veçojmë natyrën dhe karakterin dokumentar në evidentimin e dëmtimeve që bëri pushtuesi serb në vitin 1912-1913.

    Por, letrat na paraqesin dhe karakterin individual të njeriut Shtjefën. Në konfliktin që shkaktoi me disa fshatarë të Gomsiqes, disa pasanikë të Shkodrës që kishin edhe mbështetjen e eprorit të Gjeçovit - ky nuk lëshon pe në asnjë rrethanë, karshi kanuneve të kishës e të drejtës së kishës mbi pasuritë e saj, deri sa armiqësohet, duke kaluar dhe me pasoja. Po kështu njihet simpatia e Gjeçovit përkundrejt Perandorisë Austro-Hungareze, por ai është në mbrojtje të fshatarëve të Prekalit dhe akuzon Komandën kur shikon padrejtësi dhe nëpërkëmbje të malësorëve. Edhe për këtë transferohet, po ashtu siç ishte shkarkuar nga drejtor i shkollës në Shkodër pasi nuk lejoi që një mjek i Austrisë të sillej si i plotfuqishëm në shkollë. Është vetë Gjeçovi që vazhdimisht ka kërkesa për ndihmë nga Austria për arsimin shqiptar, por nuk pranon në asnjë mënyrë që ata të sillen si zot shtëpie në atdheun e tij.

    Në letrat që ka me kolegë albanologë vendas dhe të huaj bie në sy mbrojtja e lashtësisë së popullit tonë, euridicioni dhe njohja që ka mbi kulturën e historinë e popullit tonë dhe të vendeve të Ballkanit. Në të gjitha mënyrat është përkrah nismave të studimeve e të botimeve shqiptare. Është nismëtar për botimin e "Mesharit të Gjon Buzukut” dhe kërkon me insistim që ai të botohet në variantin shqip, është Gjeçovi që udhëhoqi e ka kontributin e një pjesë të madhe të përgatitjes së vëllimit "Visaret Kombëtare", të botuar në vitin 1911, nën emrin e përgatitësit V. Prendushi. Në letrat familjare më shumë janë të pasqyruara problemet e hallet e jetës, gjendja shëndetësore, malli për t’u takuar, emigracioni etj. Por, na dalin dhe fakte që i kundërvihen dashakëqijve si ato që na përshkruan Konica, në portretin e Gjeçovit pas vdekjes: "... At Gjeçovit… nuk i mungoj asnji hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilavet ndoshta është të mohuarit se ay ishte shqiptar ...". Megjithëse nuk ka asnjë dyshim në përkatësinë etnike shqiptare të familjes Gjeçov Kryeziu të Janjevës, meqenëse jemi tek letërkëmbimi i tij mundet të përmendim letrën që i dërgon i kushëriri në emër të vëllait dhe të një kushëriri tjetër në vitin 1911 nga Ploeshti, ku shprehimisht i shkruan: "...Të lutem letrat t’ia dërgosh në adresën ... Gasper M. Geçov Albanez ... ". Kjo është shprehje e krenarisë së vetëdijes si shqiptar edhe në dherat e huaja ku i kishte degdis kurbeti të pinjojve të Gjeçovajve dhe të të gjithë janjevavesve.





    At Gjeçovi dhe shqiptarët

    80 vjet nga vrasja e Shtjefën Gjeçovit mbahet një sesion jubilar kushtuar jetës dhe veprës, organizuar në Kryezi. Ndërsa për herë të parë gazeta “standard” publikon një nga letrat e Gjeçovit shkruar në vitin 1914, ku siç shihet problematika e trajtuar vazhdon të jetë aktuale. Në këtë jubile merrnin pjesë studiues dhe arkivistë që kanë ndjekur nga afër letrat, dhe veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit. Në program u përfshinë: referati "Shtjefën Gjeçov Kryeziu figure e shquar e albanologjisë dhe e atdhetarizmit shqiptar", të mbajtur nga Drita Palushi dhe Jaho Brahaj; kumtesa

    "Shtjefën Gjeçov Kryeziu në Arkivin Kombëtar", nga Prof.As.Dr. Nevila Nika dhe Ylber Ramaj; Humanizmi i Shtjefën Gjeçovit në veprën "Agimet e Gjytetnisë", Dr. Moikom Zeqo; Veçoritë kanunore në Pukë dhe Mirditë, në vazhdën e Gjeçovit", nga Xhemal Meçi; Kontributi i Shtjefën Gjeçovi, në arkeologjinë shqiptare", Dr. Muhamet Bela; "Patronimi "Kryeziu" dhe përhapja e tij në trojet shqiptare", Prof. Dr. Shaban Sinani; "Tradita etnokulturore të Kryeziut", nga Bilbil Dervishi; "Vlera dhe prespektiva të ekoturizmit në Kryezi", Gjovalin Alia. Gjithashtu u bë dhe promovimi i librit “Shkrime për Sh. Gjeçov-Kryeziun", me autor Jaho Brahaj. Ky simpozium është shoqëruar dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për At Shtjefën Gjeçovi, nga Këshilli i Komunës Qafë-Mali. Po ashtu në këtë përvjetor edhe në Prizren të shtunën është mbajtur edicioni i 38-të i manifestimit tradicional letrar, kulturor e shkencor "Takimet e Gjeçovit.





    Vjetërsorja



    Shtjefën Gjeçov Kryeziu



    Gomsiqe 1914.

    Nuk kishte me kenë per mue me u kapun nder do degë dituniet, t’cillvet nuk jamë kenë vue me u kerkue as me u hetue skain, porse nuk m’rrihet pa i çilë ketë gojë e pa i priskue dy fjalë mbi ato sende t’vjetra t’cillat i kam edhe i ruej nen kulm t’shpisë seme, e t’cillat a i kam gjetë vetë a mi kanë prum - me pak çmim disa njerëz t’kombit tem me nji t’pakeqësi sikurse i gjeshin a nder vorre a nder rrenime t’vjetra.

    Ma i madhi mjerim per vendin tonë asht vorfnimi prej nji visarit ma t’çmueshëm e ma t’vlershëm si janë vjetërsinëat. Kto qi kanë ndejë nen dhe kush e din sa mija vjet, qi kan ba gjumin e ambël nder eshtra t’atyne burrave qi janë kenë ndera e faqja e bardhë e vendit t’onë, e sod, lene si ato sende pushojnë nder Vjetersore t’hueja, por deri eshtra e atyne burrave qi pushoishin n’gji t’tokës Shqyptare u janë shpernda e i ka hjedhë era si ja tekë me fry e me koc e me rrasht janë marrë neper kambë!

    Ma i madhi e ma i pa perdëllyeshmi faj i shqyptarvet t’onë asht, qi ato sende t’vjetra t’gjetme n’tokë nder vorre t’lashta i lëshojmë durësh tuj ja shitun t’hujve, e kta, per do çmime t’ngrata faret.

    Ky faj s’mund t’ju shkruhet malsorvet a katundarvet, per arsye qi ktyne s’u kupton mendja ma larg e s’dinë me i peshue ato hollime e imtime historiet si i dimë e do t’dimë na qi kena kalue disa mot nder msojtore. Pernjimend se t’pa regjun jena edhe na qi kena xanë dije nder msojtore, porse në u rrejshim nji herë, mendja na piqet per tjera herë: Gabojmë nji herë, por nji tjetër shteg s’do t’gabojmë.

    Po qes vedin per tregim tuj ju rrfye hutimin tem e n’daçi edhe marrien teme t’bame, por nji herë t’vetme në vjetin 1900.

    Ishe n’Laç - Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kerkim të vjetërsiënave - permi t’cillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh (!) xuna me ju levdue per do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Koder Bogëz” në katund të Laçit - Sebaste.

    Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita perpara. E pvetshe herë per nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë permbi ato vjetersiëna. Nder kto sende kishe edhe nji unazë-arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të permendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi t’më diftote kohen e vjetersiënës s’sajë, e ky mu pergjegj: “Kohen e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohen as çmimin e vjetersiëvet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana per atë unazë”! Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohen e çmimin e vjetersiës...”



    *Ky shkrim i Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, jo i plotë, është shkruar në vitin 1914. Megjithëse periudhë tepër e vështirë për kombin tonë, Gjeçovi i kushtoi një rëndësi të madhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Shkrimi botohet për herë të parë pas 89 vjetësh


    15/10/2009

    standart.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  15. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Xhuxhumaku për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

Tema të Ngjashme

  1. K. Frasheri: Ismail Kadare, i subvencionuari i diktaturës
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 130
    Postimi i Fundit: 16-10-2011, 08:32
  2. Përgjigje: 109
    Postimi i Fundit: 30-11-2009, 05:18
  3. 14 Nentor: Shen Shtjefen Kyenò
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2006, 18:03
  4. Lekë Dukagjini
    Nga Lekë Rezniqi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 25-02-2006, 09:37
  5. Shqipëri-Greqi, pakt për histori të re
    Nga Dr Rieux në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 57
    Postimi i Fundit: 23-01-2005, 17:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •