Misionaret myslimane tani kane shperndare mitin se Muhamedi permendet ne Bibel. Me heret thonin se Bibla eshte ndryshuar, mua personalisht po me duket kontradikte logjike njehere te thuhet se Bibla eshte ndryshuar, pastaj mundohen 'ta gjejne' Muhamedin ne Bibel. A eshte 'Ngushelluesi' Muhamedi. Perse nuk i lexojne vargjet ne kontektst, sepse sipas kesaj logjike qe perdorin apologjetet myslimane edhe une mund te thoja sot se une jam 'Deshmuesi' qe ua premton Jezusi besimtareve te krishtere. Jezusi tha 'Une jam rruga dhe e verteta', ky eshte mesazhi i Ungjillit.
A parathuhet ne Bibel ardhja e Muhamedit?
Një analizë objektive
A është Jezusi personi kryesor në lidhje me marrëdhënien tonë me Zotin apo është Muhamedi “vula e profetëve”, siç pretendon Kur’ani? Nëse kjo është e vërtetë, duhet të gjejmë patjetër mjaft profeci për ardhjen e Muhamedit në Bibël, madje duhet të gjejmë më shumë sesa për Jezusin, meqë Kur’ani pretendon që Muhamedi është më i madh sesa Jezusi. Myslimanët përpiqen të vërtetojnë se ardhja e Muhamedit parathuhet në Bibël. Kur’ani vetë thotë se Bibla është Fjala e Zotit1 dhe se ardhja e Muhamedit parathuhet në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re.2
Studiues të shumtë të islamit kanë kërkuar me zell për të gjetur profecitë që mbështesin besimin e tyre se ardhja e Muhamedit parathuhet vërtet. Megjithatë, ata shpesh janë çuditur kur kanë zbuluar se subjekti i shumë profecive del se është Jezu Krishti dhe jo Muhamedi. Megjithëse ka interpretime të ndryshme në lidhje me profecitë e Biblës që flasin për Muhamedin, shumica dërrmuese e myslimanëve mbajnë dy pasazhe nga Bibla, të cilat mendojnë se i referohen Muhamedit. Le ta analizojmë në mënyrë objektive:
Referenca të Dhiatës së Vjetër
“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i them.” (Bibla, Ligji i Përtërirë 18:18)
Myslimanët e mbajnë këtë varg si referim të qartë për ardhjen e Muhamedit, siç parashikohet nga Moisiu. Arsyjet që japin janë: 1. Muhamedi përseriti fjalët e Perëndisë, prandaj ky varg i referohet Muhamedit. 2. Profeti që do të vinte duhej të ishte nga gjri i vëllezërve të Izraelit, pra nga ismailitët, sepse Izraeli (Jakobi) dhe Ismaili ishin të dy pasardhës të Abrahamit. 3. Muhamedi supozohet të ketë qenë si Moisiu në aq shumë drejtime, sa profecia mund t’i referohet vetëm atij.
Megjithatë, kur merret në shqyrtim ndonjë pjesë nga Shkrimi i Shenjtë, ai nuk duhet izoluar nga konteksti. Për të kuptuar identitetin e vërtetë të “vëllezërve të tyre” duhet të shqyrtohet konteksti. Në të njetjtën pasazh, disa vargje më përpara, zbulohet se kujt i referohet përcaktimi “vëllezër”:
“Tërë priftërinjtë levitë, tërë fisi i Levit, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi në Izrael; ... Nuk do të kenë asnjë trashëgimi nga vëllezërit e tyre.” (Bibla, Ligji i Përtërirë 18:1-2)
Nga kjo pjesë duket qartë që fjala “vëllezërit” u referohet fiseve të Izraelit, gjithnjë si vëllezërit nga shtëpia e Jakobit ose 12 fiset e Izraelit. Ky përdorim i fjalës vëllezër është e qartë në shumë vargje të tjera të Dhiatës së Vjetër.3
Gjithashtu, në vargun që lexuam në fillim, thuhet se do të vijë një profet si Moisiu. Duke lexuar Biblën dhe Kur’anin është e qartë se Jezusi i ngjante shumë më tepër Moisiut, sesa Muhamedi: Jezusi ishte izraelit si Moisiu, Muhamedi nuk ishte. Jezusi ishte thirrur nga Egjipti si Moisiu4, Muhamedi asnjëherë s’ka qenë në Egjipt. Moisiu dhe Jezusi braktisën pasuri të mëdha për t’u bashkuar në varfërinë e popullit të tyre5, gjë që Muhamedi nuk bëri. Jezusi dhe Moisiu flisnin me Zotin ballë për ballë, kurse Muhamedi mori fjalët nga një engjëll. Vetë Dhiata e Re, qindra vite përpara Muhamedit, pohon qartë që Moisiu fliste për Jezusin6. Ka edhe mjaft fakte të tjera që na bëjnë të qartë se nuk është Muhamedi personi për të cilin bëhet fjalë në Librin e Ligjit të Përtërirë, por ai profet ishte Jezu Krishti, ardhja e të cilit parathuhet në atë varg.
Referenca të Dhiatës së Re
Vargjet e Dhiatës së Re që citohen nga studiuesit myslimanë për të mbështetur pretendimin e tyre se ardhja e Muhamedit parathuhet në Bibël, janë vargjet që flasin për “Ngushëlluesin”, d.m.th. për Frymën e Shenjtë. Le të shikojmë dy prej këtyre pasazheve:
Jezusi tha: “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e nhihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.” (Bibla, Gjoni 14:16-17)
Fjala në greqishten e asaj kohe, në greqishten koine, për Ngushëllues është parakletos. Studiuesit myslimanë pretendojnë që këtu flitet për Muhamedin, sepse emri i Muhamedit do të thotë “i lavdëruari” dhe kjo fjalë në greqisht është periklutos.
Fakt është që fjala në greqisht është parakletos. Nuk ka fakte që mbështesin argumentin se fjala origjinale ka qenë periklutos. Kemi mijëra dorëshkrime të Dhiatës së Re që datojnë para lindjes së fesë islame ku asnjë prej të cilave nuk e përmban fjalën periklutos. Gjithashtu, një lexim, qoftë edhe sipërfaqësor i teksteve ku gjendet fjala parakletos, do të tregonte se ajo është e vetmja fjalë që i përshtatet kontekstit.
Prandaj ka shumë studiues myslimanë që pranojnë se përkthimi i saktë është Ngushëllues, por pretendojnë se Muhamedi ishte Ngushëlluesi. Mirëpo në dritën e referimeve të qarta që tregojnë se Ngushëlluesi është Shpirti i Shenjtë (Gjoni 14:17+26; 15:26; 16:13 etj.), është e vështirë të nxirret ndonjë përfundim tjetër i mundshëm apo që mund të jetë i vërtetë. Le të shohim disa fakte:
“Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër”: Jezusi u premtoi dishepujve të Tij se Perëndia do t’ua dërgonte Ngushëlluesin. Do t’ia dërgonte Shpirtin e së Vërtetës Pjetrit, Gjonit dhe dishepujve të tjerë dhe jo banorëve të Mekës, Medinës apo arabëve.
“Që do të qëndrojë përgjithmonë me ju”: Kur erdhi Muhamedi, nuk qëndroi me popullin e tij përgjithmonë, por vdiq në vitin 632 pas Krishtit dhe varri i tij është në Medinë ku trupi prehet për mëse 1300 vjet. Megjithatë, Jezusi tha se Ngushëlluesi, me të ardhur, nuk do t’i linte më dishepujt e Tij, por do të ishte me ta përgjithmonë.
“Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë”: Kur’ani thotë se Muhamedi u dërgua për të gjithë njerëzit, si lajmës universal (Sure 34:28). Po të qe kështu, Jezusi nuk i referohej Muhamedit, sepse Ai tha se bota si e tërë nuk mund ta marrë Ngushëlluesin, Shpirtin e së Vërtetës.
“Ju e njihni”: Përderisa Muhamedi lindi 500 vjet më vonë, sigurisht që nuk mund të ishte ai.
“Ai do të jetë në ju”: Fjala në greqisht këtu është "en" dhe kjo do të thotë “pikërisht brenda”. Ashtu siç ishte në Jezusin, ashtu Shpirti do të ishte edhe pikërisht brenda dishepujve.
Vetëm brenda dhjetë ditësh pas ngritjes së Jezusit në qiell, dishepujt morën shpejt Ngushëlluesin, ashtu siç u premtua nga Jezusi. Dhe Ngushëlluesi, d.m.th. Shpirti i Shenjtë, erdhi tek dishepujt në të njëjtën mënyrë siç erdhi tek Jezusi vetë.7
Ka shumë fakte të tjera që tregojnë shumë qartë se ardhja e Muhamedit nuk parathuhej në Bibël.8
Përfundimi
Çfarëdolloj interpretimi që të ketë për parashikimin e ardhjes së Muhamedit në Bibël, ky është bazuar në vargje që janë shkëputur nga konteksti i tyre. Po ta shikojmë me vëmendje kontekstin, del që flitet për Jezusin jo për Muhamedin. Nga ana tjetër, mund të gjejmë qindra profeci që e parashikojnë ardhjen e Jezusit: që do lindte prej një virgjëreshe (Isaia 7:14); që do të lindte në Betlehem (Mikea 5:2); që do të lindte nga fisi i Jakobit (Numrat 24:17), Judës (Zanafilla 49:10) dhe Davidit (Jeremia 23:5); që do të kryente mrekulli specifike (Isaia 32:3-4; 35:5-6); që do të kryqëzohej (Zakaria 12:10; Isaia 53:12); që do të ringjallej (Psalmeve 16:10; 30:3; 118:18; Osea 6:2) dhe shume të tjera.
Po të analizojmë vetëm këto të dhëna, mund të arrijmë në një përfundim të vetëm: Muhamedi nuk e plotëson kushtin që të jetë profet sipas Biblës, kurse Jezusi provon që është më shumë se profet: Ai është Shpëtimtari i dërguar nga Zoti, Ai quhet “Bir i Perëndisë”.9
Shënimet:
(1) Kur’ani: Sura 3:84; 5:43-47 etj.
(2) Kur’ani: Sura 7:157 (Tevrati = Thora = pjesa e Dhiatës së Vjetër; Inxhili = Ungjilli = pjesa e Dhiatës së Re)
(3) Bibla: shih gjithashtu Gjyqtarët 20:13; 21:22; 2 Samuelit 2:26; 2 Mbretërve 23:9; 1 Kronikave 12:32; 2 Kronikave 28:15; Nehemia 5:1 etj.
(4) Bibla: Për Moisiun lexojmë: “Me anë të besimit e la Egjiptin...” (Hebrenjve 11:27). Për Jezusin lexojmë: “E thirra birin tim nga Egjipti” (Mateu 2:15).
(5) Bibla: Për Moisiun lexojmë tek Hebrenjve 11:25-26; për Jezusin lexojmë tek 2 Korintasve 8:9.
(6) Bibla: Gjoni 5:45-46; Veprat 3:22; 7:37; 7:52.
(7) Bibla: Krahaso Luka 3:22 dhe Veprat 2:3-4.
(8) Shih: Libri “Debati” nga Xhosh Mek-Dauell
(9) Bibla nuk e ka fjalën për një bir fizik, por “Biri i Perëndisë” do të thotë që Jezusi është nga Zoti, me gjithë personalitetin, karakterin dhe fuqinë e Zotit. Me një fjalë, Jezusi është hyjnor.
Shënim: Ky artikull është ofruar nga Faqja "Jam Dakord".
Krijoni Kontakt