Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    Fjeti në Krisht misonaria Lynnete Hoppe: “Varri im, këtu në Shën Vlash"

    DURRES/ Pas 8 vjetësh misioni në manastir, 46-vjeçarja ndërron jetë nga kanceri

    “Varri im, këtu në Shën Vlash”

    Bamirësja Hoppe , amanet për t’u prehur në Shqipëri

    OERD ULQINI/ DURRES

    “Dua të prehem përfundimisht në tokën shqiptare”. Ka qenë kjo dëshira e fundit e misionares amerikane Lynnete Holm Hoppe, e cila u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

    Prej 1 viti e gjysmë që nga koha kur kishte mësuar se vuante nga sëmundja e pashërueshme, bamirësja që prej 8 vitesh ndihmonte banorët e Shën Vlashit ka zgjedhur dhe vendin ku do të prehej pas vdekjes. Pak kohë më parë mësohet se ajo, në prani të bashkëshortit, ka deklaruar se donte të varrosej në Shën Vlash, aty ku ka dhënë me zemër ndihmën për banorët, te të cilët ka gjetur dhe shtysën për të qëndruar që nga viti 1998. Në ceremoninë e lamtumirës, e cila u zhvillua dy ditë më parë në fshatin Shën Vlash të Durrësit, morën pjesë profesor doktor Anastas Janullatos, përfaqësues të lartë të klerit, misionarë humanitarë, banorë të fshatit si dhe shumë njerëz invalidë, të cilëve, Lynette i dha shpresë dhe ngrohtësi. Durrësi dhe Shqipëria ishte stacioni i fundit i bamirësisë për Lynnete Holm Hoppe, pas misioneve në Uganda, Kenia dhe në vende të tjera të Afrikës Lindore. Në ceremoninë e përcjelljes së saj, bashkëshorti Nathan Hoppe u shpreh se sa shumë e donte Lynnete Shqipërinë, vend në të cilin ajo vendosi të prehej përfundimisht.
    Gjatë qëndrimit 8-vjeçar në Shqipëri, Lynnete Holm Hope nxori në qarkullim një përmbledhje të titulluar “Resurrection”, e cila pasqyronte rolin e kishës pas shembjes së diktatit komunist. Puna e saj misionare në Shqipëri u përqendrua kryesisht në koordinimin e programeve për fëmijë, ngritjen e kampeve verore, ndihmë për kategoritë në nevojë dhe për cilindo tjetër të vobektë që trokiti në derën e saj. Manastiri i Shën Vlashit, ku kryente misionin familja Hoppe, u rindërtua dhe u hap për të gjithë besimtarët në vitin 1991. Prej kësaj kohe misione të ndryshme u përqendruan, me qëllim ndihmesën e banorëve të zonës periferike të Qarkut të Durrësit. Aty ndodhet aktualisht dhe një jetimore, ku strehohen rreth 20 fëmijë. Banorët e fshatit dhe të zonës përreth kanë gjetur mbështetje në ndihmë materiale dhe shëndetësore në këtë manastir, ku mes misionarëve ishte dhe Lynnete. Mësohet se një pjesë e fondit sigurohej nga kisha ortodokse, si dhe nga organizata të ndryshme amerikane.


    Kush ishte bamirësja

    Ajo lindi në shtetin Indiana të SHBA. Që 3 vjeçe u shpërngul në Uganda, ku familja e saj shërbente si misionare humanitare në shtetin e varfër afrikan. Në vitin 1973 largohet nga Uganda drejt Minesotas, SHBA, shtet në të cilin laureohet pas disa vitesh për Arte të Bukura. Niset sërish drejt Afrikës për një tjetër mision humanitar në Kenia. Në vitin 1998 Lynnete, bashkëshorti i saj, Nathan dhe djali Tristan nisen për një tjetër mision bamirësie në Shqipëri, vend në të cilin u ndal përfundimisht amerikania nga Indiana. Vajza e vetme e çiftit lindi në vendin tonë më 2000.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 30-08-2006 më 15:27

  2. #2
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Me vjen shume keq per Lynnete-n. Kam pasur rastin ta njoh ate dhe Natanin.

    Krishti e prehte ne Paqen e Tij!
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  3. #3
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192
    Ngushellimet e mia me te perzemerta per kalimin nga kjo jete ne jeten tjeter te misionares Lynnete.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Lynette Katherine Hoppe

    Një dëshmi e krishterë e jetës dhe vdekjes


    U nda nga jeta në datë 27 gusht 2006 misionarja orthodhokse amerikane Lynette Katherine Hoppe, e cila prej 8 vjetësh jetoi dhe punoi në Shqipëri, në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë së bashku me familjen e saj: bashkëshortin Natan dhe dy fëmijët Tristani, lindur në dhjetor 1997 dhe Katerina, lindur në prill 2000.

    Lynette (Holm) Hoppe lindi në 8 maj 1960 në Hammond, Indiana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ishte 3 vjeçe familja e saj u shpërngul në Uganda, në Afrikën Lindore ku prindërit e saj shërbyen si misionarë, duke qëndruar 10 vjet nga viti 1963 – 1973. Më pas ajo ndoqi Institutin Moody Bible për 3 vjet ku më pas shkoi si misionare në Kenia, në Afrikën Lindore për 1 vit. Më pas ajo vazhdoi Kolegjin Northwestern në Minneapolis për 2 vjet ku edhe u diplomua në Artet e Bukura. Ndoqi shkollën pasuniversitare Weaton për master në mision ku dhe u diplomua në dhjetor 1989.

    Ajo u martua në 28 qershor 1992 në Illinois, të Shteteve të Bashkuara me Nathan Hoppe. Të dy u mirosën si të krishterë orthodhoksë të Dielën e Dafinave në vitin 1994 ku Lineta mori emrin Katherine (Katerina). Në mars 1998 ata erdhën në Shqipëri t’i shërbejnë Krishtit dhe Kishës së Tij të Shenjtë. Ajo punoi si koordinatore e programeve për fëmijë, drejtuese e kampeve verore për vajza, ndihmëtare për njerëzit në nevojë, ideuese dhe bashkëpunëtore e talentuar në punët grafike në projekte të ndryshme të Kishës, autore e librit “Resurrection” etj.

    Lineta prej rreth 20 muajsh, vuante nga kanceri fillimisht i shfaqur në gji dhe më pas në kocka dhe së fundmi në mëlçi, iu nështrua një trajtimi të mirëfilltë në Shtetet e Bashkuara dhe erdhi përsëri në Shqipëri megjithëse sëmundja përparonte më shumë. Që nga momenti kur së bashku me familjen e saj u rikthyen në Shqipëri, nuk u shkëput asnjë moment me ndihmesën e saj të zjarrtë misionare në aktivitetet e ndryshme e Kishës sidomos në kampet verore për vajzat, me projektet e punës së dorës, me tema të ndryshme fetare dhe sociale të mbajtura në to. Asnjëherë nuk pushoi së lavdëruari Perëndinë për gjithë kujdesin që po tregonte ndaj saj dhe ditëve të fundit të jetës që po kalonte me miqtë, vëllezërit e motrat shqiptarë më Krishtin.

    Edhe pse në gjendje shumë të vështirë shëndetësore dhe fizike, rrezatonte gëzim e paqe duke dhënë kështu për të gjithë ata, të cilët patën mundësinë të qëndronin ose të takonin atë, një shembull mjaft të bukur të dashurisë së saj për Krishtin Jisu. Gjithmonë e qeshur, gjithmonë me shumë gëzim për jetën me Krishtin, gjithmonë e bukur -ashtu siç thotë bashkëshorti i saj Natani kur flet për të. Asnjëherë nuk harroi të falenderonte të gjithë njerëzit që u kujdesën për të, të gjithë ata që u lutën për të, të gjithë ata që ndihmuan në një mënyrë ose një tjetër, të gjithë njerëzit që ajo i quante familja e madhe shqiptare. Në letrat e saj, të pasqyruara në faqen e saj të internetit www.prayforlynette.org , ajo vazhdimisht shkruante rreth përgatitjes e përballjes me vdekjen, bisedave me bashkëshortin e fëmijët për largimin e saj nga kjo botë, reagimit të tyre, ardhjes së njerëzve të dashur, babait, vëllezërve, motrave, miqve dhe klerikëve Atë Patrikut, Atë Lukës, Atë Martinit, etj nga Shtetet e Bashkuara në shtëpinë e saj.

    Lineta të dielën në datë 27 gusht në mëngjes ra në gjendje kome dhe po atë ditë mbasdite rreth orës 17:00 u nda nga jeta dhe të afërmit e saj. Gjatë kohës që trupi ishte në shtëpi shumë njerëz erdhën për bërë përshëndetjen e fundit duke ngushëlluar dhe dhënë ndihmën e tyre për familjarët e saj. Psalmet e kënduara nga vajzat e miqtë e Linetës dhe këngët e krishtera të kënduara nga vetë ajo ishin sfondi që shoqëruan dhe dhanë kurajo tek të gjithë njerëzit që qëndronin me të në momentet e fundit.

    Dëshira e saj për t’u varrosur në Shqipëri u realizua. Varri i saj gjendet në varrezat e fshatit në Shën Vlash, pranë Manastirit të bukur të Shën Vlashit, ku mbizotëron një qetësi dhe paqe qiellore. Shërbesa e Varrimit u bë në kishën e manastirit, të cilën e drejtoi vetë Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas. Në të morën pjesë edhe Mitropoliti I Beratit H. Ignati dhe Mitropoliti i Korçës H. Joani, arkimandritët Nikolla dhe Andon, disa priftërinj si edhe atë Martin Ritsi, drejtor i OCMC (Qendrës Misionare të Krishterë Orthodhokse në SHBA) dhe atë Patriku dhe atë Davidi po nga SHBA. Tropari i Pashkës “Krishti u Ngjall …. ” u psal nga të gjithë besimtarët pjesmarrës në funeralin e Lynette Hoppe, duke i dhënë një tjetër ngjyrë kësaj ndarjeje, ngjyrë gëzimi dhe shprese.

    Në fund të Shërbesës së Varrimit në kishë, Kryepiskopi Anastas bëri përshëndetjen e fundit duke përcjellë falenderim dhe mirënjohje për Linetën dhe familjen e saj, duke pranuar njëkohësisht që vdekja e saj ishte një humbje e madhe për Kishën tonë. Ai ndër të tjera tha: “Lineta dëgjoi zërin e Krishtit, besoi me zemër dhe dha një dëshmi të dashurisë së saj për Krishtin. Ajo ishte në kungim të vazhdueshëm me Krishtin, duke iu bindur porosisë së fundit të Tij, duke rrezatuar një dritë të fshehtë, sepse ajo pati vulën e Shpirtit të Shenjtë. Me fuqinë e Shpirtit ajo përballoi 20 muajt e sëmundjes së saj. E kujtoj Linetën si një martire, që ishte gati të përballej me martirizimin e saj në një koloseum të fshehtë. Ajo u përball faqe më faqe me vdekjen për një periudhë të gjatë kohe, së pari me një besim të fortë në Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, së dyti me një paqe të thellë, së treti me një ndjenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për Zotin, së katërti me një gëzim të vërtetë dhe së fundi duke rrezatuar dashuri dhe duke transmetuar rreth saj më tepër besim, më tepër paqe, më tepër dashuri. U bë një magnet dashuri gjë që u dëshmua nga ardhja e gjithë njerëze, të cilët u thithën nga ky magnet. Lynette është një martire e re dhe e fshehtë me një shpirt të guximshëm dhe fisnik. U përball me vdekjen duke menduar: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” Nga jeta e saj ajo dëshmoi se edhe sikur të jetojmë edhe sikur të vdesim, ne i përkasim Zotit.

    Do të doja të theksoja rëndësinë e Linetës dhe të familjes së saj për Kishën tonë. Thashë që është një humbje e madhe, por në të njëjtën kohë është një thesar i çmuar për të gjithë ne. Familja Hoppe ka ardhur në Shqipëri në momentin kur të gjithë ata që thonin se e donin Shqipërinë u larguan. Lineta dhe Natani vendosën të vijnë dhe të vdesin këtu ose më mirë të kalojnë nga vdekja në jetë këtu, të varroset në tokën shqiptare si një simbol i përjetshëm i dashurisë së Krishtit.

    I jemi mirënjohës atyre dhe familjes së tyre për gjithçka. Njëkohësisht dua të shpreh falenderimet e mia në emër të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë babait, vëllezërve dhe motrës së saj që e rrethuan me dashuri dhe e mbështetën atë në vendimin dhe misionin e saj. Ajo tani do të jetë një ambasadore në qiell, duke u lutur për të gjithë ne dhe veçanërisht për të rinjtë që kaq shumë i donte. Dashtë Zoti të frymëzohen më tepër njerëz të ndjekin shembullin e saj në bindjen ndaj Krishtit. Kjo përshëndetje e fundit nuk krijon një atmosferë dëshpërimi dhe trishtimi, por një atmosferë shprese, sepse ne e dimë që Lineta është në duart e Zotit, sepse ajo jetoi gjatë gjithë kësaj kohe me një shpresë për Ngjalljen dhe Dritën e Ngjalljes. I Përjetshë qoftë kujtimi i saj!”.

    Për të gjithë pjesmarrësit në këtë shërbesë në fund u shpërnda një material në dy gjuhë (anglisht dhe shqip) biografia e Lynette Hoppe dhe materiali me titull “Një dëshmi e krishterë e jetës dhe vdekjes për nder të Linetës”, nga atë Luka Veronis. Ja disa citime nga dëshmia e atë Luka Veronis përgatitur për nder të saj:

    “Ndërsa shumë njerëz mund të pyesin se përse një njeri i perëndishëm, shërbëtore besnike e Zotit në kulmin e jetës dhe në mes të shërbimit frytdhënës, duhej të përballej me kancerin dhe me një vdekje në një moshë kaq të re – dhe për më tepër me dy fëmijë të vegjël – Lineta tregoi se si shtegu i sëmundjes dhe madje i vdekjes, kur përjetohet me besim, e drejton një person në një bashkim më të plotë me Zotin dhe ofron një dëshmi më të fuqishme dhe më të paharrueshme se sa një jetë e gjatë mbi dhe. Ajo me të vërtetë ofroi një dëshmi bashkëkohore që shenjtorët e kanë dhënë në botë përgjatë kohërave.

    Për mua, karakteristikat më ndriçuse që ajo rrezatoi gjatë 20 muajve të sëmundjes ishte fryma e gëzimit dhe mirënjohjes. Shën Pavli shkruan: “Gëzohuni gjithmonë… falenderoni në çdo rrethanë” (1Thes. 5:16,18). Kryepiskopi Anastas ka thënë se mungesa e mirënjohjes është shenjë e dukshme e dobësisë shpirtërore dhe e papjekurisë. E pra nuk po e ekzagjëroj kur them se në çdo stad të sëmundjes, dhe veçanërisht kur lajmet shëndetësore shkonin nga keq në shumë keq, fjalët e saj të para që më thoshte ishin “Edhe pse lajmi nuk është aq i mirë, prapë e falenderoj Perëndinë…”.

    Kam dëgjuar Linetën që të falënderonte Perëndinë pak pasi zbuloi që kishte kancer. E kam dëgjuar të falenderonte Perëndinë pak pasi mësoi që kanceri ishte përhapur. E kam dëgjuar të falenderonte Perëndinë pak pasi kanceri i preku kockat. Madje edhe në ditët e fundit të jetës, kur më tregoi se kanceri i kishte prekur mëlçinë dhe doktorët i thanë se kishte vetëm disa javë për të jetuar, por sërish ajo e falenderoi Perëndinë për hirin që kishte ndjerë përgjatë sëmundjes, për dashurinë e treguar nga i shoqi Natani, për të shtrenjtët e saj Tristanin dhe Katerinën, dhe për miqtë e shumtë nga e gjithë bota që e mbështetën me dashurinë dhe lutjet e tyre. Ajo falenderonte Perëndinë për mësimet e jetës që aq shumë mësoi nga sëmundja – mësime për dashurinë e Perëndisë, për veten e saj, për marrdhënien e saj me të tjerët dhe për shumë gjëra të tjera. Ajo madje e falenderoi Perëndinë që i dha fuqi dhe hir për t’u rikthyer në Shqipëri, në atdheun e adoptuar, gjatë muajve të fundit të jetës, duke shërbyer në mënyrë aktive në kampin rinor të vajzave deri në ditët e fundit. Që të jem i ndershëm me ju, nëse nuk do të kisha folur me Linetën vazhdimisht dhe të dëshmoja vërtetësinë e mirënjohjes së saj, nuk jam i sigurt nëse do ta kisha besuar se ajo ishte kaq e sinqertë.

    Shumë gjëra mund të thuhen për të treguar se sa grua e talentuar ishte ajo. Shumë më tepër mund të thuhen, por mendoj se bashkëshorti i saj i dashur Natani e ka përmbledhur atë kur shkruajti disa ditë para vdekjes së saj: “Ndërsa ju shkruaj sytë e mi janë mbushur me lot, por gjithashtu kam një ndjenjë të madhe gëzimi. Xhevahiri që kam patur privilegjin të mbaj për një kohë të shkurtër po ikën nga duart e mia, por e di se do të mbahet nga duar shumë më të denja derisa të ribashkohemi. Jam shumë i bekuar këto ditë nga gëzimi, besimi dhe dashuria e saj. Ajo është me të vërtetë një ikonë e Krishtit për mua”. Linetë me të vërtetë mund të thuash bashkë me Apostull Pavlin: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 Tim. 4:7-8)

    Pas përcjelljes së saj për në banesën e fundit në ambientet e mencës së Akademisë Teologjike, gjatë drekës familjarët e saj përcollën për të gjithë pjesmarrësit kujtimet e tyre me Linetën si edhe falënderimet për nderimin e bërë. Bashkëshorti i saj Natani falënderoi të gjithë ata që kishin qëndruar pranë në udhëtimin e saj. Përshëndetjet për Linetën përfunduan me “I përjetshëm dhe i paharruar qoftë kujtimi i saj!”.

    Sonila Dedja
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 04-12-2006 më 00:32

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Disa foto te tjera
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Tema të Ngjashme

  1. Prejardhja e fjales Krisht ?
    Nga dardajan në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 28-04-2013, 05:57
  2. Shërbesa dhe lutje kishtare
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 23-12-2006, 17:16
  3. Seria Shpirtërore I: Lutja e Jisuit
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 26-08-2006, 23:16
  4. Shen Justini: Prezantim ne jetet e shenjtoreve
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 27-09-2004, 06:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •