Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    SHKRIMI I SHENJTË: Kapitulli II: Dhiata e Vjetër

    Ligji


    Pjesa e parë e Shkrimit të Shenjtë është quajtur Torah, që do të thotë Ligji. Gjithashtu quhet Pentateuku, që do të thotë pesë librat. Këto libra janë quajtur edhe Librat e Moisiut. Ato janë Gjeneza (Zanafilla), Eksodi (Dalja), Levitiku, Numrat dhe Dhefteronomi (Ligji i Përtërirë). Ngjarjet e përshkruara në këto libra, prej thirrjes së Abrahamit te vdekja e Moisiut, ka mundësi të kenë ndodhur dikur në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit (2000-1200 p.K.).

    Libri i Zanafillës përmban prehistorinë e popullit të Izraelit. Ai fillon me tregimin e krijimit të botës, rënien e Adamit dhe Evës, dhe vazhdon me historinë krejt mëkatare të fëmijëve të Adamit. Pastaj tregon thirrjen dhe premtimin e shpëtimit që Perëndia i bën Abrahamit dhe historinë e Isakut dhe Jakovit, të cilin Perëndia e quajti Izrael, duke mbaruar me vendosjen e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit - familjet e dymbëdhjetë bijve të Jakovit - në Egjipt, gjatë kohës kur Josifi ishte i parapëlqyeri i faraonit egjiptian. Në emërtimin tradicional të Kishës, Abrahami, Isaku dhe Jakovi quhen patriarkët.

    Libri i Eksodit tregon çlirimin e popullit të Izraelit nga skllavëria në Egjipt, prej Moisiut, ku ata ishin robëruar mbas vdekjes së Josifit. Ai tregon për zbulesën, që Perëndia i bëri Moisiut, e emrit të Tij hyjnor: Jahveh - Unë jam Ai që jam (3:14) Tregon, gjithashtu për pashkën (kalimin), eksodin dhe udhëtimin e izraelitëve, të udhëhequr nga Perëndia, përmes shkretëtirës. Në këtë libër është edhe tregimi për dhuratën e Dhjetë Urdhërimeve që Perëndia i dha Moisiut në Malin e Sinait, si edhe për ligjet e tjera që Perëndia i dha Moisiut në lidhje me moralin dhe ritualin e Popullit të Tij.

    Libri i Levitikut është një libër i mëtejshëm ligjesh, kryesisht në lidhje me shërbesat priftërore dhe rituale të popullit, që kryheshin nga njerëz të zgjedhur nga fisi i Levit.

    Libri i Numrave merret, kryesisht me një numërim të popullit. Ai përmban, gjithashtu ligje të dhëna nga Perëndia tek Moisiu, dhe tregime të mëtejshme rreth lëvizjes së Popullit të Perëndisë përmes shkretëtirës drejt tokës që Perëndia iu kishte premtuar atyre.

    Libri i Dhefteronomit (Ligji i Përtërirë), që do të thotë “ligji i dytë”, është kryesisht, përsëri një kod ligjor, në të cilin tregohet përsëri historia e Dhjetë Porosive dhe institucioni i ligjeve moisiane të moralit dhe të ritualit. Ai mbaron me bekimin e popullit nga Moisiu dhe vizionin e tij për tokën e premtuar, në të cilën Joshua (Jisui i Naviut) do ta çonte Popullin e Perëndisë mbas vdekjes së tij. Me këtë tregim mbarojnë Librat e Moisiut.

    Studiuesit na thonë se Ligji nuk u shkrua nga vetë dora e Moisiut dhe librat e tregojnë qartë se janë rezultat i disa traditave, të shkruara dhe gojore, të transmetuara në Popullin e Izraelit, që përmbajnë materialin për periudhat e pastajme. Megjithatë, në Traditën e Izraelit dhe të Kishës së Krishterë, Ligji mbetet, kryesisht, i lidhur me Moisiun, njeriun e madh të Perëndisë me të cilin “Zoti fliste faqe për faqe, ashtu si një njeri flet me mikun e tij” (Eksodi 33:11).

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Dhjetë Urdhërimet


    1. Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxorri nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjera para meje!

    2. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet lart në qiejt ose poshtë në tokë, ose në ujërat nën tokë. Nuk do të falesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm për mijëra breza për ata që më duan dhe i zbatojnë urdhërimet e mia!

    3. Nuk do ta përdorësh kot emrin a Zotit, të Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk do të lërë të pandërshkuar atë që përdor kot emrin e tij!

    4. Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjthë punën tënde: por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe dheun, detin dhe gjithshka që është në to, dhe ditën e shtunë Ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shtunë dhe e ka shenjtëruar atë!

    5. Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, që ditët e tua të jenë të gjata mbi dheun që Zoti, Perëndia yt po të jep!

    6. Mos vrit!

    7. Mos shkel kurorën!

    8. Mos vidh!

    9. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd!

    10. Mos lakmo shtëpinë e të afërmit tënd; mos lakmo gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij dhe asnjë gjë që i përket të afërmit tënd!


    Eksodi 20:1-17
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Histori


    Mbas Ligjit në Bibël janë librat që quhen historikë. Ata tregojnë historinë e Izraelit qysh prej vendosjes në tokën e premtuar të Kananit dhe deri në shekujt e parë para Krishtit. Këta libra janë: Jisui i Naviut, Gjyqtarët, Samueli 1 dhe 2, Mbretërit 1 dhe 2, Kronikat 1 dhe 2, Ezra, Nehemia, Ester, si edhe Esdra 1 dhe 2, Tobia, Judita dhe Makabejtë 1 dhe 2. Bibla anglisht përfshin edhe Makabejtë 3.

    Në emërtimin e librave të Biblës në Kishën Orthodhokse, që është në përgjithësi ai i Septuagjintës, përkthimi greqisht i Biblës hebraike, Samueli 1 dhe 2 quhen Mbretërit 1 dhe 2, dhe Mbretërit 1 dhe 2 quhen Mbretërit 3 dhe 4. Gjithashtu, të ashtuquajturit libra apokrifë(1), të renditur para Esterit, konsiderohen nga Orthodhoksët si pjesë autentike të Biblës. Apokrifët(2) e Dhiatës së Vjetër janë libra që konsiderohen nga jo-orthodhoksët si të lidhur ngushtë me Biblën, por jo pjesë përbërëse kanonike e saj.

    Libri i Jisuit të Naviut fillon me kapërcimin e lumit Jordan dhe hyrjen në Tokën e premtuar nga Populli i Izraelit nën drejtimin e Jisuit, pasardhësit të Moisiut. Ai tregon për fitoret e izraelitëve kundër banorëve vendas dhe për vendosjen e dymbëdhjetë fiseve në territoret e caktuara për secilin nga Moisiu.

    Libri i Gjyqtarëve tregon për periudhën kur Izraeli drejtohej nga “gjyqtarë” të caktuar nga Perëndia. Më të famshmit janë: Ehudi, Debora, Gideoni, Jeftah dhe Samsoni. Gjatë kësaj periudhe, shpesh izraelitët nuk ishin besnikë ndaj Perëndisë dhe i jepeshin të keqes. Ata ishin vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin dhe me fqinjët. Libri mbaron me fjalinë: “Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 23:25).

    Libri i Ruthit është një histori e shkurtër e një gruaje moabite të cilën Perëndia e bekoi të bëhej gruaja e Boazit, stërgjyshja e Mbretit David.

    Librat e Samuelit dhe të Mbretërve fillojnë me lindjen e Samuelit, profetin që Perëndia e zgjodhi të vajosë Saulin si mbretin e parë të Izraelit. Deri tek Sauli nuk kishte mbret, sepse Vetë Perëndia ishte Mbreti për Popullin e Tij. Por Izraeli donte të bëhej “si të gjithë kombet” dhe Perëndia e pranoi dëshirën e tyre, ndonëse me ngurim (Samueli 8). Sauli shpejt u bë i keq dhe Perëndia dërgoi Samuelin të vajosë si mbret në vend të tij, Davidin, djaloshin bari. Sauli u tërbua nga zemërimi dhe luftoi kundër Davidit, por Davidi u tregua i mëshirshëm ndaj tij, ndonëse ai lehtësisht mund ta kishte vrarë. Gjatë gjithë kësaj kohe izraelitët ishin vazhdimisht në luftë. Në fund, Sauli preferoi më mirë të vriste veten sesa të kapej rob nga filistinët. Kështu Davidi mbeti i vetmi mbret. Mbasi i nënshtroi të gjithë armiqtë e tij, si brenda Izraelit ashtu edhe jashtë tij, Davidi themeloi një mbretëri të lavdishme me qendër në Jerusalem, qytetin që ai ndërtoi. Biri i Davidit, Solomoni, i pajisur nga Perëndia me një dituri të madhe, e zgjeroi mbretërinë e atit të tij dhe ndërtoi tempullin e madh për Perëndinë në Sion. Mbretërimi i Davidit dhe Solomonit zgjati prej 1000-922 p.K.

    Shumë shpejt mbas vdekjes së Solomonit mbretëria u shkatërrua. Nga ajo dolën dy shtete rivale, Izraeli dhe Juda, të cilët ishin vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin dhe me fqinjët e tyre. Kjo ishte një kohë rënie dhe ligësie të madhe që zgjati për rreth treqind vjet dhe mbaroi me Robërinë Babilonase (587-539 p.K.). Ishte koha e profetit Elia (Ilia) dhe e shumë profetëve të mëdhenj të Perëndisë.

    Babilonia u pushtua nga persët të udhëhequr nga Kiri dhe Dari, të cilët i kthyen izraelitët në atdheun e tyre. Librat e Ezras dhe Nehemias tregojnë për rivendosjen e judejve, rindërtimin dhe rihapjen e tempullit në Jerusalem.

    Dy librat e Kronikave datojnë prej së njëjtës periudhë dhe mund të jenë hartuar nga Ezra, ndonëse studjuesit i konsiderojnë si vepra të autorëve të shekullit të tretë, ndoshta i njëjti që shkroi Ezran dhe Nehemian. Kronikat mbulojnë historinë e Izraelit prej Adamit deri në kohën e Kirit. Ata përmbajnë gjenealogji të shumta dhe tregojnë interes të veçantë për Davidin dhe mbretërit, si edhe për tempullin dhe priftërinë. Në Biblën e Septuagjintës Kronikat quhen Paralipomena, që do të thotë “çfarë është lënë jashtë”, duke treguar kështu, se qëllimi i tyre është të plotësojnë çfarë është lënë jashtë nga librat e tjerë historikë të Biblës.

    Libri i Esterit dhe librat Esra 1 dhe 2, Tobia, Judita dhe Makabejtë 1 dhe 2, të cilët siç kemi thënë janë pjesë e Biblës në Kishën Orthodhokse, e sjellin historinë e Izraelit deri në kohën e Dhiatës së Re. Ata tregojnë për riorganizimin e komunitetit judaik rreth tempullit, kultit dhe ligjit si një mbetje e kombit të madh ose kombeve të Izraelit dhe Judas, që ekzistonte para kohës së mërgimit; një mbetje që luftonte vazhdimisht ndaj fuqive të jashtme nënshtruese. Ka shumë mundësi që librat historikë të Biblës të jenë shkruar mbasi kanë ndodhur ngjarjet e përshkruara në to.

    ____________________

    1 Këto libra quhen apokrifë nga protestantët, por për Kishën Orthodhokse janë pjesë e Shkrimit të Shenjtë.

    2 Meqenëse libri i drejtohet kryesisht lexuesit amerikan është përdorur fjala apokrifë.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Urtësia*


    Librat e Biblës që zakonisht quhen librat e Urtësisë përfshijnë: Jobin, Psalmet, Fjalët e Urta (Proverbat), Kishtarin (Predikuesin) dhe Këngën e Solomonit (Kënga e Këngëve), si edhe Urtësinë e Jisuit, Birit të Sirakut, i quajtur gjithashtu Ekleziastiku, dhe Urtësinë e Solomonit nga të ashtuquajturit apokrifë.

    Libri i Jobit, i datuar zakonisht në periudhën e mërgimit, është historia e vuajtjes të të drejtit, ku vuajtësi e shtron çështjen e tij para Perëndisë dhe pastaj “u pendua në pluhur dhe hi” (42:6), kur pa Zotin dhe u përball me Atë, në mbrojtjen që i bëri Ai madhështisë së Tij të patreguar dhe të pashprehur. Pjesë nga ky libër lexohen në Kishën Orthodhokse gjatë ditëve të para të Javës së Madhe, sepse ato flasin për problemin më të thellë që përballin besimtarët, problemin e vuajtjes, që u soll në përmbushjen e fundme në Krishtin, i cili nuk është thjesht më i përsosuri i “vuajtësve të pafajshëm”, por është me të vërtetë Perëndia Vuajtës në mish njerëzor.

    Libri i Fjalëve të Urta ose i Proverbave, i quajtur “proverbat e Solomonit”, vjen pa dyshim nga koha e Solomonit, ndonëse studiuesit i vendosin disa nga proverbat në një kohë shumë më të vonë. Ata na thonë gjithashtu, se libri mori formën aktuale vetëm mbas mërgimit babilonas. Fjalët e Urta janë thënie të shkurtra që kanë të bëjnë me sjelljen e përshtatshme të personave të mençur dhe të drejtë. Ato lexohen në tërësinë e tyre në Mbrëmësoret e ditëve të javës gjatë Kreshmës së Madhe. Pjesë prej Fjalëve të Urta lexohen, gjithashtu në vigjiljet e shumë të kremteve të Kishës, ngaqë për të krishterët Dituria e Perëndisë është personifikuar dhe trupëzuar në Krishtin.

    Kishtari (Predikuesi) është një libër meditimesh të arsyeshme rreth kotësisë së jetës në këtë botë dhe për diturinë e frikës së Perëndisë dhe mbajtjes së urdhërimeve të Tij, e cila është “tërësia e njeriut” (12:13). Tradicionalisht ky libër i atribuohet Solomonit, Predikuesit. Studiuesit e vendosin librin në shekullin e tretë para Krishtit, meqenëse gjejnë në të një frymë helenike, të marrë nga kombet pagane prej hebrenjve të diasporës.

    E njëjta frymë si edhe ndikimet e filozofisë greke, por në një shkallë më të madhe, gjenden në Urtësia e Jisuit, Birit të Sirakut dhe në Urtësia e Solomonit, të cilët vijnë prej të së njëjtës periudhë, vigjilja e kohës së Dhiatës së Re. Nga të tre librat e porsapërmendur, vetëm Urtësia e Solomonit, që mbahet të jetë shkruar i fundit, lexohet liturgjikalisht në Kishën Orthodhokse.

    Kënga e Solomonit, e quajtur gjithashtu Kënga e Këngëve, mbahet nga studiuesit si një himn martesor kaananit i një date të panjohur. Në Traditën e Kishës Orthodhokse ajo interpretohet si një dashuri mistike ndërmjet shpirtit të njeriut dhe Perëndisë. Shenjtorët e krishterë, të Lindjes dhe Perëndimit, si Grigori i Nisës dhe Bernardi i Klervosë, i kanë dhënë një kuptim të tillë, i cili përputhet me traditën biblike që e shikon lidhjen e Perëndisë me Popullin e Tij si një dashuri bashkëshortore (Shih Ozea; Jeremia 2-3; Efesianët 5; Zbulesa 21-22). Ky libër kurrë nuk lexohet në shërbesat e Kishës Orthodhokse, ndonëse disa vargje prej tij këndohen tradicionalisht në Kishën Orthodhokse Ruse, kur nusja takon dhëndërin në kishë para kremtimit të martesës së tyre.

    Ndonëse jo teknikisht një libër ‘urtësie’, mund të përmendet këtu Lutja e Manaseut, nga të ashtuquajturat apokrifë. Kjo lutje pendestare e Mbretit të Judës, e cila për Kishën Orthodhokse është pjesë e Biblës, përfshihet në shërbesën e Pasdarkës së Madhe të Kishës Orthodhokse.



    ____________________

    * Mund të thuhet edhe Dituria

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Psalmet


    Psalmet janë këngë të popullit të Izraelit të frymëzuara hyjnishmërisht. Tradicionalisht ato quhen ‘psalme të Davidit’, ndonëse, sigurisht, shumë prej tyre vijnë nga autorë të mëvonshëm. Numërimi dhe fjalëzimi i psalmeve ndryshon në tradita të ndryshme shkrimore. Kisha Orthodhokse ndjek versionin e psaltirit të Septuagjintës, dhe, për këtë arsye, numri dhe, jo rrallë edhe teksti i disa psalmeve, janë të ndryshëm në librat e shërbesave orthodhokse prej atyre që janë në Biblat e përkthyera nga hebraishtja.

    Në Kishën Orthodhokse, i gjithë Psaltiri ndahet në njëzet seksione dhe këndohet çdo javë në ato manastire edhe kisha që e kryejnë të gjithë shërbesën liturgjike. Psalme të ndryshëm dhe vargje psalmesh përdoren në të gjitha shërbesat e Kishës Orthodhokse (Shih Vëllimin II, Adhurimi).

    Praktikisht, të gjitha gjendjet e shpirtit të njeriut para Perëndisë shprehen tek psalmet: lavdërimi, falënderimi, bekimi, gëzimi, kërkesa, pendimi, vajtimi, pyetja dhe, madje edhe ankimi. Shumë nga psalmet përqendrohen në ritualet kultike të tempullit të Jerusalemit dhe të mbretërimit Davidik. Të tjerë tregojnë veprat shpëtimtare të Perëndisë në historinë e Izraelit. Akoma të tjerë mbartin thirrjet profetike rreth ngjarjeve që do të vijnë, veçanërisht ato për kohën mesianike. Kështu, për shembull, ne kemi Krishtin të citojë Psalmin 8 në lidhje me hyrjen e Tij triumfuese në Jerusalem; Psalmin 110 në lidhje me hyjninë e tij të mistershme dhe Psalmin 22, kur, i varur në kryq, Ai thërret me fjalët e psalmit në të cilin përshkruhet kryqëzimi i Tij dhe shpëtimi i Tij përfundimtar i botës (Shih Mattheu 21:16, 22:44, 27:46).

    Në Kishën Orthodhokse të gjithë psalmet shihen që të kenë kuptimin e tyre më të thellë dhe kuptimin e vërtetë shpirtëror në pikëpamjen e Krishtit dhe të misionit të Tij të shpëtimit të përjetshëm. Kështu, për shembull, psalmet të cilët i referohen mbretit, këndohen në Kishë në lidhje me lartësimin dhe lavdërimin e Krishtit në të djathtë të Perëndisë. Psalmi, i cili i referohet çlirimit të Izraelit këndohet në Kishë në lidhje me çlirimin e gjithë botës nga Krishti. Psalmet që thërrasin për fitore në betejë mbi armiqtë, i referohen të vetmit Armik real, djallit dhe të gjithë veprave të tij të këqia, që Krishti erdhi t’i shkatërrojë. Babilonia tregon kështu mbretërinë e Satanit, dhe Jerusalemi, Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Psalmet, të cilët vajtojnë vuajtjen e pafajshme të të drejtëve, këndohen si lutje e Zotit Vetë dhe e gjithë atyre që janë me Atë, të cilët janë “të varfër e nevojtarë”, që do të ngrihen e të sundojnë dheun ditën e gjyqit të tmerrshëm të Perëndisë. Kështu, psaltiri mbetet përgjithmonë si libër i adhurimit dhe i këngëve lutje, të frymëzuara hyjnishmërisht, për të gjithë Popullin e Perëndisë, dhe, kryesisht, për ata që i përkasin Mesias, fjalët e të cilëve, psalmet, janë në rëndësinë e tyre më hyjnore dhe më të thellë.



    Ndarja Liturgjike e Psaltirit
    (Kathizmat ose Ndenjësoret)*




    I. Psalmet 1-8

    II. Psalmet 9-17

    III. Psalmet 18-24

    IV. Psalmet 25-32

    V. Psalmet 33-37

    VI. Psalmet 38-46

    VII. Psalmet 47-55

    VIII. Psalmet 56-64

    IX. Psalmet 65-70

    X. Psalmet 71-77

    XI. Psalmet 78-85

    XII. Psalmet 86-91

    XIII. Psalmet 92-101

    XIV. Psalmet 102-105

    XV. Psalmet 106-109

    XVI. Psalmet 110-118

    XVII. Psalmi 119

    XVIII. Psalmet 120-134

    XIX. Psalmet 135-143

    XX. Psalmet 144-150


    ____________________

    * Numrat e psalmeve të paraqitur janë sipas versionit të Hebraishtes

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Profetët


    Janë gjashtëmbëdhjetë libra në Bibël të titulluar me emrat e profetëve, ndonëse jo domosdo të shkruar nga duart e tyre. Një profet është ai që flet nga frymëzimi i drejtpërdrejtë i Perëndisë; vetëm në kuptimin e dytë fjala (profet) ka kuptimin e atij që parathotë të ardhmen. Katër nga librat profetikë janë ato të të ashtuquajturve profetët e mëdhenj: Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli.

    Shumica e studiuesve besojnë se libri i Isaisë është vepër e më shumë se një autori. Ai mbulon periudhën nga mesi i shekullit tetë para Krishtit deri në kohën e mërgimit babilonian. Ai tregon dënimin kërcënues mbi popullin e Perëndisë për shkak të ligësisë dhe pabesisë së tyre ndaj Zotit. Dhe ai parashikon mëshirën e Perëndisë mbi Popullin e Tij, si edhe mbi kombet, në kohën e shpërblimit të Tij në kohën mesianike. Vizioni i famshëm i profetit në kapitullin e gjashtë përfshihet në lutjet eukaristike të Kishës Orthodhokse. Rëndësi qendrore në Isainë kanë profecitë në pjesën e parë të librit, sidomos kapitujt gjashtë deri dymbëdhjetë, në lidhje me ardhjen e Mbretit-Mesia dhe profecitë në fund të librit, rreth shpëtimit të të gjithë krijimit në shërbëtorin e përvuajtur të Zotit. I gjithë libri i Isaisë lexohet në Kishë gjatë Kreshmës së Madhe dhe shumë pjesë lexohen gjatë vigjiljeve të festave të mëdha të Kishës. Në shkrimet e Dhiatës së Re ka citime të panumërta nga profecitë e Isaisë, në lidhje me Joan Pagëzorin, dhe, sidomos me Vetë Krishtin (Shih Vëllimin I Doktrina dhe Vëllimin II Adhurimi).

    Libri i Jeremisë mbulon periudhën e shekullit të shtatë para Krishtit dhe, ashtu si Isaia, profetizon zemërimin e Zotit ndaj popullit mëkatar. Jeremia, një profet ngurues, vuajti shumë nga duart e popullit dhe u persekutua vazhdimisht për shpalljen e Fjalës së Zotit. Dhiata e Re i referohet shpesh herë këtij libri. Profecitë mesianike të shpëtimit te Jeremia lexohen shpesh në shërbesat kremtore të Kishës (p.sh. 31:31 dhe në vazhdim). Librat e Baruhut dhe Letra e Jeremisë, nga apokrifët, shkojnë së bashku me këtë libër profetik në versionin Orthodhoks të Biblës.

    Libri i Ezekielit, i cili ishte një prift, si edhe një profet, datohet në kohën e Robërisë Babilonase. Përsëri, profeti është i interesuar me zemërimin e drejtë të Perëndisë mbi mëkatet e Popullit të Tij, duke bërë referim të veçantë për praninë – dhe largimin – e lavdisë së Zotit në Tempullin e Jerusalemit. Megjithatë, Ezekieli, si të gjithë profetët, nuk është pa shpresë në mëshirën e Perëndisë. Pjesa prekëse mbi ngjalljen nga Perëndia të “eshtrave të thara” të Izraelit të vdekur, kur do të fryjë mbi ato Shpirti i Tij i Shenjtë, lexohet mbi varrin e Krishtit gjatë shërbesës së të Shtunës së Madhe në Kishën Orthodhokse (Kapitulli 37).

    Profecia e Danielit, e cila lexohet në Kishë në vigjiljen e Pashkës, flet për besnikërinë e hebrenjve ndaj Perëndisë së tyre gjatë kohës së braktisjes së detyruar. Studiuesit e shohin këtë libër, ndërmjet librave të Dhiatës së Vjetër, të shkruar më vonë, shumë kohë mbas robërisë babilonase, në të cilën vendoset ngjarja. Ndërmjet mesazheve vend qendror zë çlirimi i Izraelit në ardhjen fitimtare të Birit të Njeriut qiellor, i cili, në Dhiatën e Re, identifikohet me Krishtin. Është karakteri apokaliptik i këtij libri – kuptimi apokaliptik që i referohet zbulesës finale të Perëndisë dhe gjyqit të Tij përfundimtar mbi të gjithë krijimin – i cili jep arsye për vendosjen e Danielit në një datë afër kohës së Dhiatës së Re. Kënga e Tre Djemve, që shkon me Danielin dhe që vendoset nga jo-orthodhoksët në shkrimet apokrife, formon një pjesë të vërtetë të Biblës në Kishën Orthodhokse, ashtu si edhe librat e Suzanës dhe Beli dhe Dragoi, të cilët janë pjesë e Danielit. Kënga e Tre Djemve është pjesë e shërbesës së mëngjesit në Kishën Orthodhokse.

    Ndërmjet librave të të ashtuquajturve profetët e vegjël, Amos dhe Ozea janë më të vjetrit, duke ardhur, ashtu si pjesa e parë e Isaisë, nga mesi i shekullit të tetë para Krishtit. Amos është shpallësi i madh i drejtësisë së Perëndisë kundër padrejtësisë së Popullit të Tij. Ozea tregon për dashurinë e palëkundur të Perëndisë, e cila do të triumfojë përfundimisht mbi kurvërinë kurorëshkelëse të Popullit të Tij, i cili, pabesisht i dëshiron perënditë e rreme. Libri i Mikeas daton përafërsisht rreth së njëjtës periudhë dhe është shumë i ngjashëm në përmbajtje me Isainë. Te Mikea gjendet profecia mbi lindjen e Shpëtimtarit në Betlehem (5:2-4).

    Naumi, Habakuku (Avakumi) dhe Sofonia datohen në fund të shekullit të shtatë para Krishtit. Ata imitojnë Jereminë, duke profetizuar zemërimin e Perëndisë së mirë dhe të drejtë mbi popullin e paudhë dhe të padrejtë. Ashtu si Jeremia, ata parathonë, gjithashtu restaurimin e Izraelit nga Zoti i mëshirshëm.

    Hagai, Zaharia, Malakia dhe ndoshta Abdia, i përkasin periudhës së kthimit të Popullit të Perëndisë nga mërgimi. Zaharia është i famshëm për orakullin e tij të shfaqjes së Mbretit-Shpëtimtar, “triumfues dhe fitimtar, por i përunjur dhe i hipur mbi një gomar…” (9:9), që i referohet Hyrjes triumfale në Jerusalem në të Dielën e Palmave. Malakia, i cili është i furishëm kundër mëkateve të priftërijve, është i fundit i profetëve para Joan Pagëzorit, ardhjen e të cilit parathotë, ashtu si bënë edhe të tjerët, për të shënuar fillimin e “ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit” (3:1, 4:5) kur “Dielli i Drejtësisë do të lindë me shërimin në krahët e tij. (4:2) – një referencë, sipas të krishterëve, e qartë për Zotin e tyre.

    Profecia e Joelit, e cituar nga Shën Pjetri në referencë me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentekostisë (Veprat 2), i përket stilit apokaliptik të Danielit, kur ai flet për veprat përfundimtare të Perëndisë, në ditën “e madhe dhe të tmerrshme” të shfaqjes së Zotit, kur Ai do të kryej drejtësinë dhe do të restauroj fatet e Popullit të Tij, duke i çliruar “të gjithë ata që do të thërrasin emrin e Zotit” (2:31-32).

    Libri i Jonahit ka shumë të ngjarë të jetë një alegori profetike, me qëllim për të paratreguar shpëtimin e kombeve nga Zoti, në kohën e pranisë së Tij përfundimtare mesianike në botë. Ka mundësi të jetë shkruar në kohët post-mërgimtare. Lexohet në Kishë, në tërësinë e tij, në Pashkë, në vigjiljen e të Shtunës së Madhe, me referimin që i bëri drejtpërdrejt Vetë Krishti, si shenjë e misionit të Tij mesianik në botë (Mattheu 12:38; Lluka 11:29).

    Duhet përmendur në këtë pikë, se ndryshimet në shkrimet e emrave të profetëve, të gjendura në versione të ndryshme, ashtu si edhe të personave dhe vendeve të tjerë, vijnë nga traditat e ndryshme gjuhësore të Biblave në greqisht dhe hebraisht. Burimet Orthodhokse më shpesh, ndjekin Biblën në greqisht. Kështu, për shembull, Elijah bëhet Ilia, Hosea bëhet Oze, Habakuk bëhet Abakum, Jonah bëhet Jonas etj. Përsëri duhet të përmendim, gjithashtu, se sipas të krishterëve, e gjithë Dhiata e Vjetër e gjen kuptimin e saj të thellë dhe përmbushjen e saj të plotë, në ardhjen e Krishtit dhe në jetën e Kishës së Tij.

Tema të Ngjashme

  1. Illiristika - Nezir Myrta
    Nga Henri në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 06-04-2011, 17:47
  2. Shërbesa dhe lutje kishtare
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 23-12-2006, 17:16
  3. Jeta e Shën Nilit - 7 maj, 12 nëntor
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-07-2005, 22:19
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-05-2005, 10:21

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •