Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17

    SHKRIMI I SHENJTË: Kapitulli I: Shkrimi i Shenjtë (Bibla)

    Shkrimi i Shenjtë

    Shkrimi i Shenjtë ose Bibla, është libri i shkrimeve të shenjta të Popullit të Perëndisë të Dhiatës së Vjetër dhe të Re.

    Populli i Perëndisë i Dhiatës së Vjetër ishin Judejtë, pasardhësit e Abrahamit, Isakut dhe Jakovit, emri i këtij të fundit u ndërrua nga Perëndia në Izrael (Zanafilla 32:28). Ky popull quhet, gjithashtu, edhe Hebrenj. Ata mbeten gjithmonë si populli i zgjedhur i Perëndisë, sepse prej tyre u lind “sipas mishit” Krishti, Biri i Perëndisë (Romanët 9:5). Ky Bir i Perëndisë është Jisui i Nazaretit, Mbreti-Mesia i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës (Shih Mattheu 1-2; Lluka 1-2; Romanët 8:3; Galatianët 4:4; Hebrenjtë 1-5). Shkrimet e Dhiatës së Vjetër të Popullit të Izraelit mbeten përgjithmonë si Fjala e Perëndisë për të gjithë ata që besojnë në Perëndinë dhe dëshirojnë të njohin të Vërtetën e Tij hyjnore dhe të bëjnë Vullnetin e Tij.

    Populli i Perëndisë i Dhiatës së Re janë të Krishterët, të cilët besojnë në Jisuin si “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” dhe që i përkasin Kishës që Ai e themeloi mbi besimin në të (shih Mattheu 16:13-20). Populli i Perëndisë i Dhiatës së Re ka, gjithashtu, shkrimet e tij të shenjta, të cilat dëshmojnë për Krishtin dhe që janë afirmuar nga Fjala e Perëndisë.

    Kështu, Bibla, si një libër ose si një përmbledhje e shumë librave, ka dy pjesë kryesore: shkrimet e Dhiatës së Vjetër, që e përgatisin botën për ardhjen e Krishtit dhe shkrimet e Dhiatës së Re, që provojnë faktin se Krishti erdhi dhe e shpëtoi botën.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Fjala e Perëndisë


    Shkrimi i Shenjtë është quajtur Fjala e Perëndisë e shkruar. Kjo nuk do të thotë që Shkrimi i Shenjtë ra nga qielli i bërë gati. As do të thotë se Perëndia e diktoi atë fjalë për fjalë tek njerëzit, të cilët ishin thjesht instrumente pasivë të Tij. Por do të thotë se Perëndia e ka zbuluar Vetveten si Perëndi i gjallë dhe i vërtetë te Populli i Tij, dhe si një aspekt i vetë-zbulesës së Tij hyjnore, Perëndia e frymëzoi Popullin e tij të shkruaj shkrimin, që përbën shprehjen e vërtetë dhe të pastër të së Vërtetës së Tij dhe të Vullnetit të Tij për popullin e tij dhe për të gjithë botën.

    Fjalët e Shkrimit të Shenjtë janë fjalë njerëzore, sepse, me të vërtetë, të gjitha fjalët janë njerëzore. Ato janë fjalë njerëzore, të cilat vetë Perëndia i frymëzoi të shkruheshin që të mbeteshin si dëshmi e shkruar e Vetë Atij. Si fjalë njerëzore, fjalët e Shkrimit përmbajnë të gjitha gjurmët e njerëzve që i shkruan ato të kulturës së tyre, si dhe të kohës në të cilën u shkruan. Megjithatë, në integritetin e plotë të gjendjes dhe formës së tyre njerëzore, fjalët e Shkrimit të Shenjtë janë me të vërtetë Fjala e Perëndisë.

    Shkrimi i Shenjtë është me të vërtetë Fjala e Perëndisë në formë njerëzore, sepse origjina e tij nuk është në njeriun, por në Perëndinë, i Cili e donte dhe e frymëzoi krijimin e tij. Në këtë kuptim, Shkrimi i Shenjtë (Bibla) nuk është si librat e tjerë. Në Biblën, në dhe nëpër fjalët e njerëzve, gjendet vetë-zbulesa e Perëndisë dhe mund të arrihet në një njohje të vërtetë të Tij dhe të vullnetit dhe qëllimit të Tij për njeriun dhe botën. Në Bibël dhe nëpërmjet Biblës, personat njerëzor mund të hyjnë në kungim me Perëndinë.

    I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë (2 Timotheut 3:16-17).

    Kisha Orthodhokse beson që Shkrimi i Shenjtë, si Fjala e Perëndisë e frymëzuar hyjnishmërisht në fjalët e njerëzve nuk përmban gabime dhe as kundërshtime të brendshme në lidhje me raportin ndërmjet Perëndisë dhe botës. Mund të ketë në Bibël ndonjë pasaktësi rastësore të një karakteri jo-thelbësor. Por spiritualiteti i përjetshëm dhe mesazhi doktrinor i Perëndisë, i paraqitur në Bibël, në mënyra të ndryshme, mbetet përsosmërisht i pandryshueshëm, autentik dhe i vërtetë.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Autorësia


    Shkrimi i Shenjtë ka autorë të ndryshëm njerëzor. Disa libra të tij nuk e tregojnë se kush i shkroi. Të tjerë mbajnë emrat e personave të cilëve u jepet autorësia. Në disa raste është krejtësisht e qartë që autori i treguar është, në fakt, personi që e ka shkruar librin me dorën e tij. Në raste të tjera, është gjithashtu e qartë, që autori i librit kishte një person tjetër si sekretar për ta shkruar librin. Në disa raste të tjera është Tradita e Kishës, dhe shpesh edhe opinioni i studiuesve biblikë, që autori i treguar i një libri të Biblës nuk është personi (ose personat) që e shkroi atë, por personi që fillimisht e frymëzoi shkrimin, dhe kështu i është dhënë emri i autorit.

    Në një numër rastesh Tradita e Kishës nuk është e qartë rreth autorësisë së disa librave të Biblës, dhe, në shumë raste, studiues biblikë, paraqesin teori të panumërta rreth autorësisë, të cilat pastaj i debatojnë ndërmjet tyre. Por është e pamundur të përcaktohet nëpërmjet studimit autorësia e çdo libri të Biblës, meqenëse studimet letrare dhe historike janë nga natyra relative.

    Meqenëse Kisha Orthodhokse mëson që i gjithë Shkrimi Shenjtë është frymëzuar nga Perëndia, i Cili, në këtë kuptim, është autori fillestar i tij, Tradita e Kishës e quan identitetin e autorëve njerëzorë si të parëndësishëm në interpretimin e saktë dhe kuptimin e duhur të librave të Biblës për komunitetin e besimtarëve. Në asnjë rast Kisha nuk duhet të pranojë që identiteti i autorit përcakton autencitetin ose vlefshmërinë e një libri, që është parë si pjesë e Biblës, dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të pranohet se vlefta ose kuptimi dhe përdorimi i drejtë i një libri të Biblës në Kishë varet vetëm në autorin njerëzor.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,460
    Postimet në Bllog
    17
    Interpretimi


    Bibla është libri i shkrimeve të shenjta për Popullin e Perëndisë, Kishën. U bë në Kishë nga Kisha dhe për Kishën, nën frymëzimin hyjnor si një pjesë thelbësore e realitetit tërësor të marrëdhënies së besëlidhjes (dhiatës) së Perëndisë me Popullin e Tij. Ajo është Fjala autentike e Perëndisë për ata që i përkasin bashkësisë së zgjedhur të besimtarëve të Perëndisë, të Izraelit të vjetër dhe të Kishës së Krishtit sot dhe përgjithmonë.

    Bibla jeton në Kishë. Bëhet e gjallë në Kishë dhe ka kuptimin më të thellë hyjnor për ata që janë anëtarë të komunitetit që ka themeluar Perëndia, në të cilin Ai banon, dhe të cilit nëpërmjet Fjalës së tij dhe Shpirtit të Tij, i ka dhënë Vetveten për pjesëmarrje, kungim dhe jetë të pasosur. Jashtë jetës totale dhe përvojës së komunitetit të besimit, që është Kisha e Krishtit, “shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Timotheut 3:15), asnjë nuk mund ta kuptojë vërtetësisht dhe ta interpretojë saktësisht Biblën.

    Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimit të veçantë, sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njerëzve, por njerëzit e shenjtë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë (2 Pjetrit 1:20).

    Studiuesit e Biblës mund t’i ndihmojnë njerëzit që të kuptojnë përmbajtjen dhe kuptimin e saj hyjnor. Me anë të studimeve të tyre arkeologjike, historike dhe letrare ata mund të hedhin shumë dritë në fjalët e shkrimeve. Por vetëm prej vetes dhe punës së tij akademike, asnjë njeri nuk mund të arrijë interpretimin e duhur të Biblës. Vetëm Krishti - Fjala e gjallë dhe personale e Perëndisë, që vjen nga Ati dhe banon në Kishën e Tij, me anë të Shpirtit të Shenjtë, mund ta bëjë të njohur Perëndinë dhe mund të japë kuptimin e drejtë të Fjalës së shkruar të Perëndisë.

    Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte më Perëndinë, edhe fjala ishte Perëndi... Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne... plot hir dhe të vërtetë... Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit. Asndonjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur (Joani 1:1-18).

    Vetëm Jisu Krishti, Fjala e Perëndisë në mish njerëzor, e bën të njohur Perëndinë. Dhe Jisui, përveçse është Vetë mishërimi i gjallë i Perëndisë, përmbushja e gjallë e ligjit dhe e profetëve (Mattheu 5:17), është, gjithashtu, i Vetmi me anë të cilit Bibla interpretohet drejt.

    Dhe (mbasi ishte ngjallur prej së vdekurësh) ai u tha atyre, “O të marrë dhe të mënuar në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët. A nuk duhej që Krishti të pësonte këto edhe të hynte në lavdinë e tij?”

    Dhe duke filluar nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij (Lluka 24:25-27).

    Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju, se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet... (Lluka 24:44-45;
    gjithashtu Joani 5:45-47).

    Jisu Krishti mbetet përgjithmonë në Kishën e Tij, me anë të Shpirtit të Shenjtë, për të hapur mendjen e njerëzve që të kuptojnë Biblën (Joani 14:26, 16:13). Vetëm brenda Kishës së Krishtit, në bashkësinë e besimit, të hirit dhe të vërtetës, njerëzit e mbushur me Shpirtin e Shenjtë mund të kuptojnë thelbin dhe qëllimin e fjalëve të shenjta të Biblës. Kështu, duke folur rreth atyre që nuk besojnë në Jisuin si Mesia, apostull Pavli thotë se kur ata e lexojnë Biblën një “vel” e fsheh kuptimin e saj të vërtetë prej tyre “sepse vetëm me anë të Krishtit anulohet veli” (2 Korinthianët 3:14).

    Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre. Por kur të kthehet te Zoti, veli do të hiqet. Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria. Dhe ne të gjithë (d.m.th. besimtarët në Krishtin), duke soditur faqezbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. Prandaj... kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë. Dhe në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve Perëndia e kësaj jete ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata (2 Korinthianët 3:15-4:4).

    Në Dhiatën e Re, Krishti, jo vetëm siguron interpretimin e saktë të Biblës, por Ai gjithashtu i lejon vetë besimtarët të ndriçohen drejtpërsëdrejti prej Shpirtit të Shenjtë dhe të bëhen ata vetë “letër e Krishtit... e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.” (2 Korinthianët 3:3). Kështu u përmbush parathënia e Dhiatës së Vjetër se në kohën e Mesias “ata do të jenë të mësuar nga Perëndia” nëpërmjet mësimit dhe frymëzimit hyjnor të drejtpërdrejtë (Joani 6:45; Isaia 54:13; Ezekieli 36:26; Jeremia 31:31; Joeli 2:28; Mikea 4:2 e të tjerë). Vetëm brenda Traditës së gjallë të Kishës, nën frymëzimin e drejtpërdrejtë të Frymës së Krishtit, mund të bëhet interpretimi i saktë i Shkrimit të Shenjtë (Shih Vëllimi I, Doktrina, Kapitulli 1).

Tema të Ngjashme

  1. Ëndërrat dhe interpretimi i tyre
    Nga Drini_i_Zi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 13-09-2017, 03:53
  2. Kisha është Një
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 29-05-2010, 11:25
  3. Agjiologjia
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 19-07-2006, 00:12
  4. DOKTRINA - Kapitulli III: Trinia e Shenjtë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-03-2005, 23:02
  5. Ortodoksia dhe Shqipëria
    Nga shendelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 258
    Postimi i Fundit: 07-04-2004, 18:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •