gaz balkan
Enxhi Nini, vajza e violinës, që triumfoi në “La Scala”
Autori i Lajmit: Red.
Herë shfaqet e herë zhduket, por e bukur si gjithmonë. Ashtu siç ndodhi për herë të parë kur doli në skenën shqiptare, me një violinë në dorë. Kjo është Enxhi Nini, këngëtarja, që brenda një kohe shumë të shkurtër, arriti të bëjë bujë të madhe në rrethet muzikore. Pasi triumfoi në skenën shqiptare, Enxhi Nini shumë shpejt shfaqi ambiciet përtej brigjeve shqiptare.
Në Itali
Pas një kohë përgatitore, para dy vitesh u shfaq në San Remo. E veshur me të bardha, me flokët e gjatë në anë, portretin e qeshur dhe sërish me violinën në dorë, ajo u duk pas Simona Venturës, ndërsa kjo e fundit prezantonte këngët e natës së parë të San Remos. Po në të njëjtin pozicion u shfaq edhe të nesërmen, në natën e dytë të këtij festivali, këtë radhë me një luk pak ndryshe. Në rresht të parë, afër qendrës së skenës, violinistja dhe këngëtarja shqiptare, u shfaq pas kaq kohë heshtjeje me orkestrën e San Remos, duke risjellë edhe njëherë imazhin e shumë viteve më parë, kur ajo u shfaq në skenën e festivalit të dhjetorit me violinë në dorë. Pastaj, ajo nisi një tjetër rrugë, atë drejt “La Scala”-s.
La Scala
Për të nuk ishte e lehtë fillimisht. Për të arritur aty, ku ajo synonte gjithmonë, që kur mori vendimin për të jetuar dhe për t´u marrë me muzikë në Itali, i duhej mjaft punë. Tashmë ka më shumë se 9 vjet, që ajo ndodhet në Itali. Hapi i parë, që mendoi të hidhte ishte shkolla, një shkollë muzike, ndryshe nga ajo që kishte marrë në Shqipëri. Fillimisht, studioi për afro 2 vjet në Konservatorin e Barit, ku edhe jetonte ato kohë. Më tej studimet i vijoi në Konservatorin e Romës, ku ajo mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Fill pas diplomimit, ajo u angazhua me orkestra të ndryshme në Romë, me të cilat ka dhënë shumë koncerte. Por synimi i saj ishte “La Scala”. Dhe në fakt, ia arriti. Tashmë Enxhi Nini është duke punuar me njerëzit më të njohur në fushën e muzikës në Romë dhe Milano.
Në shtëpinë ku mungon familja
Në familjen e Enxhi Ninit në Tiranë nuk ka mbetur më askush. Babai i saj, Dorian Nini, i cili vite më parë krijoi edhe një këngë për të bijën për në festival, ndodhet që prej gati 15 vitesh në Gjermani. Ai tashmë jeton në Dyrre, një qytet afër Këlnit, ku jep mësime solfezhi. Ndërsa mamaja e saj, Violeta Gjoka, është bashkë me Enxhin në Itali. Violeta është e angazhuar që në fillim në një studio radioteleviziove në Piacenza të Italisë, ndërkohë që nuk harron në asnjë moment që të ndjekë triumfet e vajzës së saj, e cila ka dhënë shumë koncerte me këtë orkestër si violiniste, ka realizuar ture të ndryshme në Vjenë, ku ka luajtur në skenën e madhe, ku luhet Koncerti i famshëm i Vjenës, në Tokio, në Paris etj. Tani në shtëpinë e dikurshme të dy grave në karrierë ka mbetur vetëm gjyshja e saj, mamaja e Violetës, dhe halla e saj pianiste dhe pedagoge në Akademinë e Arteve, Iris Kapo.
Ky lajm është publikuar: 28/02/2006
Krijoni Kontakt