Në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kajro ka fituar çmimin e kritikës, “Piramidën e argjendtë” dhe për skenarin dhe aktorin më të mirë
“Syri magjik” i Çashkut, katër trofe në Kajro
Alma Mile
“Syri magjik” i Kujtim Çashkut ka rrëmbyer katër trofe në festivalin ndërkombëtar të Filmit në Kajro. Prej datës 29 nëntor, deri në 9 dhjetor, u zhvillua në tokën e piramidave e sfinksave edicioni i 29-të i Festivalit të Filmit. Filma nga 48 vende të botës merrnin pjesë në këtë festival, prej Shqipërisë, deri në Jemen. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe filmi shqiptar “Magic eye” me regji të Kujtim Çashkut e skenar të shkrimtarit Vath Koreshi. Mbrëmjen e së premtes, në Kajro janë ndarë trofetë e festivalit dhe “Magic eye”, konkurrues në kategorinë A, ka fituar 4 syresh, çmimin e “Kritikës”, çmimin “Për skenarin më të mirë”, trofeun “Piramida e argjendtë” (“The Silver Pyramid”) dhe çmimin “Për aktorin më të mirë”, që e ka marrë aktori Bujar Lako. Të tjera çmime janë marrë nga filmat francezë, gjermanë, grekë e më së shumti finlandezë. Juria që vlerësoi filmat kishte në përbërje të saj emra të njohur të kinematografisë botërore, si regjisori kinez He Ping, në pozicionin e presidentit të jurisë, shkrimtari dhe regjisori gjerman Percy Adlon, aktorja greke Thalia Argiriou, aktorja egjiptiane Samiha Ayoub, kompozitori italian Manuel De Sica, producenti holandez Petra Goedings, regjisori indian Akbar Khan Actor, aktorja ruse Svetlana Khodtchenkova, etj. “Magic eye” është filmi më i fundit i regjisorit Kujtim Çashku. Ai është shfaqur për publikun shqiptar në krye të muajin nëntor. Filmi vërtitet rreth pushtetit të medias dhe rolit që ka pasur ajo gjatë vitit fatal 1997. Në qendër të filmit është Petro, një fotograf, i cili me aparatin e tij fotografik ka fotografuar vrasjen e një njeriu. Ai udhëton prej qytetit të lindjes, Gjirokastrës, drejt Tiranës dhe kërkon të realizojë një film dhe për këtë vë jetën në rrezik. Në rolet kryesore të filmit interpretojnë aktorët Bujar Lako, Alban Ukaj, Arta Dobroshi, Rajmonda Bulku, Ilir Bardha, Timo Flloko, etj. “Syri magjik” vjen si një bashkëprodhim i “Orafilm”, “Elsanifilm” dhe “Paradigma Entertaiment” dhe me distributor “Media Luna”. Xhirimet e filmit janë realizuar në Gjirokastër dhe Tiranë, ndërsa montazhi është realizuar në Gjermani.
Krijoni Kontakt