Kongresi i Dytë gjithortodoks i Korçës (16.VI - 29.VI.1929) e vuri Kishën mbi baza kanonike e kombëtare(1)
Historia e fshehur e Kongresit të dytë të KOASH-it
Nga: Nos Xhuvani & Pavli Haxhillazi
Kongresi i dytë gjithortodoks i Korçës u mblodh pas Kongresit të Beratit. Ai është vijim i vendimeve të Kongresit të Beratit dhe plotësoi ato mangësi që vinin nga rrjedha historike e Kishës Ortodokse Shqiptare. Këto mangësi shfrytëzoi Patriarkana Ekumenike për të mos miratuar vendimet e Kongresit të Beratit dhe për t’i quajtur ato të pavlefshme.
Patriarkana e quajti të paligjshëm dhe antikanonik Këshillin e Lartë të dalë nga Kongresi i Beratit dhe nuk miratoi funksionet e tij në emër të një sinodi episkopal të përbërë prej episkopësh kanonikë. Pra Patriarkana Ekumenike nuk e njohu në atë kohë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, por pranoi ta kënaqte atë me një farë autonomie dhe ta mbante përgjithmonë në tutelën e saj.
Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Beratit ka qenë që brenda tre muajve të krijoheshin kushte për formimin e sinodit episkopal të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili në bazë të kanoneve kishtare do të merrte drejtimin dogmatik të kishës. Nga thashethemet dhe intrigat e shumta, si edhe nga përçarja e brendshme midis ortodoksëve shqiptarë, në një farë mase nga mungesa e përvojës dhe nga interesa vetjake krejt të njëanshme, ky vendim u vonua prej vitit 1922 deri në vitin 1929.
Në vitin 1923 u fronëzua Fan Noli në Korçë nga dy episkopë kanonikë të dërguar nga Patriarkana. Kështu u krijuan kushtet kanonike për organizimin kishtar të Kishës Ortodokse në Shqipëri, sepse me tre episkopë në tri dioqezat kryesore mund të krijohej Sinodi i Shenjtë. Imzot Jerotheu në dioqezën e Korçës, Imzot Kisi në dioqezën e Beratit dhe Imzot Noli në dioqezën e Durrësit atëherë ishin në krye të detyrës kishtare. Pa episkop ishte vetëm dioqeza e Gjirokastrës. Në qoftë se dy prej tyre do të ishin treguar të kujdesshëm për të dorëzuar episkop njërin prej dy kandidaturave të mundshme, Visarionin ose Çamçen, atëherë Sinodi do të formohej në mënyrë të rregullt sipas kanoneve kishtare ortodokse.
Gjendja ndërmjet ortodoksëve shqiptarë në lidhje me qëndrimin ndaj Patriarkanës Ekumenike dhe zgjidhjes së çështjes madhore të autoqefalisë erdhi duke u acaruar çdo ditë dhe më shumë dhe po shkohej edhe drejt cenimit të mirëkuptimit e të harmonisë kombëtare. Disa mendonin se duhej pritur me durim urdhri i Patriarkanës, të tjerë kërkuan rrugë të brendshme dhe të mos i nënshtroheshin pritjes së kërkuar qëllimisht nga Patriarkana. Pala e dytë, me propozimin e Naltmadhënisë së Tij, Mbretit Zogu I, nuk nguroi për të formuar Sinodin Episkopal dhe për këtë dha ndihmën e vet i dërguari i Patriarkanës së Serbisë.
Në javët e para të shkurtit të vitit 1929 me Imzot Visarionin dhe Imzot Eugjenin në krye të ceremonisë kishtare u dorëzuan dy episkopë, Çamçja dhe Ambrozi. Më 18 shkurt 1929 u formua Sinodi i Shenjtë, i cili zgjodhi Visarionin kryetar të tij. Kështu filloi një etapë e re në jetën e Kishës. Dioqezat kishin episkopët e tyre kanonikë, Berati Imzot Çamçen, Gjirokastra Imzot Ambrozin, Tirana dhe Durrësi Imzot Visarion Xhuvanin, i cili përkohësisht do të ishte dhe ad interim për Korçën.
Në Te Deum-in e zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë më 25 mars të vitit 1929 Atë Vasil Marko i dorëzoi Hirësisë së Tij, Visarionit, Kryqin historik të Kongresit të Beratit. Kjo ishte shenja simbolike e dorëzimit përfundimtar të kryesisë së kishës. Ky veprim e vuri para përgjegjësisë Kryeepiskopin Visarion për të organizuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duke u mbështetur në vendimet e Kongresit historik kishtar të Beratit.
Patriarkana e Stambollit si dhe Patriarkana greke nuk e pritën mirë formimin e Sinodit të Shenjtë. Ato u vërsulën menjëherë për të shprehur kundërshtimin e tyre, sajuan fyerje të rënda për Sinodin, por më shumë për Visarionin dhe Mbretin Zog. Shpifjet nuk e mposhtën Kryeepiskopin Visarion Xhuvani. Zemërimi i Patriarkanës Egumenike mbushi gazetat më në zë të Greqisë. Atëherë kreu i ortodoksëve shqiptarë vazhdoi me qetësi shembullore dhe me durim mbledhjet e Sinodit në Korçë për të përmirësuar punët kishtare dhe për ta ngritur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në nivelin e kishave të tjera të Ballkanit.
Në këtë situatë duhej fituar koha e humbur dhe duheshin marrë vendime të rëndësishme. Kjo veprimtari e shquar përbën platformën kishtare të Kongresit të dytë gjithortotoks në Korçë, i cili duhej të organizohej e të mblidhej sa më parë.
Atëherë pengesat shtoheshin çdo ditë me diskutime shterpe të intriguara nga jashtë e të shumëfishuara nga ortodoksë shqiptarë që e kishin shitur shpirtin tek të huajt. Sinodi i kryesuar prej Kryeepiskopit Visarion u mblodh çdo ditë në Mitropolinë e Korçës. Mbledhjet kanë qenë të hapura, në to mund të merrte pjesë kushdo dhe të jepte mendime. Pjesëmarrja masive e dashamirëse e besimtarëve ortodoksë të Kishës sonë bëri që pengesat të kapërceheshin një nga një dhe me dinjitet.
Organizimi i Kongresit kishte nevojë për fonde dhe ato në pjesën më të madhe u siguruan nga shteti shqiptar i kohës. Kujdes i veçantë u tregua edhe për zgjedhjen e delegatëve. Me këto detyra, veç Kryeepiskopit, i cili kudo që shkoi u mor me organizimin e pleqësive të kishave, u tregua mjaft përkujdesje për zgjedhjen e delegatëve në të gjitha rrethet ortodokse shqiptare. Në Kongres u zgjodhën intelektualët e shquar të vendit, klerikë me merita kishtare, tregtarë dhe zanatçinj, të gjithë bij të bindur dhe besimtarë të aftë për të mbrojtur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në Kongres morën pjesë 10 klerikë, ndërmjet tyre 3 episkopë, 2 ikonomë mitroforë dhe 5 klerikë të moshuar me përvojë kishtare. Midis delegatëve laikë kishte 7 intelektualë me gradën shkencore Doktor në fusha të ndryshme të dijes.
Listën e të gjithë delegatëve të Kongresit të dytë kishtar të Korçës, po e japim të plotë:
Delegatët e këtij Kongresi qenë:
Delegat i Tiranës Kryepeshkop Visarioni d.v.
Delegat i Tiranës Dr Athanas Shundi d.v.
Delegat i Tiranës Dr Zoi Xoxa d.v.
Delegat i Shpatit Taq Buda d.v.
Delegat i Shkodrës Atë Velisha Popoviq
Delegat i Shkodrës Naim Plevneshi d.v.
Delegat i Shkodrës Mitro Llazareviq d.v.
Delegat i Korçës Ik. i M. Mitrofor Atë Vasil Marko d.v.
Delegat i Korçës Stavraq Ballauri d.v.
Delegat i Korçës Thoma Turtulli d.v.
Delegat i Korçës Vasil Avrami d.v.
Delegat i Korçës Sotir Kotta d.v.
Delegat i Përmetit Dhimitri Kacimbra d.v.
Delegat i Gjinokastrës Thoma Papapano d.v.
Delegat i Gjinokastrës Kostandin Lito d.v.
Delegat i Gjinokastrës Episkop Ambrozi d. v.
Delegat i Gjinokastrës Ikonom Papavlashi
Delegat i Libohovës Dhimosthen Haxhoglu d.v.
Delegat i Leskovikut Andon Kito d.v.
Delegat i Lushnjës Llazar Bozo d.v.
Delegat i Vlorës Kristaq Ikonomi d. v.
Delegat i Vlorës Atë Isaia d.v.
Delegat i Vlorës Kristo Karbunara d.v.
Delegat i Delvinës Mihal Maksakuli d.v.
Delegat i Sarandës Apostol Dhima d.v.
Delegat i Konispolit Loli Qesko d.v.
Delegat i Durrësit Kristaq Zaguridhi d.v.
Delegat i Durrësit Vasil Bakalli d.v.
Delegat i Durrësit Moisi Popa d.v.
Delegat i Kavajës Kleanth Mineu d.v.
Delegat i Himarës Dr Mihal Cane
Delegat i Beratit Episkop Imzot Agathangjel d.v.
Delegat i Beratit Dr Nikolla Haxhistasa d.v.
Delegat i Beratit Ikon. Atë Theodhor Brisku d.v.
Delegat i Fierit Jovan Xoxa d.v.
Delegat i Mallakastrës Ikonom Atë Polizoi d.v.
Delegat i Kolonjës (Ersekë) Petro Prodani d.v.
Delegat i Bilishtit Petro Ilia d.v.
Delegat i Tepelenës Dhimitër Mole d.v.
Delegat i Elbasanit Kostaq Cipo d.v.
Delegat i Elbasanit Kov Deliana d.v.
Delegat i Elbasanit Dhimitër Papajani d.v.
Delegat i Poradecit Spiro Naço d.v.
Delegat i Dibrës Stavrofor Ik. Josifi d.v.
Delegat i Dibrës Dr Filip Papajani d.v.
Delegat i Dibrës Gavril Lasku d.v.
Komisioni i Qeverisë pranë Kongresit Panorthodhoks
Shqiptar në Korçë:
Vasil Bidoshi d.v.
Platforma kishtare e Kongresit u përcaktua me kujdes të madh nga Visarion Xhuvani. Në të u parashikuan vendimet e pritshme, detyrat e komisioneve për organizimin e Kongresit, ceremonitë festive për jehonën e tij. Bazën kryesore të Kongresit e përbënte zgjidhja e drejtë e interesave fetaro-kombëtare, sigurimi i indipendencës dhe i tërësisë territoriale të vendit. Vendimet e tij duhej të mos lejonin në të ardhmen asnjë veprim që të binte ndesh me interesat kishtaro-kombëtare dhe brezat e rinj të ishin syhapur e të kujdeseshin për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në të gjitha materialet e Kongresit vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të kanoneve të shenjta dhe të dogmës fetare, që Patriarkana Ekumenike të ndërpriste sulmet e mëtejshme kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gazeta e Re në Nr. 190, të datës 19.06.1929, ka botuar tekstin e platformës së Kongresit.
“1. Do të merret për bazë Ungjilli i Shenjtë, gojëdhanat e hirshme, rregullat e vendosura prej Sinodeve Ekumenike dhe përgjithësisht rregullat që pasojnë Kishën Ortodokse Autoqefale dhe patriarkike ortodokse, në të cilat Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është lidhur dogmatikisht.
2. Principi i dytë është interesi kombëtar, i cili është marrë në kujdes të veçantë në bazë të kanonit “Kishë e lirë në shtet të lirë”.
3. Organizimi ekonomik financiar i pasurive kishtare, në mënyrë që kishës t’i sigurohet jetesa nga pikëpamja ekonomike.
4.Vendosja e një disipline të fortë që i jep dinjitetin e duhur kishës”.
Korça e priti me madhështi të paparë mbërritjen e anëtarëve të Sinodit dhe të Visarionit. Për pritjen e tyre autoritetet kishtare dolën deri në Plasë. Midis tyre kanë qenë: Ikonomi i Madh Vasil Marko, Kryetari i Bashkisë, drejtori i gazetës “Zëri i Korçës”, deputeti Llambi Bimbli etj. Ikonom Atë Josifi përshëndeti me një fjalë të shkurtër. Në qytet kish dalë për t’i pritur i gjithë populli pa dallim feje. Në pritje qenë rreshtuar edhe ushtria, nxënësit e shkollave, kleri ortodoks dhe mysliman, banda e bashkisë. Pati mjaft thirrje “Rroftë Kisha Autoqefale”. Në qytet u shkëmbyen fjalimet e rastit. Për këtë pritje Imzot Ambrozi tha: “Pritje të tilla u bëhen vetëm mbretërve” (Gazeta e Re, Nr. 119, 24.03.1929).
Në qytetin e Korçës mbretëroi atmosfera e gëzimit, e entuziazmit, sepse diçka e mirë pritej për kishën e gjithë vendin. Në Mitropoli mbizotëroi përkushtimi, puna e palodhur, e kujdesshme dhe shumë e disiplinuar, e cila iu përgjigj me shumë dinjitet haresë dhe gëzimit mbarëpopullor.
Sinodi i Shenjtë kishte vendosur që Kongresin e dytë ta drejtonte kjo pari: Kryetar Imzot Visarioni, nënkryetar Vasil Avrami, kryesekretar Dr. Zoi Xoxa dhe kujdestar Thoma Papapano. Të ngarkuarit me detyra kishin grupet e punës për organizimin dhe drejtimin e Kongresit. Më 16 qershor të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë u mblodhën në Korçë për të filluar punimet e Kongresit të dytë kishtar, që kishte rëndësi të veçantë historike. Në fillim u lexua përshëndetja e Mbretit: “Nuk duhet me harrue se mbi të gjitha duhet të mbretnojë ideali i Kombit dhe plotësimi i Atdheut” (Gazeta e Re, Nr. 190, 16.09.1929).
Në fjalën e tij Imzot Visarioni parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, parimet e përgjithshme që frymëzuan Sinodin e Shenjtë për hartimin e Statutit, të cilat janë: “Baza kanonike e Statutit është Ungjilli i Shenjtë, gojëdhanat e hirshme, rregullat e vendosura prej Sinodeve Ekumenike, me të cilat Kisha Ortodokse Autoqefale është lidhur dogmatikisht”.
Statuti sanksionoi Autoqefalinë e deklaruar në Berat më 12 shtator 1922, duke qenë dogmatikisht e bashkuar me patriarkitë e shenjta dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale, por administrativisht mbetej krejt më vete nën flamurin kombëtar.
Imzot Visarioni, i mbështetur në Statutin legal të komuniteteve fetare të miratuar në Kuvendin e vitit 1924, theksoi dhe kërkoi që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe, sepse kjo i ka të gjitha aftësitë e veta dhe kurorëzon përpjekjet shekullore më të hershme dhe të rilindasve. Një artikull i veçantë përcaktoi pavarësinë e kishës në mënyrë të prerë: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”.
Ky është artikulli 16 i Statutit që u diskutua gjatë në Kongres, u shqyrtua edhe modeli i kishave të tjera. Ai kishte për qëllim të ruante mirëkuptimin e harmoninë shoqërore të brendshme dhe të mbylleshin përgjithmonë mospajtimet e ndryshme që sjellin vetëm ndarje në shtetin shqiptar.
Kongresi vazhdoi punimet 15 ditë. Në fund, mbasi miratoi statutin në parim, vendosi të krijojë një komision të posaçëm të përbërë nga: Mitrofor Vasil Marko, Vasil Avrami, Dhimitër Kacimbra, Taq Buda, Vasil Bakalli, Athanas Shundi, Llazar Bozo, Nikolla Haxhinasta, Kristaq Ikonomi, Thoma Papapano, Mihal Cane, Milto Maksakuli dhe Dr. Zoi Xoxa, të cilët do t’i jepnin statutit formën përfundimtare. Mbas 15 ditë diskutimesh, në orën 7.30 të datës 29 qershor të vitit 1929, të gjithë delegatët firmosën dokumentet për t’u miratuar në statut përfundimtar (definitiv). Ky Statut e vuri në themele të qëndrueshme Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Atë Vasil Marko në letrën që i ka dërguar ministrit të Brendshëm më 27-09-1922, ka shkruar: “Ne ju bëjmë të njohur se çështja kishtare vete shumë mirë. Ne këtu jemi në themele të çelikta thjesht kombëtare, nuk tundemi, por vetëm një gjë na pengon, ajo është financa”. (AQSh. Koleksion fondesh. D. 1519. viti 1922) Ky amanet i Kongresit Kishtar të Beratit u përmbush më së miri në Kongresin e dytë kishtar gjithortodoks të Korçës më 29 qershor të vitit 1929.
Krijoni Kontakt