Close
Faqja 0 prej 11 FillimFillim 1210 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 101
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22

    Katalog i Kodikëve Kishtarë Mesjetarë të Shqipërisë

    THEOFAN POPA


    Beratinus-1

    Kodiku i Purpurt i Beratit njihet në botën shkencore me emrin “Codex Purpureus Beratinus”.
    Ky thesar dorëshkrimor, më i vjetri i lashtësisë sonë, ruan vetëm dy ungjij: të Mateut dhe të
    Markut. Përbëhet prej 190 fletësh pergamene të ngjyrosura në ngjyrë të purpurt, në të kuqe të
    thellë, sot shumë e zbehtë. Grafia e kodit është me shkronja argjendi të tretur. Disa fjalë janë
    të shkruara me ar. Shkronjat janë kapitale, të tipit të përzier, kuadrat, (unciale majuscule).
    Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Nistoret janë të mëdha, por jo të
    stolisura.
    Formati i fletëve është 314 x 268 milimetra. Teksti është në dy kolona, me 17 rreshta për
    kolonë dhe me një motiv dekorativ të thjeshtë.
    Përveç shkrimit kaligrafik, që paraqitet si art më vete, kodiku ruan një dekor me një motiv prej
    zemrash, që përbrenda kanë nga një lilan tri petalesh. Ky është një motiv interesant për
    vjetërsinë. Motivi përfshihet brenda dy linjash paralele të vendosura vertikalisht dhe që
    kryqëzohen horizontalisht, duke krijuar një kënd të drejtë.
    Ky motiv i thjeshtë, që simbolizon epiqendrën shpirtërore të njeriut, si më i vjetri në bibliografinë
    tonë më të lashtë, trashëgohet në kodikë tanë më të vonë, në mënyrë identike, si në Kodikun
    nr. 4 të Beratit, në Kodikun nr. 8 të Beratit. I stilizuar motivi gjendet edhe në zbukurimoren e
    disa kodikëve të tjerë, si në Kodikun nr. 5 të Vlorës dhe në Kodikun nr. 11 të Vlorës.
    Ky kodik është dëmtuar rëndë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke qenë i fshehur për një
    kohë të gjatë në Berat. Eshtë restauruar, por paraqitet mjaft i dëmtuar.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    Beratinus-2

    Ky kodik u quajt prej Batiffol-it me emrin “Codex Aureus Anthimi”. Kjo për nder të emrit të
    peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhi, i cili e kishte ndihmuar Batiffol-in për të njohur antikitetet
    e Beratit.
    Kodiku në fjalë është katërungjillësh, me 420 fletë pergameni, me tekst në njëshkolonë, me
    format 24 x 19 cm, me grafi prej shkronjash të vogla korsive ari të tipit të vjetër dhe me 17
    rreshta për faqe.
    Kodiku ka qenë i stolisur me katër figurat e ungjillorëve, të dekoruara me korniza të gjera, me
    katër vinjeta, nga të cilat tri ruhen, ndonëse mjaft të dëmtuara, kurse e katërta është zhdukur
    krejt. Nga pjesë të ruajtura të kornizave dhe pjesë të vinjetave është bërë rindërtimi i plotë i
    tyre në një kopje identike të këtij kodiku.
    Çdo figurë e ungjillorëve është pikturuar brenda një katërkëndëshi me përmasa rreth 12 x 19
    cm. Janë kompozuar thjesht, pa ndonjë sfond arkitekturor, madje pa tryezën e shkrimit, brenda
    një katërkëndëshi të ngushtë, saqë figura e Shën Gjonit del pak përmbi linjën e sipërme
    përkufizuese. Megjithatë, këto figura paraqiten të trajtuara bukur: Shën Gjoni ulur mbi një fron
    me mbështetëse të lartë të harkuar nga sipër, kurse Shën Marku e Shën Luka mbi stola të
    vegjël prej druri, në pozicion pak të përkulur mbi ungjillin e hapur që mbajnë mbi gjunjë.
    Për portretet e këtyre figurave Batiffol-i ka shkruar, qysh në shekullin e 19-të, se “ato janë
    shuar tërësisht”. Sot ato mund t’i shohim në siluetë. Pjesët e tjera të figurave paraqiten,
    gjithashtu, të dëmtuara shumë. Tek Shën Marku mungon gjithë pjesa e pergamenit mbi të
    cilën është pikturuar ungjillori ndenjur. Ngjyrat e veshjeve sot paraqiten si një fushë e rrafshtë
    ngjyrë kafeje të errët, të turbullt. Trajtimi i figurave është i një stili grafik të thatë. Rrudhat
    përcaktohen me anë linjash të zeza, të thyera e të drejta, kurse me linja të lakuara piktori
    anonim është përpjekur të arrijë format e gjymtyrëve dhe pozicionin e kërrusur të figurave.
    Kështu, ndonëse të thjeshta, por me vizatim të saktë, këto figura vlerësohen për një finesë të
    theksuar në vizatimin e siluetës. Pozicionet e figurave pak të kërrusura karakterizohen nga
    eleganca.
    Proporcionet e figurave pak të kërrusura, po të krahasohen me ato të miniaturës më të mirë
    të shekullit të 10-të, të Kostandinopojës, me siguri do të duken si të një tipi gati naiv, siç e ka
    vënë në dukje Batiffol-i. Për t’i pasuruar artistikisht këto figura të thjeshta, artisti i ka stolisur
    me korniza të bukura të trefishta, mbushur me motive gjeometrike e shirita të gërshetuar, me
    medalione të vegjël si vargje prej rruazash ari ose lilanë të stilizuar, të gjitha prej ari, mbi
    sfondin e purpurtë, me një ton si në blu të errët.
    Këto stolisje të kornizave me motivet e tyre të stilizuara florale e gjeometrike, përbëjnë një
    zbukurim artistik jo të zakonshëm, i cili, si pjesë përbërëse e pandarë e kompozimit në tërësi,
    ia rrit vlerën artistike figurës së pikturuar. Pa këto dekorime të pasura e të bukura të kornizave
    të gjera, figurat do të paraqiteshin tepër të varfëra, si të cunguara.
    Nga katër vinjetat e kodikut ruhen vetëm tri, të vizatuara edhe këto në formë katërkëndëshi
    kënddrejtë, prej katër brezash të mbushur me motive gjeometrike e florale të stilizuara, me
    motive shtesë brenda medalionesh të vegjël, ose me motivin e sovajkave, të vendosura në
    formë zigzagu. Piktori ka krijuar me to trekëndëshe. Fushat e brendshme të vinjetave kanë
    titullin e ungjillit përkatës. Tek ajo e Ungjillit sipas Lukës ky është shkruar në formë kryqi
    përfshirë prej një linje të trashë. Tek vinjeta e Ungjillit sipas Markut titulli përfshihet prej dy
    rrathësh të mëdhenj dhe tek ajo e Ungjillit sipas Gjonit - brenda një fushe katërkëndëshe.
    Duke u mbështetur në kaligrafinë me shkronja të vogla ari dhe në tipin korsiv të vjetër të
    shkronjave, në inicialet e pazhvilluara, në motivet gjeografike e florale të stilizuara të kornizave,
    si dhe në linjën elegante të trajtimit të figurave, mendojmë që kodiku Beratinus-2 mund t’i
    atribuohet gjysmës së dytë të shekullit të nëntë dhe mund të shkojë deri nga dekadat e fundit
    të atij shekulli. Në favor të këtij datimi mendojmë se flet edhe ngjashmëria e kodikut tonë me
    kodikë të huaj si Cod. Gr. 53 i shën Peterburgut, që K. Witzman e daton te shek. të 20-të.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 3-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 28 x 18 cm.
    Sasia e fletëve: 145.
    Teksti: Në dy kolona për faqe.
    Kapakët: Nuk ka pasur.
    Ngjyra e shkrimit: Kafe, titujt janë në kafe të kuqërremtë.
    Datimi: Gjysma e dytë e shek. IX. Ngjan me Cod. Urbin, Gr. 61 (Vatikan) dhe Cod.
    Plut. (Laurenziana).
    Dekoracione: Ruan dy vinjeta, njërën në fletën e 2-të dhe tjetrën në fletën e109-të.
    Dekoracionet janë në ngjyrë kafe me nuanca. Ka dhe iniciale / nistore / të pikturuara.
    Anëshkrime: Ruan një anëshkrim në fletën 143, ku lexohen fjalët: “Fjeti shërbëtori i
    Perëndisë Mihaili Sidhirofa, në muajin janar 13, ditën e dielë, ora 9.00”.

    Vërejtje: Nuk kuptohet se çfarë vlere i jep shifra p greke, vendosur mbi omegën (w),
    që dihet se tregon numrin 100.
    Fleta e parë e dorëshkrimit është i ndonjë kodiku tjetër dhe duhet të jetë vënë për mbrojtje,
    meqë Kodiku i 3-të i Beratit nuk kishte kapakë. Teksti i ka shkronjat mjaft të zbehta, sa që
    herë-herë nuk lidhen fjalët.
    Gjendja e kodikut: Ky dorëshkrim ka pësuar shumë dëme. Prej fletës së parë deri në të
    nëntën është ngrënë pergamena në cepin e majtë ku lidhen fletët, duke dëmtuar mjaft edhe
    tekstin e kolonës së majtë, sidomos prej fletës 2 deri në fletën 8.
    Në fletën 3, në mes të kolonës së djathtë, është ngrënë pak pergameni, por duke mos i
    zhdukur shkronjat. Gjithashtu në fletën 12 kolona e djathtë ka pësuar pak grisje duke dëmtuar
    tri shkronja. Prej fletës 13 deri në fletën 16, kolona e djathtë, në të shtatë rreshtat e sipërm, e
    ka të holluar pergamenën, duke dëmtuar shkronjat, kurse fleta 14, nga hollimi i pergamenës,
    ka dëmtime në pjesën e poshtme të kolonës së majtë dhe asaj të djathtë. Në fletën 18,
    kolona e djathtë, rreshtat e sipërm, si dhe në fletën 19, pjesa e poshtme të dy kolonat, janë
    dëmtuar mjaft nga hollimi i pergamenës. Në fletët 21, 22 dhe 23 është dëmtuar teksti i kolonës
    së djathtë. Në fletën 26 ka një grisje të rrumbullakët të pergamenës në kolonën e djathtë
    sipër, duke dëmtuar në pjesën fundore rreshtin e tretë e të katërt. Në fletën 47 kanë humbur
    dy-tri shkronja në rreshtat 3, 4 dhe 5 të kolonës së djathtë. Sipër fletës 55 ka një grisje në
    kolonën e majtë, deri në rreshtin 5. Fletët 59, 60, 61 dhe 62 e kanë të dëmtuar tekstin në
    rreshtin e fundit të kolonës së majtë nga grisja e pergamenës. Fleta 79 ka një grisje në
    rreshtin 12 nga poshtë të kolonës së djathtë, grisje që ka kaluar mjaft dhe në të majtën. Fleta
    86 ka një grisje në katër rreshta të kolonës së djathtë. Në fletët 94, 95 e 96, në kolonën e
    majtë, rreshtat 4, 5 e 6 kanë të ngrëna në pergamenën e holluar nga dy-tri shkronja. Fleta 114
    ka një humbje teksti (çngjyrosje) në rreshtin 7 nga poshtë në kolonën e djathtë. Fleta 126, në
    rreshtin e fundit të kolonës së majtë, ka të grisura tri shkronja nga hollimi i pergamenës.
    Fletës 127, nga dëmtimi i pergamenës, i janë zhdukur mjaft shkronja të kolonës së djathtë.
    Të dyja kolonat e fletëve 130 dhe 133 kanë një shqyerje të vogël mbi rreshtin e tretë nga
    poshtë, pa e dëmtuar shkrimin. Prej fletës 139 deri në fletën 144 dorëshkrimi ka një vrimë në
    rreshtin 4 të kolonës së djathtë, e cila vjen duke u zmadhuar e duke dëmtuar shkronjat deri
    në fletën e fundit 145; kurse prej fletës 142 deri në atë 145 është hapur një vrimë tjetër, po në
    kolonën e djathtë, duke dëmtuar rreshtin 4 e 5.
    Fleta e fundit, në cepin e sipërm, ka të dëmtuar rreshtat e kolonës së djathtë. Tre rreshtat e
    parë janë zhdukur krejt, i katërti ruan shkronja, kurse i pesti ka të dëmtuara disa shkronja. Në fletën e fundit teksti i perikopesë është i pambyllur.
    Rreshtat e kolonave: Çdo kolonë ka 25 rreshta.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 4-T, I BERATIT
    (KATËRUNGJILLËSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 20.5 x 16 cm; trashësia 9 cm.
    Sasia e fletëve: 238.
    Teksti: Me një kolonë, me 25 rreshta për faqe.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë dhe kjo riveshur sipër me pëlhurë, që ruhet
    në mënyrë fragmentare.
    Grafia e tekstit: Kafe e çelët në të kuqe. Shënimet e kanoneve, si dhe titujt e ungjijve
    dhe inicialet e perikopeve, janë prej ari.
    Kodi përmban katër ungjijtë: Ungjillin sipas Mateut, sipas Markut, sipas Lukës dhe sipas
    Gjonit.

    Në gjashtë faqet e para janë vënë kanonet që tregojnë perikopetë, që lexohen gjatë gjithë vitit,
    sipas festave. Kanonet janë ato të Eusebit. Ka dhe shënime rreth kanoneve.
    Zbukurime: Në tri fletët e para ruhen gjashtë kanone me ornamente prej skenash të ndryshme,
    të pikturuara me motive lulesh të stilizuara, ku mbizotëron më tepër bluja, kurse kornizat e
    tyre përkufizuese janë prej linjash ari. Janë pikturuar nga dy pallonj, thëllëza dhe tre çifte
    zogjsh të stilizuar, mbi çdo kanon nga dy shpezë.
    Kodiku ka vinjeta të pikturuara me të njëjtat motive lulesh si dhe kanonet. Këto gjenden në
    fletët: 6, 7, 9, 73, 74, 75, 113, 115, 117, 186, si dhe në fletën 189, recto e verso. Kodiku ka
    figura të pikturuara. Në fletën 8 është figura e ungjillorit Mateu. Ndërmjet fletës 74 e 75 është
    marrë një fletë, në të cilën ka qenë figura e ungjillorit Mark. Në fletën 116 ruhet figura e ungjillorit
    Luka. Në fletën 189 ruhet figura e ungjillorit Gjon. Këto figura, ndonëse kanë pësuar shumë
    dëme, sidomos në portretet, paraqiten nga më interesantet për nga vlera e tyre artistike,
    vështruar nga çdo aspekt, si në kompozimin real të tyre, si për ngjyrat e kultivuara dhe gracioze,
    përdorur në mënyrë harmonike, por sidomos për arritjen e tyre me një plastikë të theksuar
    reale, që vërehet më mirë tek figura e Shën Lukës.
    Grafia e teksit mund të thuhet se do të jetë marrë nga kaligrafët më të shquar në përgjithësi
    në artin e kaligrafisë bizantine - është grafi e dorës së parë nga çdo aspekt. Gjithashtu, sa u
    takon zbukurimeve, si për kanonet dhe vinjetat, për motivet e luleve dhe për dekoret e
    ndryshme, mund të thuhet se janë të një niveli shumë të lartë artistik. Sa për shpezët, pallonjtë,
    thëllëzat, zogjtë e stilizuar, këto flasin për vjetërsinë e këtij kodiku dhe për ndikimin e tipareve
    antike.
    Të gjitha këto na bëjnë të pohojmë se burimi i këtij kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 10-të.
    Fleta e fundit nuk ka lidhje me shkruesin e kodikut, ajo është përdorur për të përforcuar
    lidhjen e kodikut. Kjo fletë përmban një pjesë nga teksti i Ungjillit sipas Gjonit, pikërisht pjesa
    që bën fjalë për episodin e dënimit / faljes së lavires.

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 5-TË, I VLORËS
    (KATËRUNGJILLËSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 23 x 18 cm.
    Sasia e fletëve: 308.
    Teksti: Në një kolonë, me 22 rreshta.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë dhe me pesë figura të punuara në pllaka
    argjendi, nga të cilat katër janë me figurat e ungjillorëve: të Mateut, Markut, Lukës dhe të
    Gjonit; secila me përmasa 7 cm x 5.5 cm. Kurse pllaka e mesit përmban një skenë të punuar
    me savat në basoreliev. Figurat në portrete janë mjaft të dëmtuara. Ungjillorët janë punuar në
    gjysmëfigurë. Pllakat janë mbërthyer me gozhdë argjendi me koka të rruzullta, që dalin mbi
    sipërfaqe për të mos dëmtuar basorelievin e figurave. Figurat e ungjillorëve janë arritur me
    mjaft art.
    Fleta e parë e kodikut ka këtë frazë me shkronja të imta: “Libri i Pandokratorit”. Pandokratori
    ka qenë një manastir i dëgjuar në Kostandinopojë. Kjo frazë është shkruar po aty dhe katër
    herë të tjera, nga duar të ndryshme. Në anën tjetër të fletës së parë ruhet një tekst i imët, që
    flet mbi kanonet e ungjijve sipas Eusebit. Ky tekst është i përfshirë prej brezash katërkëndorë,
    me ornamente. Kjo vazhdon në faqen e tretë, me kornizë të njëllojtë.
    Në faqet e para të kodikut gjenden 9 kanone të stolisura me lule të stilizuara brenda skemave
    të ndryshme, ku mbizotërojnë ngjyrat blu dhe e kuqja. Sipër janë të stolisura me shpezë të
    ndryshme, si thëllëza, pëllumba, rosa e të tjera, si dhe me bisqe e lule të çelura anash
    vinjetave. Kodiku ruan katër figurat e ungjillorëve në faqet përballë me fletën ku fillon teksti
    ungjillor. Figurat e ungjillorëve janë më të vona nga koha e shkrimit të kodikut. Janë pikturuar
    mbi letër dhe janë ngjitur mbi faqen e pashkruar të pergamenës.
    Shtojcë pas tetraungjillit: Prej fletës 298 deri në fletën 306 janë shkruar 10 perikope nga ungjij
    të ndryshëm. Duket ndryshimi i kaligrafisë dhe prania e një dore tjetër. Fleta 307 përmban
    sqarime me shkronja të imëta nga orologjia, që tregon çfarë duhet lexuar në festat fetare të
    vitit, në shërbesat e kultit. Fleta e fundit është shkruar me shkronja të arta, me siguri prej një
    dore tjetër nga ato më të parat. Që kjo faqe e shkëputur është marrë nga ndonjë libër tjetër
    dhe ngjitur këtu, e mësojmë nga përmbajtja e frazave letrare teologjike.
    Dëmet që ka pësuar kodiku janë fare të pakta në krahasim me ato të kodikëve të tjerë. Fleta
    2 është e shkëputur, fleta 4 ka një prerje në mes të kolonës së djathtë të pikturës së kanonit,
    në mënyrë vertikale deri poshtë në linjën përkufizuese të kanonit, si dhe në linjë horizontale,
    duke mos dëmtuar shënimet e kanonit. Në fletën 11 ka patur një shënim prej 6-7 rreshtash,
    i cili është fshirë krejt. Në fletën 12 teksti është zbehur shumë nga të fshirët dhe me vështirësi
    lexohet. Prej fletës 290 e deri në fund janë gati duke u shkëputur fletët, për shkak të dobësimit
    të të lidhurit, prandaj duhet të qepen. Kodiku ka disa fletë të ndotura, ka mjaft pikime dylli, të
    cilat mund të pastrohen lehtë duke mos dëmtuar tekstin
    Përmbajtjet e krerëve të çdo ungjilli janë shkruar me ar. Tek Ungjilli sipas Gjonit janë zbehur
    mjaft.
    Kapakët prej lëkure e kanë të dëmtuar lëkurën në vendin e lidhjes, si poshtë dhe sipër.
    Duke u mbështetur në motivet e vinjetave dhe në mënyrën artistike të realizimit të tyre, në
    pikturimin e shpezëve mbi to, si dhe në tekstin me shkrim kaligrafik të tipit të vjetër, ka të
    ngjarë që ky kodik t’i përkasë mesit të shekullit të 11-të.
    Kodi nuk e ruan nënshkrimin e riprodhuesit.

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 6-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 21 x 19 cm.
    Sasia e fletetëve: 50.
    Teksti: Në dy kolona, me 26 rreshta për kolonë.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë.
    Datimi: viti 1043.
    Kodiku ka tri vinjeta të pikturuara dy në formë shiriti dhe një me gërshetime të dy ngjyrave, blu
    dhe kafe. Vinjeta e fletës 31 ruhet më mirë. Eshtë e ndarë në 9 katërkëndëshe, secila me nga
    një ornament në formë luleje të stilizuar. Ajo e fletës 1 është e errësuar (ka qenë në ngjyrë blu
    dhe të kuqe të errët).
    Kodiku ka dhe disa germa iniciale të pikturuara. Relativisht më të bukura janë dy T (gr. „tau“)
    në fletën 33, me ngjyrë të kuqe dhe blu.
    Dëmtimet: Ky kodik është shumë i dëmtuar nga insektet, si në kapakët dhe në fletët me
    tekstin. Prej fletës 1 deri në fletën 9 pergamena është ngrënë nga insektet në kolonat e majta,
    duke dëmtuar shumë tekstin. Në disa nga këto faqe teksti është zhdukur nga zbehja, si në
    fletët 1, 2, 3, 4, 5, 6, 8, 9. Gjithashtu zhdukje të pjesshme të tekstit kanë fletët: 11, 12, 14, 15.
    Fleta 18 ka një grisje, por janë ruajtur copat e pergamenës, të cilat mundet të restaurohen.
    Fleta 21 ka shumë zbehtësi. Fletët 23-26 janë prerë me thikë në kolonën e majtë deri në
    rreshtin 10, por duke mos zhdukur shkronjat. Kurse fleta 23 ka 7 rreshta të fshirë shumë. Në
    fletën 30 është zbehur shumë teksti i kolonës së djathtë. Kjo përsëritet edhe në fletët 36, 39-
    43, 45 dhe 46. Fletët 48 dhe 49 e 50 kanë tekste me grafi të ndryshme prej asaj bazë, gjë që
    tregon se janë disa duar shkruesish, të ndryshme prej asaj të kopjuesit.
    Vlera e këtij kodiku qëndron në datimin e saktë që ai e ruan. Me anën e kaligrafisë së këtij
    kodiku mund të bëhen krahasime me paleografinë e teksteve të padatuara dhe mund të
    datohen me shumë përafërsi. Ky tekst duhet t’i përkasë kishës së ndonjë fshati, duke u
    mbështetur në nivelin jo aq të lartë artistik të tij, si dhe në vinjetat, në inicialet dhe në grafinë e
    tij.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 7-TË, I VLORËS
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 27 x 22 cm.
    Sasia e fletëve: 287.
    Teksti: Në dy kolona për faqe, me 21 rreshta për kolonë.
    Grafia: Me shkronja të vogla të tipit të vjetër, në ngjyrë kafe, me dy pikësime të kuqe.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me pëlhurë në ngjyrë blu. Në faqen e sipërme ka një
    medalion argjendi ku është punuar figura e Krishtit. Kjo mban datën 1886. Kurse kapaku i
    faqes së poshtme ka një pllakë argjendi në formë trapezoidi, me skenën e pagëzimit të
    Krishtit.
    Punimi i këtyre ilustrimeve është me forma naive, pa art.
    Zbukurimet: Kodiku stoliset me katër vinjeta në formën e germës p (“pi”) greke, të stolisura
    me lule të stilizuara mbi një sfond ari.
    Germat fillestare të tekstit stolisen me ar dhe zbukurohen me ngjyrë blu.
    Vinjeta ruhen në fletët 1, 40, 100, 131. Kodiku ka patur dhe dy vinjeta të tjera. Në fletën 81 kjo
    ka qenë në formë shiriti. Tjetra ruhej në fletën 269.
    Inicialet e perikopeve janë të zbukuruara me ngjyrë blu e jeshile, kurse disa të tjera janë fare
    të thjeshta, në ngjyrë kafe në të kuqe.
    Dëmet që ka pësuar kodiku nuk janë të pakta. Fleta 1 ka shumë vrima prej brejtjes nga
    insektet. Fleta 9 ka pak prishje poshtë, në mes dy kolonave, duke mos prekur tekstin. Fleta
    11 e ka të prerë pak pergamenën pas rreshtit 7 të kolonës së djathtë. Fleta 18 ka grisje të
    pergamenës në cepin e fundmë të kolonës së djathtë, por pa e dëmtuar tekstin. Fleta 34 ka
    të shqitur pjesën e poshtme të saj. Fleta 36, në kolonën e majtë, ka një grisje prej poshtë deri
    në rreshtin e katërt, po kështu dhe fleta 38. Fletës 41 i janë zbehur dy rreshtat e poshtëm të
    kolonës së djathtë. Gjysma e dy rreshtave të kolonës së majtë të fletës 47 ka të grisur
    pergamenën në mes të kolonës së majtë, deri afër rreshtit 11 nga sipër. Fleta 62 ka grisje në
    pjesën e poshtme. Fleta 68 ka mjaft grisje në pjesën e poshtme, po kështu dhe fleta 73. Fleta
    82 ka të prera dy rreshta të kolonës së majtë. Me sa kuptohet, kanë prerë vinjetën dhe e kanë
    marrë. Fleta 83 ka një të grisur poshtë. Fleta 86 e 87 janë grisur shumë nga pjesa e poshtme,
    si dhe fleta 104. Fletët 116, 135, 137, 139, 141, 145, 147, 155 nga poshtë kanë grisje dhe janë
    shqitur nga vëllimi. Fleta 174 është grisur në pjesën e poshtme; tri rreshtat e kolonës së
    majtë i ka të qepura pas grisjes. Fleta 231 është shqitur shumë dhe ka grisje të vogla. Shumë
    fletë të teksti janë të zbehta: 239, 240, 241, 232, 233, 244, 245, 247. Fleta 262 ka zbehje
    teksti në dy kolonat poshtë. Kjo përsëritet dhe në fletët: 263, 264, 265, 267, 268, 270, 271,
    273, 278, 279, 281, 286.
    Në fletën 2 ruhen dy shënime dhuratash.
    Vinjeta e fl. 3 është e ngjashme me një vinjetë të Psaltrit të Petërburgut (Cod. Gr. 214); me
    një vinjetë të Cod. Gr. 44 të Patmosit dhe me një tjetër te Cod. 110 të Oksfordit, të gjithë të
    shek. të 10-të, deri shek. i 11-të.

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 8-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 26.4 x 21.4 cm (përmasa e fletës së brendshme).
    Sasia e fletëve: 348.
    Teksti: Në dy kolona, i shkruar prej duarsh të ndryshme, prandaj dhe numri i kolonave
    dhe i rreshtave të tyre ndryshon sipas shkruesit. Prej fletës 3 deri në fletën 42 kolonat kanë
    nga 23 rreshta. Prej fletës 43 deri në fletën 182 kolonat kanë nga 23 rreshta. Prej fletës 184
    deri në fletën 285 kolonat kanë përsëri nga 23 rreshta. Prej fletës 288 deri në fletën 292
    kolonat kanë nga 22 rreshta. Prej fletës 294 deri në fletën 335 kolonat kanë nga 23 rreshta.
    Fleta 336 ka nga 35 e 36 rreshta. Prej fletës 337 kolonat kanë nga 23 rreshta, deri në fletën
    348, që është mbyllja e dorëshkrimit.
    Kapakët: Prej dërrase, të veshur me lëkurë, mbi të cilën, në të dy faqet, të sipërmen
    e të poshtmen, përmban ornamente lineare dhe florale të stilizuara, të stampuara me presë,
    që kanë rëndësinë e tyre, sepse i përkasin kulturës së shekullit të 11-të, kur është shkruar
    kodiku. Ornamentet në lëkurë dhe në përgjithësi kapakët janë në gjendje shumë të mirë për
    kohën kur janë punuar.
    Grafia: Jo unike, përmban të paktën shkrimin e tre njerëzve të ndryshëm. Kësaj i
    përgjigjet numër i ndryshëm i kolonave. Të tria grafitë janë anonime. Kolonat janë me 23
    rreshta (autori i parë), me 20 rreshta (autori i dytë) dhe me 22 rreshta (autori i tretë). Shkrimi
    i të tre autorëve ka vlerë kaligrafike. Deri në fletën 43 shkrimi është në ngjyrë kafe të çelët,
    kurse prej fletës 43 deri në fletën 182 është në ngjyrë kafe të errët. Shkrimi i tekstit prej fletës
    288 deri në fletën 292 është i errët në të zezë. Kjo është grafi pak e imët. Në disa krerë
    perikopesh, sidomos tek vinjetat, grafia është me ngjyrë ari ose më saktë e shkruar me ar.
    Zbukurimet: Ky kodik ka pasur 11 vinjeta, nga të cilat vetëm ajo e fletës 184 ruhet. Kjo vinjetë
    përmban lule në ngjyrë blu në të gjelbër, të stilizuara, mbi një sfond ari të ndritshëm, siç janë
    dhe vinjetat e kodikëve më të hershëm, të shekullit të 10-të dhe të 11-të. Dy vinjeta të tjera si
    kjo janë prerë e marrë, duke dëmtuar dhe një pjesë të kolonës pranë. Këtë e vërteton titulli
    prej ari i perikopesë, si dhe nistorja në ar e me ngjyrë zbukuruese blu. Njëra nga këto ka qenë
    në fletën 293 dhe tjetra në fletën 203. Në këtë fletë është prerë edhe titulli i perikopesë me
    shkrim ari, si dhe iniciali i stolisur me ar e bojë blu. Nëntë vinjeta të tjera janë vizatuar prej
    linjash të holla të kuqe me motive të ndryshme gjeometrike, florale, të bukura. Këto, si dhe
    inicialet më të stolisura, me ngjyrë të kuqe, janë në fletët: 43, 293, 311, 320, 321, 332, 333,
    337 dhe 339.
    Gjendja fizike e kodikut është e mirë, përveç dy vinjetave që janë prerë e grabitur. Kodiku nuk
    ka pësuar ndonjë dëm tjetër.
    Si për grafinë e tij, si dhe dekorimet e vinjetave e të inicialeve, kodiku duhet t’i atribuohet
    shekullit të 11-të.

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 9-TË, I BERATIT
    (PERIKOPE UNGJIJSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 31.5 x 24 cm.
    Sasia e fletëve: 151.
    Teksti: Në dy kolona dhe përmban ungjij në perikope. Në fletën e parë, kolona e parë,
    gjendet një pjesë teksti nga jeta e martirëve. Në të njëjtën fletë, nga fundi i kolonës së majtë,
    është një poezi mbi martirët, e cila vazhdon edhe gjatë gjithë kolonës së djathtë deri në
    gjysmën e kolonës së majtë recto. Nën të fillon një perikope e letrës së Palit për hebrejtë.
    Kolona e djathtë në këtë faqe përmban perikopenë e Ungjillit sipas Gjonit, mbi pësimet e
    Krishtit. Kolona e majtë e fletës së dytë përmban një perikope të Ungjillit sipas Mateut. Nën të
    është tregimi mbi rigjetjen e relikeve të Shën Stefanit. Kolona e djathtë ka poezi kushtuar
    Shën Stefanit, shkruar me alfabetin e vjetër muzikologjik bizantin. Këto dy fletë, me tekste
    fragmentare, janë më të vona nga teksti kryesor (të shekullit të 13-të ose të 14-të). Me rëndësi
    janë kompozimet me nota bizantine në fletën 2, që, në krahasim me dorëshkrime të ngjashme
    që gjenden në përbërje të kodikëve të tjerë, tregojnë zhvillimin e tyre si traditë gjatë shekujve.
    Dy fletët e fundit të kodikut përmbajnë një tregim mbi martirizimin e dëshmorëve të Romës.
    Një kolonë e kësaj pjese të fundme duhet t’i atribuohet kohës prej gjysmës së dytë të shekullit
    të 11-të, deri në fillimin e shekullit të 12-të.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë, e cila përmban po ato dekorime të presuara që
    kanë dhe kapakët e Kodikut të 8-të të Beratit, me zbukurime të ndryshme lineare dhe florale
    të stilizuara.
    Kodiku përmban poezi kushtuar Shën Mërisë, si në faqen e parë recto, ashtu dhe në atë
    verso.
    Shkrimi është i imët dhe me rreshta jo të dendur. Duket sikur autori ka pasur për qëllim të
    vendosë paralelisht tekstin dhe notat.
    Kodi ruan një vinjetë formën e germës “p”-pi greke - në faqen 7, sikurse gjendet edhe në
    kodikë të tjerë të shekullit të 11-të. Ky ka po ashtu dy dekore florale të stilizuara, vizatuar me
    ngjyrë blu mbi sfond ari, me iniciale prej ari e bojë blu. Titulli i perikopesë shkruhet me shkronja
    ari. Vinjeta e dytë, gjithashtu, vendoset mbi sfond ari dhe ka linja blu me të bardhë, të rruzullta
    e të harkuara. Titulli me shkronjën nistore janë prej ari.
    Grafia: Në ngjyrë kafe në të kuqe.
    Dëmet: Fletës së dytë i mungon një e treta; pergamena e pjesës që ruhet është e ngrënë deri
    tek notat. Prej fletës 9 deri në fletën 12 ka një shqitje të lidhjes nga sipër, kurse fleta 13 ka të
    dëmtuar pergamenën në tre rreshta në kolonën e parë sipër. Fletët 75-76 janë prerë mjaft
    nga ana e poshtme, me sa duket duke shënuar vizat, të cilat orientojnë rreshtat dhe distancën
    e kolonave. Fleta 86 ka një të prerë të pjerrët në kolonën e majtë, kurse fleta 123 ka një të
    qepur prej gjysmës së kolonës së djathtë e deri poshtë në fund. Fleta 143 ka një fragment të
    grisur e të qepur në pjesën e poshtme të kolonës së majtë.
    Në përgjithësi gjendja fizike e kodit rezulton relativisht e mirë.

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,306
    Postimet në Bllog
    22
    KODIKU I 10-TË, I VLORËS
    (KATËRUNGJILLËSH)

    Materiali: Pergamenë.
    Përmasat: 28.2 x 20.3 cm.
    Sasia e fletëve: 305.
    Teksti: Në një kolonë, me shkronja të tipit të periudhës së mesme, në ngjyrë kafe.
    Kapakët: Prej dërrase, veshur me kadife të gjelbër dhe me dy pllaka argjendi mbi to.
    Pllaka e sipërme ka figurën e Krishtit të kryqëzuar dhe e poshtmja ka figurën e Shën Vlashit,
    punuar në basoreliev me sovajkë, pa ndonjë vlerë artistike. Eshtë punë e shekullit të 19-të.
    Duke qenë pronë e manastirit të Shën Vlashit, në shekujt e vonët kanë punuar e vendosur
    mbi të figurën e këtij shenjti.
    Datimi: Kopjim i fundit të shekullit të 11-të, që mund të shkojë deri në fillim të shekullit
    të 12-të.
    Autori i shkrimit dëshmohet nga shënimi autograf në fund të fletës së fundit, ku thuhet: „Këto
    shkrime janë të zotit Mina“.
    Ky kodik nuk ka pësuar dëme, përveç pesë fletëve të fundit, të cilat janë shkëputur nga vëllimi
    me gjithë kapakun.
    Zbukurimet: Ky kodik është një nga më të stolisurit dhe nga më të bukurit në përgjithësi për
    miniaturën e dorëshkrimeve tona mesjetare.
    Në faqet që paraprijnë fillimin e çdo ungjilli ruhen skenat me figurën e ungjillorit përkatës:
    - Në fletën 16 verso është skena e ungjillorit Mateu.
    - Në fletën 150 verso është skena e ungjillorit Luka.
    - Në fletën 236 verso është skena e ungjillorit Gjon.
    - Në fletën 3 ruhet një vinjetë e vogël në formë shiriti me dy linja të bardha të gërshetuara mbi
    sfond të kuq. Kjo vinjetë gjendet para listës së krerëve të çdo ungjilli.
    - Në fletën para listës së perikopeve, bashkë me përmbajtjen e secilës prej këtyre, është
    pikturuar nga një fasadë arkitekturore kishe të stilizuar, që qëndron mbi kolona mermeri, të
    cilat japin idenë se janë solide. Këto fasada janë të stolisura me kubera, punuar me ngjyra të
    ndryshme (blu, të kuqe dhe ar). Mbi to janë pikturuar zogj të ndryshëm, veçmas pallonj. Në
    krye të faqes së brendshme të secilës është shkruar titulli me shkronja kapitale ari,si p.sh.:
    „Krerët e Ungjillit sipas Mateut“.
    Para fletës me pikturën e çdo ungjillori pikturohet një katërkëndësh kënddrejtë, përkufizuar
    prej një shiriti të stolisur nga brenda prej linjash të kurbëta, të cilat lëshojnë gjethe të vogla të
    stilizuara me ngjyrë blu, të gjelbër ose të kuqe. Brenda katërkëndëshit është pikturuar një
    kryq i madh ngjyrë ari, nga fundi i të cilit dalin disa linja të lakuara, me të njëjtat ngjyra që kanë
    dhe kornizat. Kurse pranë Ungjillit sipas Lukës, para pikturës së kishës, ruhet një fushë
    katërkëndëshe stolisur gjithashtu prej linjash të kurbëta, vizatuar me ngjyrë të verdhë e të
    kuqe.
    Figurat e ungjillorëve janë pikturuar secila mbi një fasadë arkitekturore. Figura e Mateut gjendet
    mbi një fasadë bazilike me dy pirgje të vegjël anash dhe një kambanare në mes. Ungjillori
    qëndron i ulur para tavolinës së shkrimit, me mjetet e të shkruarit, duke lexuar tekstin që ka
    shkruar. E gjithë skena vendoset mbi një sfond ari. Në të tria anët kjo është e përkufizuar prej
    një shiriti mjaft të gjerë me lule jasemini mbi sfond ari. Shiriti sipër ka dhe një lepur, që e
    vështron një dhelpër.
    Figura e ungjillorit Luka duket si e pikturuar mbi një taracë të një godine me arkitekturë laikefamiljare.
    Ungjillori ka tavolinën e shkrimit para dhe shihet duke ndenjur mbi një karrige pa
    mbështetëse, në veprim, duke mprehur mjetet e shkrimit. Kjo ruhet relativisht shumë më
    mirë nga ajo e Mateut. Figura e Lukës qëndron ndenjur me një karrige me mbështetëse,
    duke shkruar ungjillin, të cilin e mban mbi gjunjë para tavolinës së shkrimit. Taraca ka një si
    tendë që qëndron mbi pesë kolona, me një mbulesë në formë palme, të gjitha mbi sfond ari.
    Në kornizën që e rrethon figurën, në pjesën e sipërme, është dhënë një dhelpër e strukur, që
    bëhet gati për t’iu hedhur një gjeli që nuk e ka parë rrezikun.
    Ungjillori Gjon pikturohet mbi një sfond shkëmbor, duke shikuar rrezet nga qielli dhe duke i
    diktuar nxënësit të tij, Prohorit, që po shkruan ndenjur mbi një tavolinë. Figura e Gjonitme
    Prohorin ngjan me një miniaturë të Cod. Gr. 41, i shek. të 12-të, që ruhet në Moske.
    Secili ungjill në faqen fillestare sipër stoliset me nga një vinjetë në formën e germës „p“-pi
    greke - me motive lulesh të stilizuara mbi sfond ari.
    Titulli i çdo ungjilli shkruhet me shkronja kapitale ari.
    Nistoret e çdo ungjilli janë pikturuar me ngjyrë blu dhe ar, në mënyrë artistikisht të veçantë.
    Fleta e fundit 305 ruan një shënim, me dorën e peshkopit Joasaf të Beratit, që mban datën 30
    mars 1889, ku thuhet se „ky kodik është pronë e kishës së Shën Vlashit të Vlorës“.

Faqja 0 prej 11 FillimFillim 1210 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Kodiku i Purpurtë i Beratit dhe Kodiku i Artë
    Nga Brari në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 26-03-2021, 08:43
  2. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  3. Projektet greko-serbe për pastrim etnik
    Nga Drini_i_Zi në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 136
    Postimi i Fundit: 03-03-2009, 08:19
  4. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •