Në përkthimin e Dhori Qiriazit nga Libri i këngëve i Françesko Petrarkës (1304 -1374) disa prej soneteve (Petrarka shkroi 336 lirika për të në mbi 40 vjet) kushtuar Laureta de Noves.
I.
Ju që dëgjoni vargjesh zërin tim,
Ato psherëtima q’ushqyen zemrën time
Kur isha i ri e rashë në gabime
E tjetër isha në moshë, në lulëzim.
Me tjetër varg po qaj me pikëllim
Të shkimet shpresa, dhimbje e kotësi
Që i njeh mirë, kush ra në dashuri,
Të falur s’dua, po vetëm përdëllim.
Dhe un’ e di, të gjithë më kuptuan,
Shkoi gjatë kjo përrallë’ rreth meje, për çudi,
Sa prej vetvetes vetë më erdhi rëndë.
Por ky është fryt i shpirtit tënd kur vuan:
Pendesë ësht’, delir, nëse s’e di,
Se ç’të pëlqen e shkurtër është si ëndërr.
XXVI
Gëzimi humb, kur s’duket gjë mbi tokë,
Anijen kur e egra valë e mund:
Të dhimbsen naftët e gjorë më në fund,
Kur zallit falen, të zhyer bërë trokë.
S’ka gaz në burg, ke hekurin mbi kokë,
E hallk’ në qafë që të godet, të mbyt,
Dhe shpat’ e zhveshur në luft’ e gjak të zhyt,
Kupidi Zot me ty lufton, hap gropë.
Dhe ju qtë lëvduat nëpër rima
Fjal dashurie atij në varg i thatë,
I ktheni nderin se vrau në jetë kaq trima,
Pse thau një shpirt të mikut tim të ngratë?
Ja, këtij Zoti lavd i thurt’ shpesh herë
Për ç’ju punoi nëntëdhjet’ e nëntë herë.
XXXII
Sa më afron mbi dhe e fundmja ditë,
Aq më i shkurtër më bëhet dhe mjerimi,
Dhe aq më shumë më hyn në shpirt dyshimi:
Nëse jetova këtu pa mend, pa dritë.
I thashë zemrës: dhe pak s’do shkojnë ditë
Dhe dashuria do shuhet dalngadalë
Nën një dëborë që bie palë-palë,
Të fundmin gjumë këtu do të flesh, o shpirt.
Edhe nga pas do bjerrësh keq çdo shpresë
Që ti në gji e mbajte kaqe gjatë,
Të qeshurit, dhe lotët, çdo dënesë.
Po e tanishmja duket fare qartë:
Sa shpesh nxitojmë, lakmojmë lumturi,
Sa shpesh pasioni na kall ne në jermi!
XXXIII
Dhe Ylli i Dritës nga Lindja fërfëllonte,
Arush’ e Madhe kthehej në Veri,
Ajo që Erës i ngjall xjelozi
E drit’ të bardhë si fashë posht’ lëshonte.
Ish çuar lart e boshtin rrotullonte
Përgjysm’ e zhveshur penj’ tirrte për shtëpinë,
Dashnorëve u nxiste dashurinë,
Siç kish zakon, me lot i përvëlonte.
E imja shpresë e tretur po lëngonte
Si një qiri që dridhet, flakërin,
Si ëndërr e fikur që sillte veç trishtim.
Oh, sa gëzim të ngrihej e përtërirë!
Më ngjau se thaë përse e humb fuqinë?
Vështromi syt’ e behem un’ më mirë.
XXXVIII
S’ka lumë që hesht, o kont, s’ka patur kurrë,
S’ka det vërtet ku s’derdhet ndonjë lumë,
S’ka mur e ledh, a pyll me gjethe shumë,
S’ka re që lag qiellin fsheh e murrme,
Pengesë s’ka, o cop’ o vel, o pëlhurë,
që syt’ e mi t’i fsheh prej saja prorë;
ato vështrime të ëmbla njerëzore
më ngjajn’ se thonë: me lot po shkrin qyshkur.
E kur në tokë vështrojn’ ashtu të qetë,
Për shtysë në tokë, për preh, për kusëri,
Natyra ngjan kanatat se mbyll vetë.
E dor’ e bardhë më shfaqet përsëri
Që sjell mërzi, më ngjan me to më prek,
Kuir syn’ e saj me timin e përpjek.
LXXV
O sy të bukur që vrisni dhe pastaj
S’e mbyllni plagën, e lini të kullojë,
s’ka mirësi, as bar që ta shërojë,
As det me valë të thotë: po u ndaj!
Dikush më tha: “Pushoje atë vaj!
Ti për atë me vargje po na mbush!”
S’kam ç’dashuroj e mos më dasht’ askush
E për këtë nuk është faj i saj.
Jan’ ata sy që shpojn’ me përvëlime
Dhe Zotin tim e bënë të fitojë,
Shigjet’ e tij të shponte zemrërn time,
Jan’ ata sy të but që shkëndijojnë,
Që ndezur rrin’ e japin xixëllimë:
Të flas për ta s’ndjej lodhje e pushime.
LXXXV
Gjithnjë kam dashur, më fort ende po dua,
Po dashuroj me ethe dit’ për dit’
Dhe atë vend, ku lot lëshoj si krua
Ku dashuria me brenga më kapit.
Ësht’ koha kur rikthehen dashuritë
Dhe lulëzim për botën ësht’ kudo:
Ta kisha pranë atë që lëshon dritë,
Të rrinim tk si zemra ime do.
T’i vinte tok guxim e kush ka patur
Këta armiq, t’u bënte vend në zemër,
Megjithëse mbeten gjithnjë ata të dashur?
Fitova on’, o dashuri, pa emër!
Në diell shpresë s’do shihja asgjëkund,
Në vend të rroja, do vdisja më në fund.
CXXXII
Në s’është dashuri e ç’është pra e ç’ndiej?
Në është dashuri, e ç’është dashuria?
Në është e brishtë, ç’na vdes ne ashpërisa?
Në djeg me zjarr, me ç’ëmbëlsi na deh?
Në desha vetë, tani pse rri e qaj?
Në rashë keq e kujt t’i lutem vallë?
E keqe e këndëshme, o vdekje, vdekje e gjallë,
Kur s’kam asgjë, përse gjithçka po mbaj?
Dhe nëse mbart një dhimbje kaq të madhe,
Përkundër erës varka ime shkon
Në det me dallg’, pa prehje, pa timon.
Gabime plot, i lehtë në mendim,
As vetë s’e di tani se çfarë kërkoj,
Kam ftoht’ në verë, në dimër përvëlim!
Krijoni Kontakt