25Maj 2004
diplomacia
Ilir Malindi, ekspert i marrëdhënieve greko-shqiptare, zbardh incidentet e pathëna nga politika zyrtare e dy vendeve në vitet 1992-1994
Lëvizjet e qarqeve nacionaliste greke dhe investimet e tyre për gjetjen e realizuesve të politikës së" Vorio-Epirit" në Shqipëri
Ilir Malindi
Nuk kisha për ta dorëzuar para kohe librin tim “Ne dhe Greqia”, i cili do të jetë së shpejti në dorë të lexuesit, për vetë momentet që po kalon Shqipëria në marrëdhëniet me Greqinë.
Megjithatë, kam mendimin se këto marrëdhënie, dita-ditës po okupojnë jetën politike dhe ekonomike të vendit tonë, duke varfëruar e shkatërruar gjithçka shqiptare. Duke lexuar në një gazetë të përditshme kujtimet e një gjenerali grek, këshilltar i ish-kryeministit Kostandin Micotaqis, që ndërtoi platformën e re kundër vendit tonë, edhe pse gruaja e tij, Marika, është bijë e arvanitasve mjaft të pasur të Lamisë, më lindi idea për të publikuar pjesë të kujtimeve të mia dhe jetën në Athinë në vitet 1991-1994.
Si fillim, dua të them se gjeneralin Niko Grilaqis e kam njohur personalisht dhe më ka bërë përshtypje fakti që ai ka shprehur në një libër të tij, të gjitha detajet e politikës greke, pavarësisht se këto kamufloheshin në atë kohë nga politika zyrtare.
Në librin “Ne dhe Greqia” kam përdorur mjaft materiale që m´i ka servirur një miku im patriot, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, pasi atij dhe familjes iu bë atentat, por mundën të shpëtojnë për mrekulli. E falenderoj mikun tim për gjithë këtë punë të lavdërueshme kombëtare. Ky botim është edhe njëherë kujtesë për të gjithë ata politikanë të ndershëm, që të jenë të kujdesshëm ndaj strategjisë greko-serbe, që kanë marrë përsipër shkatërrimin e gjithçkaje shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë. Këto shkrime janë edhe kujtesë për disa politikanë që kanë shitur jo vetëm veten dhe familjen e tyre, por edhe çdo gjë shqiptare për dy pare të qelbura.
Po radhis në vazhdim disa ngjarje të rëndësishme dhe takime me “miq” në Athinë, ku vendin kryesor, më të rëndësishmin, e zë vdekja e personalitetit të padiskutueshëm kombëtar, të madhit arvanitas Aristidh Kola.
Humbje e madhe; na e vranë Aristidh Kolën
Më 11 tetor të vitit 2000, në një spital të Athinës, në moshën 55-vjeçare mbylli sytë një nga kolosët e letrave shqipe të shekullit XX, historiani, juristi dhe studiusi arvanitas, Aristidh Kola. Ai lindi në Thiva të Greqisë Qendrore, zonë e cila banohet tërësisht nga shqiptarët, që në Greqi thirren arvanitas. Aristidhi, si edhe mijëra e mijëra bashkëkombas të tij, u edukuan me frymën e dashurisë për traditat shqiptare, që trashëgoi kjo pjesë e popullatës shumëkombëshe e Greqisë së sotme, prej afërsisht 10 milionë banorë, ku 1/3 e saj përbëhet nga popullata shqiptare, si dhe pjesa tjetër nga kombe dhe kombësi të ndryshme.
Aristidh Kola studioi për jurispudencë në Athinë dhe pas mbarimit të universitetit, për shumë kohë iu përkushtua traditave kombëtare të shqiptarëve në Greqi. Ai përfundoi librin e tij të famshëm, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, që bëri një jehonë të jashtëzakonshme në të gjithë Greqinë, si dhe në diasporën e saj jashtë vendit; njohu 9 botime brenda dhjetë vjetëve. Kola botoi revistën tashmë të njohur, “Besa”, si dhe revistën tjetër periodike, “Arvanon”. Këto revista bënin edukimin e shqiptarëve të Greqisë me traditat e shkëlqyera të tyre historike. Këto flisnin, gjithashtu, për autoktoninë e shqiptarëve të Greqisë, si dhe kultivonin kulturën, traditat, zakonet shqiptare në këtë vend. Dihet, se në Greqi ka influenca të tjera të kombeve dhe kombësive, siç janë sllavo-bullgarët, që shtrihen në veri të Greqisë, turqit, që shtrihen në veri-lindje të këtij shteti, romano-vllehët, evgjitët, që nuk janë pak në këtë shtet, por i kalojnë tre milionë banorë, si dhe popullata katolike, izraelite dhe egjyptiane. Pra, për të mbrojtur këto doke dhe zakone, në këtë konglomerat popujsh të ndryshëm të Greqisë, këto revista kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për të ruajtur ndjenjat kombëtare të arvanitasve.
Kontributi i tij kombëtar
Aristidh Kola botoi thirrjen e shqiptarëve të Greqisë, që u bë në fund të shekullit XIX, gjë që hodhi dritë mbi lidhjet e shumta të shqiptarëve të Ballkanit, të cilët kërkonin një shtet të bashkuar, që fillonte nga Veriu i Shqipërisë së asaj kohe, në Nish të Serbisë e deri në Selanik të Greqisë. Ky shtet do të kishte një popullatë shqiptare me pakica greke dhe sllave, në shumën jo më pak se 13 milionë banorë. Në vargun e shumë librave të Aristidhit, është edhe libri “Greqia në çarkun e Jugosllavisë së Millosheviçit”, i cili u botua edhe në gjuhën shqipe. Aty Kola përshkruan në mënyrë reale marrëdhëniet greko-sërbe dhe njëkohësisht, denoncon kombinacionet e tyre karshi kombit shqiptar dhe influencat negative mesjetare të ortodoksizmit greko-serb në Ballkan. Aristidhi bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me shqiptarët e Amerikës, me mikun e tij të ngushtë, Antonio Belushi, në Kozenca të Italisë, me intelektualët e Kosovës, të Maqedonisë, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës, nga të cilët kishte dalë edhe i madhi Napoleon Bonoparti. Kola, në mënyrë heroike mbrojti në dhjetëra emisione televizive, si dhe në mjetet e informimit grek, luftën e UÇK-së, e ju kundërvu propagandës së neveritshme e të ndyrë të qarqeve ultranacionaliste greko-serbe, kundër vëllezërve tanë kosovarë, gjatë masakrave të barbarëve serbë në Kosovë dhe përkrahu bombardimet e NATO-s në të ashtuquajturën Jugosllavi.
Kopla, si kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”, do të akuzohej nga forcat ultrashoviniste ortodokse greke, vazhdimisht për të vërtetën e ngjarjeve të Kosovës, si dhe për të vërtetën e shqiptarëve në Greqi, që ai i përfaqësonte nëpërmjet shoqatës së tij, njohur edhe nga ligjet e shtetit grek. Atë e hodhën në gjyq përfaqësues të organizatave ultranacionale greke, të cilat e kërcënuan edhe me vdekje. Nuk është rastësi që në të gjithë Athinën, në pranverën e vitit 1999, në ngjarjet e Kosovës, ishin shkruar me dhjetëra parulla ku kërkohej varja në litar e Kolës, pra, vdekja e tij.
Miku i madh i të gjithë shqiptarëve
I qeshur dhe i dashur, Aristidhi ishte mik i të gjithë shqiptarëve në Greqi, që shkuan atje gjatë këtyre viteve të fundit dhe sidomos, i intelektualëve shqiptarë, të cilët ai i ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Dera e shoqatës së shqiptarëve të Greqisë “Marko Boçari”, ka qenë gjithnjë e hapur. Kjo shoqatë, që drejtohej nga Kola, organizoi në të gjithë Greqinë tubime, aktivitete politiko-kulturore e të tjera, për Shqipërinë, si dhe për personalitete të rëndësishme shqiptare të Greqisë.
Aristidh Kola i përket brezit të kolosëve të kombit tonë. Ai, së bashku me Antonio Belushin, bënë të njohur zyrtarisht në vitin 1988, pranë organizmave ndërkombëtare se në Greqi jetonin mbi 2 milionë shqiptarë, si dhe kishte 600 qendra shqipfolëse. Kjo u bë publike edhe në shumë mjete të informimit, si dhe te revista “Lidhja e Kozencës”.
Aristidh Kola, së fundi ishte duke përgatitur fjalorin arvanitas-grek, që do të mund të bënte diferencimin e gjuhës shqipo-arvanitase me atë zyrtare greke.
Aristidhi u sëmur në gusht të vitit 2000 me diagnozën leuçemi në gjak. Jam i sigurt se kundër tij janë përdorur doza vdekjeprurëse radioaktive ose goditje me mikrovalë, përballë zyrës së tij. Këtë ma kishte thënë më parë, vetë i ndjeri Aristidh, në kohën kur vuante nga e njëjta semundje, mbesa e tij. Ajo kishte dhembje koke dhe të dridhura, gjithmonë kur punonte në zyrën e Aristidhit. Më pas, familjarët e tij janë shprehur se nga kampionët e gjakut të Aristillit, dërguar jashtë Greqisë, niveli i radioaktivitetit në gjakut rezultoi nga 40 deri 50 herë mbi normalen.
Idea e madhe
Kola kishte hedhur idenë: “Greqisë nuk i vjen asgjë e keqe, nëse riktheheshin shqiptarët e përzënë në shekullin e kaluar, nga trojet shqiptare të Çamërisë. Përkundrazi, do të forcohej akoma më shumë miqësia me kombet dhe kombësitë, që e përbëjnë sot Greqinë.
Unë pata rastin që ta vizitoja Aristidh Kolën në ditët e fundit të jetës në spitalin e Athinës “Evangjelizmos” dhe e pashë gjendjen e pashpresë të tij. Aristidhi më tha se ishte i gëzuar që gazetat e Shqipërisë kishin shkruar për sëmundjen e tij. I dhashë kurajo, duke i thënë se do të shërohej shpejt. Së bashku me ambasadorin shqiptar në Greqi, mikun tim të vjetër, Kastriot Robo, e kishim shprehur dyshimin për “sëmundjen” e Kolës dhe mundësinë e eliminimit të tij nga shërbimet sekrete greke. Dy ditë para vdekjes së Kolës, më 09.11.2000, së bashku me zotin Robo, e vizituam atë përsëri. Pak para se të ndaheshim, Aristidh Kola na tha: “Ju lutem, mos ushqeni asnjë iluzion; mua më vranë dhe kështu si me mua, kanë vepruar edhe me dy kryetarët e tjerë të shoqatës “Marko Boçari”, të cilët vdiqën po nga “leuçemia”. Unë këto fjalë ua kam thënë të gjithë miqve të mi”.
Më erdhi shumë keq për vdekjen e tij më 11 tetor 2000, atë natë kur ekipi ynë kombëtar mundi me rezultatin 2 me 0 ekipin grek në Tiranë.
Ne kishim humbur një nga njerëzit më të medhenj të kombit tonë, që gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare të Greqisë e më tej.
Aristidh Kola u varros më 13 tetor 2000 në varrezat e Athinës, i përcjellë nga qindra e qindra shqiptarë të Greqisë dhe Shqipërisë.
Në varrin e të madhit Aristidh Kola u vendosën kurora të shumta nga personalitete të ndryshme arvanitase të mbarë botës, nga presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, si dhe kryeministri shqiptar, Ilir Meta.
Si e njoha këshilltarin e Kostandin Micotaqis
Ishte pranvera e vitit 1991 kur u drejtova për të kërkuar azil politik në një zyrë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Athinë, që ndodhej pikërisht në rrugën “Arakovis 39”. Rastësisht, takova një të njohur nga Himara, që kishte punuar si mësues në Skrapar. Me këtë njeri isha njohur në rrethana të vështira, atëhere kur im atë, Teki Malindi, e shpëtoi nga burgu për veprimtari antiqeveri. Më vonë, mësova se ai ishte në lidhje me shërbimet sekrete greke dhe ishte në përpunim nga Sigurimi i Shtetit.
Himarioti më këshilloi që të mos kërkoja azil politik, pasi sipas tij, të gjithë zyrtarët e këtij institucioni ndërkombëtar, ishin agjentë të shërbimeve greke. Po ashtu, sipas tij, “kundër” meje ishte edhe fakti se në kërkesën e paraqitur për azil, përmendej edhe veprimtaria ime për pavarësinë e Kosovës. Miku im, nisur nga këto, mendonte se nuk isha i përshtatshëm as për agjent dhe as për azil politik, madje, do të përndiqesha deri në largimin tim nga Greqia, një vend që nën peshën e ortodoksizmit ekstrem të kishës greke, do të poshtëronte shqiptarët, do të tallej me ta, për mëse 14 vjet me radhë.
Një ditë maji të vitit 1991, miku nga Himara më ftoi në një kafene, pasi do të takohesha me njerëz tepër të fuqishëm, që kishin në dorë fatet e Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajturin nga ultranacionalistët grekë, “Vorio-Epir”. Në atë bisedë ishte edhe Nikos Grilaqis, këshilltar i kryeministrit grek Kostandin Micotaqis, Niko Benetis, avokat dhe përfaqësues i drejtpërdrejtë i Nikolas Gejxh, si dhe disa drejtues të shoqatave “vorioepirote” të Athinës.
Ish-mësuesi nga Himara më prezantoi si një mikun e tij, jurist me përvojë në Shqipëri. Ai kishte dalë garant për mua dhe dihej që gjithçka që do të bisedohej, do të mbahej sekret.
Të them të drejtën, u befasova kur në bisedë e sipër, Benetis, përfaqësues i Nikolas Gejxh dhe Kris Qirkos, kryetar i Federatës Panepiriote në Amerikë, Kanada dhe Australi, diskutonin për copëtimin e Shqipërisë, si dhe drejtimet që do të merrte politika greke në lidhje me këtë.
Ishte muaji i pestë i vitit 1991 dhe ne shqiptarët që kishim ardhur në Athinë nuk e kishim aspak të qartë atë që do të bëhej me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Më tej, Niko Grilaqis tha se qeveria greke ka njerëz në Shqipëri, të cilët po punonin për këtë qëllim. Ai tha se Nikolas Gejxh kishte marrë kontakte me opozitën shqiptare, shumë kohë para ardhjes së demokracisë dhe se po punonin shumë për të imponuar politikën greke kundër Shqipërisë.
Faktikisht, unë nuk dija greqisht dhe përkthimin nga kjo gjuhë e bënte mësuesi nga Himara. Biseda nisi “të merrte flakë”, sepse në këtë kohë, Antonis Benetis tha: “Ne jua kemi dhuruar çekun e bardhë. Ne i dhamë Partisë Demokratike me miliona dhrahmi. Tani dhe priftin tonë grek e kemi gati t’ia dhurojmë Shqipërisë. Helenizimi i Shqipërisë është çështje muajsh dhe ditësh”. Menjëherë pas deklarimeve të tij, ai qeshte me të madhe. Isha tepër i tronditur nga ato që dëgjoja dhe pas disa ditësh, shkova në ambasadën tonë në Athinë. Atje takova një diplomat dhe i thashë ato që kisha dëgjuar. Ai më tha: “Shiko të gjesh ndonjë punë dhe mos u merr me këto gjëra, se do të hash kokën”. Më vonë mësova se ai ishte larguar për në Amerikë dhe se përfaqësuesi i shërbimit sekret shqiptar në ambasadë, pas vitit 1992, ishte rekrutuar nga EIP-ja, Shërbimi Informativ i Greqisë. Ky shërbim kishte investuar në Shqipëri me qindra milionë dhrahmi, duke vënë në shërbim të tij biznesmenë, njerëz të veçantë e madje, edhe politikanë, të cilët do të bënin “mësymjen totale”, shkatërrimin e çdo gjëje shqiptare deri në shkatërrimin e shtetit në Shqipëri, siç ndodhi në vitin 1997, por faktori ndërkombëtar dhe miqtë tanë, bënë që të dështojnë pjesërisht planet e shovinistëve grekë.
Takimi me agjentin sekret, Takis Themelis
Nuk do ta harroj kurrë takimin në Kakavijë me punonjësin e Shërbimit Informativ të Greqisë, Taqis Themelis. Takimi ishte personal dhe lidhej me dyshimin që punonjësit grekë në pikën e kalimit kufitar, kishin për rregullsinë e vizës sime.
Taqis ishte nga zona e Çamërisë dhe e zotëronte gjuhën shqipe, pavarësisht se ai bënte sikur nuk e kuptonte atë. Faktikisht, pas disa provokimeve, ai përmendi fjalë në gjuhën tonë. Megjithatë, biseduam greqisht dhe në bisedë e sipër, kur ra fjala për Jugosllavinë, i thashë se e kisha vizituar Beogradin dhe më kishte pëlqyer. Ai e miratoi atë që përmenda. Atëhere, nuk m’u durua dhe i thashë: “Ju shkoni në Beograd për të blerë dosjet e agjentëve serbë në Shqipëri, të cilët më parë i kishte në lidhje UDB-ja”. Pas kësaj, zoti Taqis më pa rreptë, më tha se duhet ta linim këtë bisedë dhe kërkoi që të sqaroja vetëm problemin që kisha me vizën.
E thashë atë që përmenda më sipër, sepse kur kisha qenë në Zvicër, këtë gjë po bënin edhe zviceranët me agjentët e tyre serbo-kosovarë, të cilët i merrnin në lidhje, në shumë drejtime.
Vizita e kryeministrit shqiptar në Athinë
Më 17 maj të vitit 1993, kur po shoqëroja në kafen e mëngjesit kryeministrin Aleksandër Meksi, ndjeva se optimizmi i tij “si grip”, më ishte ngjitur edhe mua. Ndërsa zoti Meksi po dilte nga hotel “Grand Britania”, për të shkuar 500 metër më tutje në rezidencën e kryeministrit grek, besova me gjithë shpirt se do të bëheshin gjëra mjaft të dobishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, e sidomos, për emigrantët shqiptarë, që tashmë e ndjenin deri në palcë peshën e robërimit e të poshtërimit.
Mbaj mend se të dy kryetarët e shteteve, i cilësuan bisedimet tepër konstruktive e rezultative dhe, madje, nuk harruan të citojnë formulën e zakonshme se “një etapë e re u çel në marrëdhëniet dypalëshe”. Ndërkaq, Athina e kishte lënë pa përgjigje ftesën e Tiranës për nënshkrimin e një traktati miqësie e bashkëpunimi. Të dy burrat e shtetit, Micotaqis dhe Meksi, nuk dhanë hollësira për këtë. Po atë natë, unë do të pyesja ministrin e Jashtëm, Papakostandinu, nëse pati ndonjë problem në bisedime që nuk e mundësoi nënshkrimin e këtij traktati, por ai më tha se nuk kishte ekzistuar ndonjë problem në to.
Në të vërtetë, sinjali i parë se diçka nuk kishte shkuar mirë në bisedime, u dha të nesërmen në gazetën “Elefthero Tipos”, e cila është një nga gazetat më të mëdha të Partisë Demokracia e Re, që ishte në pushtet.
Me një titull, që zinte gjysmën e faqes së parë, gazeta jepte alarmin: “Po ligjërohen shqiptarët”. Vetëm disa orë më pas, zëdhënësi i qeverisë, Vasilis Manginas, do të deklaronte para gazetarëve se mes Micotaqis dhe Meksit nuk ishte diskutuar fare çështja e emigrantëve klandestinë shqiptarë. Ishte ndoshta hera e parë që zëdhënësi e përgënjeshtronte shefin e vet. Nëse, Micotaqis, në konferencën për shtyp kishte thënë se po shqyrtohej mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje që do të ligjëronte praninë në Greqi të shqiptarëve si punonjës sezonalë, zëdhënësi thoshte se nuk ligjërohet asnjë shqiptar në Greqi dhe se ato që shkruheshin, nuk i përgjigjeshin realitetit. Nga ana tjetër, në deklarimin e saj presidentja e Institutit Shtetëror të Fuqisë Punëtore thonte se do të jepeshin 30 mijë leje pune për të papunët e Shqipërisë fqinje e se këta punëtorë do të aktivizoheshin në punët e stinës në bujqësi. Më 18 maj gazeta “Ta Nea” e paralajmëronte me tone më të buta ligjërimin e emigrantëve kur shkruante: “Me një tjetër tërheqje të palës greke në çështjen e emigrantëve klandestinë, u realizua në Athinë takimi Micotaqis-Meksi”. Natyrisht, mes këtyre deklaratave, nuk ishte i vështirë qëndrimi kontradiktor i Micotaqis, i cili bënte lojë me dy porta...
Panorama
Krijoni Kontakt