Close
Faqja 0 prej 9 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 173
  1. #1
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625

    Poezitë më të mira të shqipes

    Njëqind poezitë më të mira të shqipes

    Ju ftoj të gjithëve të sillni në këtë temë ato poezi që mendoni se meritojnë të hyjnë në “Njëqind poezitë më të mira të shqipes” për të gjitha kohrat.
    Kemi për të zgjedhur midis mijra të tillave, qindra autorëve, dhe shekujve. Të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, të kenë dalë fitimtare mbi kohën, të sjellin prej krijimit e në vazhdimësi mesazhin e tyre të pacënuar, për nga bukuria ti kenë shoqet e rralla, të jenë ato që mbajmë mend e ja recitojmë vetes a të tjerëve kur fjalët tona nuk mjaftojnë, shkurt të jenë më të mirat.
    Do tju lutesha për dy gjëra,
    Së pari, për një shënim të shkurtër a koment mbështetës në fund të cilësdo poezi që do të sillni, por dhe për të kundërtën, një shënim mospranues për ato të postuara nga të tjerët;
    Së dyti, të robëruarit nën magjinë e një autori të veçantë të bëjnë ç’mundin që të mos sjellin më shumë se dy apo tre krijime prej tij, me dëshirën e mirë që kjo të jetë një buqetë shumëngjyrëshe.
    E nesë e gjitha kjo bën përpara, mbase në tema të tjera, prej këtij trungu mund të ndajmë degë të tjera, “Njëqind poezitë më të mira të dashurisë”, apo ”Njëqind poezitë më të mira për atdheun”.

    Po e nis postimin me më të rrallën midis tyre, atë që prej krijimit vazhdon ti ngrejë shqiptarët në këmbë, e prej të parit e deri tek i fundit i dinë dy vargje:

    Asdreni

    Betimi mi flamur

    Rreth flamurit të përbashkuar
    Me një dëshir’ e një qëllim,
    Të gjith’ atij duk’ iu betuar
    Të lidhim besën për shpëtim.
    Prej lufte veç ay largohet
    Që është lindur tradhëtor,
    Kush është burrë nuk frikohet,
    Po vdes, po vdes si një dëshmor!

    Në dorë armët do t’i mbajmë
    Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
    Të drejtat tona ne s’i ndajmë;
    Këtu armiqtë s’kanë vënt.
    Se Zoti vetë e tha me gojë
    Që kombe shuhen përmbi dhe,
    Po Shqipëria do të rrojë;
    Për të, për të luftojmë ne!

    O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
    Te ty betonemi këtu,
    Për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
    Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.
    Trim, burrë quhet dhe nderohet
    Atdheut kush iu bë theror;
    Për jet’ ay do të kujtohet
    Mi dhet mi dhet si një shenjtor!

  2. #2
    DD urimet me te mira si inisiator i kesaj teme, mjaft te bukur.
    Eshte veshtire te zgjedhesh midis nje numri te madh krijimesh dhe autoresh, ku secili ka bukurine dhe vecantine e vet.
    Postimin e pare qe po sjell eshte poezia Fjala nga Xhevahir Spahiu. Eshte nje krijim mjaft domethenes, si simbol i lirise se njeriut.


    FJALA

    I thane fjales: tani je e lire
    Po fjala s’ kish fuqi t’u thosh: nuk me duhet
    E c’ me duhet
    kur s’ u thashe atehere kur duhet?
    Kam mbetur pa krahe,
    Kam mbetur pa qiell,
    Jam jete pa enderr,
    Jam enderr pa jete.
    I thane fjales: je e lire
    Veshtire, tha fjala, sa veshtire
    Te besosh se je e lire;
    Pasi ke ngrene rrokjet e tua,
    Pasi ke mbetur cung
    Dhe liria behet burg .
    I thane fjales: liria jeton.
    Fjala ua ktheu :
    S’jam si Kostandini qe pas vdekjes udheton
    I thane fjales: ti je liria
    Per ta kuptuar kete duhet fare pak
    Ajo e besoi,
    Ajo hapi gojen,
    Por ne vend te tingujve
    Prej saj doli gjak
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #3
    Unquestionable! Maska e Cupke_pe_Korce
    Anëtarësuar
    24-06-2002
    Postime
    1,602
    Recital i Malcorit

    O' si nuk kam nji grusht të fortë
    t'i bije mu në zemer malit që s'bëzanë,
    ta dij edhe ai se ç'do me thanë i dobët -
    n'agoni të përdridhet si vigan i vramë,

    Unë - lugat! Si hij'e trazueme,
    trashëgimtar i vuetjes dhe i durimit,
    endem mbi bark te mallit me ujen e zgjueme
    dhe me klithma të paknaquna t'instinktit.

    Mali hesht. Edhe pse për dite
    mbi lëkure të tij, në lojë varrimtare,
    kërkoj me gjete nji kafshate ma të mirë...
    Por me rrenë shaka shpresa gënjeshare.

    Mali hesht - dhe në heshtje qeshë.
    E unë vuej - dhe në vuejtje vdes!

    Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qeshë?
    Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

    O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm!
    Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë
    Ta shof si dridhet nga grusht'i paligjshëm...
    E unë të kënaqem, të kënaqem tu u qesh.
    . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

    Migjeni
    Ndryshuar për herë të fundit nga Cupke_pe_Korce : 09-01-2004 më 23:50
    Summertime, and the livin' is easy...

  4. #4
    pa he!... Maska e korçar
    Anëtarësuar
    18-10-2002
    Vendndodhja
    NO god'S LAND
    Postime
    666
    Nga Petro Marko...

    APOLOGJIA IME
    (JETES)


    ...Marrezi, turp turp dhe
    mekate
    per jeten e terbuar
    se kur me ndal, o gjenerate,
    qe vuan rruges ndonje nate,
    me merr per te denuar
    dhe, me nje ze qe vret,
    ngahera me pyet:
    -Ku linde, o i ri?
    -O jete, linda ne shkreti!
    -Ku rron dhe ku vete,
    ne c'dhera e ne c'dete?!
    -Cudi! C'kerkon prej meje ti
    dhe si, o jete, pyet,
    kurse ne varferi
    me hodhe kur me gjete
    te lindur nga skelete
    pa drite, pa liri?
    -Njeri!
    Nga vete, as me thua?
    -S'e di! Jo, Nuk e di!
    Po lerme, o jete, c'ke me
    mua?
    -Dua ta di, po dua!
    -Atehere, jete e krisur,
    per mua mos pyet
    se qysh ne n'agim kam nisur
    te shkel si skllav i shkrete
    mbi gjurma shprese drite...
    . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
    -O mekatar,
    as faliu ligjes sime,
    bindu i cmendur enderrtar,
    s'jeton me shqetesime!...
    -Mu thell' ne brendesire
    ku ndjenja rron e lire,
    ku dhembja dhemb e prekur
    nga ligja jote e fuqiplote,
    ne gjirin tim si hekur,
    si hekur e celik,
    qello,qello, o me kamxhik;
    pa frik' e pa meshire
    e pa pendim,
    se mu ne thellesire
    te shpirtit, ne nje kend,
    lindi nje shqetesim
    qe celi varrin tend...
    "Oj nan moj, thenke, a ma ep thiken ta prej Ameriken?"

  5. #5
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Ndre Mjedja

    Vaji i bylbylit

    Po shkrihet bora,
    Dimri po shkon;
    Bylbyl i vorfën,
    Pse po gjimon?

    Pushoi murrlani
    Me duhi t’vet;
    Bylbyl i vorfën,
    Çou, mos rri shkret.

    Gjith’ fushët e malet
    Blerimi i mbëloi;
    Livadhi e pema
    Gjithkah lulzoi.

    Ndër pyje e ograja,
    N’ma t’mirin vend,
    Me rreze dielli
    Po e gëzon gjithkend.

    E tuj gjimue
    Shkon rreth e rreth
    Nji prrue që veret
    Rrjedh nëpër gjeth.

    A çilë kafazi,
    Bylbyl flutro;
    Ndër pyje e ograja,
    Bylbyl, shpejto.

    Kurrkush ma hovin
    Atje s’ta pret;
    Me zeher hajen
    Kurrkush s’ta qet.

    Kafaz ke qiellin,
    Epshin pengim;
    E gjith’ ku t’rreshket
    Shkon fluturim.

    Nëpër lamie,
    Ke me gjrtë mel;
    Për gjith’ prendverën
    Njajo buk’ t’del.

    E kur t’zit edi
    Ndër prroje pi;
    Te njato prroje
    Që ti vetë di.

    Tash pa frikë çerdhen
    E mban n’ndo’j lis;
    Nuk je si ‘i nieri
    Që nuk ka fis.

    E kur t’vij’ zhegu,
    Kur dielli shkon,
    Ti ke me këndue
    Si ke zakon.

    Rreth e rreth gjindja
    Me t’ndie rri;
    Prej asi vendit
    Ndahen me zi.

    A çilë kafazi,
    Bylbyl, fluturo;
    Ndër pyje e ograja,
    Bylbyl, shpejto.

    Ndër drandofille,
    Ndër zambakë nga;
    Ku qeshte kopshti,
    Idhnim mos mba.

    Po shkrihet bora,
    Dimni po shkon;
    Bylbyl i vorfen,
    Pse po gjimon?

    II

    Por vaj! Se ‘i dimën tjetrë
    Paske, o bylbyl i shkreti;
    Pa da ty zemra t’treti
    Mbas vajit që t’rrethon.

    Me lulzim t’vet prendvera
    Ty s’ta përtrin gazmendin:
    Jo kurrë s’e njifke shendin,
    Bylbyl, që po vajton.

    A thue po kjan, se çerdhen
    Ta ka shkatrrue skyfteri?
    A thue po kjan, o i mjeri,
    Se me rrnue gjallë s’ke mel?

    Ndrrojn’ edhe stinët e motit,
    E për çdo herë ndron era.
    Mbas dimrit vjen prendvera,
    Mbas borës blerimi del.

    Veç ti me idhnime t’tuja
    N’zemër gjithmonë po pihe,
    E ditë e natë po shkrihe
    Mbas vajit që t’mundon.

    Kur a tuj ardhun drita
    Ndihet tuj këndue shpendi,
    E n’këngë i duket shendi,
    Që zemrën ia gazmon.

    Gjetiu ndër pem, ndër lule
    Shkon e fluturon bylbyli;
    N’at erë që jep zymbyli
    Vjollca e zambaku nget.

    Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm,
    Ty t’paska ndry mizori,
    E kurrnjiherë nuk t’nxori
    Me t’lëshue ku zemra t’thrret.

    Ti kurr, nji kangë s’ia këndove
    Diellit kur nadje çohet;
    Zemra me vaj t’coptohet
    E me pajtue nuk don.

    Ndoshta kujdesi i t’tujve
    Gjith’ ket hidhnim ta qiti,
    E shendin ta shutiti
    E vshtira që i mundon.

    T’burguem i bani gjindja
    Veç përse donë me ndie
    Njat za që lëshojnë me hije
    Që t’knaq e që t’ban rob.

    Çdo krajl i madh ndër shpija
    Ty t’mba m’u thanë i veti;
    Vetë bukuria, o i shkreti,
    Kena për ju nji kob.

    Përse tu ndeja e t’mëdhajve
    Nji shpend i vogël s’ndalet;
    Shpendit i kande malet,
    Çerdhen e t’parve do.

    Me at zanin tand t’përmallshëm
    Ndoshta ti ankon këto t’vështira;
    Derisa t’kthejn’ e mira,
    Bylbyl, papra gjimo.

    III

    Por njaj vaj që je tuj lëshue,
    Bylbyl, zemrën ma copton;
    Ditë e natë rri tuj prigjue,
    Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?

    Gjama jote a porsi ankimi
    I nji fëmijës që vetun mbet;
    Gjama jote a si shungllimi
    I nji t’zezës që gja s’ pre.

    Porsi dnesë me futë në krye
    Nana e shkretë që mbet pa djelm;
    Njashtu tine rri tuj shfrye
    Njat idhnim që t’u ba helm.

    Puna jote, o i mjeri, m’mbyti
    E kurrkund nuk m’len pushim,
    Shkoi nji muej, po shkon i dyti
    T’zezat t’tua s’kanë mbarim.

    Tash ndër arë lulzoi qershia
    E me borë dimni po shkon:
    Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia,
    Gjama jote kurr s’mbaron.

    Si t’burguemit n’ishull t’detit,
    Ku tallazi i thekshëm vrret,
    O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,
    Vaji zemrën ia pëlset;

    E papra n’ankime t’veta
    Vajton fisin që larg la;
    E tu fëmija i shkon si zgjeta
    Mendja e shkretë se mbet pa ta;

    Njashtu ti rri tuj vajtue
    N’njat kafaz që shungullon;
    Fisin tand rri tuj mendue
    T’zinë atdhe që s’e harron.

    Për fat tand, për zogj që kishe
    Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb;
    Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe
    Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.

    Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
    Me e pasë ndie njat vajin tand,
    Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
    T’kishin lypun kand e kand.

    Njat vaj tandin tuj kujtue
    Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net;
    Pveshtin hanën tuj gjimue,
    Pvetshin hyjt për prind të vet.

    Por aj kob që hana e diti
    E njaj vaj që ylli pau,
    T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti,
    E kurr zemra nuk ju ndau.

    Me ditë hyjt me bisedue,
    Me pasë sy që me derdhë lot,
    Vajin tand ju kishin prue
    T’kishin kja për jet’e mot.

    Nëpër fush’ e nëpër shpija,
    Me kujdes që s’nep afat,
    Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija,
    Kjamun t’kishte i ngriti fat...

    IV

    Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
    Ankimi e vaji nuk asht i zoti
    Përgjithmonë zemrën me na coptue;
    Fillo me gëzue.

    Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
    Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
    Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
    Fillo me gëzue.

    Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
    Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
    Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;
    Fillo me gëzue.

    Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
    Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
    Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
    Fillo me gëzue.

    Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi
    Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
    Por prap durimi ka me ja prue,
    Fillo me gëzue.

    Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
    E rishtas jashtë dikur i nxori;
    Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
    Fillo me gëzue.

    Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
    Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
    E kangët e parshme nisin me këndue:
    Fillo me gëzue.

    Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin,
    Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
    Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
    Fillo me gëzue.

    Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
    Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
    Edhe natyra po don m’u ndrrue:
    Fillo me gëzue.

    Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
    Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
    Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
    Fillo me gëzue.

    Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
    Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
    Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
    Fillo me gëzue.

    Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male,
    Afër shpisë seme hovin tand ndale;
    Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue
    Kam për t’u gëzue.

    Forma e përkyer, gjatësie e vargut nis me katër-gjashtë rrokësh në pjesën e parë, tetë në të dytën, nëntë në të tretën, dhejtë dymbëdhjetë dhe gjashtë rroksh në të katërtën. Rrima abcb në pjesën e parë, abbc në të dytën, abab në të tretën, aabb në të katërtën. A ka bylbyl të këndojë më larmishëm e më gjatë pa iu dridhur zëri një herë të vetme?
    Vargje shekspiriane:
    Me ditë hyjt me bisedue,
    Me pasë sy që me derdhë lot,
    Vajin tand ju kishin prue
    T’kishin kja për jet’e mot.
    për Bylbylin, presje mbas çdo shkrimi të fjalës si një përulje të thellë për të.
    Dymbëdhjetë herë, aq sa muaj ka viti, grishje “Fillo me gëzue”, e mbas tyre një mbyllje e papritur “Kam për t’u gëzue” që na bën ta nisim recitimin (leximi është i pakët) nga e para e nëse gjendet bylbyl të na shoqërojë të shohim kush i vajton më bukur fitores së jetës ndaj vdekjes, gazmendit ndaj idhnimit, lirisë ndaj burgut.
    Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
    Me e pasë ndie njat vajin tand,
    Kishin ardhë kudo që t’shkoshe,
    T’kishin lypun kand e kand.

    Ne erdhëm. Bylbyl, fillo me gëzue.

  6. #6
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485
    Bageti e Bujqesia - Naim Frasheri

    O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!
    Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!
    Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
    Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
    Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
    O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
    .................................................. .....................
    Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
    Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
    Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
    E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
    Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
    Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
    Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
    Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
    Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
    Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
    Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
    Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
    Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
    Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë
    .................................................. .................
    Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë përveshur,
    Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
    Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
    Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
    Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të vjen pas,
    Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas.
    Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
    - Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë
    .................................................. ...................................
    O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
    Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndija!
    Nëpër shesh' e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
    E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
    Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
    Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
    Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
    Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
    Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
    Secili futet në tufë, suletë ne mëm' e tija,
    Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
    Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
    Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
    Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
    .................................................. .............................
    Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
    E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë q'është në jetë!

    .................................................. ............................
    Qielli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
    E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
    Gjithë këto lule ç'janë, që u ngjallë menjëherë?
    Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
    Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
    Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj'erë e një ngjyrë,
    Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
    Sa është e bukur faq' e dheut! S'të zë syri gjë të metë.
    Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
    A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka dërguar?

    .................................................. ...........................
    Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
    Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç'vent'i kesh nxjerrë!
    O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
    O bukuroshe, t'u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
    Apo me dorët të bukur e more nga gjir'i Zotit,
    Nga qielli, nga parajsa, nga prehër' e plotë i motit?
    Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
    Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri' atje lulëzon!
    .................................................. .........................
    Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
    Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
    Si të punosh dit' e natë e të bësh ç'duhenë gjithë,
    Ahere kërko nga Zoti të t'apë bukëz' e drithë.

    Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
    Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t'ep Perndija.
    Puna ka duk e uratë, Zot'i math e ka bekuar,
    Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.
    .................................................. ..........................
    Qysh rroit mblet' e uruar dhe ven' e vin e lëçijnë,
    Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
    O ç'punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn' e mirë!
    N'apin dyllëtë, q'ep dritë, dhe mjaltë fjesht' ëmbëlsirë.
    Dhe punëtorët' e mirë m'atë mëndyrë punojnë,
    Edhe gjithë njerëzija me mundimt t'atyre shkojnë;
    Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
    Kush t'harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
    Një bën pluar' e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
    Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
    Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
    Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
    Edh' ajo miza përdhese, ç'i duhetë për të ngrënë,
    Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz' e ka vënë.
    Ka një punë të punonjë si çdo gjë q'është në jetë,
    Kshu e ka thënë me kohë Zot'i math e i vërtetë.
    .................................................. ........................
    Eshtë nj'udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
    I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj, e këmb' e dorë;
    Ngrihet i zot'i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
    E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
    Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
    Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
    Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh'e mbajnë me të mirë,
    I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën' e të pirë.
    Kështu të huajt' e miqtë njeriu q'është i uruar
    I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
    .................................................. ......................
    Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
    Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
    Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
    Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
    Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
    I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
    Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
    Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
    Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
    Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
    Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
    Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
    Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
    I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
    Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
    Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh gjithënjë në gas.
    .................................................. ...................................
    Nga gjithë ç'pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
    Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të të mbesë.
    Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
    Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e të drejtën ta njohç,
    Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
    Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj' e të të zgjonjë.
    Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
    Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa munduar.
    Where does a thought go when it's forgotten?

  7. #7
    instinkt i vetembrojtjes!
    Anëtarësuar
    24-05-2002
    Vendndodhja
    ne bahcen e shtepise time
    Postime
    351
    Gjergj Fishta - MRIZI I ZANAVET

    GJUHA SHQYPE

    1. Porsi kanga e zogut t'veres,
    Qi vallzon n'blerim të Prillit;
    Porsi i ambli flladi i erës,
    Qi lmon gjit e drandofillit:
    Porsi vala e bregut t'detit,
    Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
    Porsi ushtima e nji termetit,
    Njashtû â gjuha e jonë shqyptare.
    2. Ah! po; â, ambël fiala e sajë,
    Porsi gjumi m'nji kerthí,
    Porsi drita plot uzdajë,
    Porsi gazi i pa mashtrí;
    Edhè ndihet tu kumbue,
    Porsi fleta e Kerubimit,
    Ka'i bjen qiellvet tue fluturue
    N't'zjartat valle t'ameshimit.
    3. Prá, mallkue njaj bir Shqyptari,
    Qi ketë gjuhë të Perendís,
    Trashigim, qi na la i Pari,
    Trashigim s'i a lên ai fmís;
    Edhè atij i u thaftë, po, goja,
    Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
    Qi n'gjuhë t'huej, kúr s'âsht nevoja,
    Flet e t'veten lên mbas dore.
    4. Në gjuhë shqype nanat t'ona
    Shì prej djepit na kanë thânun,
    Se âsht nji Zot, qi do t'a dona:
    Njatë, qi jetën na ka dhânun;
    Edhè shqyp na thanë se Zoti
    Per Shqyptarë Shqypnín e fali,
    se sá t'enden stina e moti,
    Do t'a gzojn kta djalë mbas djali.
    5. Shqyp na vetë, po pik' mâ para,
    N'agim t'jetës kúr kemi shkue
    Tue ndjekë flutra neper ara,
    Shqyp mâ s'pari kemi kndue:
    Kemi kndue, po armët besnike,
    Qi flakue kanë n'dorë t'Shqyptarvet,
    Kah kanë dekë per besë jetike,
    Kah kanë dekë kta per dhé t'Parvet.
    6. Në këtë gjuhë edhè njaj Leka,
    Qi 'i rruzllim mbretnín s'i a xûni,
    Qi kah bijte ai, shkelte deka.
    Shekllit mbarë ligjë t'randë i vûni;
    Në këtë gjuhë edhè Kastriota
    U pat folë njatyne ushtrive,
    Qi sa t'ndrisë e diellit rrota,
    Kanë me kênë ndera e trimnive.
    7. Prá, Shqyptarë, çdo fés qi t'jini,
    Gegë e Toskë, malcí e qyteta,
    Gjuhen t'uej kurr mos t'a lini,
    Mos t'a lini sá t'jetë jeta,
    Por per tê gjithmonë punoni;
    Pse, sa t'mbani gjuhen t'uej,
    Fisi i juej, vendi e zakoni
    Kanë me u mbajtë larg kambet s'huej.
    8. Nper gjuhë shqype bota mbarë
    Ka me u njohtë se ç'fis ju kini,
    Ka me u njohtë jú per Shqyptarë:
    Trima n'zà sikurse jini.
    Prandej, prá, n'e doni fisin,
    Mali, bregu edhè Malcija
    Prej njaj goje sod t'brohrisin:
    Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnija!



    Gjergj Fishta - MRIZI I ZANAVET

    SHQYPNIJA

    1. Edhè hâna do t' a dije,
    Edhè dielli do t' két pá,
    Se per qark ksaj rrokullije,
    Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
    2. Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
    Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
    Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
    Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
    3. Nen nji qiellë perherë t' kullueme,
    N' rreze e n' dritë pershkue unjí,
    Bjeshkë e male të blerueme
    Si vigâj shtiellen n' ajrí.
    4. Ke ato bjeshkë e ke ato male
    Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
    Tue rrëmbye nper mriza hale,
    Gurgullojn nper rrâjë e curra.
    5. Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
    Léjn mande' ata djelm si Zâna,
    Armët e t' cillvet, p'rherë besnike,
    Janë permendë nder fise t' tana.
    6. Atje léjn, po Toskë e Gegë,
    Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
    Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
    Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
    7. Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
    Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
    Rijtun gjakut kah çeliku
    N' dorë t' ktij shndritë per vend t' të Parit.
    8. Ato male të madhnueshme,
    Ato, po, kanë mûjtë me pá
    Se sa forca e pafrigueshme
    N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
    9. Dridhet toka e gjimon deti,
    Ndezen malet flakë e shkndija,
    Ka' i frigueshëm, si termeti,
    Atje rrmben kû e thrret Lirija.
    10. Lume e shé para atij ngelin,
    I a lshojn udhen dete e male;
    Mbretent fjalen s' mund t' i a shkelin,
    Turrin ferri s' mund t' i a ndale.
    11. Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
    Ngrehe ballin si mbretneshë,
    Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
    Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
    12. Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
    Qi zanát ka besë e fé,
    Per Lirí, per fron të Mbretit
    Me dhânë jeten ka bâ bé.
    13. Sy per sy, po, kqyr anmikun;
    Perse djemt, qi ti ke ushqyue,
    S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
    Friga e dekës kurr s' i ka thye,
    14. Kaq të bukur, kaq të hieshme
    Perendija t' fali i Amshueshem,
    Sá 'dhe deka âsht per tý e shieshme:
    N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshem.
    15. Po, edhè hâna do t' a dije,
    Edhè dielli do t' két pá,
    Se per qark ksaj rrokullije,
    Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
    16. Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
    Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
    E me dije e me Lirí
    Per jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.
    Ji Vetvetja!

  8. #8
    Unquestionable! Maska e Cupke_pe_Korce
    Anëtarësuar
    24-06-2002
    Postime
    1,602

    Lasgush Poradeci

    VDEKJA E NOSITIT

    Me zjarr ju flas... me zjarr.
    Ne gjirin tim kam hapur varr...
    Qe t'i jap shprese-edhe t'ja marr...

    Un' ik liqerit zemerak
    Fatlum dh'i paster si zembak,
    Po zemra ime kullon gjak:

    Se vijne-urtuar zogjte-e mi,
    Dh'u jap ushqim me dashuri -
    Nje dashuri per Ilaftari:

    Pa nis ah! gjirin ta godas...
    Dh'e hap ah! gjirin me nje cas...,
    Dh'i nginj ah! zogjte-e vdes me gas !...

    Ahere-helmohet e bucet
    Pas mallit tim liqeri-i shkret,
    E rrit tallazin posi det.

    Ay e tund,ay e shkund,
    Ay e hap sa me te mund,
    Gjer mun ne gjit,gjer mun ne fund.

    E shpirtin dyke ma percjelle,
    Me thote ah! shih sesa 'sht'i felle
    Ky gjir'i em qe te pat pjelle...


    ...Me zjarr ju flas,


    Lasgushi, jo vetem lirikat filozofike, por edhe ato te dashurise i ka nga me te bukurat. DD, lejohet te postojme nga dy poezi?
    Summertime, and the livin' is easy...

  9. #9
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    14-11-2003
    Vendndodhja
    mendt e mija fluturojne mbi dajT
    Postime
    46
    Kadare

    NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

    Në parkun q'ë mbuluan fletët
    Të dy ne ecim qetësisht,
    Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
    Qilim të verdhë natyrisht.

    Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
    Ju fanit një muzg i vonë
    Ky park q'ë kan' mbuluar fletët
    Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

    Nga vagabondët me cigare
    Ti mos u tremb e dashur kot
    Imazhin tënd as dinosaurët
    Shekuj më parë s'e shtypën dot.

    Që ti të vije kaq e bukur
    Me këta flokë, me këtë hap
    Toka të egrën klimë e zbuti
    Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

    Dhe s'kish se si të ndodhte ndryshe
    Të ndodhte ndryshe s'kish se si.
    U desh të zhdukeshin përbindshat
    Që te kjo botë të vije ti...

  10. #10
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Nga Ismail Kadare:

    VALLJA SHQIPTARE.

    Tri herë opinga rrahu dheun
    Sikur kërkoi leje prej tij;
    Pastaj shamia palët ndehu
    Me qetësi dhe madhështi.

    Kështu mes qiellit dhe tokës
    Vallja u lind, vallja u shpall;
    Këmba sinjale i çon tokës
    Dhe dora qiellit i jep lajm.

    Dhe vallja rrokulliset tutje
    Mbi kohra hedhur si hobe;
    Prilli përsipër i hedh lule,
    Dhjetori borën shkund atje.

    Valle shqiptare, shënja në erë
    Ylbere tirqesh tej-e-tehu;
    Kush ju kërceu ju njëherë
    Dhe këmbët rob s'i mbenë tek ju?

    Kush ra midis vorbullës suaj
    Dhe s'u përzhit dhe s'u përflak,
    Ju bubullima me opinga
    Që nëpër shekuj brodhët varg?

    Nuk është rregull që njëqind më të mirat të jenë të njëjta me njëqind më të njohurat, qoftë dhe prej Kadaresë.

  11. #11
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Martin Camaj

    Me falni diçka

    Më falni diçka që më kënaq
    si puthja e nanës në ballë;
    më gëzoni një herë
    si gëzohet gjethi i njomë në puhi
    më shikoni si hana nëpër rremba
    e kam me u falë gjithçka:
    mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
    dhe në zgarrat e synit të saj
    do të derdhi lot.
    Avitu njeri!
    Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
    si bima prej fare në pranverë.

  12. #12
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Ali Podrimja

    Unë do të kisha atdhe

    Të kanë rrejtur
    se je më i bukuri
    ndër trimat me trimi
    më i vjetri ndër të moçmit

    Tjetër kush do të ishe

    Të kanë rrejtur
    se nënë ke ulkonjën
    krahët e orakullit
    se pi ujë në gurra të Drinit

    Tjetër kush do të ishe

    Të kanë rrejtur
    se je Zoti i Dheut
    se je Zjarr i Fshehur
    se mbi Pashtrik hapet qielli
    e pikë terri në pjatë të Djallit

    Tjetër kush do të ishe

    Dhe unë do të kisha Atdhe.

  13. #13
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fan Noli

    Rent, or Marathonomak!

    Rent, or rent, rent e u thuaj
    Se u-çthur ordi e huaj,
    Se betejën e fituam
    Dhe qytetin e shpëtuam!
    Rent, or rent,
    Rent, or Marothonomak!

    Kap një degë prej dafine
    Dhe vërtitesh ndaj Athine,
    Nëpër fush’ e brek mbi brek
    Këmba tokën as t’a prek,
    Hip’ e zbrit,
    Petrit, Marathonomak!

    Ke një plagë, po s’e the,
    Djers’ e gjak pikon për-dhe;
    Do që ti të jesh i pari,
    Për triumfin lajmëtari
    Flamur-gjak,
    Kuqo, Marathonomak!

    T’u-tha gryka po s’të pihet,
    T’u-mpi këmba, po s’të rrihet,
    Se mileti po të pret,
    Ankthi zemrat ua vret,
    Vrer e tmerrr,
    Shpejt, or Marathonomak!

    Kurrë kaqë s’dogji djelli
    Dhe si plumbi s’rëndovi qjelli,
    Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
    Hij’ e lisit edhe kroj;
    Tur-u tej,
    Tutje, or Marathonomak!

    Vapa mbyt e pluhri nxin
    Ferra çjerr e guri grin
    Afsha gjoksin përvëlon
    Syrin avulli verbon;
    Ur’ e prush,
    Furr’o, or Marathonomak!

    Gryka si gjyryk të çfryn
    Prej Vullkanit flag e tym
    Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
    Zëmra brinjët t’i çkallmon
    Me tokmak,
    Mbahu, or Marathonomak!

    Nëna, motra, nusja dalin,
    Ngrehin krahët të të ndalin,
    Mos, se s’janë veç Najada
    Magjistrica dhe Driada;
    Lark, or lark,
    Lark, or Marathonomak!

    Hajde, ja Akropolia,
    Ja qyteti e njerëzia
    Që të pan’ e që të çpuan
    Dhe fuqinë ta rishtuan
    Ha dhe pak,
    Hajde, or Marathonomak!

    Ja, arrive, ua the:
    Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
    “E fituam!”, brohorite
    Dhe për tok’ u-përpëlite;
    Vdiq, or vdiq!
    Vdiqe, or Marathonomak!

    Rent kudo, dyke bërtitur,
    Nëpër shekuj faqe-ndritur,
    Se i vogli shtrin viganin
    Dhe i shtypuri tiranin,
    Veç e tok,
    Tok, or Marathonomak!

  14. #14
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Azem Shkreli

    Katrë këshilla vetes

    Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
    Me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

    Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
    Të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtërgatat e gjakut tënd.

    N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
    Jo në sy të kaltër se bëhesh det i çmendur pendimi.

    Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
    Për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.

  15. #15
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Tek Maja e Çelur, një antologji e poezisë (1940-1990) botuar në 1994 Mitrush Kuteli nuk përfaqsohet. Për vete nuk e di si mund të shkohet tek Maja e Çelur (apo Maja e Çelitur) e Lasgush Poradecit pa Baltën Shqipëtare të Mitrush Kutelit.

    Mitrush Kuteli

    Balta shqipëtare

    Të dua, baltë shqipëtare!
    Të dua:
    egërsisht!
    dëshpërimisht! –
    Si ujku pyllin,
    si vala valën,
    si balta baltën!

    Se gjer mbi gju
    jam brenda teje;
    se lerë kam
    këtu:
    Si Baba
    E Gjyshi.

    Të dua, Baltë Shqipëtare!
    e gjer mbi bel
    e përmbi bel
    jam brenda teje –
    e s’dal dot,
    Se s’dua!

    Se ti më lidh
    e më mban:
    Me mjaltë
    e me pelin!

    Se vdekur ka,
    këtu,
    dhe Nëna,
    Dhe Baba,
    e Gjysh-strëgjyshi!

    Të dua, Baltë shqipëtare,
    magjistare,
    e embël
    si vetë vdekja!

    Se thellë jam këtu,
    brenda teje:
    gjer mbi gju
    gjer mbi bel
    e gjer mbi krye.

    Dhe dua fort të dehem
    të prehem
    (ah, që tani!)
    Brenda teje.

    Të të pushtoj
    i dëshpëruar;
    të të shtrëngoj,
    të më shtrëngosh:
    egërsisht!
    dëshpërimisht!
    e të më tretësh
    si gjysh-strëgjyshnë
    e si po tret
    ah! Zemër-madhë
    e flokë-bardhë
    e trup-zhuriturin
    Babanë!

    Të dua Baltë shqipëtare,
    magjistare:
    ti mjalt e ëmbël, -
    pelin e hidhur.
    Të dua:
    egërsisht,
    dëshpërimisht,
    si ujku pyllin,
    si vala valën
    si balta baltën!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Diabolis : 11-01-2004 më 21:37

  16. #16
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Sefulla Maleshova (Lame Kodra)

    Lypsi plak (Gjyshi plak)

    Po del nga shpella ku e ka hedhur fati,
    I mjeri plak i krusur nga mundimet,
    I dridhen mjekra, këmbët, gjithë shtati,
    Skalitur ka në ballë hidhërimet.
    Ja, fill i vetëm udhën merr nga fshati
    I urtë, i shëmtuar nga mjerimet.
    Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
    Shiu me breshër bie e ka dëborë.
    Udhës mendon kur ishte si të tjerët:
    Me bukë, me kasoll’ e dashuri
    Dhe psherëtiu: Oh! S’paska për të mjerët
    Në këtë botë vallë Perëndi?
    Po ndjen në lukth një posi të prerët
    Edhe hedh këmbët plaku me fuqi.
    Torbën në krahë, shkopin mban në dorë.
    Në një kasolle afër sheh një zjarr,
    I ngrohet plakut shpirti si një varr,
    Dhe drejt kasolles niset me të katra
    Gëzohet edhe qesh edhe makar
    Udhës kërcen e hidhet shatra-patra.
    Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
    Shiu me breshër bie e ka dëborë.
    I valon gjaku plakut edhe shikon
    Përpara gjithnjë duke çaluar.
    Po te dera një djepe ç’e shikon.
    I dridhen buzët; buzët duke ngashëryer,
    Një gur atëhere këmbët i pengon
    Edhe përmbys atje mbetet harruar.
    Torbën me krahë, shkopin mban me dorë,
    Shiu me breshër bie, e ka dëborë.

  17. #17
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fatos Arapi

    Atdheu

    Atdheu është dhembje, është dhembje,
    Një prill i pikëlluar në shpirt.
    Atdheu është kryqi, është kryqi.
    E mban – edhe të mban ty – në shpirt.

    Atdheu është toka e premtuar.
    Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
    Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
    Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

    Atdheu është buka e uritur:
    Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
    Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
    Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

    Atdheu është varr i hapur, është varr.
    Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
    Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
    Në një pikë loti lirinë e lind.

    Atdheu yt i vogli, i vogli,
    ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.

  18. #18
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fatos Arapi

    Deti

    I vogël, me pantallona të shkurtra,
    Me këmbë të zbathura e një këmishë humaie,
    që e qepte vetë gjyshja...
    Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
    Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë me rridhte rëra,
    Unë prisja me orë të tëra,
    Gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës,
    Ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.
    Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë.
    Turfullonin.
    Binin me këmbë të thyera,
    Rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.
    Mbi ta fluturonin të tjerë.
    Jelet e hakërruara dallgë-dallgë fushën e qiellit fshihnin.
    Hingëllimat e frikshme para tyre bridhnin.
    Ata vinin afroheshin drejt meje.
    Gjokset e mëdha e të bardha
    Lëshonin përpjetë; këmbët e para rrihnin në erë...
    Sytë u flakëronin.
    Një çast, dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.
    Kur ja, me poterë,
    si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin
    te këmbët e mia. Nga flegrat gjigante
    miliarda grimcëza të kristalta shfrynin
    për të fundit herë.
    Të tjerë
    hingëllinin nëpër fushën e gjërë të natës.
    Me gëzim e frikë, orë të tëra
    unë shihja kuajt e bardhë
    të suleshin nëpër furtunë.
    Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
    që të vinin sa më parë tek unë
    shkelnin
    fluturonin njeri mbi tjetrin.

    Dhe tani, kudo që jam,
    Ashtu fantastik e i madhërishëm,
    më ndjek pas deti...

  19. #19
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    LASGUSH PORADECI


    Zog’ i qiejve


    Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak...
    Do t’ja marr që sot e tutje si bilbili parëverak.
    Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

    Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli;
    Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,
    Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit-Vetë.
    E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpíje kryet
    Dh’i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.
    Asohere-e ndjej si dridhet me një zë pa shëmbëllim
    Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, - o Zoti im!
    E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,
    I venitet me-nga-dale syri-i-qarë-e bukurosh.
    Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
    Ndaj çkëlqen nër mijë gjyra Vënd’i ti ku pati sbritur.
    E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
    Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku çel junapi!

    Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,
    Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;
    Po dëgjoj prej largësire, si nër male.e si nër fusha,
    Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;
    E çdo lis të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitê,
    E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë...
    Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,
    Pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingëllit të mjerë;
    Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:
    Dheut! Ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!
    E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-e nat-për-natë,
    Gjir i dherit ku rreh jeta të fal brengë e përgjëratë:
    Se prej mallit që të thyen permes pamjeve të tija,
    Mun në fund të zembërës s’ate ritet fshehur dashurija.
    E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë
    Kënga jote-e papandehur q’është fjal’e dashurisë.
    Ajo ngrihet…ngrihet…ngrihet…dhemshurisht e dyke qarë,
    Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.
    E kështu ti qan pareshtur bukuritë-e dashuritë,
    Prej qepallës së përlotur të pikon një pik’e ngritë.

    Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;
    Ti fillon ta rrahish mendjen, e buçet me shpirt të mitur:
    Se ç’gëzim përjetësije! E se ç’mall! E ç’dëshirime
    Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!
    Prej dëshirës së zhuritur q’i dhe këngëvet, o zog,
    Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog...
    Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,
    Zjarri fërfëllon e ngrihet me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,
    Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:
    Ha! Ç’të zotëroi Drita! Ç’të përshkoj një Gas i ri!
    Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!...
    Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur larg-e-më-larg...
    …………………………………………………….............................. ...
    -Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
    Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qíejvet, o Zot!
    Fal-i Këngëtar-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
    Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi!


    1921

  20. #20
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Lasgush Poradeci


    Poradeci


    Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir.
    Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.
    Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,
    Dyke zbritur që nga qjelli përmi Fshat po bëhet fir…

    E kudo krahin’e e gjërë më s’po qit as pipiëlim:
    Në Katund kërcet një portë...në liqer hesht një lopatë…
    Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal të Thatë…
    Futet zemr’e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

    Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
    Zotëroj më atër anët errësira...
    Po tashi:
    Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri;
    Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shëndaumi.




    Lasgushi piktor derdh naten pika pika mbi Fshatin. E shohim tablone impresioniste e mahnitemi me ate cka fshihet pas pikave e dridhjeve te shkronjave te pazeshme te qendisura ne pelhure. E sheh Liqerin nga te gjitha anet e tij Lasgushi, nga Poradeci e nga Shendaumi e sheh me syte e cdo centimetri toke shqiptare qe e rrethon ne naten qe ka rene e i ka ngujuar zemren ne fund te shpirtit. Femijet e gjumit aviten te puthin Drinin aty ku nis te pershkoje token qe e kane ndare te tjere.

Faqja 0 prej 9 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Emra shqip
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 225
    Postimi i Fundit: 11-05-2018, 16:54
  2. Me ndihmoni me nje emer shqip
    Nga prishtinase në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 14:52
  3. Info per Eqerem Cabej?
    Nga rrogozhinsi në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 18-04-2009, 18:36
  4. A Mund Te Zgjerohet Baza Dialektore E Shqipes Standard?
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2006, 17:04
  5. Emrat Ilire
    Nga Leila në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 12-05-2006, 20:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •