Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 11
  1. #1
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580

    Shkëlqim Çela

    Në rradhë për security check

    Në security check
    Rradhët e udhëtarëve
    Zvarriten si gjarpërushë paralelë
    Që rrëzojnë lëkurët
    Me striptizë patriotike.
    Xhupa gjithfarësh,
    Plagosur mbi konvejerë
    Me astarzorrët përjashta,
    Rripa mesi me sekrete
    Të zbërthyer,
    Blekberri me të fshehta
    Zukatëse,
    Këpucë si rebuse
    Të zgjidhura,
    Orë të ftohta
    Si Zvicra,
    Bizhu të mardhura
    Si hirushe të braktisura,
    Ndërsa çiftet zhvishen duke u zvragur drejt shtretërve
    Të dashurisë,
    Turma heq mbulojat
    Drejt skanerash zhvirgjërues
    Me epsh metalik
    Bzzzz….. bzzzzz

    Rradhë,
    Mirkuptim solidar.
    Vetëm unë, katunari anarkik i Ali Demit,
    Cingërisem
    (Kur u bone ti?!)
    Jo, vërtet,
    Zët i kam rradhët,
    Unë vij nga rradhalandi,
    Jam rradhor,
    Shumëfaqësh si radhùa,
    Unë kam ardhur në rradhë
    Njëmijë herë
    Ushtarakisht
    Për qejf të nëntogerit
    Dhe të kumandarit lab të skuadrës
    Apo civilisht
    Për qejf të
    Mister Bulmetit
    Monsinjor Mishit,
    Kont Teritalit,
    Apo lartmadhërisë së saj
    Queen Patates.

    Llogaris
    Sa përqind e jetës
    Më shkoi rradhave,
    Krahasoj orët e rradhës me orët e dashurisë,
    Inekuacion themelor i jetës,
    Kush është më shumë
    S’e tregoj
    Se qejfin s’dua ti bëj
    Rradhës.

    Security check
    Qelizat gjarpërore
    I teston një pas një
    Në qiellzat metalike
    Dhe helm nuk gjen,
    Veç lëngje të pafajshëm,
    Koka kola të shkujdesura,
    Martini të shthurura,
    Fanta që s’dinë gjë prej gjëje,
    Ponçe frutash
    Tropikale gjithë hare
    Që s’marrin gjë për ters
    Me ëmbëlsi mangosh e papajash,
    Verë e kuqe Kalifornie si mëndafsh i errët
    Me përmbajtje aristokratike,
    Ujë neutral si Zvicra,
    Me pehàsh 7
    Që s’gërric,
    I filtruar nga gjithë
    Prohirat e kimirat,
    I tejdukshëm qelibar si sinqeritet i distiluar,
    Të gjithë me fajin e përbashkët
    Se janë më shumë se 100 mL,
    Se një dopjo,
    Se dy teke,
    Më tepër se dy gllënjka eks….
    O kohë, o zakone monogllënjkë,
    Ku mollë e Adamit
    Bie poshtë veç një herë
    Kurnacërisht
    Në kopshtin e Njutonit
    Një tjetër rëndesë
    Të na kujtojë.
    Gëll-ding
    Gëll-titur
    Gllënjka,
    Eks eksiq,
    Dhe aq,
    The show is off,
    Shkreti gurmazi,
    Truri shkretëtirë
    Ku rudhat e fundit era mbulon
    Dhe dunat rrafshohen
    Nga rruspa marrëzie….

    Për xhakete nduk pragmatizmi:
    Kapitalizo mbi rradhën
    Të ysht
    Make use….
    Si dikur plakat
    Një rradhë e tri punë,
    Thurnin çorape e shkuesira
    Duke pritur “Furnizimin”.
    (Threesome monist,
    “Çorapja, Shkuesia, Furnizimi”
    Lëngonte ky i fundit,
    I shterrur,
    I dërrmuar,
    I kafshuar nga ato të dyja,
    Me allate të dëmtuara
    Varur nëpër këmbë)
    Make use….
    Pra qerasi sytë me sheqerka,
    “Trick or treat”,
    Si dele kulloti
    Në bar të huaj
    Që është gjithnjë më i gjelbër,
    Me ardhangi,
    Me turgor joshës….
    Për të tretën herë bjonden me xhinse të grisura,
    Qerthulli i rradhës bie karshi,
    Rradha – kjo nepërka pika pika,
    Bjondinka e ka marre vesh që ja pëlqej
    Formën e përkryer të kofshëve,
    Me atë plagë të çelët xhinsesh që s’mbyllet,
    Ku sytë e mi kulluan pa fund
    Dyllë retine të nxehtë
    Dhe pak lyrë alidemse…..
    Ja tjetra me pamje latine,
    Zot ç’ke tërbuar ashtu qelizat e gjoksit,
    Gracias, gracias,
    S’më duket më seksi (ç’dreqin pati që foli!)
    Kot zbukuron gjoksin me përçina
    Nikel
    Që bashkon thithkat kryengritëse
    Si muri kinez majat e kodrinave.
    Ajo vija në mes,
    That cleavage,
    Kanale grande djersësh hispanike
    Që rrjedh pa u fshirë
    Me viskozitet të yndyrshëm
    Në dhoma motelesh
    Me kondicionerë të prishur,
    Më kujton
    Gjurmën e dhisë dhe përç bagëtishë,
    Bishtin e paturpshëm përpjetë
    Dhe zgjeben si indiane
    Indeshqyer.


    Gërmat e fjalës terrorist
    Pengohen nëpër këmbë të zbathura
    Nëpër çorape që u turpëruan
    Për vrimat e tyre mëkatare,
    Këmbëzbathur
    Udhëtarët ecin ca metra
    Si nomadët
    Prej vërteti
    Në rrafshirat primitive
    Përzhitur nga dielli
    Ku djepin paskësh e keqja
    Dhe embrionet dreqi.
    Thembra, shputa, kavilje,
    Erë djerse,
    Erë lule gomari,
    Era lule çorap ushtari,
    Ecin të përçudur
    Nën sinjale të verbra
    Që u ulërijne vëthëve të sapodhuruar
    Prej dashnorëve të vëmendshëm,
    Heronj të bizhuve,
    Që për përvjetorët e të dashurave
    Kujtohen me “MS Outlook”.

    Pasagjerët ndihen fajtorë
    Spese janë kashta që padashur
    Fsheh gjëlpërën e vogël të helmit,
    Janë inde të pafajshëm
    Që fshehin qelizën kanceroze,
    Terroristin,
    Mitikun urban të parruar
    Dhe të palarë prej gjashtë muajsh,
    Që, shokë, e kemi në mest tënë…..

    Security check is on,
    Membranë gjysëm e përshkueshme
    E osmozës avdalle ku endemi të gjithë,
    Me gradientë të hutuar, lesh e li,
    Që humbin rrugën,
    Si Geisterfahrer,
    Kapur në kurthe autobahnash gjermanike,
    Me kahje ngatërruar domosdo,
    Në itinerare lëmsh
    Britanike,
    Në udhët e botës si fije makaronash
    Që kohës i ngjisin në dhëmbë
    Si spaghetti al dente italike,
    Bllokuar, hutuar, hundëkuar
    Në gracka emboutillage poli-stike,
    Frankofone,
    Zhytur në salcë
    Ala hot calzone,
    Lazarone,
    Alen-delone
    S. Stallone,
    Al Kapone,
    Al Jazeera,
    Al Banira
    Shakira,
    Shazam,
    Bam bam bam….

    Për kë bien kambanat?
    Për kë po bëzzzzz ky skaner?

  2. #2
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Mbërritja e ushtarëve amerikanë në aeroportin ndërkombëtar Savannah – Hilton Head

    Ata vijnë
    Si pikëpyetje që u humbi pika,
    Me sy që s’janë ende “këtu”,
    Me fokuset llogaritur ndryshe,
    Me flokë
    Që kanë mbetur “andej”…
    Të dashurat që i presin
    Për çudi
    Janë sot të gjitha më të gjata se ata,
    Që duket sikur kanë hyrë në ujë,
    Si dok pa cilësi,
    Rrëgjuar
    Si hurma arabije
    Nën diej të huaj.
    Ushtarët me etje të elektrizuar,
    Spina të etura për priza,
    Për ato dy vrimat e bekuara,
    Të futen,
    Të marrin dridhma
    Elektronesh që vibrojnë,
    Të marrin
    Good vibrations
    Si djemtë e plazhit….
    Spina me kordonë telashqyer,
    Gati për qark të shkurtër,
    Nga ku kullojnë shkëndija….
    I presin të dashurat shalëgjata
    I fusin në rrënjë katrore,
    Kubike,
    Pubike,
    Ushtarët e rrëgjuar,
    Nën strehën zvogëluese,
    Pas V-ve këmbëngritura,
    Të rrënjëve…..
    Nga të dashurat e gjata civile
    Ushtarët
    Nuk duan të dinë asgjë,
    I dinë sekretet,
    I marrin me mend,
    Të mençuron lufta,
    Arsyet e tepërta u zbrazën me kohë,
    Në ajër pa rikosheta,
    Si karikatorët e shpirtit të tyre.
    Spina të etura ushtarët,
    Zgjatime trupore,
    Me cipa oksidi nga mospërdorimi,
    Djegur nga dëshira më tepër se nga dielli i shkretëtirës,
    Gati të ngulen në vrima
    Të ndjejnë vibrimin e harruar
    Shpërblim elektronesh
    Nga bota e tokëzuar.

  3. #3
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Anë të errëta nga hënat tona


    Nuk kemi dhe s’duam
    Veç ti të mos kesh,
    Rrimë ngrysur, vranuar,
    Veç tjetri mos qeshë.

    Që ti të qorrohesh
    E nxjerrim një sy,
    Që ti të verbohesh,
    Ti nxjerrësh të dy

    Nuk shohim dot drejt,
    Veç poshtë apo lart,
    Patricë a plebenj,
    Kurrë barabar'.

    Si fanti spathi
    Në majat me rripa,
    Në ma hipe - zotni,
    Fakir - në ta hipa.

    Nuk shohim dot mirë,
    S’rrimë dot pa bërë keq,
    S’lamë dritë pa nxirë,
    Shenjtor pa bërë dreq.

    Dhe dyzet dërhemë
    Ne në tru na flasin,
    Por dyzet xhehnemë
    Shpirtin na argasin.

    E s'i qasim ndjenjat,
    Skifterë te gruaja...
    Por qurro tek sytjenat
    Dhe gjuhët e huaja.

    Të fortëve sherbet,
    Zë-ëmbël bilbil,
    Ndër vedi sherretë,
    "Ja pesë e ma dil!"

    Mes vedi gërnjarë,
    Na pesë e ma dil,
    Mjerim bipolar,
    Tangërllëk servil!

  4. #4
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Shkëlqim Çela, jeton në Georgia të SHBA prej vitesh. Ai ka botuar librin e tij të parë titulluar 'Mëmëdhembje' në vitin 2008. Njihet për publicistikën e tij, si dhe fabula dhe etyde kushtuar dashurisë dhe marrëdhënies njerëzore.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Besoja
    Anëtarësuar
    24-07-2008
    Vendndodhja
    Prrenjas, Shqiperi
    Postime
    3,260
    Citim Postuar më parë nga i/regjistruar Lexo Postimin
    Anë të errëta nga hënat tona


    Nuk kemi dhe s’duam
    Veç ti të mos kesh,
    Rrimë ngrysur, vranuar,
    Veç tjetri mos qeshë.

    Që ti të qorrohesh
    E nxjerrim një sy,
    Që ti të verbohesh,
    Ti nxjerrësh të dy

    Nuk shohim dot drejt,
    Veç poshtë apo lart,
    Patricë a plebenj,
    Kurrë barabar'.

    Si fanti spathi
    Në majat me rripa,
    Në ma hipe - zotni,
    Fakir - në ta hipa.

    Nuk shohim dot mirë,
    S’rrimë dot pa bërë keq,
    S’lamë dritë pa nxirë,
    Shenjtor pa bërë dreq.

    Dhe dyzet dërhemë
    Ne në tru na flasin,
    Por dyzet xhehnemë
    Shpirtin na argasin.

    E s'i qasim ndjenjat,
    Skifterë te gruaja...
    Por qurro tek sytjenat
    Dhe gjuhët e huaja.

    Të fortëve sherbet,
    Zë-ëmbël bilbil,
    Ndër vedi sherretë,
    "Ja pesë e ma dil!"

    Mes vedi gërnjarë,
    Na pesë e ma dil,
    Mjerim bipolar,
    Tangërllëk servil!
    Shumë e bukur!
    E bukur sepse ashtu janë të vërtetat edhe pse të dhimbshme.
    Urime Shkëlqim!

  6. #6
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Triumfi i zarbove

    Shokë, kemi Zarbo në mest tënë; madje, hakshe-hakshe, më saktë, më tamam, për më tepër dhe në fakt, jemi ne në mes të Zarbove. Ata janë kudo, një me ajrin. Në daç të shpëtosh prej tyre, mos merr frymë, por do të vdesësh. Në daç të jetosh, jeto me ta. Mësohu ti injorosh, ti përcjellësh, ti presësh.

    Fataliste kur vjen puna te Zarbot, ora ka mbetur te orakujt e vjetër. Sikur parathanë që ky vend s’do shpëtojë nga ajo flamë. Ata janë illuminatët obskurë të vendit tim. Në përbetim të fshehtë. Okultë të dritës së errët. Me kodet e tyre. Alfabet të veçantë. Me kushedi ç’graal që frymëzon kryqëzatat e tyre të gjithkohshme. Që kushedi nga ç’shenjtor enigmatik i sektit Zarbian u përdor në darkën e fundit të protozarbove. Themeluesve të sektit. Ata janë tempullarët e vendit tim. Kot thonë për ne që jemi anarkikë. Ne kemi Zarbizmin më të organizuar në botë. Më të disiplinuar. Më teutonikun. Më efiçientin. Perpetum mobile me rendiment 100%! Që e çan rrugën e historisë me harbutëri në dorë.

    Se Zarbot kështu duhen parë, kolektivisht. Se bash mu këtu bëhet gabimi i parë dhe themelor kur merremi me ta. I trajtojmë individualisht. Kur si individë ata janë tejet të zakonshëm. Me ndryshime statistikisht të pranueshme nga pjesa tjetër e gjindjes. Ata nuk janë outliers. Në shpërndarjen standarte normale ata nuk gjenden andej nga periferitë e mosgjësë dhe bishtat e skajshëm. Janë bash në krye të vendit. Bëjnë kokën e bishës, jo bishtin. Individualisht zarbo-llëkun e kanë si virus në inkubacion. Që dyfishon ADN-në e vet pa u pikasur. Duke ngrënë lëndën e fisme. Duke zbërthyer fisnikërinë në elemente të thjeshtë. Si psh, besën, sinqeritetin, qashtërsinë, vetmohimin. Dhe duke i shfytyruar dhe riorganizuar këto në mënyrë zarbiane. Në një metabolizëm të pabesë, sui generis, që quhet bjerrje e vlerave. Që ndryshon shenjën para vlerave; plusin e bën minus. Dhe prodhon antivlerë.

    Pra mos iu trembni Zarbos kur është vetëm. Si evgjitit. I vetëm ul kokën Zarboja.
    Por njeri tjetrin ata e nuhasin edhe me milje larg. Si peshkaqeni gjakun në oqean. Aty viruset zgjohen nga inkubacioni. Makineria fillon ritualin e vjetër përbashkues. Shqisa e tyre e gjashtë u ngrihet si bri antene mbi kokat. Si je, a je, ku je, Zarbo vëllai. U bë kohë pa u parë. Fisnikëria sikur po e merr veten. Me tituj e pa tituj. Sidomos ajo pa tituj.

    Ata shpirtrat e mëdhenj, ato mendjet e lira sikur janë shtuar ca si shumë. Po na zënë frymën. Po na marrin ajrin. Po zaptojnë këtë vend që është yni me teskerè dhe tapi. Është koha të bëjmë Plenum. Kongres të jashtëzakonshëm. Miting. Protestë. Çfarëdoqoftë. Në Parlament, në ministri, në Universitet. Zarbo të të gjitha dikastereve, bashkohuni! Zarbo të bazës, mos flini gjumë! Të prodhojmë kaos të organizuar. Të vetorganizohemi sipas adetit. Të bëjmë atë që nuk bën dot Zarbua francez, anglez, italian, amerikan…. Të kalojmë masën kritike. Nga sasi të bëhemi cilësi. Zarbo shqiptar, or tungjatjeta…. Që merr vendime. Mpreh shpata. Fanar ndriçues për Zarbot e gjithë botës. Kështjellë e pamposhtur zarbiste në brigjet e Adriatikut. Fill i kuq, blu, i verdhë, i të gjitha ngjyrave, që bashkon sistemet dhe regjimet e këtij vendi. Pa dallim shekujsh dhe formacioni ekonomiko-shoqëror. Që nga Aleksandri i Madh. Bar i keq mbi lëndinat e njoma. Ferra mbi manushaqe. Le ti këndojë poeti manshaqes. I rroftë poeti asaj! I rroftë zurnaja. Tralalaja. Ne jemi ferra që s’na çan dot kush. Kaçakët tanë u bënë heronj. Presin jo në pragje dyersh, por mbi podiume. Monumente ferrorë. Të hekurt pra! Të çeliktë. Si uniteti ynë. Si mishi me thoin, si Zarbua me Zarbon. Me një mision, me një qëllim…. Ne jemi nga soji gjëmbaç që farat na i merr era si parashutiste, si desante ajrore. I shpërndan gjithandej. Fara jonë mund të rrijë me vite fshehur në tokë. Me përbetim të heshtur. Resilient. Si qeliza të fjetura terrori. Si sëmundje e butë. Metastazë pa zë. Infektuar tokën gjithandej. Të gatshme të shpërthejnë kur të thirren, të mobilizohen. Atdheu zarbian në rrezik! Të gatshme të kaplojnë çdo milimetër, në çdo kohë. Duke sfiduar çdo herbicid e prashitje. Duke dekurajuar edhe kopshtarin më të mirë. Që flak shatin duke mallkuar. Duke shkelur mbi lot trëndafilash. Pezme manushaqesh bukuroshe. Duke ikur gjithnjë me mllef. Me pak infeksion Zarboje edhe ai (po fjete me qenin, zgjohesh me pleshta). I lehtë infeksioni, no problem për antitrupat. Por prapë infeksion. Me simptomën rënkuese-mallkuese. O kopësht, të kam dhjerë, s’të mora vesh një herë….

    Ndërsa Zarbot zbardhin dhëmbët si hiena. Se Zarbot nuk dinë të qeshin. Ashtu si nuk dinë as të qajnë. I ke o hiena, o krokodilë.

  7. #7
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    O gra të dashura!

    Bëra gabimin,
    Mora vesh,
    Pas fustaneve tuaja vazhdonte e njëjta botë,
    Kishte eshtra dhe Materia s’ndryshonte atje,
    As lënda e errët, termodinamika,
    Troja ishte një qytet të mundurish, ndërsa Piramidat frut mallkimesh,
    Papërsosmëria bijë e mllefit,
    Kodrat malinje,
    Dhe diamantet bënin sikur.

    O gra të dashura, A e kuptoni pra, pse s’dua t’ju kuptoj ?

  8. #8
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Qeliza terroriste

    Ajo shkon për të bërë analizat mjekësore të rradhës. Rutinë e bezdisur, por e domosdoshme; a s’është e tillë çdo bezdi, përderisa ekziston? Është një vizitë si gjithë të tjerat, prandaj e veçantë, me pritjen që rëndon si koraca breshkën, më saktë si guacka kërmillin, ndërsa minutat rrëshqanore zvarriten mbi lëkurë. Minuta të ligavecëve. Peltja e ajrit në dhomën e pritjes së mjekut e mbështjell si pelerinë xhelatine teksa pret infermieren kasnece t’i thërresë emrin si për vendimin e jurisë se gjyqit, përfundimin e analizës me logjikë të verbër. Dyshimi është gjëmb i egër “posikuri”. Shpimi i tij është i sheshtë. Rrafsh tokmaku që godet nën lukth, lookun e vogël, si goditjet e përpjekura nën xham prej të asfiksuarit me pëllëmbë prej plasteline.
    Është kohë qelizash terroriste të fjetura. Nën gjoks. Dhe për paradoks, përcaktimi “terroriste” nuk është aq i tmerrshëm sa “të fjetura”. I/e fjetur është tmerri i vërtetë i kohës, pasi do të thotë mundësi për zgjim më vonë. Të qelizës. Dhe gjithë gëzimin e moszgjimit deri tani e zhvlerëson si aksionet fatkeqe të bursave të fundit. Mos u gëzo, o i gëzuar! Majat vetjake të gazmimit thërmohen e bëhen pluhur në shkretëtirën e Galtonit.

    Trupi i saj është supershteti. Simetria e halleve i bën një, mishërim të njëri tjetrit, ashtu siç duhet të jenë, me Platon, me traktat filozofik, me kontratë, si qytetare ideale, shtetase shembullore, shëmbëlltyrë e shoqërisë. Me panikun shpërndarë me dallgë limfe në çdo breg të brendshëm. Të dy, edhe shteti, edhe trupi i saj kanë frikë të njëjtë: qelizën e tmerrit. Dhe frika bashkon më shumë se siguria, ashtu sikurse urrejtja bashkon më fort se dashuria. Shteti kërkon pagjumësi, syçeltësi ngjyrë portokalli, e cila priret të skuqet. E gjelbra ishte aguridhe e së kaluarës. Periudha e gjelbër e pikasur e shtetit dhe e trupit kanë kaluar. Gjatë impresionizmit rinor.

    Ajo ka kohë që është bërë indeks statistike. Në vitin 2050, një në dy gra do jetë me qelizë të zgjuar. Si luspë përbindshi ky pesëdhjetëpërqindshi: një gjysëm gote, një thyesë që s’bën gjë tjetër, veçse thyen kohën përgjysëm, gjymton ditët, i bën të paplota, si gota e pesimistit. Dhe ajo kalon nga mëngjese të mbushura plot, në mbrëmje të zbrazta bosh, përmes purgatorit të mesditave osmotike si kufiri ndarës i lëngut gjysmak.

    Ajo është monedhë metalike që do hidhet në ajër nga gishti i fatit. Kur të bjerë e plagosur mbi tokë, nuk do ketë shumë rëndësi në ç’anë ra. Nga viset e saj, të rënin (nga plumbi) kishin zakonin “ta kthenin mbarë”. Me kokë lart. Kokapili jetëvdekës humbet misterin e rastësisë. Gjithë ç’vlen filloi dhe vdiq te gishti i fatit që të hedh me nënqeshje binomiale. Të prerë me dysh. Di-kot-o-mike.

    Revistat që bamirës të panjohur dhurojnë rregullisht, shpërndarë rreth e rrotull në dhomën e pritjes së mjekut, mendohet se ndihmojnë për harrim të përkohshëm. Janë aleatet e saj që kohën e plagosur, të prerë përgjysëm, ta vrasin me gjithsej. Përkohësisht. T’ia gabojnë mendimin joshur në rrugë të huaja. Ja qenia dykokëshe Brenifer e llojit Homo tabloidus, sapo qenka shndërruar në Branxhelina. Lloj më i evoluar. Një hap i vogël për Bredin, një kërcim gjigand për mushkonjën. Il papparazzo pazzo kazzo. Që shumë rimon con un’ ragazzo. E kish të vjedhur prej RAI-t italishten, që deti i Durrësit ia flakte në ranishte. Gjuhë leshterike italishtja. Ah, dhe natyrisht, sigurisht, vetkuptueshmërisht, e pamungueshmja, e kudondodhura britnispiërs, BS, akronimi ergonomik flokëverdhë për bullshit. Këtë javë BS paskësh rrëzuar përdhe 15 paundë dhe të dashurin. Tishërti dëften gjithçka. S’ka nevojë për me lexue, tri here kena me vrapue, po, po, po. Mbi dy kodrinat e buta lart valëzojnë fjalët “dumped him”, kurse në rrafshultën e rruspuar të barkut, stepë pa zogj, përrenj e fjalë, ndihet mungesa e atyre 15 paundëve të mallkuar, sikletdhënëset e përhershme për amerikanen e mesme në moshë të mesme në zonën e mesme përcaktuar në mesoret e CRM-it. Miliona milje tredmillore nga paundet e rrëzuar në luftën gjimnastikore; do kishin zbuluar dhjetë Botë të Reja. Trajnerët bukuroshë, shpresë për pak çmërzi. Bëni dashuri se do ju hajë kanceri! Veç një tru nordik mund të prodhojë një marri të tillë. Margaret Theçer në një ditë të ftohtë! Zaten prandaj s’qullosin gjë ata suedezët! Hasta la vista, bebi! Paundët e rrëzuar, armiku real që sapo u vra dhe askush s’e ktheu mbarë, erdhën nga karbohidratet diversive, me pabesi sheqeresh, hile akulloresh dhe dinakëri niseshterash të rafinuara si mëkati. I rrëzuari tjetër, i dashuri, është ornament pa prejardhje, për të ka rëndësi vetëm çasti i rrëzimit, fiksuar në kameran dixhitale të duhur, s’ka rëndësi as nga erdhi dhe as ku e si ra. Ai është gjithnjë në rënie, aty mbi tryezën e sallës së pritjes së mjekut, ku ajo ka shkuar për të bërë analizat mjekësore të rradhës, me dyshimin e përhershëm se...

  9. #9
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Speed limit

    Motori dhe rruga janë në konflikt të përhershëm si dy kunata gju’histra. Motori është mundësia, dëshira hungërritëse e bishës nën kapak, fluturimi i mendimit. Rruga është e arsyeshmja e ftohtë, llogaritësja gjeometrike e pabesisë, e kthesës së padukshme, që ve në punë semaforët e verbër si shtetari i rrafinuar policët avdallë. Pakti i tyre është, si çdo kompromis, i pangjyrë, praktik, pa pathos: shpejtësia e lejuar, që nuk e kap për bishti as qyqari radar i rrugës. Është kapitullimi i fantazisë para establishmentit. Që shpejtësinë e vret nëpër mokrat e marsheve, e burgos në të flamosurën “kuti” - pse s’thua "qeli" më mirë - të shpejtësisë.

    Rrugët tona janë monumente të ngadhënjimit të javashllëkut, skena krimi ku aspirata për veçanësi ndëshkohet brutalisht. Ul kokën, ul marshin, ti antar i kopesë deri 100 km në orë. Këtij i themi civilizim. Standardizim. Klonim.
    Të vrasësh shpejtësinë është mëkat kozmik. Se shpejtësia është hapësirë dhe kohë, domethënë materia që lëviz. Shpejtësia i ngërthen këto të dyja, me nofulla koncepti si një darë, me mbërthim kozmogonik. Sa më larg shkove se ai tjetri në të njëjtën kohë? Kjo gjithnjë “ka ndarë një dynja”. Në një hapsirë të ngrirë e të njëtrajtshme, natyrisht; se përndryshe, çdo cm që të afron të themi tek dashuri e zemrës, është sa 100 milje për në asgjëkund! Por më interesant është e anasjellta e shpejtësisë. Sa sekonda përshkove për metër, sa dekada për kilometra? Ngri kohën dhe lundro nëpër hapsirë. Sa herë keni bërë jo më shumë se 400-500 km dhe keni shkuar në shekull tjetër! Keni thënë fjalëpërfjalshëm që këtu qenkan 50 vjet përpara, ose atje ishte 50 vjet pas.

    Ke grahur në autobahnën gjermanike? Pa limit shpejtësie? Pa “gezhvindihkaitsbeshrenkung” - trok i vjetër zanoresh e hingëllima vikinge të mezishqiptueshme, kafaz e tigër në një fjalë, të vetmen që magjia (David Koperfild) mësoi nga bukuria (teutone Klaudia Shifer). A ke qëndruar dot në korsinë e majtë për shumë kohë? Aty është Rodi, aty vozit. Ç’puls që ka jeta në atë aortë, pa kolesterol rregullash artificiale! Ke ndjerë shtypjen, padurimin, mllefin e Porsheve nga pas, që turfullojnë, që duan të ecnin, por ti i pengon? Ja çdo të thotë të bëhesh pengesë. Djathtas, djathtas, djathtas! Shkove shumë majtas. E teprove. Se bota ka Ferrari, Lamborghini, Bentley. Opeli yt i ngratë duhet ta dijë këtë. Ai ndihet dikushi në rrugët me frerë kilometrikë, me zona të virgjra të spidometrit. Barazinë e imponuar e quan fitore. E keni menduar sa duhet ti urrejë kali frenat. Po Ferrari?

    Motorët e fuqishëm, në rrugët mesatariste, xheloze, si mjerimi migjenian, mirëfilli ndjejnë tradhëti.

    Aty ku natyra vendos limitin e shpejtësisë bëhet dritë. Aty ku e venë njerëzit, bëhet mërzi dhe moral bajat. Bëhet tabelë rrugore dhe qitje. Lartmadhërimi i shpejtësisë është vërtet një monarki absolute, por që përmban dialektikisht demokracinë më të paparë, që 10 km i bën njësoj me 2 cm, apo 3 sekonda me 30 vjet! Demokracia më e plotë do të thotë monarki absolute mbi skllevërit më të lirë!

    Aty ku shpejtësia bëhet sovrane, hapësira tkurret dhe koha vazhdon pa mbarim. Përjetësia merr kuptim. Dhe gjithë bota mbështillet një grusht. Ndaj lumturinë të dashuruarit e ndjejnë ashtu, në grahje të çmendur. Nuk është vanitet, karshillëk ndaj kërmijve të ngadaltë me kritika vishtullore, breshkave që evolucioni i harroi nën koracat kockore të moralit të javashllëkut. Është dëshira për të falur centimetra nga trupi në këmbim të një kohe më të gjatë së bashku. Që shkon deri në vetflijim për përjetësi. Aty ku bëhet dritë!

  10. #10
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Mall kontrabandë

    Zgjim i qullët me emrin tënd që supozohet të mos e mendoj.
    Kovë e vrarë në gurët e lagësht të pusit tim ngritur nga çikrik me litarë dëshirash e ankim të ndryshkur,
    me ty mbushur,
    ujë i rëndë (top secret)..
    ..e zbraz ujëv-r-arë në honin përpirës, korpus deliktin implikues me shpresën gënjeshtare
    se shpëtova prej tij, pa parë që kapilarët e mi zënë e thithin lart ilegalisht,
    Si kontrabandistët e regjur mallin e ndaluar.

  11. #11
    i/regjistruar
    Anëtarësuar
    21-03-2008
    Vendndodhja
    Pistoia
    Postime
    580
    Qeliza terroriste

    Ajo shkon për të bërë analizat mjekësore të rradhës. Rutinë e bezdisur, por e domosdoshme; a s’është e tillë çdo bezdi, përderisa ekziston? Është një vizitë si gjithë të tjerat, prandaj e veçantë, me pritjen që rëndon si koraca breshkën, më saktë si guacka kërmillin, ndërsa minutat rrëshqanore zvarriten mbi lëkurë. Minuta të ligavecëve. Peltja e ajrit në dhomën e pritjes së mjekut e mbështjell si pelerinë xhelatine teksa pret infermieren kasnece t’i thërresë emrin si për vendimin e jurisë se gjyqit, përfundimin e analizës me logjikë të verbër. Dyshimi është gjëmb i egër “posikuri”. Shpimi i tij është i sheshtë. Rrafsh tokmaku që godet nën lukth, lookun e vogël, si goditjet e përpjekura nën xham prej të asfiksuarit me pëllëmbë prej plasteline.
    Është kohë qelizash terroriste të fjetura. Nën gjoks. Dhe për paradoks, përcaktimi “terroriste” nuk është aq i tmerrshëm sa “të fjetura”. I/e fjetur është tmerri i vërtetë i kohës, pasi do të thotë mundësi për zgjim më vonë. Të qelizës. Dhe gjithë gëzimin e moszgjimit deri tani e zhvlerëson si aksionet fatkeqe të bursave të fundit. Mos u gëzo, o i gëzuar! Majat vetjake të gazmimit thërmohen e bëhen pluhur në shkretëtirën e Galtonit.

    Trupi i saj është supershteti. Simetria e halleve i bën një, mishërim të njëri tjetrit, ashtu siç duhet të jenë, me Platon, me traktat filozofik, me kontratë, si qytetare ideale, shtetase shembullore, shëmbëlltyrë e shoqërisë. Me panikun shpërndarë me dallgë limfe në çdo breg të brendshëm. Të dy, edhe shteti, edhe trupi i saj kanë frikë të njëjtë: qelizën e tmerrit. Dhe frika bashkon më shumë se siguria, ashtu sikurse urrejtja bashkon më fort se dashuria. Shteti kërkon pagjumësi, syçeltësi ngjyrë portokalli, e cila priret të skuqet. E gjelbra ishte aguridhe e së kaluarës. Periudha e gjelbër e pikasur e shtetit dhe e trupit kanë kaluar. Gjatë impresionizmit rinor.

    Ajo ka kohë që është bërë indeks statistike. Në vitin 2050, një në dy gra do jetë me qelizë të zgjuar. Si luspë përbindshi ky pesëdhjetëpërqindshi: një gjysëm gote, një thyesë që s’bën gjë tjetër, veçse thyen kohën përgjysëm, gjymton ditët, i bën të paplota, si gota e pesimistit. Dhe ajo kalon nga mëngjese të mbushura plot, në mbrëmje të zbrazta bosh, përmes purgatorit të mesditave osmotike si kufiri ndarës i lëngut gjysmak.

    Ajo është monedhë metalike që do hidhet në ajër nga gishti i fatit. Kur të bjerë e plagosur mbi tokë, nuk do ketë shumë rëndësi në ç’anë ra. Nga viset e saj, të rënin (nga plumbi) kishin zakonin “ta kthenin mbarë”. Me kokë lart. Kokapili jetëvdekës humbet misterin e rastësisë. Gjithë ç’vlen filloi dhe vdiq te gishti i fatit që të hedh me nënqeshje binomiale. Të prerë me dysh. Di-kot-o-mike.

    Revistat që bamirës të panjohur dhurojnë rregullisht, shpërndarë rreth e rrotull në dhomën e pritjes së mjekut, mendohet se ndihmojnë për harrim të përkohshëm. Janë aleatet e saj që kohën e plagosur, të prerë përgjysëm, ta vrasin me gjithsej. Përkohësisht. T’ia gabojnë mendimin joshur në rrugë të huaja. Ja qenia dykokëshe Brenifer e llojit Homo tabloidus, sapo qenka shndërruar në Branxhelina. Lloj më i evoluar. Një hap i vogël për Bredin, një kërcim gjigand për mushkonjën. Il papparazzo pazzo kazzo. Që shumë rimon con un’ ragazzo. E kish të vjedhur prej RAI-t italishten, që deti i Durrësit ia flakte në ranishte. Gjuhë leshterike italishtja. Ah, dhe natyrisht, sigurisht, vetkuptueshmërisht, e pamungueshmja, e kudondodhura britnispiërs, BS, akronimi ergonomik flokëverdhë për bullshit. Këtë javë BS paskësh rrëzuar përdhe 15 paundë dhe të dashurin. Tishërti dëften gjithçka. S’ka nevojë për me lexue, tri here kena me vrapue, po, po, po. Mbi dy kodrinat e buta lart valëzojnë fjalët “dumped him”, kurse në rrafshultën e rruspuar të barkut, stepë pa zogj, përrenj e fjalë, ndihet mungesa e atyre 15 paundëve të mallkuar, sikletdhënëset e përhershme për amerikanen e mesme në moshë të mesme në zonën e mesme përcaktuar në mesoret e CRM-it. Miliona milje tredmillore nga paundet e rrëzuar në luftën gjimnastikore; do kishin zbuluar dhjetë Botë të Reja. Trajnerët bukuroshë, shpresë për pak çmërzi. Bëni dashuri se do ju hajë kanceri! Veç një tru nordik mund të prodhojë një marri të tillë. Margaret Theçer në një ditë të ftohtë! Zaten prandaj s’qullosin gjë ata suedezët! Hasta la vista, bebi! Paundët e rrëzuar, armiku real që sapo u vra dhe askush s’e ktheu mbarë, erdhën nga karbohidratet diversive, me pabesi sheqeresh, hile akulloresh dhe dinakëri niseshterash të rafinuara si mëkati. I rrëzuari tjetër, i dashuri, është ornament pa prejardhje, për të ka rëndësi vetëm çasti i rrëzimit, fiksuar në kameran dixhitale të duhur, s’ka rëndësi as nga erdhi dhe as ku e si ra. Ai është gjithnjë në rënie, aty mbi tryezën e sallës së pritjes së mjekut, ku ajo ka shkuar për të bërë analizat mjekësore të rradhës, me dyshimin e përhershëm se...

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •