Në Kala të Shkupit do të ndërtohen dy kisha
Në Kalanë e Shkupit në të ardhmen pritet të ndërtohen dy kisha. Pas gërmimeve arkeologjike që u bënë në vitin 2007, drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Pasko Kuzman pohon se në vitin 2009 janë gjetur edhe disa mbetje të një objekti tjetër për të cilin ende nuk është vërtetuar se çafër mund të jetë, por supozohet se është kishë ose bazilikë.
“Vitin e kaluar janë gjetur disa mbetje nga ndërtime sakrale, e cila ende nuk është vërtetuar se a është bazilikë ose kishë. Në vitin 2007 dihet se atje kishte një kishë tjetër”, tha Kuzman.
Megjithatë, ai ka pohuar se ende nuk ka ndonjë vendim të prerë se a do të ndërtohen kisha në kala. “Ne ende nuk e dimë se a do të ndërtohen kisha në Kala. Por kur të bëhet konservimi dhe restaurimi i objekteve të gjetura, atëherë do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ne bëjmë konservimin, restaurimin dhe rikonstruimin e disa objekteve e të cilat janë arkeologjike të rëndësishme”, tha drejtori Pasko Kuzman.
Por, dëshmi se në Kala ka pasur elemente ilire dhe mbi kishën e zbuluar në vitin 2007 ka ekzistuar një xhami ka dhënë arkeologu dhe historiani i artit Mexhait Pollozhani. “Në vitin 2007 unë kam qenë prezent gjatë gjurmimeve dhe është dëshmuar se ka pasur elemente ilire, por varet se si janë transmetuar ata. Gjithashtu mbi kishën ka qenë xhamia. Edhe pse ka pasur pak gjurmë, sërish ka fakte se xhami ka pasur”, tha Pollozhani.
Drejtori i drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Pasko Kuzman ka mohuar se në Kala javën e fundit të muajit mars ka pasur gërmime të reja arkeologjike. Nga dita e hënë zyrtarisht do të fillojnë gërmimet arkeologjike të cilat janë të përfunduara, por tani do të gjurmohet në disa horizonte të cilat nuk arritëm atëherë t’i kryejmë për shkak mekanizimit. Kanë ardhur disa romë të cilët janë futur në listën për të gërmuar. 6-10 ditë nuk ka pasur gërmime, ata e kanë përgatitur terrenin”, pohon Kuzman.
Në gërmimet e ardhshme do të ketë një ekip shumë më të vogël dhe punët duhet t’i kryejnë deri në fund të muajit qershor.
Rezultati i të gjitha gërmimeve arkeologjike dhe veprimeve të ardhshme pritet të rrumbullakësohet nga momenti kur do të aplikohet programi për revitalizim e Kalasë.
“Në atë program do ta dimë se çfarë do të konservojmë, çfarë do të restaurojmë dhe çfarë do të rikonstruojmë. Të gjitha objektet tjera që janë të fshehura atje, të vjetra me shekuj, për ata do të vendosim së shpejti në të ardhmen në planin për revitalizim”, tha Kuzman.
Vendim i sigurt se çfarë do të ndërtohet në kalanë e Shkupit janë rregullimi i bedelëve (mureve) rreth kalasë. Arkeologët shqiptarë që nga fillimi i gjurmimeve arkeologjike pohojnë se arkeologët maqedonas po shkatërrojnë elementet ilire në Maqedoni.
Gjurmimet arkeologjike, larje parash
Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se gjurmimet e fundit arkeologjike përveç fshehjes së fakteve historike kanë edhe prapavijë të zezë ekonomike. Sipas tyre, në këtë mënyrë po bëhet larja e parave, pasi askush nuk mund ta faturojë saktë sa harxhohen para gjatë gërmimeve. Një dilemë shtesë për këtë pohim është fakti se Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore buxhetin e merr drejtpërsëdrejti nga qeveria e Maqedonisë dhe jo nëpërmjet ministrisë së Kulturës siç duhet të jetë në sistemin demokratik. /lajmpress/
Krijoni Kontakt