Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari nga Prekazi, në një intervistë për Bota Sot ka bërë të ditur ndër të tjera se, i biri i komandantit legjendar Adem Jashari, Lulëzimi, tash për tash nuk është përfshirë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Duke folur në pjesën e fundit të kësaj interviste në vazhdime, Murati ka shpjeguar se burimet e të ardhurave të familjes Jashari janë kryekëput burime familjare.
“Janë burime tërësisht familjare. Pushteti qendror nuk ka nxjerrë ndonjë ligj për këtë çështje, kurse ai lokal paguan 500-700 € në emër të shpenzimeve që bëhet për delegacione të ndryshme. Asgjë nuk është rregulluar ligjërisht. Babai im është në parapension dhe Bekimi në Aeroport… Lulëzimi deri tash ka qenë në TMK…”, ka thënë ai.
I pyetur ndërkaq se ku është Lulëzimi tash, Murat Jashari ka thënë: “Për momentin Luli është pa punë, respektivisht nuk është inkuadruar në FSK…”
Në insistimin e gazetarit për të treguar nëse nuk ka dashur apo nuk është zgjedhur në FSK Lulëzimi, Murati është përgjigjur: “Është një problem që nuk dihet ende se ç`ka ndodhur. Kishte disa bisedime ditëve të fundit, nuk e di si do të jetë nesër”.
Në pyetjen se a do të thotë kjo se, edhe për djalin e Adem Jasharit ka dilema se mund të jetë në atë ushtri apo jo!!? Murat Jashari është shprehur:“Mund të thuhet kështu”
Ndërkaq për vetvete, Murati ka thënë se ai personalisht përfaqëson familjen, kryesisht kryen punët e shtëpisë, pret delegacionet prej më të ndryshme… dhe vazhdon me doktoraturën.
I pyetur ndërkaq, nëse ka të ardhura, Murat Jashari është përgjigjur: “Të ardhura nuk kam. Babai investon ende në mua... E falënderoj. Ndonëse nuk e ndiej veten mirë, pasi jam edhe baba i tre fëmijëve. Le të shohim si do të jetë e ardhmja. Ardhtë si shpirti Juaj!”.
Krijoni Kontakt