Postuar më parë nga
Rugova
Siç njoftojnë mjetet e informimit, me 16. 03. 2010 në Mitrovicë u mbajt tubimi-protesta e parë e minatorëve, në të cilën morën pjesë diku afër 1200 veta, për shkak se, siç tha përfaqësuesi i tyre z. Ramadan Vllahiu, qeveria ende nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre të shtruara asaj kohë më parë, ndër të cilat është rritja e pensioneve nga 40-60 në 100-160 euro në muaj. Me tone shumë të hidhura dhe të mllefosur folën disa ish udhëheqës të minatorëve, duke akuazuar qeverinë për moskujdesje ndaj tyre, por edhe për korrupsion, keqpërdorime dhe tjetërsim të pasurive të Kosovës. Posaçërisht, fjalimi i ish drejtorit të Kombinatit "Trepça" z. Burhan Kavaja (me 1989 ai ka udhëhequr të gjitha demonstratat si dhe ngujimin 8-të ditorë të minatorëve) ishte mjaft kritik ndaj qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, duke nënvizuar faktin se pasuritë e minierës së Trepçës janë duke u keqpërdorur dhe keqmenaxhuar, në vend se ajo të rifunkcionalizohej me kuadra të specializuara dhe shumë të afta që ka Kosova, e jo që fati i saj t'iu lihet në dorë të huajve. Në veçanti ai nënvizoi faktin, duke iu drejtuar qeveritarëve aktualë se janë pikërishtë minatorët e Trepçës ata të cilët me 1989 duke iu kundërvënë masave represive të ish regjimit komunist jugosllav me demonstratat e tyre historike ia lëkundën themelet ish Jugosllavisë e cila edhe u shkatërrua pak vite më vonë. Gjendja e jetesës dhe familjeve të minatorëve sot është turpi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe se askush nuk ka besuar se në liri dhe pavarësi minatorët do të sillën në këtë gjendje mjerimi. Gjatë tërë kohës së tubimit-protestës dëgjoheshin shumë zëra nga të pranishmit që kërkonin që menjëherë të niseshin në këmbë drejtë Prishtinës (53 km) për t'u ballafaquar me udhëheqësit e korruptuar, për të mbetuar atje deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre. Mirëpo, me ndërhyrjen shumë të matur të z. Vllahiu u morën vesh që qeverisë t'i japin një muaj afat, aq sa kishte kërkuar vetë z. Hajredin Kuçi, zv/kryeministër, pra që të presin deri me një Maj, kur poçese qeveria deri atëherë nuk i plotëson të gjitha kërkesat e tyre, atëherë minatorët me autobusë do të shkojnë masovikisht në Prishtinë.
Duhet theksuar se fjalimin e nënkryetarit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës minatorët-protestues ia ndërprenë duke i thënë atij se koha e referatave dhe fjalimeve të kota ka kaluar.
Këmbanat e alarmit në Kosovën e uzurpuar nga udhëheqësit e saj të korruptuar po bien me të madhe, që shtron pyetjen; a po i dëgjon kush zërat e saja para tërmeteve dhe shpërthimeve të reja sociale....!?
Krijoni Kontakt