Listat, Poni: U hoqën 23 mijë dublikime
Dorëzohen listat përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 8 majit 2011 në të gjitha KZAZ-të e vendit. Të regjistruar gjithsej janë 3.164.859 votues, të ndarë nëpër 4.932 qendra votimi.Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, duke hedhur poshtë njëkohësisht akuzat e opozitës për vonesa të jashtëligjshme në hartimin e listave të zgjedhësve. “Në vazhdën e komunikimeve për plotësimin e standardeve të procesit zgjedhor, veçanërisht për listat e zgjedhësve, jam këtu për t’ju komunikuar se sot, më datë 9 prill, pra menjëherë pas datës 8 prill, siç kërkohet në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, përfundimin me sukses të procesit të hartimit, përfundimit të listës përfundimtare të zgjedhësve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sikurse dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë dhe Udhëzimi 365 i ministrit të Brendshëm kërkon, më datë 8 prill janë gjeneruar në Regjistrin Elektronik të Gjendjes Civile listat përfundimtare të zgjedhësve dhe duke filluar nga data 5 prill janë printuar nga nëpunësit e Gjendjes Civile dhe u janë dërguar kryetarëve të njësive vendore për t’i nënshkruar, proces ky që ka zgjatur këto dy tre ditë, sikurse Udhëzimi e kërkon”, tha zv.ministri Poni.
Lista
Përfundimisht, deri më 8 prill 2011, Shqipëria ka në listën përfundimtare të zgjedhësve 3 164 859 zgjedhës, të ndarë këta në 4932 qendra votimi. Lista është e ndarë sipas 12 qarqeve, ku Tirana rezulton se ka numrin më të madh të zgjedhësve me 749 246 votues, e ndjekur nga qarku i Elbasanit me 309 479 zgjedhës në 556 qendra votimi. Ndërsa më pak votues duket se ka Kukësi, me vetëm 73854 zgjedhës në 221 qendra. Pas gjenerimit në Regjistrin e Gjendjes Civile dhe printimit nga pothuajse të gjitha zyrat e Gjendjes Civile të Republikës së Shqipërisë, listat janë nënshkruar nga të zgjedhurit vendorë. Ato janë dorëzuar pranë KZAZ-ve në të gjithë territorin, me përjashtim të njësive vendore Bogovë dhe Vëndreshë të Qarkut të Beratit, Pojan të Qarkut të Korçës. “Deri tani vonesat në këto njësi thuhet se janë për arsye teknike, por kështu edhe në Shosh të Qarkut të Shkodrës”, informoi Poni. Sipas tij, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, sapo të marrë informacion zyrtar nga KZAZ-të, do të vërë në dispozicion edhe për këto njësi vendore listën, siç e parashikon ligji, në mënyrë që të gjitha standardet zgjedhore dhe cilësia të jenë në maksimumin e mundshëm. Lista përfundimtare e zgjedhësve ka gati 23 mijë zgjedhës më pak se lista paraprake. Lista paraprake ka pasur 3 188 059 zgjedhës, por i është nënshtruar pastrimit të dublikimeve, heqjes së mbi 100-vjeçarëve dhe heqjes së personave që kanë lënë shtetësinë. “Këto pastrime e kanë bërë listën përfundimtare të zgjedhësve të një cilësie dhe standardi të lartë. Besoj që edhe ky proces kompleks, që kërkonte në mënyrë fondamentale edhe kontributin e të zgjedhurve vendorë të bashkive e komunave, ka një produkt final, një produkt strikt në kohë dhe që reflekton në mënyrë të qartë të gjitha operacionet e bëra për t’i dhënë listës së zgjedhjeve të 8 majit cilësinë dhe standardet më të larta”, deklaroi zv.ministri i Brendshëm. Sipas tij, sapo listat të konfirmohen zyrtarisht nga të gjithë kryetarët e njësive vendore në variantin elektronik dhe me shkresë, jo më vonë se 24 orë nga konfirmimi i të gjithë kryetarëve, do të ngarkohet në internet në faqet zyrtare të tre institucioneve ku është shpallur lista paraprake: të Ministrisë së Brendshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. “Ne jemi të angazhuar që në kuadër të marrëveshjes që partitë politike ranë dakord, t’u sigurojmë të gjithëve një akses maksimal, pra jo vetëm variantin read only (vetëm lexim), por edhe variantin aktiv, për t’u siguruar subjekteve zgjedhore aksesin maksimal, që të kenë mundësi të verifikojnë ndryshimet e listës përfundimtare në listën paraprake”, përfundoi Poni.
3 164 859 Zgjedhës shqiptarë gjithsej janë në listën përfundimtare, të ndarë në 4932 qendra votimi. Lista u është dërguar të gjithë krerëve të njësive vendore për t’i nënshkruar, proces që ka zgjatur 2-3 ditë. Gjithçka duket në përputhje me Kodin Zgjedhor, sepse më datën 8 prill shënohet edhe përfundimi i procesit të hartimit e përfundimit të listës së zgjedhësve në gjithë Shqipërinë.
23000 zgjedhës
më pak se lista paraprake ka lista përfundimtare e votuesve. Numri është reduktuar pas heqjes së dublikimeve, heqjes së mbi 100-vjeçarëve dhe personave që kanë lënë shtetësinë. Për publikimet është vepruar: “Nëse marrim një rekord të caktuar, pra, emri, atësia, mbiemri, datëlindja, adresa e me radhë, nëse ka tre element të njëjtë, ne i kemi konsideruar dublime të dyshuara dhe i kemi dërguar pranë njësive të qeverisjes”.
Numri i zgjedhësve sipas Qarqeve
Qarku i Beratit
ka 172 664 zgjedhës në 329 qendra
Qarku Dibër
124 471 zgjedhës në 318 qendra
Qarku Durrës
300 902 zgjedhës në 364 qendra
Qarku Elbasan
309 479 zgjedhës në 556 qendra
Qarku Fier
362 727 zgjedhës në 530 qendra
Qarku Gjirokastër
121 360 zgjedhës në 290 qendra
Qarku Korçë
268 045 zgjedhës në 429 qendra
Qarku Kukës
73854 zgjedhës në 221 qendra
Qarku Lezhë
153 412 zgjedhës në 251 qendra
Qarku Shkodër
243 508 zgjedhës në 414 qendra
Qarku Tiranë
749 246 zgjedhës në 879 qendra
Qarku Vlorë
285 191 zgjedhës në 351 qendra
KQZ respekton kërkesën e opozitës
Anëtarët e maxhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk refuzuan një kërkesë të dy anëtarëve të opozitës për të administruar dosjen e dokumentacionit për një kërkesë ankimuese. Ky pranim, pas kërkesës së dy anëtarëve të opozitës, u konsiderua si rikthim i konsensusit në KQZ, pasi është pikërisht zbatimi i nenit 136 të Kodit Zgjedhor, i cili e detyron Komisionin të pranojë një kërkesë të bërë nga dy anëtarë të tij për administrim prove. Ishte moszbatimi i këtij neni, i cili solli kundërshtimin e opozitës për rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkesën për hapjen e kutive. Dy anëtarët e propozuar nga opozita, Subashi dhe Laze, kërkuan dokumentacionin e plotë për dosjen e ankesës së bërë nga PBDNJ-ja për një kandidat të MEGA-s për Këshillin Bashkiak të Sarandës, i cili është mbështetur nga një këshilltar aktual i PBDNJ-së në këtë bashki. Ky fakt është cilësuar nga PBDNJ-ja si jo ligjor. Gjithashtu, KQZ ka miratuar Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe Koalicionin e vëzhguesve vendorë si vëzhgues të zgjedhjeve të 8 majit.
Panorama
Krijoni Kontakt