TETOVË, 17 MARS- Bibliografitë akademike të mësimdhënësve të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), ashtu sikurse ishte paralajmëruar, kanë nisur të publikohen në faqen zyrtare të internetit edhe pse jo të gjitha përnjëherësh dhe jo në numrin e plotë të mësimdhënësve që figurojnë si të rregullt apo të angazhuar në fakultete përkatëse të USHT-së. I pari që ka çelur siparin e shpalosjes së CV-ve, është Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore (FSHMN), ndërsa sipas përgjegjësve të USHT-së, deri në mbarim të punës, për ditën e hënë, do të shpaloseshin edhe CV-të e profesorëve të Filologjikut, Filozofikut dhe Arteve. Të hënën, ka filluar shpalosja e CV-ve të profesorëve të FSHMN-së dhe për pak ditë në faqen zyrtare të USHT-së do të jenë CV-të e profesorëve të gjitha fakulteteve, paralajmëroi Qufli Osmani, koordinatori për implementimin e Sistemit evropian të transferimit të kredive në USHT.
CV-të e mësimdhënësve, të rregullt dhe me “part–time”, janë të ilustruara me fotografi, në përjashtim të ndonjë rasti e, që për ters, në USHT ka qëlluar t’i takojë njeriut të parë me CV të publikuar. Informatika, që është drejtimi i parë i vendosur në këndin e FSHMN-së, e nisë listën e mësimdhënësve me prof. dr. Agni Dikën, por që për shkaqe të neglizhencës nuk ka paraqitur CV-në. Për arsye të njëjta ose sepse CV-të mund të ishin dërguar në ndonjë fakultet tjetër, ku ato janë të angazhuar gjithashtu, të dhënat mungojnë edhe për katër profesorët e tjerë që pasojnë listën. Ajo hapet me CV-në e mr. Valbon Ademit, por që nuk ka fotografi në vendin e caktuar. Mungesa e konsiderueshme e CV-ve vërehet edhe në drejtimet e tjera të FSHMN-së, sidomos në drejtimet e biologjisë apo të gjeografisë ku nga 24 respektivisht 15 profesorë, VC-të i kanë dorëzuar 14 respektivisht nëntë profesorë.
Ditë më parë, “Lajm”-i, pat shkruar se rreth 30 për qind e profesorëve të USHT-së ngurrojnë t’i paraqesin CV-të e tyre. Kjo, është konfirmuar edhe në ditën e parë të publikimit të tyre në internet, por që për habinë e shumë kujt, bie në sy mungesa e CV-ve të profesorëve me një “backgraund” të begatshme. Pra, krahas prof. Dikës, në drejtimin e informatikës, CV-të u mungojnë edhe prof. dr. Murtezan Ismaili, në drejtimin e kimisë apo prof. dr Asllan Selmanit, në drejtimin e gjeografisë. Përqindja e CV-ve të pa publikuara të FSHMN-së, deri pasditen e së hënës, ishte gati 38 për qind. Nga 71 profesorë që figurojnë në listat e mësimdhënësve të pesë drejtimeve të FSHMN-së, hapeshin CV-të e 44 mësimdhënësve. Në USHT, kanë pohuar se në faqen zyrtare “unite.edu.mk”, do të publikohen biografitë akademike të 805 mësimdhënësve, që numërohen aktualisht në të gjitha fakultetet e këtij universiteti.
Nga: Laura Papraniku
LAJMI GJENDET NE
http://www.studentet.info/modules/ne...p?storyid=1617
Krijoni Kontakt