Artistët shqiptarë reagojnë pas shfaqjes së filmit "Gruaja pa krahë"

Një film për virgjëreshat shqiptare
Historia e regjisorit, që gjurmoi historinë në malet e Shqipërisë

Admirina Peçi

Kishte dalë për të pirë kafenë që herët në mëngjes te "Mumja". Një ditë gri e mbushur me pikla shiu në kryeqytetin shqiptar.

Nikolas Kinsey regjisori kanadez i sapombërritur në Tiranë për të sjellë "Gruan pa krahë",(film shqiptaro-kanadez) bëhet gati për të pritur reagimet e shqiptarëve për filmin e tij, ngjarjet e të cilit marrin frymë në malet e larta të Veriut të Shqipërisë. Ende nuk e di si do të ndryshojnë mimikat në sallën e kinemasë, por ai e di se ka bërë një film të veçantë, një film që i lë gojëhapur të huajt përballë fenomeneve që ai përmban. Veç mbrëmë, në Kinema Millenium 2, menjëherë pas shfaqjes së premierës së vetme në Shqipëri, reagimi i artistëve shqiptarë ishte pak më tej se ai që kishte menduar regjisori kanadez.

***

Ajo quhet Mari. Ka lindur dhe është rritur në Kanada. Nëna e saj shqiptare është e sëmurë. Një nënë, që ka marrë gjurmët e Shqipërisë deri në kontinentin e largët. Maria lëkundet mes dy dashurish dhe kurrë nuk di në cilën rrugë duhet të ecë, derisa një ditë, mbërrin një letër, që lajmëron vdekjen e gjyshit të saj. Maria e lë Kanadanë dhe niset drejt vendit të panjohur, atje ku e presin gjërat më të habitshme, peizazh, njerëz, kohë dhe tradita që kurrë nuk i kishte çuar nëpër mend. Por mbi gjithçka atje e pret një virgjëreshë, jo si Virgjëresha Mari, apo murgeshat, shumë të njohurat në historinë e botës. Ajo është një nga virgjëreshat e çuditshme shqiptare. Një grua që jeton si burrë, pi duhan, vesh rrobat e një burri, mban kapele dhe flet me zë të trashë, pak ngadalë dhe me maturi. Nga krahu, nuk e heq kurrë pushkën. E kur Maria zhytet keq në këtë realitet malesh shqiptare, vjen një moment që ajo e gjen veten të joshur, nga e gjithë kjo jetë që merr frymë çuditshëm në majat e larta, ku duket sikur gjendesh mbi re. Djem e burra që vriten. Një herë e ka radhën njëri fis. E menjëherë pas një vrasjeje hidhet fisi tjetër. Burra që varrosen e qahen me kuje. Por nuk mungojnë në këtë panoramë të shfaqen edhe banditë, ish-sigurimsa, njerëz të Serbisë, a nuk di se çfarë, trazira shqiptarësh e dallavere ambasadash, njëri nga të dashurit e Maries, i cili i gjen gjurmët e saj deri në malet e larta, ku duhen energji të pallogaritshme për t´u ngjitur. Por për Marinë e rëndësishme është rruga ku dëshiron të ecë. Ajo është kthyer në një virgjëreshë shqiptare, një grua-burrë që nuk e heq pushkën nga dora.

***

A është një film i realizuar mirë? Artistë e regjisorë shqiptarë i mblodhën buzët, që në sallën e kinemasë. Për ta ishte cënuar realiteti shqiptar. E kanë quajtur një komedi e keqe, kanë demonstruar pakënaqësi. "Realiteti shqiptar nuk është kurrësesi i këtillë. Ato nuk janë gjëra të Shqipërisë…". Por, në të vërtetë, Nikolas Kinsey kishte realizuar një film, ku diçka ndodh, ku gjuhët përkunden me njëra-tjetërën e krijojnë harmoni, një film ku fotografia ishte e mrekullueshme, ku loja e aktorëve herë-herë depërtonte fort te spektatori. Zefi i Micheline Lanctôt, nuk mund të realizohej më mirë, ndoshta edhe nga një aktore shqiptare. Gruas-burrë, me emrin Zef, ajo i ka veshur gjithë ç´kishte nevojë. Veç gjuha e saj prej kanadezeje nuk mund të tingëllonte krjetësisht mirë në shqip... Filmi "Gruaja pa krahë" ishte një film, ndryshe nga çka servirur kinemaja shqiptare e këtyre viteve. Ajo që nuk shkonte në të vërtetë në këtë film ishin detaje dhe copëza ngjarjesh që bien ndesh me të vërtetën shqiptare. Por, një regjisor i huaj nuk mund ta njohë më shumë se kaq Shqipërinë, ku ne kemi jetuar, që kurse lindëm.



Kensey: Si bëra filmin për shqiptarët

Ai tregon gjithë idenë e tij, mënyrën si e ka realizuar këtë film, dhe gjithë pengesat për të përtërirë ato zakone e tradita të çuditshme. Të gjitha kaq larg botës së tij…

Z.Nikolas, çfarë ju shtyu për të xhiruar këtë film?
Më kanë tërhequr shumë historitë që po shfaqeshin në perëndim rreth shoqërisë shqiptare. Ato më kanë ngacmuar mjaft. Por më së shumti e kam marrë ngacmimin teksa lexoja librin "High Albania" të Edit Durham, ku flitet për udhëtime në Shqipëri në fillim të shekullit të kaluar.

Çfarë janë për ju këto virgjëresha shqiptare?
Më kanë bërë shumë përshtypje në fillim. Ishte një fenomen krejt i panjohur për mua. Këto virgjëresha janë pjesë e të shkuarës shqiptare. Ato u bënë pjesë e kulturës shqiptare, që kur Lekë Dukagjini shkruajti "Kanunin".

Ku konsiston e gjithë ideja juaj për këtë film?
Ideja për këtë film, konsiston te dy femra që e konfrontonin jetën në dy pika krejt të kundërta. Maria nga Kanadaja, me mënyrën perëndimore të jetesës, takohet me një grua më të vjetër, të quajtur Zef nga Shqipëria, e cila bën jetën e një burri. Maria mrekullohet nga eksperiencat e jetesës së Zefit. Ajo është gati të lërë jetesën e saj perëndimore për të jetuar në ato male të larta rrethuar me njerëz që e duan. Janë këto rrënjë të forta familjare që i japin një kuptim tjetër jetës së saj.

Sa e vështirë ishte për ju që të futeshit në botëkuptimin e jetës së shqiptarëve dhe në traditat e tyre?
Pa librin e Edit Durham mbi zakonet shqiptare, mendoj se nuk do të kishim ditur si ta realizonim këtë film. Nuk do të dija nga t´ia nisja e ku të përfundoja. Por, na kanë ndihmuar gjithashtu shumë edhe aktorët e pjesëtarët e grupit të xhirimit. Ata na mësuan shumë. Prej tyre mesuam zakone, dhe tradita që duheshin futur në panoramën e filmit.


Gazeta Panorama