Për herë të parë pas 59 vjetësh nga masakra e partizanëve të Jaho Gjolikut e Haki Toskës, dëshmojnë familjet e viktimave që u vranë në shenjë hakmarrje për Çelo Sinanin
Dashnor Kaloçi
Dëshmia e 69-vjeçarit Dedë Marashi: "Më kujtohet si tani kur erdhi haberi dhe e sollën me vig trupin e pajetë të kushuririt tim, Tom Martinit. Babai i tij, Martin Gjoni, kur e ka pa syrin e djalit të varun poshtë fytyrës nga goditjet e bajonetës, u tha atyre që e prunë: pse ma keni sjellë kështu, dhe e shkuli synin e të birit dhe e hodhi në përrua".
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet dëshmisë së 84-vjeçarit Prek Sokoli me origjinë nga fshati Xhan i Komunës së Pultit të Dukagjinit, u njohëm me një nga historitë tragjike të ndodhura në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, në ditën e fundit të Luftës, kur në malësinë e Dukagjinit, forcat partizane të një batalioni të Brigadës së gjashtë sulmuese, ekzekutuan dhjetë malësorë të pafajshëm, në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së korrierit partizan të asj brigade, 15-vjeçarit, Çelo Sinani nga Picari i Gjirokastrës. Sipas dëshmisë së Prek Sokolit, vëllai i Pëllumb Sokolit, njërit prej dhjetë burrave të pushkatuar, një grup malësorësh që ishin duke udhëtuar nga Shkodra për në fshatrat e tyre, natën e 27 nëntorit 1944 u ndeshën në një pritë partizane prej tre vetësh e cila iu bëri thirrje që të ndaleshin. Pas kësaj njëri nga partizanët qëlloi në drejtim të tyre me breshëri automatiku dhe plumbave të tij iu përgjigj po me plumba njëri nga malësorët, nga të cilat mbeti i vrarë Çelo Sinani. Pas kësaj, dy shokët e Çelos zbritën në fshat ku dhanë lajmin e vrasjes së tij dhe partizanët e batalionit që ishin lënë në atë zonë për spastrime, i arrestuan të gjithë grupin e malësorëve që ishte strehuar për të kaluar natën po në atë fshat dhe të lidhur ata i dërguan në Qafë-Thanë ku ishte Shtabi i Brigadës. Në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelos, u vendos pushkatimi i dhjetë burrave, gjë të cilën e mori përsipër një partizane për të cilën atëhere u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit.
(vijon nga numri i kaluar)
Arrestimi i 37 malësorëve
Por pushkatimi i dhjetë malësorëve dukagjinas në afërsi të fshatit Bruçaj, duket sikur nuk i kënaqi kuadrot drejtuese të Shtabit Brigadës së gjashtë që komandoheshin nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska, pasi forcat e shumta të asaj brigade u rikthyen përsëri në fshatin Xhan e Bruçaj, ku kryen arrestimin e 37 fshatarëve të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje, 84-vjeçari Prek Sokoli me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në Rranxat e Bushatit të Shkodrës, dëshmon: "Pas pushkatimit të atyre dhjetë burrave nga një partizane për të cilën u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit, forcat partizane, të udhëhequara nga Jaho Gjoliku, u kthyen përsëri në fshatin Xhan dhe aty arrestuan edhe 37 fshatarë të tjerë, të cilët ashtu të lidhur i rreshtuan në një bregore për t'i pushkatuar të gjithë. Në atë çast që pritej pushkatimi i tyne sipas urdhërit që kishte dhënë Jaho Gjoliku, vendimi u anallua dhe të 37 burrat e lidhur mundën që të shpëtonin nga vdekja e sigurtë. E gjithë ajo mrekulli, pra falja e tyre ndodhi pas ndërhyrjes së Komandantit të Divizionit partizan, Gjeneral Gjin Markut, që kishte nën vartësi Brigadën e gjashtë, i cili e ndaloi Jaho Gjolikun që ta kryente atë masakër. Sipas atyre burrave që kanë qenë prezent në atë vënd, Gjin Marku i tha kështu Jaho Gjolikut: "Nesër kemi festën e Çlirimit të Shqipërisë dhe nuk bën që atë ditë të shumëpritur ta festojmë me gjak". Pas atyre fjalëve të Gjin Markut, ata 37 burra të pafajshëm u lanë të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre", e përfundon dëshminë e tij, 84-vjeçari Prek Sokoli, vëllai i njëri prej dhjetë burrave të pushkatuar në fshatin Xhan, i cili shton se që nga ajo ditë e deri në vitin 1990, familja e tij u quajt reaksionare dhe vazhdimisht u përmëndej vëllai i vrarë. "Prej asaj ne s'kena mujt me lyp kurgja" shprehet Prek Sokoli, familjen e të cilit në vitin 1971 e hoqën nga fshati Xhan dhe e dërguan aty në Rranxat e Bushatit, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Por edhe pse ata u shpërngulën nga fshati i tyre, nuk e kanë harruar ende atë histori tragjike ku 59 vjet më parë nga plumbat e partizanëve mbeti i vrarë i biri i tyre, 25-vjeçari Pëllum Sokoli.
Dëshmia e tre familjeve të viktimave
Për atë histori tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, 67-vjeçari, Dedë Marashi dëshmon: "Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, iu drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij duke u thënë: "Pse ma keni sjellë kështu" dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua", kujton Deda lidhur me atë histori rrënqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre. Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe 85-vjeçarja Drane Vata, e motra e Kol Vatës që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, e cila dëshmon: "Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj. Nga Gjuraj për në Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjëve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e mora vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: "Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kan vra". Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti) bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sot që jam në moshën 85-vjeçare, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup përveçse ngjyrës së zezë", kujton Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj. Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, dëshmon: "Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkaun burrin tim, Kol Zefin. Meqënëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatërt me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: "Kan plagosë partizanët në Xhan vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh". Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatërt nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë. Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vëndlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital. Me këtë shpresë të pashpresë unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetëshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944 e deri më sot, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhëmbje në shpirt", kujton Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e brigadës së gjashtë i tha: "Lëreni këtë se qenka moshatar me Çelon tim".
Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve
Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së gjashtë mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 63-vjeçari nga Shkodra. Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe genocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vëndit, ndërmjet të tjerash dëshmon: "Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër forcave spastruese të Brigadës së gjashtë partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyre. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, forcat spastruese partizane dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi", shprehet Zef Zeka lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së gjashtë dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera ndoshta dhe më të egra vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me rradhë.
Versioni zyrtar i vrasjes së Heroit të Popullit Çelo Sinanit
Nga ajo ditë pioneri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin "Asim Zeneli", në grupin e parë të Kurveleshit e në brigadën e 6 sulmuese Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanie, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur: Mbi çdo vend të Shqipërisë / Brigad' e gjashtë kur kalon,/ Drithet fron' i tiranisë / Mali e fusha ushëton… Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar. -Të zura, more rjepacak, s'ke ku më shkon,- i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos. Pioneri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët. … Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malsorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli nëj "prift", i cili, si hodhi sytë rreth e përqark u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: "Pse ecën i trembur"?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. "Prifti" shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori "valterin" nga gjoksi dhe shtiu tri herë. Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionerin, por ai nuk u tërhoq. Iu kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. "Prifti" vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pioneri i gjakosur iu qep pas duke shtënë. "Prifti" hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t'u mbrojtur nga plumbat e Çelos përdrodhi këmbën, ra në ujë u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe "prifti" u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:"- Shih dreqi, na qenka toger gjerman! Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte "gjak në vetull". Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhrë 26 nëndor 1944 partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët. Çelua i ndezur nga urrjetja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t'u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pioner, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël: "Kush lufton në atë breg / Çelo Sinani vetë i tret, / Çelo Sinani kuq si molla / Qit dhe njëherë, të lumtë dora, / Jo me një po qit me dy,/ T'lumshin krahët e ay sy". Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:"… Kush tha se s'di Çelua / Në male të luftojë?!/ Kush tha se s'di Çelua / Me pushkë të qëllojë?!/ Përballë me armikun, / Në krah me shok'lufton,/ Dhe kurrë ai s'trembet…/ Me pushkë ai qëllon. … Po plumbi seç e gjeti,/ Bariun tonë të ri; / Ia ngatërroi flokët era,/ Me kapënë mbi sy…".
Krijoni Kontakt