EULEX-i ka konfirmuar se dëshmitari kyç në rastin Kleçka është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Zyrtarë për informim të misionit evropian nuk kanë dhënë detaje tjera, por vetëm kanë thënë se hetimet janë duke u bërë nga policia gjermane.
Dëshmitari kryesor në procesin ndaj Fatmir Limajt dhe 9 ish-luftëtarëve tjerë të UÇK-së në rastin e njohur si “Kleçka” është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.
“EULEX-i konfirmon se dëshmitari X (Agim Zogaj), është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë dhe autoritetet gjermane po hetojnë rastin”, tha Gudeleviq.
EULEX-i nuk jep detaje për rrethanat e vdekjes së dëshmitarit X, mirëpo disa media kanë raportuar se bëhet fjalë për vetëvrasje. Ngjarja ndodh disa javë para se të fillojë procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”. Gjykimi kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve ishte paralajmëruar të fillojë nga fund i muajit tetor.
Ata akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në fillim të vitit 1999 e deri në fund të luftës së Kosovës.
Krijoni Kontakt