Heshtja për videon greke acaron emigrantët: Qeveria shqiptare na ka braktisur
Lëvizja "Mjaft" protestë para ministrisë: Luli eja në punë
Pas publikimit të video-skandalit ka reaguar ashpër edhe komuniteti shqiptar në Greqi, ndërsa opozita greke ka këmbëngulur përsëri dje në dorëheqjen e ministrit të Rendit dhe drejtuesve të policisë. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi ka kërkuar reagim të ashpër nga qeveria shqiptare ndaj dhunës që ushtrohet vazhdimisht ndaj tyre në shtetin helen. Përmes një deklarate shtypi, emigrantët shqiptarë janë shprehur të pakënaqur me reagimin e qeverisë shqiptare, por edhe të institucionit të Avokatit të Popullit, në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve. "Neglizhenca që shpreh shteti shqiptar ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe te qeveria greke, e cila nuk i ndëshkon asnjëherë dhunuesit e emigrantëve, por gjithmonë i ngarkon me faj ata", theksojnë emigrantët. Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi ka kërkuar me insistim dënimin e gjithë stafit të policisë së "Omonias" në Athinë, pasi ky nuk ishte rasti i parë i dhunës së ushtruar ndaj emigrantëve. "Shteti grek nuk respekton asnjë të drejtë të emigrantëve", konstatojnë emigrantët shqiptarë në Greqi. Rasti më i fundit i dhunës u shënua disa ditë më parë dhe u vërtetua edhe nëpërmjet një videoje, që ka shokuar gjithë opinionin publik grek.
"Tërmet" në politikën greke
Pamjet e dhunës në rajonin e policisë së "Omonias" në Athinë shkaktojnë ende reagime të ashpra në Greqi. Partitë e opozitës kërkuan dorëheqjen e ministrit të Rendit dhe të drejtuesve të policisë. Kjo kërkesë është hedhur poshtë prej qeverisë, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Evangjelos Andonaros. Ai tha se "ministri e kryen shumë mirë detyrën e tij, prandaj gëzon edhe mbështetjen e Kryeministrit Karamanlis". Por opozita helene këmbëngul që dorëheqjet duhet të jenë të menjëhershme, pasi "ky nuk ishte një rast i veçantë". "Dhuna në rajonet policore greke është tashmë diçka e zakonshme", konstaton ajo. Opozita rikujtoi edhe një herë raportin e "Amnisty International", në të cilin bëhet fjalë për 67 denoncime për dhunë fizike në rajonet e policisë vetëm gjatë dy viteve të fundit. Gjithashtu, opozita përmend edhe një tjetër raport, atë të Këshillit të Evropës, sipas të cilit gjendja në rajonet e policisë dhe burgjet greke paraqitet si në vendet e botës së tretë, shumë herë më keq edhe se vendet më të varfra të rajonit.
Qytetarët: Edhe ne jemi rrahur
Edhe dje televizionet dhe gazetat greke i kanë kushtuar ngjarjes vend të veçantë në faqet dhe edicionet informative. Tema kryesore e diskutimeve është shkelja flagrante e të drejtave të njeriut ndaj personave që ndalohen në rajonet e policisë greke. I gjithë opinioni vendas dhe ai mediatik dënojnë ngjarjen-skandal, ku dy emigrantë dhunohen prej policisë dhe më pas detyrohen prej saj të qëllojnë njëri-tjetrin. Reagime të forta ka pasur edhe nga sindikalistët e policisë, të cilët kësaj radhe janë kundër drejtuesve të Ministrisë së Rendit. Ata pajtohen me qëndrimin e përbashkët të mediave dhe opinionit vendas, që kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Rendit, Viron Polidhoras, dhe drejtorit të policisë, Dhimoskaqis. Mediat greke po shfaqin jo pak denoncime qytetarësh, të cilët tashmë shprehen se janë goditur, sharë e rrahur në rajonet e policisë, kur janë ndaluar për arsye të ndryshme.
Lëvizja MJAFT: Basha, reago seriozisht
Aktivistë të Lëvizjes MJAFT protestuan dje para Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, kundër mungesës së një reagimi dinjitoz të këtij dikasteri, pas publikimit të videos skandaloze të regjistruar në një nga komisariatet policore të Athinës. Dhjetëra aktivistë mbanin në duar parulla kundër ksenofobisë së përsëritur greke ndaj shqiptarëve dhe kundër heshtjes së autoriteteve shqiptare ndaj rasteve shokuese të kësaj ksenofobie edhe në të kaluarën. "Ndërsa këtë video skandaloze, ku oficerë të policisë rrihnin dy shqiptarë e i detyronin ata të rrihnin dhe njëri-tjetrin, e dënoi publikisht Kryeministri i Greqisë, autoritetet shqiptare dhe veçanërisht Ministria e Jashtme, u mjaftuan vetëm me një deklaratë shtypi", tha Joni Baboçi, aktivist i MJAFT. Sipas tij, kjo është e papranueshme, ndaj jemi mbledhur këtu që t‘i bëjmë thirrje ministrit Basha të nisë sa më parë reagime serioze dhe më të ashpra për të vënë në vend dinjitetin tonë".
MJAFT argumentoi se është e pafalshme që shteti dhe autoritetet shqiptare të mos reagojnë ashpër dhe ashtu siç duhet sa herë që dinjiteti i shqiptarëve nëpërkëmbet në vendin fqinj. "Ushtarët grekë thonë se do bëjnë lidhëse këpucësh me zorrët tona, flamuri shqiptar digjet publikisht në Greqi, madje të rinj shqiptarë rrihen dhe vriten si rasti i Vullnet Bytyçit, e ajo që bën shteti shqiptar është veçse ndonjë reagim i ftohtë përmes deklaratave për shtyp, ku ndonjëherë, si në deklaratën e djeshme, lavdërohet edhe puna e policisë apo drejtësisë greke", tha një tjetër aktivist i kësaj lëvizjeje. MJAFT kërkoi nga autoritetet greke të marrin menjëherë masa mbi autorët, duke dhënë shenja të qarta e bindëse se respektojnë ligjin, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, ashtu siç kërkoi nga autoritetet shqiptare që jo vetëm ta dënojnë publikisht këtë skandal, por të bëjnë sa më parë reagimet e duhura që skandali të mos kalojë në heshtje, siç kanë kaluar deri tani skandale të tjera të ngjashme me të edhe në të kaluarën.
Protesta e MJAFT u organizua para zyrës boshe të ministrit të Jashtëm. Basha ndodhet prej dy ditësh në Komisionin Zonal Zgjedhor në zonën 86 në Pogradec. Ndonëse prej të shtunës në mediat greke dhe më pas në ato shqiptare ka shpërthyer skandali i dhunës së policëve të Komisariatit të "Omonias" në Athinë ndaj dy të miturve shqiptarë, ministri Basha është më i interesuar për punët e partisë, duke parë më të arsyeshme të ndjekë nga afër zgjedhjet në Pogradec, se sa të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, në këtë rast në Greqi, detyrë që e mbulon në qeveri dhe për të cilën paguhet nga taksat e shqiptarëve. Zoti Basha, jo pak herë, është parë të ndërhyjë në punën e KZZ-së, çka ka bllokuar funksionimin normal të tij. I pyetur të dielën për praninë e tij në Starovë, ndërsa aty po zhvillohen zgjedhjet, zoti Basha u shpreh se po inspektonte projektet e rrugëve që ai kishte firmosur kur ishte ministër i Transporteve.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt