NËN STUFË.
Të rinjve që shkonin tek ai për herë të parë,
Rabbi Bunam u tregonte këtë histori
që i kishte ndodhur Rabbi Ezekisë, të birit të Rabbi Jekelit të Krakovës.
Pas shumë e shumë vitesh mjerimi të ashpër e skamjeje,
të cilët nuk e kishin thyer besimin e tij në Zotin,
Rabbi Ezekia, i biri i Jekelit,
pa një ëndërr në të cilën mori një urdhër
që të shkonte në Vjenë për të kërkuar një thesar
që gjendej nën urën e famshme historike të Luigjit VIII.
Kur ëndërra u përsërit për të tretën herë,
Ezekia u ngrit, u vu në ecje dhe arriti këmbë në Vjenë.
Por, ura ishte e përgjuar ditë e natë nga rojet e mbretit
e kështu ai nuk kishte guxim të gërmonte
në vendin që i ishte dëftuar.
Megjithatë, çdo mëngjes kthehej tek ura,
duke u sjellur rreth saj deri në mbrëmje.
Më në fund, komandanti i rojeve,
që e kishte vërejtur sjelljen e tij të çuditshme rreth urës,
iu afrua dhe shumë miqësisht e pyeti
se mos kishte humbur diçka
apo mos po priste ndokënd.
Atëherë Ezekia ia tregoi ëndrrën
që e kishte shtyrë të vinte deri këtu
prej tokës së tij të largët.
Me të dëgjuar ëndrrën komandanti shpërtheu në një të qeshur të fortë:
“E ti, o i shkretë, për t’i dhënë të drejtë një ëndrre
ke ardhur gjer këtu këmbë? Ha, ha, ha!
E ke shumë gabim që u beson ëndrrave!
Sipas mendimit tënd, atëherë edhe unë ishte dashur ta dëgjoj
një ëndërr sipas së cilës ishte dashur të vihesha në ecje
për të shkuar në Krakovë, në shtëpi të një hebreu,
të njëfar Ezekie, të birit të Jekelit,
për ta kërkuar një thesar nën stufën e tij.
Ezekia, i biri i Jekelit, po tallesh?
Mund ta marr me mend veten
duke hyrë dhe duke bërë rrëmujë
në çdo shtëpi të një qyteti
në të cilin gjysma e hebrenjve quhen Ezeki
e gjysma tjetër Jekel!” Dhe filloi prapë të qeshte.
Me të dëgjuar këto fjalë,
Ezekia e përshëndeti,
u kthye në shtëpi të vet
dhe kërkoi nën stufë.
E gjeti thesarin,
e mori dhe me të ndërtoi një sinagogë* (shenjtërore e hebreje)
në fshatin e tij.
Torrkerry
Krijoni Kontakt