“Kalatë e papushtuara” të 13 personave që pastrojnë para
MARIGLEN MULLAI
22/09/2008 Biznese e politikanë në listën e policisë, zbulohet hetimi i rastit të parë
Artileria e rëndë e asaj pjese të botës shqiptare që pastron paratë e krimit dhe i financon në aktivitete të ligjshme ka nisur të ndjejë prej 12 ditësh pengesat e guximshme të Policisë së Shtetit. Hartimi i një strukture precize, drejtuar nga specialistë të mirëfilltë të krimeve financiare i ka “kallur datën” 13 personave që akuzohen drejtpërdrejt për pastrim parash, teksa pritet që aksionet në rangje deri tani të paprekshme të fusin në rrezen e prangave individët apo kompanitë që arrijnë t’u hedhin hi syve organeve përkatëse. Burime të mirinformuara nga Policia e Shteti nuk ngurrojnë të japin për gazetën “Metropol” emrin e një personi që aktualisht mbetet në fazën e hetimit për pastrimin e parave. I akuzuari quhet Veiz Senko dhe aktualisht ndodhet i arrestuar, pasi policia kishte mbledhur prova që e implikonin si sekser që lidhte personat e interesuar me zyrtarë të hipotekave, ku ishin kryer disa mbivendosje e tjetërsime prone. Sakaq, dora e parë të kësaj faze intensive hetimesh (përfshihet verifikimi i aseteve me origjinë kriminale, vendndodhja e të hetuarve apo natyrat e transaksioneve bankare dhe metoda speciale hetimi) pritet të korret nga fillimi i vitit tjetër, pasi vetëm nga 10 shtatori kjo gardë policore, rishtazi e strukturuar nga ekspertë, ka marrë udhëzimet përkatëse për t’u shtrirë më pas në terren.
Fillim i mbarë
Nuk janë mbushur dy javë qëkur drejtoritë e policive në 12 qarqet e vendit nisën të kuptonin se është detyrë e tyre të raportojnë e të regjistrojnë çdo dyshim për çdo person që ka financuar perandorinë e tij të krimit (përfshihet trafiku i drogës, armëve, qenieve njerëzore, etj, etj) në biznese të ligjshme. Kështu, prej 10 shtatorit zyra qendrore e Drejtorisë së përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila i raporton drejtpërdrejt ministrit të Financave dhe shërben si Njësi e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë nuk është më e vetme sepse secila drejtori policie në vend ka hapur sektor të veçantë dhe të dhënat fillimisht do të ruhen atje, për t’u dërguar më pas në njësinë qendrore. Deri para shtatorit të këtij viti një gjë e tillë nuk mundësohej, ndërsa pritet që efektet e këtyre njësive të ndihen vetëm pas specializimit të plotë të efektivëve që janë angazhuar në këtë nismë.
“Kalatë e papushtuara”
Në qoftë se vrulli i këtij prag-dyluftimi nis me personat që tashmë janë të arrestuar për të tjera vepra penale dhe hetimet shtrihen edhe për pastrim parash, Policia e Shtetit, siç deklaron çdo zyrtar i saj në të gjitha aktivitetet, mbetet e angazhuar ta shtrijë verifikimin e aseteve me origjinë kriminale edhe tek individët e pushtetshëm (përfshihen pjesë të bizneseve, zyrtarë, politikanë apo funksionarë), ndonëse rruga që të çon deri në atë moment është shumë e gjatë. Burimet e Policisë së Shtetit thanë se mes 13 personave që hetohen për pastrim parash në kryeqytetin shqiptar ndodhen edhe individë apo kompani që u përkasin kategorive të mësipërme, por emrat e tyre nuk publikohen nga gazeta “Metropol” për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Kësisoj, të njëjtat burime shtojnë së fundmi se ashtu siç nuk priteshin rezultate spektakolare në shkatërrimin e disa elementëve të krimit të organizuar, opinioni publik në Shqipëri do të mësohet edhe me skena ku kalatë e pushtetit nuk shihen më vetëm nga larg nga policia, por sulmohen për të garantuar ligj e drejtësi.
Sipas ligjit, identifikimi nis gjatë transfertave jo më pak se 1.500 000 lekë
Transaksionet bankare, kriteret e shumave që verifikohen
Parandalimi i pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit ka qenë një ndër objektivat e çdo qeverie pas vitit 1900, por vetëm kohët e fundit ka njohur zhvillime të reja zbatimi i tij. Prova e parë e strukturave përkatëse ishte përballimi me dosjen e fortë të Jasin Kadit, sheikut miliarder që akuzohej nga SHBA-të për financim të terrorizmit dhe qeveria shqiptare i bllokoi disa asete. Por një vendimi i Gjykatës Evropiane të së Drejtës i jep të drejtë atij të rimarrë mijëra dynym truall të sekuestruara dhe dhjetëra biznese të ligjshme. Për pastrimin e parave hapat kanë qenë më të kujdesshëm, pasi nevojitet që të jetë vërtetuar origjina kriminale e aseteve. Miratimi i një ligji Antimafia, disa vjet më parë shkaktoi reagime të shumta, pasi në rrjetat e policisë u përfshinë disa hotele, dyqane, makina, etj, për të cilat dyshohej se ishin përfituar nga aktivitete kriminale, por që sot ende vazhdojnë aktivitete normale.
Ligji i shtatorit
I miratuar më 19 maj të këtij viti ligji nr 9917, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, ka hyrë në fuqi në datën 10 shtator dhe parashikon qartë të nenin 4 të saj që subjektet duhet të identifikojnë klientët dhe të verifikojnë identitetin e tyre me anë të dokumenteve të identifikimit para se të vendosin një marrëdhënie biznesi, kur klienti kryen ose kërkon të kryejë një transfertë të drejtpërdrejtë brenda ose jashtë vendit si dhe një transaksion me një shumë të barabartë me jo më pak se 200 000 (dyqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja për blerjen/shitjen e fishave të lojërave të fatit, apo kundërvlerën e tyre elektronike, në rastin e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve të çfarëdo lloj forme, jo më pak se 1.500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryer në një transaksion të vetëm, ose në disa transaksione të lidhura me njëri-tjetrin. Nëse shuma e transaksioneve nuk dihet në kohën e veprimit, identifikimi duhet të kryhet sapo të bëhet e ditur shuma dhe të arrihet pragu i mësipërm kur ka dyshime për vërtetësinë e të dhënave të identifikimit të marra më parë dhe në të gjitha rastet kur ka të dhëna ose dyshime të mjaftueshme për pastrim parash ose financim të terrorizmit.
Regjistrimi i të dhënave
Për identifikimin dhe verifikimin e identitetit të klientit, subjektet duhet të regjistrojnë për personat fizikë emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, vendbanimin e përkohshëm dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, autoritetin që e ka lëshuar, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Ndërsa për personat fizikë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse emrin, mbiemrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar. Për personat juridikë privatë që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, NIPT-in, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së veprimit financiar dhe për personat juridikë privatë që nuk zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, numrin dhe datën e vendimit të gjykatës për regjistrimin si person juridik, statutin dhe aktin e themelimit, numrin dhe datën e lejes së ushtrimit të veprimtarisë nga organet tatimore, selinë e përhershme dhe natyrën e veprimtarisë.
Udhëhiqet nga Kryeministri dhe ka në përbërje disa ministra
Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave
Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është përgjegjës për përcaktimin e drejtimeve të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Ai drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka ministrin e Financave, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Drejtorin e SHISH-it dhe Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKP-së. Komiteti mblidhet të paktën 1 herë në vit për të shqyrtuar dhe analizuar raportet për veprimtaritë e kryera nga autoriteti përgjegjës, si dhe raportet për dokumentet e përgatitura nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Drejtori i përgjithshëm i autoritetit përgjegjës i ofron komitetit, sipas kërkesës së tij dhe vepron si këshilltar në mbledhjet e këtij komiteti. Gjithashtu mund të krijojë grupe pune teknike dhe/ose operacionale për të ndihmuar në kryerjen e funksioneve që ka, si dhe për studimin e tipologjive e të teknikave të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Subjektet që i nënshtrohen këtij ligji
a) Bankat tregtare
b) Institucionet financiare jobankare
c) Zyrat e këmbimeve valutore
ç) Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre
d) Shërbimet postare që kryejnë shërbime pagesash
dh) Çdo person tjetër fizik ose juridik, që emeton apo menaxhon mjetet e pagesës ose të parasë, ose kryen transferimin e vlerës (karta debiti dhe krediti, çeqe, çeqe udhëtari, urdhra pagese dhe urdhërpagesa bankare, para elektronike ose instrumente të tjera të ngjashme)
e) Bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shtëpi brokerimi etj.), që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve
ë) Shoqëritë që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit
f) Autoriteti Shtetëror Përgjegjës për Administrimin dhe Shitjen e Pronës Publike dhe çdo person tjetër juridik publik që kryen veprime juridike lidhur me tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronës shtetërore, ose që kryen evidentimin, transferimin apo tjetërsimin e pronës shtetërore
g) Lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme
gj) Avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, kur përgatisin ose kryejnë transaksione për klientët e tyre për veprimtaritë e mëposhtme
i) Kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e parave, të letrave me vlerë ose të aseteve të tjera
ii) Administrimin e llogarive bankare
iii) Administrimin e pjesëve të kapitalit që do të përdoren për themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive tregtare
iv) Krijimin, funksionimin ose administrimin e personave juridikë
v) Marrëveshjet ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionare dhe transferimin e veprimtarive tregtare
h) Agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ekspertët e vlerësimit të pasurive të paluajtshme
i) Ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare
j) Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale
k) Çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me:
i) Administrimin e aseteve të të tretëve/drejtimin e veprimtarive të lidhura me to
ii) Qiratë financiare
iii) Ndërtimet
iv) Biznesin e metaleve dhe të gurëve të çmuar
v) Huatë financiare
vi) Marrëveshjet dhe garancitë financiare
vii) Shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 500 000 lekë ose më shumë
viii) Sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose të letrave me vlerë lehtësisht të konvertueshme, në emër të personave të tretë
ix) Këmbimin e parasë fizike
x) Tregtimin e mjeteve motorike
xi) Veprimtaritë e spedicionit dhe të transportit
xii) Agjencitë e udhëtimit
Raportimi tek autoriteti përgjegjës
Subjektet, që dyshojnë se prona është produkt i veprës penale ose ka për qëllim të përdoret për financimin e terrorizmit, menjëherë, brenda periudhës së përcaktuar në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, i paraqesin një raport autoritetit përgjegjës, ku parashtrojnë dyshimet që kanë. Kur subjektit, të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transaksion, ka dyshime se transaksioni mund të përfshijë pastrim parash ose financim terrorizmi, ai duhet t’ia raportojë menjëherë çështjen autoritetit përgjegjës dhe të kërkojë udhëzime nëse duhet ta kryejë apo jo transaksionin. Autoriteti përgjegjës është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 48 orëve. Subjekteve u kërkohet t’i raportojnë autoritetit përgjegjës, sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji të gjitha transaksionet në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin.
Gazeta Metropol
Krijoni Kontakt