Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Muslimanja, gjysma e mohuar e shoqërisë!

    www.atafili.wordpress.com

    Muslimanja, gjysma e mohuar e shoqërisë!


    “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” – Kur’an, 2:187

    Shkruan: Avni Tafili

    Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane - gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri!


    Gruaja muslimane është e paaftë të flas, e paaftë të mendojë, e paaftë të udhëheqë, e paaftë të komunikojë! Jo, s’është e paaftë, por shoqëria burrërore e ka shndërruar në grua, që duhet vetëm të gatuajë e të heshtë! Po, muslimanja nuk ka të drejtë të shkojë në Xhami, se Xhamia është vetëm për burrat! Nuk ka të drejtë të shkojë në mbledhim e në kuvendime, sepse gratë nuk dinë të flasin e as të mendojnë. Gruaja është krijuar për të dëgjuar burrin, dhe të jetë në shërbim vetëm ndaj burrit të vet, e aspak nuk ka të drejtë të jetë e integruar në shoqëri, e të thotë mendimin e vet, e ta plotësojë atë me virtytin femëror!

    Fëmijët s’po na dëgjojnë! Të rinjtë tanë kanë devijuar, - thonë burrat muslimanë, e prindërit e devotshëm. Po, e si t’ju dëgjojnë, kur edukatorja e njeriut, Nëna, e si të mos devijojnë, kur mbikëqyrësja, Nëna, nuk di gjë se ç’ndodh në rrugë, e çfarë kulture e çfarë gjendje po përjetojnë fëmijët e saj! Jo, ajo është e prangosur! O burrë e prind musliman, atë e ke bërë të paaftë t’i kuptojë sfidat, me të cilat ballafaqohen fëmijët tuaj, e si ajo të jetë edukatore, e si ajo të jetë nënë e suksesshme, kur fëmijët e saj bredhin tërë kohën jashtë shtëpisë, e ajo të ketë dijeni se ku, çfarë e pse!

    Çfarë padrejtësie që i bëjnë nënës, gruas, muslimanes! Ajo lihet e gjorë e mjerë brenda mureve, përderisa burrat të preokupuar me dunjallëkun dhe hallet e saj, fëmijët lihen nën mëshirën e të pamëshirshmit, rrugës! Burri e prindi musliman është i zënë! Hallet e dunjasë e kanë pushtuar. Nuk është në gjendje të mendojë e as të edukojë. Atëherë, pse gruas sate ia mohon virtytin, ia mohon pjesën e saj, që mund të jepte ndaj fëmijëve të saj, ndaj shoqërisë, që ty të ka rrëzuar përtokë!

    E sa janë të vetëdijshëm burrat muslimanë për këtë boshllëk, për këtë gjymtim të shoqërisë muslimane! Sa janë të ndërgjegjshëm ndaj përgjegjësisë që duhet të kenë gratë muslimane në shoqëri! Deri kur prindërit muslimanë vajzat e tyre i prangosin e nuk ua japin të drejtën e shkollimit dhe të integrimit në shoqëri! Jo, gratë të barabartë me burrat duhet të jenë! Kush të dha të drejtën ty, burrë musliman, ndaj gruas sate të mbash qëndrim burri agresor! Kush të dha të drejtën ty, t’ia mohosh aftësitë udhëheqëse gruas sate, e ta konsiderosh të paaftë! E të mangët! Jo, kurrsesi jo! Gruaja është e plotë siç mund të jesh ti. Po edhe ti sikur të mbylleshe, e të mos komunikoje, madje do të bëheshe më i paaftë se gruaja!

    Jo, dije pra o ti burrë, që vetes burrë musliman i thua, se njëmend burrë do të ishe kur me gruan tënde do të plotësoheshe! Jo po ti gruan tënde e dëgjon atëherë kur ti ke nevojë, e kurrë s’dëgjon e as s’të bëhet vonë, kur gruaja jote shpreh ambiciet dhe nevojat e veta. Dije pra, se ti burrë i virtytshëm e as i dobishëm s’do të bëhesh, përderisa ndaj gruas sate je i pavirtytshëm dhe i parespektueshëm! E nuk është virtyt i mirë e as respekt vetëm të përkëdhelet, por edhe t’ia respektosh idetë dhe pjesën që mund ta jepte në familje e në shoqëri. E pra, dije se, përderisa ti ia cenon të drejtën e të qenët të saj aktive në shoqëri, kurrë shoqëria muslimane nuk do të shohë ditë të bardha!

    Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane, gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri! Çka të bëri ty të mendosh se gruaja është e paaftë dhe e dobët! Ajo është burim i jetës, prej saj lindën burrat! Jo po ty të ka kapur burrëria përpara, e ke harruar se ty një grua të lindi, e ti “burrërisht” po e mohon! Jo, ato lihen të shprehen, por vetëm kur ti burrë ndihesh i dobësuar e i plogështuar. Edhe flasin e komunikojnë, por të shtyra nga prangosja, e detyrohen të bartin fjalë e të llafosin gjëra të kota me gratë e mëhallës. Çdo njeri i mençur mund ta marr me mend arsyen e kësaj dukurie!

    Gratë s’janë krijuar për me ta ushqyer ty barkun! E as për t’u vënë në shërbim të trupit tënd! Jo, kurrsesi jo! Ajo është krijuar edhe mendjet dhe zemrat e njerëzve për t’i prehur në paqe e qetësi. Trupi s’prehet, por shpirti! Ato janë krijuar për të edukuar. Për të edukuar breza! E si pra ajo edukatore e denjë të jetë, kur ti asaj të pamirit e të dëgjuarit e të menduarit ia kufizon brenda mureve të shtëpisë!

    Ti, duke menduar se namin po bën, kthehesh i nevrikosur e i irrituar se jeta është bërë tejet e vështirë! Po, do të vështirësohet edhe më tepër, përderisa shoqëria me njerëz sikur ty, mendojnë se gratë janë tepër për t’u integruar në shoqëri. Ty shoqëria e tillë po të irriton, e ka për të të irrituar, përderisa është e gjymtë! E gjymtë, se butësia e prehja e duarve të grave janë të mohuara në shoqëri!

    Fëmijët e të rinjtë tanë po edukohen prej organizatash e shoqatash! Po, edukohen, madje edhe fenë e tyre harrojnë, sepse organizatat e shoqatat kanë gra në lëvizje. Por jo gra nëna, por gra të punësuara, shërbyese ndaj atyre që sytë i kanë çelur para burrave ndaj fëmijëve të tyre. Jo, burrat muslimanë janë ende mendjembyllur, e nuk shohin se ç’po ndodh!

    Vajzave e motrave tona po i mohohet e drejta e besimit! Po përjashtohen nga shoqëria e nga shkolla, vetëm pse zbatojnë urdhrin e Allahut, Krijuesit të çdo gjëje! E ne jemi të paaftë për t’i mbrojtur! Ne burrat! Po çka nëse vajzat e motrat muslimane janë një grusht! Janë një trup! Të bashkuara! Kudo të lidhura mes vete! Pasha Atë, të Gjithëpushtetshmin, Allahun e Madhërishëm, edhe me bisht syri sikur të provonin t’i shikonin do të mateshin shumë! E lëre më të prekeshin a të cenoheshin! Jo, po gratë janë të ndara, të panjohura mes vete, të palidhura, nuk kanë sesi të komunikojnë, janë të burgosura! E ti pra, burrë e prind musliman, je shkaktar i kësaj gjendje! Pretendo tërë kohën devotshmëri, e pretendo tërë kohën ambicie për zgjim e përmirësim të gjendjes, e pretendo tërë kohën për bashkim të Ummetit, përderisa ti gruas tënde ia mohon pjesën e saj në Ummetit!!!

    Po, gruaja jote ka dëshirë të respektojë urdhrin e Allahut, kodin e veshjes! Por, ajo pse të vishet si muslimane, kur ajo s’ka shoqe tjera, motra muslimane, me të cilat do të shoqërohej e do të komunikonte. E ku të shkojë vallë me veshje Islame!

    Muslimanja, po themel i shoqërisë! Gruaja Muslimane po gjysma e shoqërisë! Kur gruaja muslimane është e pranishme në Xhami, në tubime islame, në kuvendime islame! Kur gruaja komunikon me gra tjera muslimane! Kur gruaja është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e saj në shoqëri, të betohem në Zotin që e krijoi, se shoqëria do të jetë shumë më ndryshe!

    Kurrsesi! Nuk ka ndryshim e përmirësim të gjendjes së shoqërisë muslimane! Jo nuk ka për të pasur zgjim! Kurrë përderisa gratë i mbyllni nëpër shtëpi, i paaftësoni! Jo përderisa ti nuk e hap derën e komunikimit dinjitoz me gruan tënde! E jo përderisa gruaja jote nuk është e ndërgjegjshme për çka po komunikohet!

    E pra, dije dhe bindu! Gruaja nuk është objekt! Por është njeri! Bij e Ademit! Krijesë që Allahu e krijoi, sikur që ty të krijoi. E ti s’je zotërues i saj, por pjesë e saj. Ti je thirrur të ndash pjesën tënde, e ajo të ndajë pjesën e saj, e të plotësoni njëri-tjetrin. E përderisa gratë nuk plotësojnë burrat në shoqëri, ajo shoqëri kurrë s’do të prehet, e as s’do të jetë ndryshe. Kurrë!, nuk do të ketë Ummet pa gra në Ummet!

    O Ummet! O shoqëri, shoqëri gjysmake pa gra! Ku e kah po shkoni! Në rrugë vajzat e reja vërtiten, e vetë zgjedhjen në jetë bëjnë! E çfarë zgjedhje bëjnë vallë! Varrosin veten e tyre të gjalla! Janë të pafajshme! Janë lënë jetime, janë braktisur! Nënat e tyre janë duke gatuar, nënat e tyre janë duke pastruar e duke fshirë, ndërsa bijat e tyre duke bërë zgjedhjen në jetë! Prapë, janë duke bërë zgjedhjen në jetë!!!

    Kur, xhamitë tona do të jenë edhe strehë për gratë, për motrat, e për nënat tona! Kur, burri me gruan e tij bashkërisht do të nisen për në Xhami! Kur gratë do të dëgjojnë Kumtimin e Ditës së Xhumasë! Kur Xhamitë tona, nuk do të jenë vetëm për burra! Kur do të marrim mësim prej gjeneratave të para të Ummetit, kur gruaja ishte edukuese e njeriut, kujdestare, udhëheqëse në dije po e gatshme edhe për luftë!

    Dijeni pra edhe njëherë o burra muslimanë! Ky dobësim, kjo ngecje, ky poshtërim, kjo prapambetje do të na shoqërojë derisa ne gratë tona i dobësojmë, i poshtërojmë e i lëmë mbrapa!

    O Allah! Zot i burrit dhe gruas, Krijues prej çdo lloji çiftin, na mëshiro që të mëshirshëm ndaj grave të bëhemi; na udhëzo që udhëzimin Tënd grave tona të mos ua pengojmë; na përmirëso që ne bashkë me gratë e Ummetit të përmirësojmë gjendjen e Ummetit tonë! Amin!

    Ve ma et-teufik ila bilah
    Bëhuni sikur pema që gjuhet me gurë, e ajo ua kthen me frute!

  2. #2
    Muslimane krenare!
    Anëtarësuar
    12-06-2007
    Vendndodhja
    Holland
    Postime
    26
    Elhamdulilah per penden e ndergjegjshme islame!!
    All-llahu te shperblefte!
    Muslimane krenare!

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    15-06-2005
    Postime
    127
    faleminderit per kete artikull.me ne fund takoj dike qe guxoi per here te pare te fliste sic duhet.Une jam vete nje muslimane qe ne fillim ..e kam filluar islamin qe 18 vjec ..dhe pse sot jam nje vajze e emancipuar(gje qe shihet pak shtrember nga komuniteti jone)sepse vetem fjale kane,kam edhe une nevoje te degjoj qe femra muslimane trajtohet ndryshe.KUr shkoja per teravi ne xhami ..ne xhamine e lagjes sime shikoja qe tek grate mungonin shume te rejat dhe pyesja me vete ku jane?ato te pakta qe vinin ishine me femije me shume per zhurme?dhe me vinte keq se nqs doja te sillja nje shoqe me vete cfare do ti tregoja......ndersa te shohesh rradhet e djemve ato jane gjithmon plot me te rinj,thua keto djem nuk kane motra,gra,por shoqeria jone eshte pak e kufizuar ato duhet te rrini ne shtepia...te gatuajne te rrisin femije dhe te gjitha keto i justifikojne .DHe bukuria qendron se kur shkon ne xhami per shkak te veshjes duan te te bejne edhe thirrje pa e ditur qe ne jemi nga muslimanet e pare.Une do deshiroja qe te gjithe me sa mundesi te kemi te fillojme te ndryshojme faqen e islamit ne shqiperi...duke filluar qe nga paraqitja e jashteme ( qe ne mesin tone len shume per te deshiruar)..sjellja ne pune ..rruge...pune ..shkolle....dhe nje gje i lutem vajzave muslimane mos te jene shume te vrazhda...
    selam alejkum
    ruela

Tema të Ngjashme

  1. Emrat dhe Cilesite e Zotit!
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 17-11-2010, 03:33
  2. "Dr. dituria"
    Nga Sabriu në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 18-12-2008, 06:32
  3. Bursa
    Nga Gerrard në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 09-04-2007, 13:42
  4. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56
  5. Besimi dhe besimtari
    Nga Fjala e drejte në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-12-2004, 16:41

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •