Akademiku i njohur, flet për raportet e kulturës me shoqërinë dhe politikën
Akademiku i njohur i Kosovës, Rexhep Qosja, në pjesën e tretë të intervistës ekskluzive për "Shqip", flet për kulturën kombëtare shqiptare. Historia, letërsia dhe debati - e bashkë me to, roli i Akademive të Shkencave në Shqipëri e Kosovë. "Çudirat shqiptare"; "morali intelektual"; roli i zbehur i intelektualëve. Cilët janë, sipas profesor Qoses, raportet midis demokracisë, politikës dhe krijimtarisë shpirtërore; a duhet rishkruar apo rishikuar historia shqiptare; debati për hapjen e dosjeve të diktaturës dhe a po përdoren ato për shantazh politik; dhe, ç‘të re solli debati mbi qytetërimin e shqiptarëve...
Pas debateve të shumta për rishkrimin ose jo të historisë shqiptare, javët e fundit erdhi propozimi i papritur: T‘i hiqet Universitetit të Vlorës emri i Ismail Qemalit. A është edhe ky propozim një nga "çudirat shqiptare"?
E kam shfaqur mendimin për atë propozim dhe ai është botuar në "Gazetën Shqiptare", prandaj nuk dua t‘i përsëris ato që kam thënë me atë çast. Tani po them diçka tjetër. Për mua, si bashkëbisedues i juaji, tani nuk mjafton që propozimin për t‘iu hequr emri i Ismail Qemalit Universitetit të Vlorës e quani një nga "çudirat shqiptare". Mua dhe, besoj, lexuesit e gazetës "Shqip" na intereson të dimë kush dhe pse e dha nismën për t‘u bërë ajo marrëzi politike? Kush, vërtet? Dhe, pse, vërtet? Cilat janë motivet e asaj nisme? Shpjegimi që është dhënë nga udhëheqja e universitetit është vetëm hi në sytë e qytetarëve. Ajo nismë, besoj, nuk ka të bëjë me "rishkrimin e historisë", po me "rishkrime" të tjera, që po kërkohen në jetën tonë kombëtare. Gazeta "Shqip" do të duhej t‘i hulumtonte ato. Po u kalua ai propozim pa hulumtimin dhe shpjegimin përkatës, të vërtetë, do të na ndodhin propozime të tjera që synojnë "rishkrime" edhe më trishtuese!
Jeni shprehur fort kundër rishkrimit të historisë. A keni ndryshuar mendim, tani pas një viti të hapjes së këtij debati në Shqipëri dhe pse?
Jo. Pse të ndërroj mendje? Nuk i ndërroj mendimet, sepse nuk flas pa menduar mirë, gjatë.
Nëse historia duhet rishikuar dhe për këtë është vendosur, sipas jush, e cila periudhë është më problematike dhe më e errët e saj që duhet riparë?
Çdo brez i ri dhe çdo kohë e re ka këndshikime të tjera që ndryshojnë nga ato të kohëve të shkuara dhe të brezave të kaluar. Kjo e nxit rishikimin, plotësimin, ndryshimin, korrigjimin, që do bërë në të gjitha periudhat e historisë. Por rishikimet më thelbësore, më të gjera, sipas bindjes sime, do duhej bërë në historinë e epokës së Rilindjes, edhe më shumë të periudhës midis dy luftërave botërore dhe të periudhës së komunizmit. Rishikime, korrigjime, plotësime, ndryshime të thella do të jetë e nevojshme të bëhen edhe në tekstet historiografike të fazës paskomuniste, të shkruara nga gardistë partiakë.
Kërkojmë shpesh që politika, ose më saktë politikanët, shtetarët, të mos ndërhyjnë në histori, në punën e historianëve. Por shpesh gjërat janë të ndërlikuara. Vetë historianët, edhe kur u kërkohet trajtim profesional, seç marrin edhe një pozicion politik. Si mund të zgjidhet ky ngërç?
Pavarësisht sa mund të jenë të ndërlikuara punët në radhët e krijuesve, historianëve e intelektualëve, më mirë të them profesionistëve të tjerë, politikanët nuk kanë përse të përzihen në punët e tyre. Punët kërkimore shkencore, punët letrare, punët krijuese shkencore dhe artistike në përgjithësi, nuk janë punë ku duhet të fusin kokën politikanët, sidomos, jo për të "treguar" çka duhet bërë dhe si duhet bërë. Demokracia e përjashton plotësisht ndërhyrjen politike në krijimtarinë shpirtërore. Por, te ne kjo vlerë demokratike nuk vlen. Dhe, nuk ekziston ende. Kryeministri ka bërë një kërkesë staliniste në historiografinë shqiptare, sigurisht mbasi kjo kërkesë i është futur në vesh nga ndonjë a disa historianë. Kështu, më thonë, veprohej edhe në kohën e Enverit nga ata që tani për çdo gjë fajësojnë vetëm Enverin! Ne nuk jemi liruar ende, as nuk jemi afër për t‘u liruar, nga mentaliteti bolshevik. Te ne mentaliteti bolshevik është gjendje shpirtërore ende e patejkaluar. Dhe, kjo shihet në politikë; dhe kjo shihet në krijimtari; dhe kjo shihet në kulturë.
Kur zyrtarët thonë: "Do ta zgjidhim këtë çështje me fuqinë e hekurt të ligjit", ata në të vërtetë e përsërisin një figurë me mijëra herë të shqiptuar nga gardistët politikë bolshevikë! Kur zëdhënësi i partisë në pushtet thotë: "Nuk ka forcë që do ta ndalë qeverinë në rrugën e saj të sukseseve", ai në të vërtetë e përsërit një klishe të propagandës tipike bolshevike! Kur përfaqësuesi i qeverisë, përmes mediave që i janë bërë gazeta muri, thotë se "shkalla e punësimit në Shqipëri është aq e lartë saqë, sot, të papunë janë vetëm 12 për qind e popullsisë", dhe kështu e krahason Shqipërinë me Gjermaninë, Holandën, Belgjikën e SHAB-të, ai në të vërtetë tregon se ende nuk është liruar prej gjedhes bolshevike të propagandës, në të cilën planet njëvjeçare e pesëvjeçare plotësoheshin prej 100 deri në 199 për qind! E kështu me radhë! E kështu me radhë e pa radhë! Dëgjojini kumtuesit tanë në sesione, simpoziume, konferenca shkencore. Dëgjojini të ashtuquajturit moderatorët e festivaleve. Dëgjojini folësit në tubimet, konferencat a kongreset e partive. Kudo flitet për politikanin e madh XY; për shtetarin e madh XY; për shkrimtarin a shkencëtarin e madh XY të formatit botëror; për gjeniun e shkencës a të artit shqiptar; për të madhin XY; për më të madhin e të mëdhenjve! Ç‘është kjo? Gjuha himnizuese e folklorit apo gjuha superlative e bolshevizmit? Apo njëra dhe tjetra të bashkuara në dëmin e të vërtetës, në dëmin e shkencës, të kulturës dhe të politikës sonë.
Shumë nga intelektualët tonë i kanë në qejf ato që ju quani pozicion politik. E ndiejnë veten më të sigurt, të mbrojtur, nën sqetullat partiake politike. Dhe, shpesh, të shpërblyer për këtë. Është kjo sëmundja e vjetër e intelektualit tonë, që prej kohës së Perandorisë Otomane. Rehatinë dhe të tjerat që u sjellin nënsqetullat pushtetore i paguajnë, natyrisht, me mendimet e veta, me punën e vet. Mjerisht. Si mund të zgjidhet ky ngërç, pyetni ju? As lehtë, as shpejt. Do kohë. Do shëruar politika shqiptare prej mentalitetit bolshevik për t‘u shëruar inteligjencia prej servilizmit oriental ndaj pushtetit.
Prej disa ditësh, Shqipëria ka një Akademi të re Shkencash. Si e pritët lajmin? Nga ana tjetër, si e ndoqët debatin mbi Akademinë? Kam parasysh që keni reaguar ashpër më shumë se një herë. Megjithatë, u bë ashtu siç ishte paracaktuar nga qeveria...
Mbi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është ushtruar një dhunë, që nuk është shënuar në asnjë nga vendet ish-komuniste. Qeveria shkarkoi udhëheqjen legale të Akademisë, të zgjedhur legalisht prej anëtareve të Akademisë! Qeveria i nxjerr prej përbërjes së Akademisë duke u marrë të drejtën të votojnë e të jenë të votuar disa anëtarë të saj vetëm pse kanë kaluar moshën prej 75 vjetësh e disave edhe pa e arritur ende atë moshë! Akademia në një mënyrë të paparë e të padëgjuar, me njerëz që cakton vetë, zgjedh njëzet anëtarë të rinj të Akademisë! Qeveria në Akademi dhe në institutet e shkoqura dhunshëm prej saj bën edhe një sërë marifetesh të tjera të dhunshme, që nuk janë shënuar as në Shqipërinë komuniste, as në vendet e tjera ish-komuniste! Po mirë! Shqipëria ka në krye të qeverisë një njeri që zbaton dhunë politike e gjuhësore në Shqipëri në 99 mënyra, kur vetë, kur me grupet e tij, një njeri që e vënë në veprim sidomos urrejtja dhe hakmarrja! Prej atij Kryeministri pritet gjithçka!
Por, qeveria e ushtron atë dhunë mbi Akademinë (dhe institutet e saj) me pajtimin, madje, me përdorimin e disa krijuesve: shkencëtarë e studiues të tjerë. Këtu qëndron krejt e keqja! Këtu qëndron krejt e keqja politike, intelektuale dhe morale. Këtu qëndron tragjedia morale, por e përsëritur, e intelektualit shqiptar! Vegël e despotëve politikë! Krijuesit, studiuesit marrin pjesë në dhunën që ushtrohet mbi kolegët e tyre, duke e bërë atë dhunë të ligjshme! Dhe, ashtu i shkaktohet Akademisë një çarje e madhe, një përçarje afatgjate, një urrejtje e brendshme, që nuk do të tejkalohet lehtë! Kush siguron se nesër, në kushte të ndryshuara, anëtarët e Akademisë e të instituteve, mbi të cilët është ushtruar dhuna politike dhe antiligjore e Qeverisë nuk do të kërkojnë hesap për ato që iu shkaktuan Akademisë dhe atyre? Kush siguron se rezultatet e procedurës kundërdemokratike, dhunëtare, të paligjshme që zbatoi qeveria në Akademi e në institute, nuk do të përmbysen nesër në kushtet e ndryshuara?! Askush. Përbërja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me përqindjen më të madhe, është sot e paligjshme.
E thashë se dhuna e ushtruar prej qeverisë së Shqipërisë në të vërtetë prej vetë kryeministrit mbi Akademinë e Shkencave nuk dihet të ketë ngjarë në akademitë e vendeve ish-komuniste në Evropë. Dhuna e ushtruar prej kryeministrit mbi Akademinë dhe, posaçërisht, mbi disa anëtarë të saj, më parë se dhunë e tipit komunist ishte dhunë e tipit primitiv. Dhuna komuniste gjithnjë është bërë në emrin e partisë e të shtetit; ajo ishte dhunë gjithnjë e sistemuar dhe ideologjikisht e "mbrojtur"! Dhuna primitive është anarkike! Ushtruesit e saj nuk ndiejnë nevojë ta arsyetojnë dhunën. Kryesorja është ta kryejnë punën dhe t‘u hakmerren atyre që kanë vendosur t‘i ndëshkojnë.
Edhe në Prishtinë jemi të ballafaquar me këso lloj dhune - të tipit primitiv dhe këtë dhunë nuk e ushtron ndonjë institucion, por një grup njerëzish në kulturë e në shkencë. Dhe, ky grup vepron si dorë e zgjatur e dy-tre individëve zyrtarë në institucione shkencore e administrative. Ky në të vërtetë është ai grupi që e organizoi vjet thyerjen e dy kabineteve shkencore në Institutin Albanologjik dhe përdhosjen e zhvendosjen e gjithë asaj që gjendej në to. Sponsorët politikë dhe materialë të këtij grupi tani e saj vjet në thelb i dirigjojnë shumë punë në fushë të kulturës e të shkencës në Kosovë, siç janë punët rreth plan-programeve të gjuhës e të letërsisë në shkolla, të çmimeve e financimeve të disa projekteve që bën Ministria e Kulturës, të pozitave të kuadrove shkencore në disa institucione, të drejtimit të disa manifestimeve me karakter ndërkombëtar. E të tjera. E të tjera. Kjo është një temë për trajtim të veçantë.
Po t‘i kthehemi asaj që ngjau në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Dua t‘i përkujtoj lexuesit e kësaj bisede me Ju, se në Prishtinë një ndërhyrje e tillë, kundërligjore, e dhunshme, e qeverisë në Akademi është e pandodhur, ndoshta e padëshiruar nga qeveria e Kosovës. Në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është e drejtuar prej një kryesie njëpartiake, që moti e disponuar shumë mosdurueshëm ndaj UÇK-së dhe partive të dala prej saj, në përbërjen pesëanëtarëshe të së cilës deri dje ishin katër veta të një mëhalle - të anës së Preshevës! Kjo kryesi partiako-lokale e ka çuar privatizimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve deri në atë shkallë, saqë në radhët e saj, si anëtar të saj, si akademik, ka "zgjedhur" edhe një maturant! Do parë botimet dhe ribotimet e kësaj Akademie për t‘u bindur se çka krejt boton e riboton kjo kryesi, që ka kryetarin e sekretarin prapë nga Presheva, kurse kryetarin e nënkryetarin-gjuhëtarë, dhe sa fuqishëm e shfrytëzojnë anëtarët e kryesisë Akademinë për xhepat e vet. Do parë përbërja e Akademisë për t‘u bindur se si Kryesia e tanishme dhe paraardhësja e saj e kanë mbushur Akademinë me shokë të vet, me miq të vet, me bashkëpartiakë dhe zëdhënës të vet!
Qeveria e Kosovës, e përparmja dhe kjo e tanishmja, sigurisht deri-diku i dinë punët në Akademi - në këtë institucion pa kurrfarë ndikimi ne jetën shkencore, kulturore dhe shoqërore të Kosovës, në këtë institucion të prapangelur në të gjitha pikëpamjet - por, megjithatë, nuk provojnë ta ndërrojnë gjendjen prej përjashta, dhunshëm. Jo. Gjykojnë ndryshe: Akademinë e sëmurë duhet ta shërojnë vetë akademikët, në thelb, të shpërfillur dhe të shkelur prej Kryesisë partiake lokale. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por do të ndodhë doemos, mbasi Kryesia edhe sivjet ta rimbushë Akademinë me njerëz të vet! Çdo zullum, e thotë populli, këputet prej së trashi. Anëtarëve të kësaj kryesie të Akademisë pashmangshëm do t‘u kalojnë mandatet një ditë dhe ata, ndoshta, do të kujtohen se, në vend se me punën krijuese për çka disa prej tyre edhe janë pranuar në Akademi, dhe me punët shkencore të Akademisë kanë humbur shumë kohë në dallavere "akademike", që e kanë dëmtuar Akademinë dhe që e kanë cenuar edhe bibliografinë e tyre edhe ashtu modeste!
E përmendni dendur, në shkrimet dhe ligjëratat tuaja, termin "moral intelektual". Çfarë keni parasysh me këtë? Kaq shumë po na mungon?
Në Mesjetë, nocioni intelektual do të thoshte koka e popullit. Njeriu i shkolluar në mendjen e njerëzve dallohej prej të tjerëve dhe dallohej pse prej tij pritej të thoshte e të mbronte të vërtetën dhe të drejtën. Intelektual është ai që për pushtetin, për veprimtarinë politike, gjykon pa marrë parasysh pasojat, që ndaj politikës vepron me mjet intelektual. Morali intelektual e nënkupton pashmangshëm përkushtimin ndaj të vërtetës dhe së drejtës. Sartri e thotë: Intelektuali është përgjegjës për të vërtetën... Në qoftë se duam ta shpëtojmë kuptimin e fjalës njeri, vazhdon ai, nuk na mbetet punë më e rëndësishme sesa ta dhurojmë atë me fuqi negative: me mundësinë që t‘i thotë ‘Jo‘ çdo gjëje që nuk është e vërtetë.
Intelektualët, e kur them intelektualët mendoj intelektualët e angazhuar, janë të paktë, sepse veprimtaria e intelektualit doemos e nënkupton rrezikun: prej pushtetit, prej grupeve të ndryshme të interesit, prej grupeve mafioze që veprojnë si dorë e zgjatur e institucioneve të ndryshme pushtetore, apo e zyrtarëve të veçantë. E të tjerëve. Intelektuali e thotë mendimin hapur, në çdo kohë, e thotë mendimin me të cilin mbron të drejtën dhe të vërtetën, mendimin që përfaqëson interes më të gjerë, që herët më të shpeshta cenon interesat e regjimeve e të pushtetarëve. Cilësorin intelektual shpesh, tani, përpiqen ta përvetësojnë vetje që kurrë nuk janë shquar me moral intelektual, që kurrë nuk kanë vepruar si intelektual ndaj politikës. Ata mund të jenë marrë me veprimtari të dobishme shoqërore, ata mund të kenë qenë apo janë punonjës të dobishëm publik, por nuk janë intelektualë. Pjesëmarrja në luftën kundër analfabetizmit, fjala vjen, nuk është veprimtari e intelektualit të angazhuar. As pjesëmarrja në organizata të ndryshme të pavarura nuk është veprimtari e intelektualit të angazhuar. As kritika e pashallarëve të kuq, sepse me sjelljen e tyre, me privilegjet e tyre prishnin pastërtinë ideologjike të komunizmit dhe idealin komunist të Prijësit të Popullit e të Partisë nuk është veprimtari e intelektualit. Të gjitha këto janë punë të të ashtuquajturit punonjës publik, shoqëror, që çmohen dhe duhen shumë nga qeveria, partia, Zeusi. Intelektualin e angazhuar nuk e duan pushteti dhe pushtetarët. Ata duan që ai të jetë ose atje, ku nuk shihet e nuk dëgjohet, ose të jetojë gojëkyçur, ose i "komprometuar" rëndë nga rrogëtarët e pushtetarëve.
Gjithnjë e më shpesh roli i intelektualëve është më i paktë. U druhen dhe u largohen debateve, që, sido që të jenë, prodhojnë zhvillim. Pse ndodh kjo, profesor?
Inteligjencia shqiptare është tmerrshëm e shpërfillur, kurse një numër i intelektualëve janë pothuaj të padëshiruar plotësisht në jetën tonë politike dhe shoqërore prej institucioneve politike. Në politikë janë gjetur gjithfarë njerëzish. Ka midis tyre njerëz të kompleksuar që i frikësohen mendjes së krijuesit, që i frikësohen intelektualit, njerëz që nuk janë në gjendje të durojnë mendimin ndryshe. Në shërbimin e këtyre njerëzve të politikës janë vënë edhe shumica e mediave elektronike dhe të shkruara, sidomos elektronike. Dhe, kështu, kemi sot një si bllok politikë-media që shpërfill inteligjencinë, veçmas intelektualët, që janë apo shikohen si intelektualë kritikë. Epërsia mendore dhe, ta themi, morale e intelektualit u shkakton frikë njerëzve të politikës të cilët, për shkak të shpërdorimit të pushtetit e për arsye të tjera, janë gjithnjë e më të paduruar nga populli. Hajde, mendojeni këtë situatë: kur ishte fjala për dërgimin e ushtarëve gjermanë në pushtimin e Irakut, Kancelari Shreder thirri një numër intelektualësh gjermanë - shkrimtarë, shkencëtarë dhe filozofë për t‘u konsultuar me ta, me mendjen gjermane, a duhet të marrë pjesë apo jo Gjermania në pushtimin e Irakut. Ata, pothuaj, njëzëri i thanë - Jo. Dhe, Gjermanisë (e Francës) i doli shumë më mirë që nuk mori pjesë në atë katastrofë politike, morale, ekologjike dhe njerëzore. A mund të ngjasë diçka e tillë te ne? Jo. Jo.
Po, për të gjitha këto është fajtore edhe vetë inteligjencia. Një numër jo i vogël i pjesëtarëve të saj vazhdojnë të rreshtohen pas këtij a atij funksionari, pas këtij a atij klani politik, vazhdojnë të kryejnë punët e dorës së pestë dhe për këto, natyrisht, të jenë mirë a mjerueshëm të shpërblyer. Të tjerët, që nuk duan të pranojnë rolin e bartësve të bulerës, janë tërhequr dhe shikojnë punët e tyre. Të heshtur dhe në apati!
Para disa kohe e shikova një emision, në të cilin flitej mbi romanin e Ben Blushi "Të jetosh në ishull", në "Tv Klan". Të gjithë të ftuarit në debat ishin njerëz të politikës. Asnjë krijues letrar! Asnjë kritik a historian i letërsisë. Ishte harruar se edhe për karakterin politik të atij romani fjalën e merituar, shkencore, mund ta thonë vetëm studiuesit e letërsisë, sepse politika në një roman është, para së gjithash, fakt estetik me efekte të tilla a të atilla edhe politike. Si është përdorur ajo politikë në roman mund ta thonë vetëm studiuesit e letërsisë. A ishin ftuar a jo studiues letrarë në atë debat për romanin e Ben Blushit, nuk e di. Por e di: debat serioz për atë roman pa pjesëmarrjen e tyre në emision nuk mund të bëhet. Pa ta mund të bëhej çka u bë: debat politizues! Po për ata të televizionit mund të ishte më e rëndësishme që në emision të shiheshin figura politike që do t‘i zbavitnin shikuesit me "mospajtimet" e tyre sesa studiues letrarë, që do t‘i mërzisnin me seriozitetin e tyre tragjik!
Mos është thjesht dhe vetëm një "sëmundje shqiptare" kjo? Sepse po vihet re zbehje intelektuale jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj, në shtetet ku jetojnë shqiptarët. Shpresoni që një ditë, intelektualët t‘i prijnë edhe mendimit politik, pra të mos jetë politika ajo që do t‘i "tërheqë për hunde ata"?
Gjendja e inteligjencies në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni është pothuaj e njëjtë - e mjerueshme. Nuk mendoj se intelektualët do t‘i prijnë mendimit politik. As nuk do të jenë të lejuar as nuk do të duan vetë. Politika në masë të madhe po bëhet veprimtari në të cilën janë të përmbajtura edhe punë kriminale, kurse intelektualët, për nga natyra, janë të prirur të qëndrojnë më larg veprimtarive të tilla. Të tërhequr për hunde? Pse do të jenë të tërhequr për hunde, nëse kjo gjimnastikë shpërblehet, një numër pseudointelektualësh nuk do ta kenë gajlen! Janë bindur se dinjiteti intelektual nuk e intereson më kënd. Mund të varet si një leckë e vjetër në ndonjë gozhdë të bodrumit!
Në Shqipëri është rikthyer sërish në skenë debati për hapjen e dosjeve të periudhës së diktaturës. Si e gjykoni këtë debat, 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës? Thuhet se ato (dosjet dhe debati) po përdoren kur duhet mbuluar ndonjë ligësi, për të shantazhuar pjesën kundërshtare në prag zgjedhjesh etj...
Në pyetjen tuaj njëkohësisht u shpjegua pak a shumë arsyeja pse rikthehet debati për dosjet 18 vjet pas rënies së komunizmit. Mund të mendohet se ata që, me kaq vonesë e hapin këtë debat, ata, tani, nuk kanë drojë prej dosjeve: kanë arritur t‘i pastrojnë.
Dosjet është dashur të hapen shpejt pas rënies së komunizmit, derisa mund të ishin të paprekura. Por dosjet duhet të hapen edhe tani, sepse as tani hapja e tyre nuk mund të quhet e padobishme. Dosjet e ndryshme e shpjegojnë njëra-tjetrën, prandaj në to ndërmjetueshëm mund të flitet edhe për ndonjërin që ka ndikuar në pastrimin e tyre.
E keni vlerësuar debatin mbi qytetërimin shqiptar, protagonist i të cilit ishit edhe vetë ju, ndër të tjera, edhe se ndali turrin e garave dhe propagandave fetare në radhë të parë të fesë katolike e fesë myslimane. Do donim diçka më shumë për këtë temë. Pra, si e konsideroni dhe vlerësoni bashkëjetesën fetare, veçanërisht në Shqipëri, por edhe në rajon?
Është parë se debati për qytetërimin dhe identitetin shqiptar, që nxiti libri im "Ideologjia e shpërbërjes" dhe, pastaj, përgjigjja e Ismail Kadaresë me librin "Identiteti evropian i shqiptarëve", ndikoi që të ndalet turri propagandistik i feve në jetën tonë, para së gjithash, i fesë katolike dhe asaj myslimane. A është ndalur, vërtet, ai turr për më gjatë apo është në pushim, do të shihet.
Bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, si popull me tri fe, në pjesën më të madhe të kohës ishte e jashtëzakonshme në kuptimin më pozitiv të kësaj fjale. Ndikim historik për kultivimin e kësaj bashkëjetese, pa dyshim, kanë ushtruar rilindësit tonë të mëdhenj Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Luigj Gurakuqi, Çajupi, Fan Noli e të tjerë. Dhe, meritë për këtë kishte gjithmonë vetë populli: Instinkti i tij natyror për mbijetesë; përvoja e tij shumëshekullore; vetëdija e tij se fetë ishin ideologji të ardhura e jo të krijuara, të lindura natyrshëm në trollin e tij.
Kjo nuk do të thotë se kohë pas kohe nuk kishte dukuri të padëshiruara në këtë bashkëjetesë. Dhe, kjo nuk do të thotë se dukuri të padëshiruara nuk do të mund të ketë. Mjerisht disa dukuri të padëshiruara janë vërejtur gjatë disa viteve të kaluara.
Çështjen e feve do shikuar seriozisht dhe me kujdes. Çështja fetare është çështje e madhe sepse fetë kanë të bëjnë me të gjithë njerëzit e të gjithë popujt; sa me arsyen fetë lidhen me ndjenjat.
Të mos harrojmë: luftërat tragjike në ish-Jugosllavinë kryesisht ishin luftëra kombëtare, por në to, ku më pak e ku më shumë se ç‘pranohet, ishte e përmbajtur edhe përkatësia fetare e të armiqësuarve.
Po e jap një shembull se si mendohet për rolin e fesë në jetën e popujve në Ballkan. Para dy a tre vitesh - nuk e di saktë, në Athinë janë mbledhur përfaqësues të disa vendeve me shumicë ortodokse dhe kanë nënshkruar një marrëveshje, me të cilën synojnë forcimin e rrënjëve të krishtera të kulturës evropiane, sidomos të elementëve kulturorë ortodoksë. Me atë rast, ministri grek i Kulturës deklaroi: "Feja ortodokse është qëndrim dhe mënyrë e jetës, që lidh teorinë e fesë dhe besimin me veprimin praktik..."
Ne, as në teori as në praktikë nuk i trajtojmë aq seriozisht punët e feve. Teori fetare thuajse nuk kemi, kurse praktikën politike e kemi siç e kemi: të vrazhdë!
Ne e stilizojmë identitetin si na e do leverdia. Dhe, në këtë stilizim prijnë njerëzit e politikës. Ashtu ua do leverdia.
Ne, në të vërtetë, ende nuk i kemi përcaktuar dhe sqaruar shumë çështje thelbësore në jetën tonë kombëtare. Klasa jonë politike i flet popullit çka mendon se ai dëshiron të dëgjojë e jo çka është. Thjesht e gënjen të shumtën e kohës.
Ne nuk e kemi bërë ende dallimin midis asaj që është moderne dhe asaj që është e tejkaluar në politikë, në shoqëri dhe në kulturë.
Ne ende nuk e kemi përcaktuar nocionin elitë politike dhe elitë intelektuale.
Ta kishim përkufizuar nocionin elitë politike atëherë në udhëheqjet tona politike e shtetërore nuk do të mund të gjendeshin disa njerëz të cilëve, në vendet ku ky nocion është i përcaktuar, do t‘u bëhej e mundshme të jenë shumë-shumë përkthyes, adjutantë, sekretarë në kabinete të rendit të tretë a të katërt e jo udhëheqës e funksionarë të lartë politikë e shtetërorë.
Ne nuk e kemi përcaktuar ende nocionin elitë intelektuale. Ta kishim përcaktuar nuk do të stolisnim me nocion të tillë edhe lajkatarë e puthadorë që sado magjistrojnë e doktorojnë, që sado botojnë artikuj, sprova, libra, libra shkollorë e jo shkollorë, sado bëhen edhe akademikë, mendja e tyre, ndjeshmëria e tyre, gjuha e tyre, gjithnjë vlerësuese dhe superlative - servile, është e sunduar prej primitivizmit.
Ne nuk e kemi përcaktuar vendin e feve në jetën kombëtare. Po ta kishim përcaktuar, siç kanë bërë kombet moderne evropiane dhe, në përgjithësi, perëndimore, nuk do të na ngjante, që një shkrimtar, i konsideruar elitë intelektuale, të shkruajë e të botojë libër të ndotur me racizëm fetar dhe kulturor kundërmysliman.
Po ta kishim përcaktuar vendin e feve në jetën tonë kombëtare ne nuk do të na ngjante që në emisione televizive të dalin njerëz, si ai arkitekti që ka bërë burgje në kohën e komunizmit, dhe të flasin me urrejtje të pashembullt raciste për fenë, së cilës nuk i takojnë vetë!
Po, ç‘t‘i bësh? Në jetën tonë edhe gënjeshtra kalon si e vërtetë, padrejtësia si drejtësi, e keqja si e mirë, e shëmtuara si e bukur, korrupsioni si veprimtari e ligjshme, dhuna në 99 mënyra si demokraci e mjerimi moral si madhështi!
Pse jo? Në jetën tonë shumëçka nuk është përcaktuar, shumëçka nuk është e qartë dhe shumëkush nuk është në vendin që i takon të jetë varësisht nga vlera a mosvlera.
Shqip
Krijoni Kontakt