Kryetari i PAD tregon arsyet se përse nuk mori pjesë në tryezën e thirrur nga kreu i PS
Ceka: Rama, përpjekje për të manipuluar opinionin publik
Aleanca Demokratike nuk mori pjesë dje në takimin e partive opozitare, të organizuar dhe të iniciuar nga Rama dhe Partia Socialiste. Duke e konsideruar këtë ftesë si ftesë për gjah, duke marrë parasysh dhe një fakt tjetër, sepse Rama nuk i mban premtimet e takimeve dhe të inisiativave që ka mbatur deri më sot Partia Socialiste. Kjo ka ndodhur dhe në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të këtëj viti. Aleanca Demokratike e quan këtë një inisiativë hipokrite, një përpjekje për të manipuluar opinjonin publik, për ta përdorur atë për presione të reja, për të shkëputur nga qeveria Berisha sheshe të reja ndërtimi dhe për të kufizuar sipërfaqet e blerta në Tiranë. Kjo është një inisiativë e personave të kapur nga kompanitë ndërtuese të Tiranës.
- Pse nuk morët pjesë sot tek tryeza e së majtës?
Mendoj që nuk janë rezauruar akoma problemet që ne kemi pasur me marrëveshjet e dikurshe. Është shkelur marrëveshja e majit 2006, e cila bashkonte opozitën për aksione politike dhe veçanërisht për kodin zgjedhor, ku Rama shkeli këtë marrëveshje dhe në mënyrë të njëanëshme bëri marrëveshje me PD-në dhe vazhdon të bashkëpunojë me PD-në, jo vetëm për kodin zgjedhor. Ka qenë një kërkesë e fundit e Komitetit të Helsinkit që, mbledhjet e komisionit për reformën të bëhen të hapura dhe aty të merren vendimet. Pikërisht duhet të bëhen publike ato kapituj që janë përfunduar tek kodi zgjedhor dhe kjo mos të jetë privilegj i dy partive. Pikërisht një njeri që natën fle me pozitën, nuk e di pse pjesën tjetër flen me opozitën.
- Tek protesta e të premtes do të marrë pjesë PAD-ja?
Natyrisht që ne nuk do të marrim pjesë. Kemi qenë pjesë e protestës për çështjen e Gërdecit, një protestë që në vend që të bënte presionin e duhur për të bërë transparencën mbi Gërdecin përfundoi me një marrëveshje qoftë për mënyrën sektare të Kodit Zgjedhor qoftë për të ndarë sheshet e ndërtimit në Tiranë. Ne nuk mund të manipulojmë më tutje popullin e Tiranës për interesat e kompanive të ndërtimit që qëndrojnë mbrapa zotit Rama.
- Në rast se nuk ndryshon qëndrimin Rama, ku do të bëjë pjesë Aleanca Demokratike?
Tani nuk bëhet fjalë për të majtën dhe të djathtën, ne do të presim kodin zgjedhor për të parë se cilat do të jenë alternativat e ofruara nga ky kod PAD-së. Ne jemi në dy pista, si parti. Një, interesi i ngushtë i partisë për të përfaqësuar liberal demokracinë. Një rrymë, e cila është në qendër të politikës dhe na jep mundësi ne të qëndrojmë si majtas ashtu edhe djathtas. PAD është e interesuar të bashkëpunojë më shumë me ato grupe që ofrojnë një alternativë të përafërt. Nuk ka më kanale midis të majtës dhe të djathtës. Tani PAD është shumë e çliruar se më përpara nga paragjykimet politike. Së dyti, PAD ka një mision në politikën shqiptare, ku misioni i saj është balancimi i kontrollit të forcave të mëdha politike gjatë qeverisjes, ky është një mision që e kemi kryer mjaft mirë vitin e kaluar dhe që mendojmë ta kryejmë edhe tani. Në këtë drejtim, jemi të orientuar në formimin e një grupimi të tretë politik, i cili do të bënte të mundur koalicione të ekuilibruar, të cilat janë më përfaqësues për elektoratin dhe ka më shumë mundësi kufizimi të pushtetit të partive të mëdha.
- Si e cilësoni ju paragjykimin e opozitës për aksidentin tragjik të Kosta Trebickës, ku opozita nxitoi ta quante vrasje pa dhënë vendimin zyrtar Prokuroria dhe pas përfundimit të hetimeve, konkluzioni i opozitës doli në krah të kundërt me atë të maxhorancës?
Do të them që duhet të jemi të kujdesshëm për interpretimin politik, të këtij opinjoni i cili është opinjon i përgjithshëm publik. Sa mund ta dëmtoj imazhin e Shqipërisë, sa duhet ta përdorë opozita këtë argument? Në masën që të mos dëmtojë sigurinë e qytetarëve shqiptarë, sepse Shqipëria është një nga vendet më të sigurta, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë sot për sot. Sa nuk do ta dëmtonte imazhin e qeverisë me anëtarësimin në Nato dhe Be. PAD ka qenë shumë e kujdesshme në shprehjen e opinjoneve për këtë ngjarje duke e parë atë si kopetencë të Prokurorisë.
- Ndoshta ushqimi i opinjonit publik nga opozita ka sjellë këtë perceptim, duke e ditur që me fatkeqësi të tilla mund të fitosh politikisht?
Natyrisht këtë do ta bënin të gjitha partitë në çdo vend të botës dhe është një e drejtë e opozitës të caktojë tema të tilla në përshtatje të opinjonit publik. Ne jemi një vend që nuk mësojmë nga pësimet e të tjerëve dhe duhet të mësojmë nga pësimet tona. Tani duhet të futet në ligjin shqiptar që çdo dëshmitar me rëndësi të merret në mbrojtje nga organet kopetente automatikisht. Për mua, është një përgjegjësi e qeverisë. Dhe dua të theksoj me forcë se, kjo qeveri nuk i ka mjetet e nevojshme për të realizuar krime të tilla që mund të ndodhin në vende të tjera. Shqipëria nuk ka as praktika, as organizma, as hollësi të tjera në këto lloj krimesh. Kështu, unë mbroj tezën e organeve kopetente.
Elis KUÇI
Krijoni Kontakt