Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një darkë yftari për nder të amerikanëve myslimanë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Zoti Bush u tha pjesëmarrësve se administrata e tij kishte krijuar partneritete me myslimanë në të gjithë botën për nxitjen e lirisë dhe tolerancës. Presidenti vlerësoi gjithashtu arritjet e myslimanëve në fusha që nga poetika e deri tek mjekësia.
Kjo ishte darka e tetë e yftarit që organizon presidenti gjatë tetë viteve të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Bush falenderoi amerikanët myslimanë për kontributin që kanë dhënë në pasurimin e jetës për të gjithë amerikanët.
"Një nga pikat më të forta të vendit tonë është diversiteti fetar. Amerikanët praktikojnë shumë fe të ndryshme. Ne të gjithë ndajmë besimin për të drejtën e adhurimit të lirë. Ne e kundërshtojmë mungesën e tolerancës në të gjithë format e saj. Dhe gjatë tetë viteve të fundit, administrata ime ka qenë krenare që ka punuar ngushtë me amerikanët myslimanë për nxitjen e drejtësisë dhe tolerancës fetare."
Presidenti përmendi emrat e disa të ftuarve në darkën e yftarit, duke përfshirë disa që kanë punuar në programin amerikan të hapësirës, si dhe të tjerë që kanë ndihmuar në përparimin e kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë.
Zeri i Amerikes.
Krijoni Kontakt