Wednesday, 03 September 2008
Fushatë arrestimesh kanë prekur fshatin Lazarat pasditen e djeshme. Tre persona janë arrestuar nga policia lokale, njëri prej të cilëve me armë zjarri dhe dy të tjerë për kundërshtim me dhunë të forcave të rendit. Operacioni policor i startuar mëngjesin e së hënës në Gjirokastër, duke pasur si mbështetje edhe forcat e FNSH-së, duket se ka rikthyer klimën e tensionit në jug të vendit, pasi burime mjaft të besueshme kanë konfirmuar për gazetën “SOT” se arrestime të tjera priten të kryhen në radhët e banorëve të Lazaratit. Në orët e vona të drekës së djeshme, një 19- vjeçar është arrestuar teksa zbriste me automjetin e tij nga Lazarati në drejtim të rrugës nacionale.Një kontroll i befasishëm fizik i forcave të rendit në bordin e automjetit që drejtohej nga Oltijon Proko, ka zbuluar prezencën e një automatiku model 56. Arma e zjarrit ka qenë e fshehur poshtë sediljes së shoferit së bashku me dy krëhëra me fishekë të po të njëjtit model. Veç automatikut, të riut lazaratas i është gjetur edhe një levë hekuri. Menjëherë policia ka arrestuar në vend të riun lazaratas për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Pak minuta më vonë, në të njëjtin vend pak metra larg hyrjes së fshatit Lazarat, postblloku policor ka bllokuar hyrjen për në fshat të dy autoboteve me ujë. Duke kërkuar legjitimitetin e qarkullimit të këtyre boteve si dhe dokumentacionin shoqërues të tyre, drejtuesit e tyre, at e bir, Xhemal Mahmuti dhe Urim Mahmuti, përkatësisht 46 dhe 18 vjeç, kanë reaguar duke ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit. Është dashur ndërhyrja energjike e forcave speciale që bënë të mundur eliminimin e një incidenti më të rëndë. Të dy personat janë shoqëruar për në komisariatin e policisë dhe më pas janë arrestuar për veprën penale të kundërshtimit me dhunë të policisë. Operacioni Tre të arrestuarit e djeshëm janë pikënisja e një operacioni të ndërmarrë në shkallë të gjerë nga policia e Gjirokastrës në fshatin Lazarat për të bllokuar veprimtarinë e kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike nga persona që janë pjesëmarrës direkt apo indirekt në këtë veprimtari ilegale. Sipas një burimi mjaft të sigurt, mjaft shpejt policia do të ndërhyjë në Lazarat për të vënë në pranga kultivuesit e bimëve narkotike, të cilët janë zotërues të sasive të konsiderueshme të rrënjëve të hashashit. “Bllokimi i automjeteve për transportin e ujit, është hapi i parë i “mbylljes së rubinetit” për hashashin në fshat”,- konfirmon i njëjti burim për gazetën. Personat e arrestuar që transportonin ujë me automjete bote, sipas policisë së Gjirokastrës, janë thjesht transportues dhe jo kultivues të hashashit dhe nuk kanë pasur precedentë penalë në të kaluarën, apo të kenë lidhje me persona që kanë probleme me ligjin. Ndonëse zyrtarisht policia e Gjirokastrës nuk e konfirmon, forcat speciale të mbërritura nga Fieri në Gjirokastër, kanë ardhur për të bllokuar veprimtarinë ilegale të elementëve problematikë në fshatin Lazarat, pse jo dhe për të mbështetur një aksion në shkallë të gjerë që presupozohet se do të fillojë së shpejti, për të shkatërruar bimët narkotike, të cilat janë në pragun e korrjes dhe shitjes për në tregun vendas e të huaj. Rreth 30 persona, supozohet të jetë numri i trupave speciale të mbërritura nga Fieri në mbështetje të policisë së Gjirokastrës, ndërkohë që një kontigjent tjetër me 20 të tillë, është në pritje jashtë territorit të qarkut të Gjirokastrës për çdo të papritur. Fillim shtatori i këtij viti përngjan me të njëjtën periudhë të para një viti. Më 7 shtator të vitit 2007, forcat speciale të ardhura nga Fieri morën pjesë në një aksion për kapjen e një personi të shumëkërkuar nga Lazarati, por që përfundoi me vrasjen e tij gjatë një përleshjeje me armë. Pas këtij veprimi, dhjetëra banorë lazaratas kryesisht familjarë dhe shokë të të shumëkërkuarit, sulmuan godinën e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës dhe i vunë flakën tre automjeteve të policisë, në shenjë hakmarrjeje. Për këtë veprim, në atë kohë policia pati deklaruar se kishte identifikuar agresorët e policisë, por që asnjëherë nuk u ndaluan apo arrestuan. Kjo apati e veprimeve të policisë së Gjirokastrës, detyroi Policinë e Shtetit, të kryente lëvizje në drejtimin e Policisë së Gjirokastrës, ku ish- drejtori i Policisë Rajonale, Shpëtim Baçi, u largua duke u zëvendësuar përkohësisht nga Hamdi Fjora dhe në dhjetor të 2007-ës nga Hysni Burgaj.
Krijoni Kontakt