Pronarët në kryqin e korrupsionit
Andrea Stefani
Mbi të gjitha interesat, revoltat, pasionet, triumfon epshi i korrupsionit. Ky është kodi i fshehtë, që me dhunën e pakontrolluar të një ligji natyror po drejton të gjitha punët në Shqipëri. Një provë tjetër e këtij fataliteti, i cili po nënshtron jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet mbrojtëse të tyre, është ligji për “kthimin dhe kompensimin e pronave”, që do të miratohet sot në Kuvend...
E quajnë ligj për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, por me krasitjet që i janë bërë, është shndërruar në një ligj që synon të pakësojë sa më shumë përfitimet e pronarëve nga e drejta e tyre historike, si dhe të mbajë hapur të gjitha shtigjet “ligjore” për grabitje më totale të trojeve publike nga grupe financiare të fuqishme apo njerëz me pushtet të lidhur me ta. Nga ligj për rivendosje së një të drejte të dhunuar nga komunizmi, ai po shndërrohet në një vegël për dhunimin e dytë të kësaj të drejte, si dhe në një gjenerator të grabitjes korruptive të trojeve publike. Pas gjithë kësaj, nuk mund të mos pyesësh: I kujt është shteti, i popullit apo i Mafias?
Deformimin më të madh ligji e ka pësuar me të ashtuquajturën “metodikë” të hartuar nga komisioni shtetëror për kthimin dhe kompensimin e trojeve dhe që pretendon të llogarisë në mënyrë “shkencore” vlerën e trojeve, që duhet të kompensohen. Pyetja e parë që të vjen ndër mend kur dëgjon për këtë metodikë është: Po tregu; a nuk thotë pikërisht ligji në fjalë që pronat, nëse nuk kompensohen dot fizikisht, do t´u kompensohen pronarëve fianciarisht me vlerën e tregut? Përse ligji nuk i drejtohet tregut të trojeve, por krijon një lloj “metodike”, duke dhunuar krejt logjikën e tregut dhe të ligjit. Dikush mund të thotë se tregu i trojeve është ende i pazhvilluar, se nëpër zyrat e regjistirimit të pasurive është e vështirë të zbulosh vlerën reale të pasurive të paluajtshme, pra, dhe të trojeve, për shkak të fshehjes korruptive të vlerës reale e të tjera alibi si këto. Por, realiteti flet jo me një metodë tjetër. Dihet që në Shqipëri ekziston prej disa vitesh tregu i shit-blerjes së trojeve dhe çmimet e këtij tregu mund të studiohen për t´u marrë për bazë të një kompensimi të mundshëm. Nëse qeverisësit e këtij vendi nuk i njohin këto çmime, injoranca nuk është argument për t´i injoruar ato. Nga ana tjetër, nëse zyrat e regjistrimit të pasurive janë të korruptuara, ky nuk është argument që t´i japë të drejtën një institucioni të bëjë llogaritje në erë, duke nxjerrë një vlerë qesharake për trojet aq të lakmuara në zonat turisitike apo në bregdet.
Por, mesa duket, shqetësimi i metodikës “shkencore” qeveritare nuk ka qenë rivendosja e së drejtës për ish-pronarët, por mbrojtja e interesave krejt të tjera dha antipublike. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet që “metodika” e cakton çmimin minimum për trojet në bregdet, 3 000 lekë, dhe atë maksimum, 7 000 lekë. Pra, nëse pronari nuk e merr truallin ku mund të investojë për turizmin, duke krijuar një biznes që mund t´i sillte miliona, do të jetë i detyruar të marrë një grusht lekësh, që s´kanë të krahasuar me mundësinë për biznesin, që ai humb. Dhe e gjitha kjo poshtërsi e grabitje quhet, publikisht, pra dhe paturpësisht, drejtësi dhe saktësi. Në fakt, është dhunë, është grabitje që dhunon rregullat më elementare të kërkesë-ofertës në treg. Eshtë një fakt i njohur që pak muaj më parë, Komiteti i Zhvillimit të Turizimit, i drejtuar nga ministri i Turizmit, Bashkim Fino, ka aprovuar ndërtimin e fshatrave turistike në mbi 1 milion metër katror troje turistiko-bregdetare. Janë caktuar edhe kompanitë (persona të stimuluar), që do të bëhen investitorë dhe pronarë të këtyre mrekullive turistike. Ky vendim pret vetëm të ratifikohet në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës, që drejtohet nga Fatos Nano. A është në logjikën e tregut që troje, për të cilat ka një kërkesë kaq të lartë për t´i blerë dhe investuar (përsërisim mbi 1 milion metër katror!), të çmohen nga “metodistët” me vlera qesharake? A është në logjikën e tregut që troje, jo thjesht të kërkuara, por të lakmuara, pushtimi i plazheve nga ndërtimet pa leje është tregues i vlerës së tyre reale dhe kërkesës së çmendur për to, të çmohen sa për një copë bukë? A është në logjikën e tregut të vendosësh çmime minimale për një pasuri të rrallë dhe të shterueshme si trojet, në kohën e një kërkese mjaft të lartë për to? Adam Smithi do të rrotullohej në varr. Na duket se jo pak nga ajo që ka ndodhur deri më sot në grupet e punës të Kuvendit, nuk është në logjikën e tregut, por është në logjikën e korrupsionit. Sepse përflitet që edhe në Kuvend ka deputetë që kanë pushtuar troje në zona turistike, që ligji do t´i detyrojë të paguajnë dhe prandaj po kujdesen që, në kurriz të pronarëve, të paguajën sa më pak për këto troje të grabitura. Gjithashtu, përflitet se në Parlament ka deputetë që kanë bërë plane të blejnë edhe nesër troje në zona bregdetare dhe turisitike dhe ndaj po bëjnë kujdes që t´i blejnë sa më lirë? Gazeta e partisë në pushtet ka kohë që shkruan për “Mafien e Trojeve” në qarqe e komuna por, mos vallë metastazat e saj kanë pushtuar edhe tempullin e demokracië? Dyshimet forcohen kur shikon që metodika e propaganduar, përkëdhel këto interesa të fshehta të disa prej përfaqësuesve të popullit, që nuk janë aspak interesa të popullit; nuk ka pasur për qëllim të vlerësojë realisht trojet në bregdet e zona turisitike, duke u bazuar te tregu, por t´i zhvlerësojë sa më shumë ato. Në komunizëm pronat u grabitën me shtetëzim; në “demokraci” po grabiten me zhvlerësim. Dhe për këtë krim të dytë, duan të bëjnë fajtor tregun. A nuk është e gjitha kjo korrupsion, pushtim i Kuvendit nga interesa korruptive, që rrënojnë jo vetëm interesat e drejta të pronarëve, por edhe interesin publik? Po a hyn këtu interesi publik? Natyrisht që po, dhe jo thjesht në kuptimin që edhe një padrejtësi e vetme infekton natyrën e shtetit. Ministri i Financave, Malaj, i shqetësuar për shpenzimet e buxhetit në zbatim të këtij ligji, u shpreh se duhet pasur parasysh edhe kostoja publike. Natyrisht, Malaj e ka parë problemin vetëm nga ana e shpenzimeve të buxhetit, atij si kërcet shumë për pronarët, dhe jo nga ajo e të ardhurave. Caktimi i çmimeve të ulta për trojet në bregdet, duke dhunuar të drejtën e ish-pronarëve, duke i grabitur ata për së dyti, vërtet do ta bënte më të lehtë barrën e buxhetit publik, por do të rrezikonte një kosto politiko-sociale për shtetin. Por jo vetëm kaq. Këto çmime të ulta do të merren për bazë edhe për shitjen e trojeve publike “personave të stimuliuar” afër pushteteve, duke bërë që buxheti të mbledhë miliona më pak nga këto shitje. Këtë anë të interesit publik, shumë deputetë nuk e shohin, sepse interesat e tyre janë të ndryshme nga ato të publikut. Të vetmet interesa që janë realisht në harmoni me ato të publikut, janë ato të ish-pronarëve që kërkojnë rivendosjen e drejtësisë. Vetëm nëse pronari do të marrë atë që është e pronarit, edhe Cezari (shteti, publiku) do të marrë atë që është e Cezarit. Por për këtë duhet vullnet politik, për të luftuar korrupsionin edhe sot në Kuvend. A do ta shfaqin deputetët këtë vullnet? Sepse vërtet ky vullnet është i padukshëm ose, sikundër i deklaroi kryeministri Nano gazetës “Financial Times”, as këndon dhe as kërcen, por janë shumë të dukshme bëmat e korrupsionit. Dhe kur korrupsioni arrin që edhe ligjet t´i hartojë në kundërshtim me interesat publike, atëhere mund të thuash se vullneti antikorrupsion në qeverisje nuk ekziston, dhe si i tillë nuk mund, tamam sikundër edhe thotë kryeministri, as të këndojë dhe as të kërcejë.
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt