Sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq i tha BBC-së se statusi i tashëm i Kosovës është i përkohshëm dhe nënvizoi se rruga e Kosovës për në Evropë kalon përmes Serbisë.
Ai tha se për momentin nuk mund të hapet për bisedime cështja e statusit të Kosovës ndonëse shtoi se në një periudhë të caktuar ajo sërish do të mbledhë në tryezë shqiptarët dhe serbët.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë ritheksuar se bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar dhe kanë nënvizuar faktin se me Serbinë do të mund të bisedojnë vetëm si partnerë të barabartë për çështje të interesit të përbashkët.
Por, zoti Ivanoviq tha se i takon kryeadministratorit të Kosovës, Lamberto Zannier, që të gjejë momentin dhe modalitetet se si t'i përfshijë në bisedimet e përbashkëta edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Ai tha se çfarëdo marrëveshjeje që eventualisht mund të arrijë UNMIK-u me përfaqësuesit serbë, ajo do të kalojë përmes konsultimeve ose në pajtim me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Një takim i radhës mes zotit Zannier dhe zyrtarëve të lartë serbë është zhvilluar nga fundi i javës në Beograd.
Në këtë takim janë hapur për diskutim gjashtë çështje të interesit të përbashkët, përfshirë drejtësinë e policinë, sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Ivanoviq dhe fillimisht e pyeti nëse bisedimet e deritashme janë të obligueshme për palët.
Z. Ivanoviq: Atë moment kur të arrihet një marrëveshje, dhe ne jemi në rrugë të mirë për ta arritur atë, ajo do të jetë e obligueshme për të trija palët. Supozoj se në një fazë përfundimtare UNMIK-u do të obligohet që atë marrëveshje që e arrin me palën tonë ta paraqesë dhe të merret vesh me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës.
BBC: Për çfarë marrëveshje po flisni? Çfarë prisni të arrini në bisedimet me zotin Zannier?
Z. Ivanoviq: Për çdo gjë që shkruhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, që u është dërguar presidentit Tadiq dhe zotit Sejdiu. Këto janë gjërat e obligueshme që na janë imponuar nga OKB-ja. Nëse të gjithë e pranojmë autoritetin e OKB-së dhe këtë të gjithë e bëjmë, atëherë mendoj se do të ishte shumë e logjikshme që të respektojmë atë që thuhet në letër me këtë rast.
BBC: Zoti Ivanoviq, përfaqësuesit shqiptarë nuk janë pjesë e bisedimeve Sa mund të ketë ndikim kjo në bisedimet e mëtejme që po zhvilloni?
Z. Ivanoviq: Unë e kam thënë se përfaqësuesit e institucioneve kosovare dhe ata të shqiptarëve të Kosovës nuk mund t'i përjashtojmë dhe në një periudhë ata duhet të jenë të përfshirë. Mendoj se i takon zotit Zannier që të gjejë momentin dhe modalitetin se si t'i përfshijë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Unë mendoj se cilado marrëveshje që eventualisht mund të arrihet me ne, do të kalojë përmes konsultimeve ose në pajtim me përfaqësuesit e institucioneve. Se kur do të bëhet kjo, unë nuk e di sepse nuk e di as edhe kur do të arrihet një marrëveshje me ne.
BBC: Zoti Ivanoviq, a vazhdoni të mbani qëndrimin se do të duhet të hapen sërish bisedimet për statusin politik të Kosovës?
Z. Ivanoviq: Për momentin kjo nuk është temë. Së pari, duhet të bisedojmë rreth këtyre gjashtë çështjeve dhe për një numër temash të ngjashme. Unë mendoj se cështja e statusit do të hapet sërish. Jam shumë i sigurt se pastaj statusi do të zgjidhej përfundimisht. Kjo që kemi tani nuk është zgjidhje e përhershme por e përkohshme, apo e ashtuquajtur zgjidhje kalimtare që do të shërbejë për këtë moment. Ne nuk pajtohemi me këtë por duket sikur shqiptarët e Kosovës janë të kënaqur me këtë.
BBC: Por, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se nuk ka më bisedime për statusin. Ju thoni se në një moment ato do të hapen sërish. Ku e bazoni këtë?
Z. Ivanoviq: Edhe turqit në veriun e Qipros patën thënë se nuk do të kishte bisedime rreth kësaj cështjeje dhe pastaj e ndryshuan qëndrimin e tyre. Jam thellësisht i bindur se shqiptarët e Kosovës do ta kuptojnë se cili është realiteti dhe çka është në interes të tyre. Realiteti është se nuk ka pavarësi nëse Serbia nuk pajtohet me këtë, realiteti është se është në interes të shqiptarëve të Kosovës që t'i bashkohen BE-së. Dhe rruga për në Bashkimin Evropian kalon nga Serbia.
BBC: Dhe Serbia mund ta pranojë pavarësinë, po themi, pasi të jenë kryer këto biseda politike?
Z. Ivanoviq: Nuk jam i sigurt nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës, por në parim duhe të gjendet një zgjidhje që është e mirë për të dyja palët, që serbët të jenë të sigurtë se e kanë Kosovën në pjesën e tyre dhe që edhe shqiptarët të mos jenë të frikësuar se Serbia do të bëjë atë që ka bërë në të kaluarën.
BBC: A prisni ndonjë takim të drejtpërdrejtë ndërmjet, po themi, presidentëve të Serbisë dhe atij të Kosovës apo të një niveli kryeministrash? Dhe nëse po atëherë kur do të bëhet kjo?
Z. Ivanoviq: Në një periudhë afatshkurtër një gjë e tillë nuk pritet për faktin se Serbia nuk mund të pranojë pavarësinë e Kosovës. A do të ndodhë kjo në një forum të hapur ku do të ketë një takim shumëpalësh? Kjo mbase mund të ndodhë. Por, unë mendoj se takime zyrtare nuk do të ketë.
BBC: Zoti Ivanoviq, brenda pak ditësh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duhet të vendosë rreth një projektrezolute të Serbisë për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Çfarë rezultati prisni nga kjo dhe a nuk bie kjo në kundërshtim me kërkesën e Serbisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian?
Z. Ivanoviq: Aspak jo. Serbia ka të drejtën që të kërkojë mbrojtje nga institucionet ndërkombëtare që merren me këtë çështje. Në këtë rast kjo është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më duket se nuk ka asgjë më të mirë se sa Serbia që paraqet një fytyrë të re të saj. Serbia nuk po i dërgon trupat e saj, nuk po e dërgon ushtrinë dhe policinë e saj speciale, por, thjesht, po i drejtohet Gjykatës. Kjo është një Serbi e re dhe me të duhet të mësohet edhe Evropa edhe bota. Nga ana tjetër, të gjitha vendet evropiane kanë të drejtë dhe e kanë shfrytëzuar disa herë mundësinë që t'i drejtohen Gjykatës së Drejtësisë për ndonjë çështje të diskutueshme. Mendoj se kjo Serbi duhet të marrë mbështetje dhe, mbi të gjitha, përmes mbështetjes së Evropës mund të pritet që kjo gjykatë ta trajtojë këtë çështje pa ndonjë mbingarkesë dhe me paanashmëri.
Krijoni Kontakt