New York, 12 Shtator 2008 -Bota ka bërë një përparim të fort dhe të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë së skajshme, raporton Organizata e Kombeve të Bashkuara – OKB, gjë që cënohet nga rritja e çmimeve, veçanërisht të ushqimit dhe derivateve, si dhe ngadalësimit të zhvillimit ekonomik në nivel botërorë. Që nga 2002, çmimet në rritje të mineraleve dhe produkteve të pa-përpunuara bujqësore kanë kontribuar drejt një zhvillimi të konsiderueshëm ekonomik në të gjitha rajonet në zhvillim, sipas raportit të për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM) 2008. Megjithatë, shumë vende në zhvillim tani janë duke u përballur me fatura të larta të importit për ushqim dhe derivate duke e rrezikuar zhvillimin e tyre. Vlerësime të përmirësuara mbi varfërinë nga Banka Botërore tregojnë që numri I të varfërve në botën në zhvillim është më i madh së sa ishte menduar, me 1.4. miliard njerëz. Mirëpo këto vlerësime konfirmojnë se ndërmjet vitit 1990 dhe 2005, numri i njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme ka shënuar rënie – nga 1.8 – 1.4 miliard – që tregon që shkalla e varfërisë e vitit 1990 ka shanse të përgjysmohet deri më 2015. Përmbushja e objektivave është e mundshme, thekson raporti, mirëpo kërkon përkushtim më të madh financiar, përfshirë dhe rritjen e ndarjes së ndihmës nga vendet e zhvilluara, e premtuar vite më parë. Pavarësisht, shumë nga tetë OZhM-të dhe caqe të ndërlidhura me to janë në rrezik që të mos përmbushen në afatin e zotuar, viti 2015, në mungesë të përpjekjeve të dyfishuara në vendet në zhvillim, një ambienti ndërkombëtar të favorshëm dhe të qëndrueshëm për zhvillim dhe rritjes së mbështetjes nga donatorët. Duke synuar vitin 2015 dhe më tej, nuk ka dyshim që ne mund të arrijmë objektivin gjithëpërfshirëse: ne mund t’i japim fund varfërisë, “ thekson Sekretari i Përgjithshëm në fjalën hyrëse të raportit. “ Mirëpo kjo kërkon një përpjekje të vendosur, të përbashkët dhe afat-gjate.” Duke konsideruar ndërlidhjen mes varfërisë, ndryshimeve klimatike dhe çmimeve të derivateve, çështje të cilat mund të varfërojnë njerëzit edhe në të ardhmen, të gjitha këto çështje do të trajtohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë shtatorit. Sekretari i Përgjithshëm, z. Ban, ka ftuar me 25 shtator, një ngjarje të veçantë të nivelit të lart në mënyrë që të fuqizojë aksionin global për të arritur OZhM-të. Afërisht 100 krerë të shteteve dhe qeverive pritet të marrin pjesë, sikurse dhe shumë liderë nga sektori privat, fondacione dhe organizata jo-qeveritare. Pritet që gjatë takimit apo ngjarjeve që lidhen me këtë takim, ata të shpallin një numër të iniciativave të reja dhe të zgjerojnë koalicionet për adresimin e shëndetit, varfërisë, çështjeve të ushqimit dhe ndryshimeve klimatike.
Përparimi dhe sfidat:
Ndër të arriturat e OZhM-ve të përfshira në raportin e dalur sot:
Përqindja e regjistrimit në arsim fillor ka arritur shifrën prej 90%, dhe mund të arrihet deri në 2015 në të gjitha regjionet e botës përveç dy sosh.
Brenda shkollave fillore, barazia gjinore (numri i vajzave të regjistruara në krahasim me djemtë) është 95% në 6 prej 10 regjioneve.
Vdekshmëria nga fruthi është ulur për një të tretën (1/3) prej 2000 – 2006, dhe shkalla e vaksinimit të fëmijëve nga shtetet në zhvillim ka arritur në 80%.
Më shumë se 1.5 miliard njerëz kanë arritur të kenë qasje në ujë te pijshëm nga viti 1990 – por për shkak të kufizimeve që ekzistojnë me resurset e ujerave të pastër, afër 3 miliard njerëz sot jetojnë në regjione që përballen me mungesë uji.
Me ndihmën e sektorit privat, teknologjia e telefonisë mobile dhe qasja në medikamente esenciale është duke u përhapur në shtetet më të varfura.
Duke iu falënderuar pjesërisht shlyerjes së borxheve prej huazuesve ndërkombëtarë, shpenzimet në shërbime sociale të shteteve në zhvillim është ngritur: pjesa e përfitimeve të eksportit nga shtetet në zhvillim për të paguar borxhet ka rënë nga 12.5% në 2000 në 6.6% në 2006, duke mundësuar shfrytëzimin e këtyre të hollave për tu dedikuar në arritjen e nevojave të shëndetit dhe edukimit për të varfërit.
Por shumica e tetë Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe qëllimeve tjera të ndërlidhura rrezikojnë të mos arrihen deri ne vitin 2015 pa u dyfishuar përpjekjet e shteteve në zhvillimi, një ambient i favorshëm dhe i qëndrueshëm për zhvillim ndërkombëtarë dhe mbështetje të shtuar nga donatorët.
Ndër sfidat e mbetura:
Më shume se gjysmë milion nëna në shtetet në zhvillim vdesin gjatë lindjes apo komplikimeve të shtatëzanisë çdo vit.
Rreth një e treta e fëmijëve në botën në zhvillim nuk kanë ushqim të mjaftueshëm
Gati gjysma e popullatës së botës në zhvillim ende ka mungesë të infrastrukturës sanitare.
Më shumë se një e treta e popullatës urbane në rritje të botës në zhvillim jetojnë në vendbanime jo-formale.
Gati dy të tretat e grave të punësuara në shtetet në zhvillim kanë punë jo të favorshme si të vetë-punësuara apo të papaguara nga biznesi familjarë.
Ku qëndron Kosova me arritjen e OZhM-ve?
Gjendja e OZhM-ve në Kosovë sipas raportit të dytë të OZhM-ve për Kosovën (UNDP, 2007):
· OZhM-1. Çrrënjosja e varfërisë së skajshme dhe urisë- 44% jetojnë në varfëri, kurse 14% në varfëri të skajshme
· OZhM-2. Arritja e edukimit univerzal fillor- Përqindja e nxënësve të cilët e fillojnë klasën e parë dhe arrijnë deri te klasa e pestë është 95.3%. Më 2001 dhe 2002, raporti vajza/djem në shkollimin fillor ka qenë 0.92
· OZhM-3. Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i gruas- Krahasimi në bazë të papunësisë: femra- 58%, meshkujt-30%,
· OZhM-4. Ulja e vdekshmërisë së foshnjave- Që nga viti 2000 vdekshmëria perinatale në Kosovë ka rënë, por ende mbetet më e larta në Evropë. Mortaliteti I fëmijëve nën 5 vjeç në vit është 35-49 për 1000 lindje
· OZhM-5. Përmirësimi I shëndetit të nënave- Shkalla e vdekshmërisë së nënave është 12-23 për 100,000 lindje
· OZhM-6. Luftmi I HIV/AiDS-it, Malaries dhe sëmundjeve tjera ngjtëse- 71 njerëz jetojnë me HIV, përhapja e tuberkulozës është 52 në 100,000 njerëz (2005)
· OZhM-7. Sigurimi i qëndrueshmërisë së ambientit- Shënohen probleme të rënda sa i përket kualitetit të ujit, menaxhimit të mbeturinave si dhe ndotja e ajrit. Sipërfaqet e mbuluara me gjelbërim janë 40%
· OZhM-8. Partneriteti global për zhvillim- Shkalla e papunësisë së të rinjëve të moshave 15-24 është 66.5%
· OZhM-9. Specifike për Kosovën- Ndërtimi i qeverisjes së mirë drejt integrimeve Evropiane
Agjencionet e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë të përkushtuara në mbështetjen e Kosovës për arritjen e OZhM-ve. Ato punojnë ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, sektorin privat, shoqërinë civile, komunitetet për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Hajdin ISLAMI,VushtrriaPRESS
www.vushtrriapress.shqipo.com
www.vushtrriapress.tk
Krijoni Kontakt